Ekonomitë në zhvillim në epokën e ri-globalizimit

 

  • Ekonomia globale po kalon një transformim, i ndikuar nga kriza të shumta dhe konkurrenca midis superfuqive ekzistuese dhe fuqive në zhvillim. Kjo ka çuar në shfaqjen e terminologjive të reja si de-globalizimi, ri-globalizimi dhe rajonalizmi.
  • Vetëm roli i ndërvarësisë ekonomike nuk mjafton më për të përcaktuar rendin botëror. Dallimet ideologjike dhe polarizimi po bëhen gjithnjë e më me ndikim, dhe ndërveprimi midis superfuqive do të ketë një ndikim të madh në rendin global.
  • Dukuria e deglobalizimit apo riglobalizimit shihet ndryshe në varësi të këndvështrimeve teorike dhe ideologjike. Liberalët theksojnë rolin e OJQ-ve, korporatave shumëkombëshe dhe organizatave ndërkombëtare, ndërsa realistët fokusohen në dinamikën e fuqisë ndërmjet shteteve, veçanërisht konkurrencën midis SHBA-së dhe Kinës. Riorganizimi i zinxhirëve të prodhimit dhe furnizimit nxitet nga gara për dominim teknologjik.
  • Vendet me orientim perëndimor, përfshirë ato në Ballkan, kanë potencialin për të përfituar nga ky transformim nëpërmjet rritjes së bashkëpunimit, transferimit të teknologjisë, shkëmbimit të ekspertizës dhe investimeve të përbashkëta me vendet e zhvilluara.

 

Sistemet politike, ekonomike e sociale në nivel vendi dhe bote janë vazhdimisht në transformim. Ky transformim në disa periudha është më i ngadalshëm dhe gradual dhe në disa tjera, për shkak të rrethanave të ndryshme është shumë i shpejtë. Krizat e shumta kohët e fundit dhe sfidat e shkaktuara nga përplasja mes superfuqive ekzistuese dhe fuqive të reja në rritje po ndikojnë që akademikët e politikë-bërësit të mendojnë dhe të diskutojnë për modele të reja të politikës ekonomike ndërkombëtare, të cilat do të kenë efekte të mëdha tek të gjitha shtetet, qofshin ato të mëdha apo të vogla, të zhvilluara apo në zhvillim.

Që nga kriza financiare e vitit 2008, procesi i globalizmit i matur në lëvizjen e mallrave, volumin e tregtisë si përqindje e GDP-së botërore, ka ngecur. Rritja e popullizmit, kthimi në epokën e proteksionizmit, COVID-19, pushtimi Rus i Ukrainës, sanksionet si dhe rreziqet për eskalime tjera, po ndikojnë në këtë ristrukturim të ekonomisë globale. Këto kriza ishin dhe vazhdojnë të jenë aq të fuqishme, sa që në shumë vende kanë shkaktuar recesion, rritje të inflacionit, të papunësisë si dhe në nivel global kanë ndryshuar marrëdhëniet ekonomike mes vendeve, duke e rritur tregtinë mes vendeve me orientim të ngjashëm politik. Këto ngjarje kanë bërë që kohët e fundit të dalin në pah terminologji të ndryshme përmes të cilave tentohet të përshkruhet ky proces. Fjalët si de-globalizimi, ri-globalizimi, regjionalizmi, slowbalisation (ngadalësimi i globalizimit), friendshoring (bashkëpunimi me vendet mike), janë disa nga fjalët përmes të cilave autorë të ndryshëm mundohen ta definojnë këtë periudhë të re.

Ekziston një debat i gjerë në përshkrimin e situatës në të cilën jemi futur. Autorë të ndryshëm preferojnë që situatën aktuale ta përshkruajnë me fjalën de-globalizim, ndërsa për disa të tjerë se ky është një proces i ri-globalizimit. Fakti që shtetet po ri-organizohen ekonomikisht dhe gjeo-politikisht duke krijuar blloqe të reja për të zvogëluar varësinë nga shtete të caktuara, si një proces ekonomik, social e politik ndihmon në ndërtimin e argumentit se ne jemi duke u futur në një proces ri-globalizimi. Ky proces mund të thuhet se është rezultat i rritjes së tensioneve në pjesë të ndryshme të botës. Sot, zinxhiri global i vlerës, që nënkupton proceset e gërshetuara globalisht të prodhimit, hulumtimit dhe zhvillimit, shërbimeve, marketingut etj., e bën të pamundur ose shumë të kushtueshëm de-globalizimin. Mirëpo, rritja e konkurrencës mes ShBA dhe Kinës ka ndikuar që firmat të shikojnë për alternativa tjera, me preferencë për rritje të bashkëpunimit me vendet mike.

Në ripërcaktimin e rendit botëror, tashmë nuk mjafton vetëm roli i ndërvarësisë ekonomike. Dallimet ideologjike dhe polarizimit po bëhen gjithnjë e më shumë ndikuese. Interaksioni mes superfuqive do të ketë ndikim të madh në këtë rend. Ashtu si Rodrik konkludon, dallimet e mëdha ideologjike do të bëjnë të pamundur që t’u kërkohet shteteve të adaptojnë model të njëjtë politik dhe ekonomik, prandaj akomodimi i kërkesave që vijnë nga vendet në zhvillim dhe vendet që kërkojnë më shumë përfaqësim në rendin e ri botëror, do të jetë vendimtar.

Fenomeni i de-globalizimit apo ri-globalizimit po ashtu shihet ndryshe varësisht nga pozicionimi teorik e ideologjik në raport me marrëdhëniet ndërkombëtare. Dy shkollat dominuese të marrëdhënieve mes shteteve, realistët dhe liberalët, kanë perceptime të ndryshme për këtë proces. Për liberalët roli i OJQ-ve, korporatave multinacionale, individëve dhe organizatave ndërkombëtare është shumë i rëndësishëm në rezultatin final të këtij ri-organizimi global. Ndërsa, për realistët shtetet, në veçanti superfuqitë, janë faktori më përcaktues i këtyre ndryshimeve globale. Për liberalët, janë presionet e brendshme politike ato që po e shkaktojnë këtë transformim global. Ndërsa, perspektiva realiste e sheh rritjen e Kinës dhe betejën e ShBA-ve për të mbajtur pozicionin hegjemonist si arsyen kryesore për këto transformime gjeopolitike. Për liberalët shtetet do të krijojnë rrugë të reja të bashkëpunimit, ndërsa për realistët në fund shtetet do të përfundojnë të ndara në blloqe të krijuara përreth superfuqive. Ngase, ashtu si Mearsheimer konkludon, për shtetet përfitimet relative nga marrëdhëniet ekonomike janë më të rëndësishme se përfitimet absolute për të gjitha palët. Përderisa shtetet janë në garë të vazhdueshme mes vete, rritja e dominimit në sferën globale është më e rëndësishme se rritja e përgjithshme globale ekonomike dhe e mirëqenies, e cila mund të arrihej nga bashkëpunimi i hapur mes vendeve, pa proteksionizëm.

Nga ky konceptim, duke e parë se sa i thyeshëm është sistemi ekonomik aktual, ka lindur nevoja për riorganizim të prodhimit dhe rikonfigurim të zinxhirit të furnizimit. Një nga arsyet më të forta për këtë fenomen është edhe gara për dominim teknologjik, konkretisht gara për semikonduktorët, një komponent i rëndësishëm në pothuajse çdo makineri. Madje edhe masat kufizuese të tregtisë mes shteteve duket që si cak kryesor e kanë pengimin e zhvillimit teknologjik të shtetit rival. Si shembull, më 18 tetor 2023, administrata Biden vendosi të kufizojë më tutje shitjet e mikroçipave drejt Kinës, ndërsa vetëm dy ditë më vonë shteti Kinez kundërpërgjigjet me kufizime në eksportin e grafitit, që është një element i rëndësishëm në prodhimin e baterive për mjetet elektrike.

Pra, sot shtetet nuk bazohen vetëm në forcën ushtarake për të arritur objektivat e tyre strategjike. Për këtë arsye koncepti i gjeo-ekonomisë, i definuar si “përdorimi i instrumenteve ekonomike për të promovuar apo mbrojtur interesat kombëtare, ose për të prodhuar rezultate të dëshiruara gjeopolitike” është duke ardhur në shprehje çdo herë e më shumë kohët e fundit. Epoka e gjeo-ekonomisë po ashtu karakterizohet edhe me rritje të intervenimit të shtetit në ekonomi. Madje edhe raporti i Shtëpisë së Bardhë i vitit 2022 e thekson si strategji të radhës rritjen e bashkëpunimit ekonomik me shtetet të cilat për nga orientimi politik qëndrojnë në të njëjtën linjë me SHBA-të.

Ajo që është e rëndësishme për neve është që i gjithë ky fenomen nuk po ndikon vetëm tek shtetet e mëdha të cilat janë të përfshira direkt në këtë garë, por edhe vendet më të vogla dhe ato në zhvillim janë duke u ndikuar. Ndryshimet të cilat po i sjell ri-globalizimi mund të kenë efekt pozitiv apo negativ për ekonomitë në rritje.

 

Nga ri-globalizimi në friendshoring, përfitimet dhe pozicioni ynë?

Tensionet gjeo-politike dhe pengesat në funksionimin e zinxhirit të furnizimit të cilat u përmendën më lartë, po bëjnë që vendet të kthehen kah koncepti i ‘friendshoring’ si model për bashkëpunim ekonomik. Ky togfjalësh, vështirë i përkthyeshëm në shqip, nënkupton bashkëpunimin, kontraktimin, prodhimin dhe zhvillimin e aktiviteteve ekonomike, në vendet mike apo aleate. Pra, në shumë vende të botës, për arsyet e lartpërmendura, tashmë po ndodh një zhvendosje nga vendet e konsideruara armiqësore, në vendet mike. Megjithëse, shpejtësia dhe masa e kësaj zhvendosje është në diskutim dhe matje të vazhdueshme.

Para ‘friendshoring’, kompanitë dhe shtetet ishin të fokusuara në fenomenin e ‘offshoring’ që nënkuptonte bashkëpunime të ndikuara vetëm nga përfitimi ekonomik, me ndikim të vogël politik. Të bazuar në modelin Rikardian të tregtisë apo të Heckscher – Ohlin, ku përfitimet absolute janë arsyeja për shmangien e proteksionizmit dhe ku shtetet fokusohen në produktet në të cilat kanë mjaftueshmëri të faktorëve të prodhimit, ekonomia globale përmes tregtisë përjetoi një zhvillim të shpejtë. Me gjithë vërejtjet dhe kritikat e këtij modeli, shumë shtete e zvogëluan dhe e shmangën varfërinë, edhe pse diferencat në zhvillim mes shteteve në rritje dhe atyre të zhvilluara, në të shumtën e rasteve nuk u zhdukën plotësisht. 

Pra, tani edhe zyrtarisht, raportet e Shtëpisë së Bardhë (2022), e vendosin theksin në rritjen e bashkëpunimit me demokracitë aleate në botë si strategjinë e radhës shtetërore. Diversifikimi dhe forcimi i zinxhirit të furnizimit, bashkëpunimi ekonomik i ndikuar nga orientimi politik, dhe afrimi i prodhimit sa më afër vendit, është strategji e Bashkimit Evropian po ashtu. Nga tërë ky transformim, vendet e Ballkanit, e sidomos Kosova dhe Shqipëria do të mund të përfitonin shumë. Rrethanat e favorshme gjeopolitike, do të duhej që të reflektoheshin në strategjitë zhvillimore të shteteve tona. Mundësia që të përfitojmë nga ky fenomen i quajtur ‘friendshoring’ nuk mund të kalojë pa u vërejtur nga qeveritë dhe bizneset. Ndërsa, pastaj strategjitë dhe mënyrat se si do t’i qaseshim kësaj mundësie, do të ishte një tjetër temë, që do të kërkonte shumë analiza dhe hulumtime.

Një kategorizim që mund të na ndihmojë për ta parë më qartë pozicionin tonë në skenën globale ofrohet nga Cohen. Sipas tij janë disa kategori në të cilat shtetet bëjnë pjesë në këtë kontekst. Nga ky kategorizim janë dy grupe shtetesh në zhvillim të cilat mund të përfitojnë nga kjo situatë. Një është për shtetet që kanë një avantazh specifik në zinxhirin global të vlerave, si kosto e lirë e fuqisë punëtore, pasuri natyrore me materiale të rralla e kritike, forcë punëtore të kualifikuar etj. Dhe shtetet të mirëpozicionuara gjeografikisht dhe në aspekt infrastrukturor për ‘nearshoring’ (prodhim sa më afër vendit ku do të bëhet konsumi) apo ‘friendshoring’ si koncept i ndikuar nga orientimi politik. 

Mundësia që vendet e orientuara nga perëndimi të përfitojnë nga aspektet prej të cilave vendet autoritare pritet të jenë të përjashtuara gradualisht, është e madhe. Këtu mund të përmendim transferimin në teknologjitë e avancuara, transferim dhe përfitim nga ekspertiza nga këto vende të zhvilluara dhe rritja e mundësive për investime të përbashkëta të cilat do të mundësoheshin nga hapja e dyerve që vendet e zhvilluara do t’i bënin vendeve tona dhe shteteve tjera të botës me orientim të njëjtë. Më shumë punë, hulumtim dhe strategji e kujdesshme nevojitet në këtë kohë kur ekziston një mundësi e rrallë historike për përfitime të shumta nga transformimet globale ekonomike. 

 

Referencat

  • Witt, M.A. (2019) ‘De-globalization: Theories, predictions, and opportunities for international business research’, Journal of International Business Studies, 50(7), pp. 1053-1077. Available at: https://doi.org/10.1057/s41267-019-00219-7.
  • Zhao, S. (2022) ‘The US–China Rivalry in the Emerging Bipolar World: Hostility, Alignment, and Power Balance’, Journal of Contemporary China, 31(134), pp. 169-185. Available at: https://doi.org/10.1080/10670564.2021.1945733.
  • The White House (2022) NATIONAL SECURITY STRATEGY. Available at: https://www.whitehouse.gov/wp-content/uploads/2022/10/Biden-Harris-Administrations-National-Security-Strategy-10.2022.pdf (Accessed: 23 May 2024).
  • Tajoli, L. and Tentori, D. (2022) ‘International Trade: Globalisation is Here to Stay’. Available at: https://www.ispionline.it/en/publication/international-trade-globalisation-here-stay-36548 (Accessed: 23 May 2024).
  • Solingen, E. (ed.) (2021) Geopolitics, Supply Chains, and International Relations in East Asia. 1st edn. Cambridge University Press. Available at: https://doi.org/10.1017/9781108985468.
  • Paul, J. and Dhir, S. (eds) (2021) Globalization, deglobalization, and new paradigms in business. Cham, Switzerland: Palgrave Macmillan. Available at: https://doi.org/10.1007/978-3-030-81584-4.
  • Rodrik, D. and Walt, S. (2021) ‘How to Construct A New Global Order’, SSRN Electronic Journal [Preprint]. Available at: https://doi.org/10.2139/ssrn.3853936.
  • Mearsheimer, J.J. (2001) The tragedy of Great Power politics. 1. ed. New York, NY: Norton (The Norton series in world politics).
  • Korteweg, R. (2022) ‘“Fragmentegration”: a new chapter for globalisation’. Available at: https://www.ispionline.it/en/publication/fragmentegration-new-chapter-globalisation-36614#:~:text=Fragmentegration%20amounts%20to%20the%20reordering,geopolitical%20and%20national%20security%20concerns. (Accessed: 23 May 2024).
  • Javorcik, B. et al. (2024) ‘Economic Costs of Friend-Shoring’, SSRN Electronic Journal [Preprint]. Available at: https://doi.org/10.2139/ssrn.4696010.
  • Harris, J. (2024) ‘Is multi-polarity the new non-alignment?’, Race & Class, 65(4), pp. 92–105. Available at: https://doi.org/10.1177/03063968231217397.
  • Feenstra, R. and Taylor, A.M. (2021) International Trade. 5th ed. New York: Macmillan Learning.
  • Choer Moraes, H. and Wigell, M. (2022) ‘Balancing Dependence: The Quest for Autonomy and the Rise of Corporate Geoeconomics’, in M. Babić, A.D. Dixon, and I.T. Liu (eds) The Political Economy of Geoeconomics: Europe in a Changing World. Cham: Springer International Publishing (International Political Economy Series), pp. 29–55. Available at: https://doi.org/10.1007/978-3-031-01968-5_2.
  • Blackwill, R.D. and Harris, J.M. (2017) War by other means: geoeconomics and statecraft. First Harvard University Press paperback edition. Cambridge, Massachusetts London, England: The Belknap Press of Harvard University Press (A Council on Foreign Relations book).
  • Benedikter, R., Gruber, M. and Kofler, I. (eds) (2022) Re-Globalization: new frontiers of political, economic, and social globalization. London New York: Routledge (Rethinking globalizations).
Ndaje