Lëvizjet shoqërore: Një përshkrim i shkurtër

  • Teoricienët kryesor që merren me lëvizjet shoqërore në aspektin teorik dhe praktik, gati se akordohen njëzëri se lëvizjet shoqërore janë produkt i botës moderne dhe sistemit kapitalist dhe me këtë emërtim ata iu referohen revoltave, rezistencave dhe kryengritjeve që ndodhin pas gjysmës së dytë të shekullit 18-të.
  • Ashtu si tek antipodi komunitet-shoqëri, edhe tek antagonizma revoltë paramoderne – lëvizje shoqërore kufiri ndarës konsiderohet mënyra e rregullimit të marrëdhënieve ndërkomunitare, gjegjësisht marrëdhënie të ngushta sy më sy e spontane tek revoltat paramoderne kundrejt marrëdhënieve që i tejkalojnë marrëdhëniet sy në sy, institucionale, të përcaktuara e normative në lëvizje shoqërore.
  • Teoria e sjelljes kolektive, e mbështetur nga modelet psikologjike, i trajton lëvizjet shoqërore në bazë të sjelljeve individuale dhe i sheh ato si një reagim të përkohshëm dhe irracional që shfaqen si reagim ndaj ndryshimeve strukturore dhe rrënjësore të ardhura nga modernizimi. Prandaj, ajo pretendon se baza e lëvizjeve shoqërore është margjinale dhe se këto lëvizje do të zhduken kur të gjithë të fillojnë të përfitojnë nga frytet e procesit të modernizimit.

Problematika e definimit: Çka është lëvizja shoqërore

Gjatë gjithë historisë njerëzore, që nga format më të hershme të organizimit shoqëror, njerëzit janë organizuar në mënyra të ndryshme për të protestuar ndaj autoriteteve, për t’i rezistuar shtypjeve të klasës udhëheqëse, për të kërkuar ndryshime apo shpesh edhe për të përkrahur pushtetin e për të kundërshtuar ndryshimin. Megjithatë jo çdo organizim kolektiv që ka karakter protestues, trazues apo të prishjes së rendit quhet lëvizje shoqërore. I pari që përdori termin “Lëvizje Shoqërore” ishte socialisti utopik Saint Simon në fillim të shekullit 18-të, i cili me të iu referohej protestave që po zhvilloheshin në Francë dhe po shpërndaheshin në të gjithë Evropën. Ndërsa, këtë koncept në përmasa shkencore për herë të parë e ka studiuar gjermani Lorenz Von Stein, në librin e tij “Historia e Lëvizjes Shoqërore në Francë nga viti 1789 deri në ditët e sotme” botuar në gjermanisht në vitin 1850, ku theksonte se lëvizjet shoqërore filluan të përhapeshin atëherë kur klasa punëtore fitoi vetëbesimin dhe fuqinë e saj për ta përmirësuar statusin e vetë në shoqëri. Studimet mbi lëvizjet shoqërore, si disiplinë brenda shkencave sociale lindën dhe u zhvilluan vetëm pas viteve 1960’, fakt ky që na bën të kuptojmë se ndikimi i lëvizjeve të reja shoqërore, për të cilat do të flasim në pjesën e dytë të këtij shkrimi, është mjaft i madh sa i përket zhvillimit të kësaj disipline.

Në përpjekje për ta definuar se çfarë është lëvizja shoqërore kriteri i parë dhe më i rëndësishmi ku janë fokusuar studiuesit është kriteri i kohës kur shfaqet ajo. Teoricienët kryesor që merren me lëvizjet shoqërore në aspektin teorik dhe praktik, gati se akordohen njëzëri se lëvizjet shoqërore janë produkt i botës moderne dhe sistemit kapitalist dhe me këtë emërtim ata iu referohen revoltave, rezistencave dhe kryengritjeve që ndodhin pas gjysmës së dytë të shekullit 18-të. Sipas Charles Tilly-t (2020), në shekullin e 19-të ndodhi një transformim nga aksionet e kryera me mënyra tradicionale nga grupe të caktuara komunitare drejt lëvizjeve më të organizuara, të vetëdijshme, që kanë vazhdimësi organizative e teorike dhe që i shërbejnë një kauze më afatgjate. Pra, siç mund të kuptohet edhe nga Tilly, ka një kategorizim të thuktë mes revoltave paramoderne, të cilat nuk klasifikohen si lëvizje shoqërore dhe atyre moderne që quhen lëvizje shoqërore. Dallimi i revoltës paramoderne – lëvizje moderne është zgjatim i dikotomive të tipit komunitet-shoqëri që projektohen nga shkencat shoqërore, kryesisht në fillet e tyre. Kriteri i dytë për ta dalluar revoltën paramoderne nga lëvizjet shoqërore është tek aspekti organizativ, gjegjësisht tek mënyra e rregullimit të marrëdhënieve brenda anëtarëve që marrin pjesë në revoltë/lëvizje. Ashtu si tek antipodi komunitet-shoqëri, edhe tek antagonizma revoltë paramoderne-lëvizje shoqërore kufiri ndarës konsiderohet mënyra e rregullimit të marrëdhënieve ndërkomunitare, gjegjësisht marrëdhënie të ngushta sy më sy e spontane tek revoltat paramoderne kundrejt marrëdhënieve që i tejkalojnë marrëdhëniet sy në sy, institucionale, të përcaktuara e normative në lëvizje shoqërore. Ajo që iu mundëson lëvizjeve shoqërore të kenë një organizim më efikas është zhvillimi i mjeteve të komunikimit dhe ndryshimi i kulturës së komunikimit që ndodh në botën moderne. Me revolucionin e shtypit si në aspektin cilësor ashtu edhe atë sasior leximi si aktivitet bëhet shumë më publik dhe kësisoj lindi edhe opinion publik që është pararendës i lëvizjeve shoqërore. Disa nga karakteristikat tjera të lëvizjeve shoqërore janë këmbëngulësia dhe koherenca në kauzë e aktivizëm dhe kapaciteti për ta riorganizuar veten. Pra, nëse një lëvizje shoqërore nuk ka përmasa lokale, nuk është reaksionare dhe reflektive, nuk ka një shpërthim dhe shuarje të shpejt; por është më e gjerë në shtrirje gjeografike, ka një ideal më afatgjatë dhe së brendshmi është e organizuar përmes metodave më moderne shkencore atëherë kemi të bëjmë me një lëvizje shoqërore.

Kriteri i tretë për të përcaktuar nëse kemi të bëjmë me një lëvizje shoqërore apo një revoltë paramoderne është raporti me demokracinë. Edhe pse kemi revolta apo kryengritje antidemokratike ku synohet ndryshimi drejtpërdrejt i sistemit demokratik, megjithatë veçanërisht pas viteve të 60’ atëherë kur dalin në pah Lëvizjet e Reja Shoqërore, ato, përveç se nuk mund të jenë antidemokratike, pra nuk mund ta rrezikojnë demokracinë, për më tepër i sigurojnë legjitimitet demokracisë duke ia mundësuar që ta rikonstruktojë veten. Shumë lëvizje shoqërore bëhen në emër të demokracisë, duke kërkuar të drejta të cilat sipas tyre janë demokratike, por në raste të caktuara u janë marr nga dikush tjetër.

Lëvizja e parë shoqërore: Ngjarja “Wilkes” dhe Thirrjet për liri në Londër

Charles Tilly, në veprën e tij “Lëvizjet Shoqërore: 1768-2018” thekson se në Prill të vitit 1768, Londra ishte përfshirë në një kaos me një shumëllojshmëri protestash të grupeve të ndryshme shoqërore, megjithatë sipas tij, vetëm njëra prej kryengritjeve të asaj kohe mund të quhet lëvizje shoqërore, dhe kjo ishte lëvizja që lidhet me ngjarjen “Wilkes” (Tilly, 2020). Deputeti Wilkes, i cili qe një aristokrat, arrin të futet në parlamentin anglez duke shfrytëzuar paratë dhe pozitën e tij. Pas kësaj ai nis të boton një gazetë disidente me emrin “The North Briton”. Në njërin nga shkrimet ai kritikonte ashpër Mbretin, kritika këto për  të cilat edhe arrestohet dhe burgoset. Pas një epilogu të gjatë gjyqësor, ai shpallet i pafajshëm dhe merr kompensim nga qeveria për arrestimin e tij të paligjshëm. Gjatë daljes nga burgu ai pritet nga një masë shumë e madhe e popullit të shoqëruar me brohoritjet për lirinë e tij, të cilat ishin sihariq për një lëvizje shoqërore që do të ndodhte më pas në Londër dhe gjithë Anglinë duke sjellë ndryshime të mëdha juridike, politike e shoqërore. Pas lirimit nga burgu, atij i hapet sërish rruga për në politikë. Ai vazhdon të mbetet një opozitar i përbetuar duke iniciuar kështu kauza të reja kundër parlamentit dhe qeverisë duke shfrytëzuar shpesh edhe problemet politike dhe ekonomike për të elektrizuar masën kundër Qeverisë. Aktiviteti i tij bëhet shkak që ai disa herë të pezullohet nga jeta politike, por nga ana tjetër edhe të fitonte simpatinë e tregtarëve dhe zyrtarëve londinez, të cilët së bashku me aktivistë nga klasa punëtore luftonin kundër Qeverisë dhe Mbretit. Lëvizjet dhe kauzat e tij për të drejta dhe liri të grupeve të shtypura në Londër do të përhapen në gjithë Anglinë. Përkrahësit e tij do të formojnë fillimisht shoqata, pastaj edhe lëvizje më të organizuara politike për reforma në parlamentin Britanik, por edhe më gjerë. Sipas Charles Tilly, kjo Lëvizje është shembulli i parë i lëvizjes shoqërore. Nëse i kthehemi përsëri kritereve që i përmendëm në pjesën e parë, shohim se ngjarjet që ndodhën në Londër në gjysmën e dytë të shekullit 18-të i përmbushin kriteret për tu quajtur lëvizje shoqërore duke e filluar që nga roli që shtypi luan në këtë lëvizje, kohëzgjatja dhe këmbëngulësia e kësaj kauze e deri te raporti i saj me demokracinë. Fryma e rezistencës së mbështetësve të Wilkes më pas u përhap në Boston dhe Massachusetts në Amerikë, por edhe në gjithë Evropën. Si një ndër lëvizjet e para shoqërore, që gjithashtu ndryshuan historinë e botës moderne mund të përmenden edhe Revolucioni Amerikan (1775-1783) dhe Revolucioni Borgjez Francez (1789).

Lëvizjet klasike shoqërore

Ashtu siç bëhet një ndarje e prerë mes lëvizjeve shoqërore dhe revoltave paramoderne, gjithashtu kemi edhe një ndarje mes lëvizjeve të vjetra dhe atyre të reja shoqërore. Edhe pse ka studiues që pretendojnë se një klasifikim i tillë mund të bëhet veç nga një pozicion ideologjik, megjithatë shumica e studiuesve mbështesin pohimin se në vitet e gjashtëdhjeta, veçanërisht pas ngjarjeve të 68-tës, lëvizjet shoqërore ndryshuan karakter dhe pas kësaj këto lëvizje quhen Lëvizje të Reja Shoqërore, përkundër atyre paraprake që tanimë nënkuptueshëm quhen lëvizje të vjetra apo klasike shoqërore.

Megjithëse shprehja lëvizjet klasike përfshinë edhe lëvizjet nacionaliste dhe antikolonizatore, ajo përdoret kryesisht për t’iu referuar lëvizjeve së klasës punëtore të formësuar rreth konfliktit të klasave. Lëvizjet klasike shoqërore synonin të përhapen në të gjithë shoqërinë duke synuar ndryshimin e saj në tërësi, sepse mbështeten tek masiviteti. Ato synonin të krijojnë një imazh mbi individin dhe ta përfshijë atë në veprimin kolektiv rreth këtij krijimi. Në lëvizjet klasike shoqërore, në vend të individit të lirë dhe krijues që është hegjemon në paradigmën liberale, del në pah një qenie e formuar nga parametrat e ndërgjegjes së komunitetit. Pra, në lëvizjet e vjetra shoqërore nuk ka individ, por komunitet, prandaj edhe teoritë që i studiojnë këto lëvizje shpesh fokusohen në këtë pikë gjatë analizës dhe kritikës së tyre. Për shembull, njëra ndër qasjet kryesore e cila i sqaron lëvizjet e vjetra shoqërore, është Qasja e Sjelljeve Kolektive nga Gustave Le Bon. Si një aristokrat dhe armik i revolucionit, Le Bon pretendon se lëvizjet shoqërore, që janë produkt i masave, janë irracionale. Sipas tij, sjellja e masave mund të jetë veç shkatërrimtare, ngaqë individi, i cili është racional, brenda turmës i dorëzohet irracionalitetit kolektiv. Ai thekson se sjelljet kolektive janë gjithnjë në nivelin e  kafshërores.  Me pak fjalë, qasja e sjelljeve kolektive, e mbështetur nga modelet psikologjike, i trajton lëvizjet shoqërore në bazë të sjelljeve individuale dhe i sheh ato si një reagim të përkohshëm dhe irracional që shfaqen si reagim ndaj ndryshimeve strukturore dhe rrënjësore të ardhura nga modernizimi. Prandaj, ajo pretendon se baza e lëvizjeve shoqërore është  margjinale dhe se këto lëvizje do të zhduken kur të gjithë të fillojnë të përfitojnë nga frytet e procesit të modernizimit.  Sipas tyre, forcat lëvizëse që shkaktojnë ndryshimin në shoqëri nuk janë lëvizjet shoqërore që shfaqen në kohë krize sociale dhe ekonomike, por vetë një domosdoshmëri historike. (Çayir, 2016).

Kjo qasje ndaj lëvizjeve shoqërore, pra paradigma se lëvizjet shoqërore janë shkatërruese dhe jo reformatore ishte dominuese deri në fillim të shekullit 20-të. Për qasjet e reja, që kryesisht dalin pas Luftës së Dytë Botërore si dhe për Lëvizjet e Reja Shoqërore do të flasim në pjesën tjetër të shkrimit.

Ndaje