Ndikimi që do të kenë Lojërat Mesdhetare në infrastrukturën sportive në Kosovë

 

  • Për herë të parë në historinë e Kosovës si shtet, po organizohet një ngjarje si Lojërat Mesdhetare, të cilat do të mbahen në vitin 2030. Ngjarje kjo e cila do të ndikojë drejtpërdrejt në investimet qindra milionëshe në infrastrukturën sportive.
  • Qeveria është zotuar se shuma që do të investohet në infrastrukturën sportive do të arrijë në 250 milionë euro.
  • Pra, marrja e organizimit të Lojërave Mesdhetare, ka qenë plani më i mirë për një ‘boom’ investimesh me plan, që do të zgjasin për gjashtë vite, por pas këtyre  viteve, Kosova dhe sportistët  e saj, sikurse ata të shumë vendeve të rajonit do të kenë ku të zhvillojnë aktivitetet më me dinjitet se sa që i kanë zhvilluar dhe i zhvillojnë sot.
  • Përveç sporteve popullore si futbolli, basketbolli, hendbolli dhe volejbolli, për herë të parë do të kenë shtëpi edhe sportet si shigjetaria, xhudo, noti, tenisi dhe shenjëtaria. Investimi ka qenë i domosdoshëm në këto sporte, që tek ne me shumë vështirësi mbijetojnë.

Para më shumë se një muaji, shteti i Kosovës mori një lajm shumë të madh sa i përket sportit, pasi fitoi  organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030, ngjarjet e mëdha sportive që organizohen çdo katër vjet nga Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetar.

Pra kjo ngjarje do të mbahet në shtetin tonë pas shtatë vitesh, por për ta bërë këtë gjë duhen investime të mëdha, ndërsa qeveria aktuale me kryeministër Albin Kurtin është zotuar për investime në vlerë 250 milionë euro.

Pra gjatë verës së vitit 2030, mijëra sportistë nga 26 vende do të jenë në Prishtinë, ku do të akomodohen në Qendrën e Studenteve, që do të kthehet në Fshat Mesdhetar.

Objektet që do të ndërtohen dhe ato që do të rinovohen

Shumë qytete të Kosovës do të përfitojnë nga investimet që do të bëhen për Lojërat Mesdhetare, pasi ato do të mbahen në 11 komuna që do të shndërrohen në qendra të këtij organizimi, duke përfshirë 10 komuna në Kosovë dhe komunën e Durrësit në Shqipëri.

Një çereku i ngjarjeve, apo 25 për qind do të organizohen në Prishtinë, pastaj një numër i madh në Podujevë, Gjakovë e Pejë. Organizim dhe ngjarje do të ketë edhe në Prizren, Gjilan e Mitrovicë, Skenderaj, Drenas dhe Ferizaj, gjithmonë duke mos e anashkaluar Durrësin si qendër për lojërat që zhvillohen në ujë.

Për të organizuar siç është më së miri, nga 24 objektet ku mendohet organizimi i këtyre Lojërave Mesdhetare, 10 do të rinovohen, katër do të ndërtohen të reja, pesë prej tyre janë në ndërtim e sipër ku puna do të vazhdohet, ndërsa do të bëhen edhe pesë investime të përkohshme për disiplina të ndryshme si 3X3 basketboll, lundrim, çiklizëm e të tjera.

Dhjetë objektet që do të rinovohen dhe kanë nevojë të madhe janë: Pallati i Rinisë dhe Sportit (Prishtinë),  stadiumi “Fadil Vokrri”, Palestra “1 Tetori” (Prishtinë), Palestra “Bashkim Selishta” (Gjilan), Palestra “Shani Nushi” (Gjakovë), Palestra “Sezai Surroi” (Prizren), Palestra “Bill Klintoni” (Ferizaj), Palestra “Minatori” (Mitrovicë), Qendra e Studentëve (Prishtinë), Stadiumi i Gjakovës.

Në proces të ndërtimit janë: Stadiumi “Adem Jashari” (Mitrovicë), Stadiumi i Gjilanit, Stadiumi i Hajvalisë, Poligoni i Shigjetarisë, Qendra Nacionale e Xhudos (Pejë) e cila do të zgjerohet.

Katër ndërtimet që do të bëhen e që kanë qenë të domosdoshme për sportin tonë janë: Stadiumi Nacional, Kompleksi i Pishinave Olimpike, Kompleksi i Tenisit dhe Poligoni i Shenjëtarisë.

Ndikimi që do të kenë ndërtimet dhe rinovimet

Kosova qëndron më së keqi në rajon sa i përket infrastrukturës sportive. Shumë investime që janë bërë ndër vite janë bërë “shkel e shko” dhe shumica nga to do të duhet të futen sërish në rinovim.

Vlera e 250 milionë eurove të ndara mund të mos mjaftojë për të kryer të gjitha punët, pasi që lista e objekteve që do të ndërtohen dhe rinovohen është e gjatë, por edhe nëse duhet të shtohen para të tjera, nuk do të ishte problem, pasi që këto objekte do të shërbenin për të rinjtë për dekada.

Shembulli më i mirë është stadiumi Poljudu i Hajdukut të Splitit, i cili është ndërtuar për të pritur Lojërat Mesdhetare të vitit 1979. Stadiumi vazhdon të mbetet edhe pse pas më shumë se dhjetë vitesh u rinovua duke ulur kapacitet nga 62,000 në 34 mijë. 

Pra objektet që do të ndërtohen do të mbeteshin për shumë gjenerata që do ta zhvillojnë sportin, sidomos Stadiumi Nacional, pasi që siç dihet aktualisht Kosova ka vetëm një stadium që plotëson kushtet e kërkuara nga UEFA, atë “Fadil Vokrri” dhe mbetet i stërngarkuar, pasi aty luan Përfaqësuesja e Kosovës pothuajse me të gjitha grup moshat, pastaj edhe klubet kosovar që marrin pjesë në garat evropiane dhe FC Prishtina.

Rinovimi i stadiumeve dhe palestrave në qendra të mëdha si Mitrovica, Prizreni, Gjakova, Gjilani dhe Ferizaj, do të bënte që Kosova të kishte një infrastrukturë të qëndrueshme për shumë vite.

Me një Stadium Nacional dhe me stadiumet e rinovuara nëpër qendrat e mëdha, Kosova shumë lehtë do të mund të ishte organizatore e ndonjë Kampionati Evropian për të rinj, siç e fitoi Shqipëria këtë vit.

Përveç sporteve popullore si futbolli, basketbolli, hendbolli dhe volejbolli, për herë të parë do të kenë shtëpi edhe sportet si shigjetaria, xhudo, noti, tenisi dhe shenjtëria.

Investimi ka qenë i domosdoshëm në këto sporte, që tek ne me shumë vështirësi mbijetojnë.

Pra, marrja e organizimit të Lojërave Mesdhetare, ka qenë plani më i mirë për një ‘boom’ investimesh me plan, që do të zgjasin për gjashtë vite, por pas këtyre  viteve, Kosova dhe sportistët  e saj, sikurse ata të shumë vendeve të rajonit do të kenë ku të zhvillojnë aktivitet më me dinjitet se sa që i kanë zhvilluar dhe i zhvillojnë sot.

Por çfarë janë Lojërat Mesdhetare dhe kush merr pjesë në to?

Fillimisht kjo garë u mbajt në vitin 1951 në Egjipt, ndërsa e fundit në vitin 2022 në Orat e Algjerisë, ku Kosova korri disa suksese.

Në këto Lojëra marrin pjesë atletë nga 26 shtete, pra nga tri kontinente, Evropa, Azia dhe Afrika.

Nga Afrika vijnë shtete si Algjeria, Egjipti, Libia, Maroku e Tunizia, ndërsa nga Azia marrin pjesë Libani, Siria dhe Turqia.

Shtetet evropiane që marrin pjesë në Lojërat Mesdhetare janë: Shqipëria, Andorra, Bosnja, Kroacia, Qiproja, Franca, Greqia, Italia, Kosova, Malta, Monako, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Portugalia, San Marino, Serbia, Sllovenia dhe Spanja.

Nga këto 26 shtete pjesëmarrëse, 10 nuk e njohin Kosovën si shtet. Algjeria, Bosnja, Maroku, Serbia, Siria, Spanja, Qipro, Greqia, Libani dhe Tunizia janë shtetet që nuk e njohin Kosovën, por janë pjesë e Lojërave Mesdhetare.

Kosova u pranua në këtë organizatë në vitin 2015 dhe mori pjesë për herë të parë në vitin 2018 në Spanjë. Në këto Lojëra të mbajtura në Oran, Kosova fitoi gjashtë medalje, tri të arta dhe tri të bronzta.

Lojëra Mesdhetare zhvillohen në 33 sporte të ndryshme: Gjuajtje me hark, atletikë, badminton, basketboll, volejboll në plazh, bocce, boks, gara me kanoe, çiklizëm, zhytje, kalërim, skermë, hokej, futboll, golf, gjimnastikë, hendboll, xhudo, karate, kanotazh, ragbi, lundrim, qitje, not, pingpong, taekëando, tenis, volejboll, vaterpolo, ski në ujë, peshëngritje, mundje.

Me një partneritet me Shqipërinë, lojërat që zhvillohen në ujë, do të mbahen në Durrës.

Ndaje