Vëmendja e vjedhur

  • Vëmendja është esenca e vetëdijes sonë; aty ku nuk e përqendrojmë vëmendjen, do të thotë se nuk e kemi pjesë të përvojës sonë.
  • Mënyra moderne e jetesës na ka bërë të jetojmë gjithnjë e më shpejt dhe jemi gjithnjë e më pak të aftë t’i kushtojmë vëmendje një teme. 
  • Hulumtimet kanë treguar se për shkak të përqendrimit të dobët, ne jemi më të prirë për të thjeshtuar problemet dhe për të miratuar zgjidhje më autoritare. Bota e sotme po përballet me kriza të shumta dhe serioze që kërkojnë një fokus afatgjatë në zgjidhjen e tyre, një reflektim më të thellë dhe një ndryshim në sjelljen jo vetëm të elitave politike, por të çdo individi.
  • Rezultati është “sipërfaqësorja” sepse reflektimi më i thellë kërkon përqendrim, kohë, lidhje me përvojat e mëparshme, dallim inteligjent i të vërtetës nga gënjeshtra.

Vëmendja e vjedhur titullohet libri i gazetarit hulumtues anglez, Johann Hari (Johan Hari) i motivuar nga përvoja personale, ai vuri në dukje një problem që përfshin një numër të madh njerëzish në qytetërimin modern – dobësimin e aftësisë për të përqendruar vëmendjen. Në një bashkëbisedim me shkencëtarë dhe studiues të shumtë nga fusha të ndryshme të shkencave sociale dhe mjekësisë, ai u përpoq të identifikojë shkaqet e shpërqendrimit në rritje të njeriut modern, por edhe pasojat që ky fenomen ka në jetën e njerëzve. 

Vëmendja është esenca e vetëdijes sonë; aty ku nuk e përqendrojmë vëmendjen, do të thotë se nuk e kemi pjesë të përvojës sonë. Kur ecim në rrugë, rreth nesh kalojnë njerëzit, makinat, kalojmë nëpër dyqane, por ne nuk do të jemi të vetëdijshëm për këtë nëse nuk i kushtojmë vëmendje. Ne mund ta shtrijmë këtë shembull të thjeshtë në situata të ndryshme jetësore në të cilat kemi mundësi të fitojmë përvoja të rëndësishme jetësore. Cilësia e vëmendjes varet nëse do t’i vërejmë dhe përfitojmë mundësitë, cilat përvoja do të jenë pjesë e vetëdijes sonë, sa do t’i kuptojmë dhe përvetësojmë ato.

Studime të shumta konfirmojnë se vëmendja jonë po dobësohet. Mënyra moderne e jetesës na ka bërë të jetojmë gjithnjë e më shpejt dhe jemi gjithnjë e më pak të aftë t’i kushtojmë vëmendje një teme. Hulumtimet në rrjetet sociale kanë treguar se mbajtja e përdoruesve në një temë të caktuar po bëhet gjithnjë e më e shkurtër sepse informacioni po vjen gjithnjë e më shpejt, aq shpejt saqë është e pamundur për të qëndruar seriozisht në ndonjë temë të caktuar. Në përgjithësi, ne jemi të vërshuar me informacione dhe sa më shumë informacione të kihet, aq më i shkurtër bëhet përqendrimi  dhe është vështirë të mendojmë më thellë për një çështje a fenomen të caktuar. 

Rezultati është “sipërfaqësorja” sepse reflektimi më i thellë kërkon përqendrim, kohë, lidhje me përvojat e mëparshme, dallim inteligjent i të vërtetës nga gënjeshtra. Sipërfaqësorja hap mundësinë e manipulimit, kështu që bëhet shumë e lehtë të mbjellësh në vetëdijen e njerëzve një ide që i kontribuon interesave ideologjike, politike ose ekonomike të dikujt. Një person thjesht nuk ka përqendrim të mjaftueshëm për të vlerësuar forcën e argumenteve dhe vërtetësinë e disa informacioneve. Me humbjen e vëmendjes humbasim edhe aftësinë për të zgjidhur problemet, sepse çdo problem kërkon përqendrim të vëmendjes, gjë që bën të mundur ndërgjegjësimin për aspekte të ndryshme të problemit dhe gjetjen e zgjidhjeve të mundshme. 

Hulumtimet kanë treguar se për shkak përqendrimit të dobët, ne jemi më të prirë për të thjeshtuar problemet dhe për të miratuar zgjidhje më autoritare. Bota e sotme po përballet me kriza të shumta dhe serioze që kërkojnë një fokus afatgjatë në zgjidhjen e tyre, një reflektim më të thellë dhe një ndryshim në sjelljen jo vetëm të elitave politike, por të çdo individi. Nëse shumica e  njerëzve kushtojnë gjithnjë e më pak vëmendje, atëherë nuk ka vetëdije për seriozitetin e krizës, as për përgjegjësinë e tyre dhe nevojën për të ndryshuar sjelljen e qasjen ndaj një problematike. Vëmendjen tonë do ta përfshijnë mendimet e pasojave të krizës, e jo zgjidhjet e mundshme.

Një nga shkaqet kryesore të rënies së aftësisë për t’u përqendruar është zhvillimi i përshpejtuar teknologjik dhe shpikjet e shumta që duhej ta bënin më të lehtë jetën tonë të përditshme, por ato na bënë të jetojmë gjithnjë më larg natyrës sonë. Bota virtuale është bërë më tërheqëse se bota reale, rrjetet sociale kanë zëvendësuar kontaktet e drejtpërdrejta sociale dhe shoqërimin, lajmet e rreme janë bërë më të rëndësishme se kërkimi i së vërtetës. Interneti, aplikacionet e ndryshme dhe rrjetet sociale janë bërë zotërues të vëmendjes sonë, rrjedhimisht të vetëdijes dhe përvojave tona, mbi bazën e të cilave ne ndërtojmë imazhin tonë për botën dhe vetveten. 

Disa punonjës të kompanive të teknologjisë dhe autorë aplikacionesh kanë deklaruar se kompanitë po manipulojnë qëllimisht vëmendjen e përdoruesve të tyre për t’i mbajtur ata në një faqe ose aplikacion sa më gjatë që të jetë e mundur. Sa më gjatë të shikojmë ekranin e celularit, të “lundrojmë” në internet, sa më shumë kohë të kalojmë në rrjetet sociale, aq më shumë përfitime komerciale do të bëjnë kompanitë. Kjo është arsyeja pse faqet dhe aplikacionet janë krijuar për të na ofruar vazhdimisht lidhje të reja të njëpasnjëshme për një temë që fillimisht na intereson, në mënyrë që të kalojmë në faqe tjera që lidhen me temën që e kemi përzgjedhur, e kjo të na mbajë të ngjitur sa më gjatë për ekran. Ne nuk përqendrohemi në asnjërën prej tyre, sepse tjetra që pason na tërheq menjëherë vëmendjen. Nëse mendojmë se jemi të lirë dhe zgjedhim atë që shikojmë në ekrane me vullnetin tonë të lirë, duhet të mendojmë me kujdes nëse është vërtetë kështu dhe sa me vetëdije të plotë vendosim se ku të përqendrojmë vëmendjen tonë.

Një nga mënyrat në të cilat kompanitë e teknologjisë manipulojnë vëmendjen është e ashtuquajtura “pëlqimet” dhe “zemrat” që përdoruesit marrin në postimet e tyre. Kjo bazohet në hulumtimin e psikologut Frederick Skinner, i cili përshkroi procesin e formësimit të sjelljes të quajtur “kushtëzimi instrumental” në mesin e shekullit të kaluar. Duke përdorur një sistem shpërblimesh dhe ndëshkimesh, ai i mësoi minjtë të sillen në një mënyrë të përcaktuar, saktësisht: për çdo sjellje të dëshiruar, miu do të merrte një shpërblim, mungesa e sjelljes nënkuptonte mungesën e një shpërblimi. 

Krijuesit e rrjeteve sociale kanë përdorur rezultatet e këtyre studimeve për të kushtëzuar sjelljen e përdoruesve të tyre dhe për t’i mbajtur ata në faqet e tyre sa më gjatë të jetë e mundur. Pëlqimet janë shpërblyese, ato na thonë “të shoh, je i rëndësishëm, më pëlqen”, mungesa e pëlqimeve na thotë të kundërtën, “je i padukshëm, nuk je i rëndësishëm”. 

Prandaj “duhet” të jemi të pranishëm në faqe, të publikojmë vazhdimisht dhe të kontrollojmë vazhdimisht nëse të tjerët na kanë pëlqyer. Sado që ne nuk duam ta dëgjojmë këtë, pëlqimet dhe zemrat kanë të njëjtin efekt tek përdoruesit e mediave sociale si shpërblimet për minjtë e Skinerit, duke kushtëzuar dhe formësuar sjelljen e përdoruesit. 

Një problem i veçantë është fenomeni i të ashtuquajturit tendencat negative të një personi mesatar. Hulumtimet psikologjike kanë treguar se vëmendja është e pushtuar më gjatë nga përmbajtja negative dhe shqetësuese sesa nga ato pozitive. Është treguar se postimet që shprehin mosmarrëveshje dhe gjykime morale, marrin dy herë më shumë pëlqime dhe shpërndahen shumë më tepër sesa shprehjet e mirëkuptimit, kështu që është në interesin e kompanive të ofrojnë përmbajtje që shkaktojnë zemërime, frikë dhe emocione negative. Siç ka thënë Tristan Harris, një ish-inxhinier në Google, nëse shumë njerëz kalojnë kohë të gjatë në gjendje të zemëruar, kjo fillon të ndryshojë kulturën dhe “e kthen urrejtjen në një shprehi”. 

Problemi i dobësimit të aftësisë për t’u përqendruar për shkak të varësisë ndaj ekraneve prek veçanërisht fëmijët dhe të rinjtë. Fëmijët nuk kalojnë më kohë në parqe, kënde lojërash, duke u shoqëruar me njëri-tjetrin, por në celularë dhe kompjuterë, në botën virtuale të lojërave, duke kontrolluar pëlqimet dhe mesazhet. Se sa e dëmshme është kjo dukuri për zhvillimin psikologjik u tregua edhe në kohën e koronës e të izolimit të detyruar. Mundësia e mësimit në distancë përmes internetit doli të ishte një zgjidhje praktike, por efektet negative u vunë re shumë shpejt. Hulumtimet kanë treguar se kjo formë e mësimdhënies ul përqendrimin dhe përgjithësisht ndikon negativisht në zhvillimin e aftësive njohëse të fëmijëve. Kjo është arsyeja pse gjithnjë e më shumë vende po ndalojnë përdorimin e telefonave celularë, tabletëve dhe pajisjeve të ngjashme në shkolla. Megjithatë, pasojat nuk janë të dukshme vetëm në suksesin e ulët akademik. Kjo formë komunikimi nuk plotëson nevojën themelore të të rinjve për shoqërim dhe kontakte të ngushta me miqtë dhe bashkëmoshatarët, gjë që është kusht i shëndetit psikologjik. Sot, gjithnjë e më shumë të rinj vuajnë nga ankthi, depresioni, shfaqin sjellje të dhunshme ose izolohen nga rrethi.

Një nga pasojat e dobësimit të vëmendjes është humbja e interesit për të lexuar libra. Një profesor nga Harvardi u ankua se ai nuk u jep më studentëve të letërsisë as tekste të shkurtra dhe libra, sepse ata nuk kanë durim t’i lexojnë. Në vend të kësaj, u jep atyre lidhje me kanalin YouTube. Studime të shumta kanë konfirmuar ekzistencën e një fenomeni të quajtur “inferioriteti i ekranit”: njerëzit kuptojnë dhe përkujtojnë më pak atë që lexojnë në ekran sesa atë që lexojnë në një libër. Leximi i librave kërkon kohë dhe përqendrim afatgjatë në një temë të caktuar, gjë që mundëson një kuptim më të mirë të asaj që lexohet. Leximi nga ekrani është i ngjashëm me leximin e titujve të gazetave, ne kemi më shumë gjasa ta kalojmë tekstin me sytë vetëm sipërfaqësisht. Por ka edhe një pasojë tjetër, ndoshta më të rëndë të humbjes së interesit për librat. Kur lexojmë një histori ose një roman, ne zhytemi në të, në gjendjen emocionale dhe mendore të dikujt tjetër; na hapet një botë e re që i pasuron përvojat tona. Kështu zhvillohet imagjinata, eupatia, kuptimi i ndjenjave të njerëzve tjerë, dalim nga kafazi i botëkuptimit tonë dhe e shohim botën edhe me sytë e tjetrit.

Përveç zhvillimit teknologjik dhe efektit negativ të tij në përqendrim, Johann Hari përmend një sërë shkaqesh të tjera që kanë një efekt të dëmshëm në aftësinë për t’u përqendruar; duke u nisur nga ushqimi i dobët, ndotja e ambientit, stresi dhe rraskapitja. Siç thotë Hari: “Ne jetojmë në një sistem që çdo ditë hedh acid në vëmendjen tonë.” Prandaj, problemi është shumë më i thellë dhe tregon për një mënyrë jetese gjithnjë e më të panatyrshme të njeriut modern. 

Çfarë mund të bëjmë? A duhet t’i hedhim celularët, të heqim dorë nga interneti dhe rrjetet sociale, të ikim në një ishull të shkretë dhe të harrojmë që qytetërimi modern ekziston? Sigurisht që këto nuk janë zgjidhje. Nuk ka rëndësi se çfarë zotërojmë, por mënyra se si e përdorim atë që zotërojmë, madje edhe ikja nga qytetërimi nuk do të na ndihmojë sepse, siç ka thënë Sokrati: “Kur ecim në rrugë, ne e marrim ende zvarrë vetveten”. Problemi është te njeriu, pra edhe zgjidhja është te njeriu. Ndryshe nga të gjitha qeniet e tjera të gjalla, njeriu ka vëmendje të vullnetshme, aftësi që me vetëdije dhe me vullnetin e tij të lirë ta drejtojë vëmendjen e tij në atë që ai e konsideron të vlefshme dhe të rëndësishme. Ne duhet të pyesim veten pse nuk e përdorim atë, por i dorëzohemi pasivisht ndikimeve të jashtme që manipulojnë vëmendjen tonë dhe na bëjnë të kotë dhe sipërfaqësorë. Prandaj, zgjidhja është brenda nesh. Në librin e tij, Johann Hari e quan “optimizëm mizor”, sepse është mizore të kalosh përgjegjësinë te individi dhe të presësh me shumë optimizëm që problemet e mëdha shoqërore të zgjidhen me përpjekje individuale. Por, edhe udhëtimi për në Hënë fillon me hapin e parë. Ndryshimi i botës fillon me ndryshimin e individit, secilit prej nesh. Pra, në vend që të shikojmë në një ekran, sonte mund të marrim një libër të mirë dhe të fillojmë ta lexojmë.

Ndaje