Shteti, mirëqenia dhe shoqëria: Shteti i mirëqenies dhe dilema e tij (II)

  • Shteti i mirëqenies si koncept dhe praktikë është një fenomen i ri në historinë e njerëzimit, si në kuptimin e organizimit të shtetit paramodern po ashtu edhe nëse e marrim parasysh funksionimin e shtetit modern post-industrial.
  • Pavarësisht se lëvizjet shoqërore, aktivizmi për të drejtat sociale, ideologjitë si socializmi e marksizmi etj., janë produkte të mëhershme, kryesisht zhvillimeve përgjatë shekullit të 19-të, përkatësisht revolucionit industrial si dhe efektet e tij në industrializim, urbanizim etj., shteti i mirëqenies është praktikë e gjysmës së dytë të shekullit të njëzet.
  • Kriza e vitit 1929 dhe shkatërrimi i rëndë i shkaktuar nga shpërthimi i menjëhershëm i Luftës së Dytë Botërore si dhe zhvillime të tjera ekonomike dhe politike ndikuan në një “kompromis”, një kompromis të gjerë midis së majtës dhe të djathtës, midis kapitalit dhe punës i cili solli tek lindja dhe aplikimi i shtetit të mirëqenies.
  • Janë dy pika apo koncepte thelbësore rreth të cilave zhvillohen diskutimi për mirëqenien: rreziqet sociale dhe institucionet që merren me këto rreziqe. Rrjedhimisht, shihet se aktorët që menaxhojnë rreziqet sociale ndahen në tri kategori: familja, tregu dhe shteti. Por, një aktor i katërt, shoqëria civile, duhet të shtohet në menaxhimin e rreziqeve sociale. Rrjedhimisht, janë katër aktorë të mirëqenies: shteti, tregu, familja dhe shoqëria civile.
  • Sipas tipologjisë së Esping Andersen, ekzistojnë tre regjime të mirëqenies: 1. Regjimi liberal i mirëqenies; 2. Regjimi socialdemokrat i mirëqenies; 3. Regjimi konservator i mirëqenies. Megjithatë, krahas këtyre tre regjimeve, duhet bërë një shtesë, që mund të quhet si regjimi i mirëqenies së Evropës Jugore.
  • Kompromisi i detajuar më poshtë midis klasave të punës dhe kapitalit i cili çoji deri tek shteti i mirëqenies, do të thotë se për të ekzistuar mirëqenia, përkatësisht shteti i mirëqenies, një pjesë nga fitimet duhet të investohen në investime joprofitabile, në këtë rast mirëqenie. Por, kjo hap një dilemë apo paradoks që supozon zgjedhje në mes dy gjërave: fitimi vs. mirëqenia! A mund të ketë fitim, rritje ekonomike të mjaftueshme, rrjedhimisht sa mund të jetë i qëndrueshëm një model i shtetit me barrën e mirëqenies mbi supe?

Shteti i mirëqenies si koncept dhe praktikë është një fenomen i ri në historinë e njerëzimit, si në kuptimin e organizimit të shtetit paramodern po ashtu edhe nëse e marrim parasysh funksionimin e shtetit modern post-industrial. Duke marrë parasysh vështirësitë infrastrukturore të komunikimit, mjeteve teknologjike, organizimit administrativ etj., të shteteve paramoderne, kryesisht perandorive, shërbimet sociale si arsimi, shëndetësia, përkujdesja etj., nuk ishin, e as nuk mund të ishin drejtpërdrejt në përgjegjësinë e shtetit. Pjesa më e madhe e këtyre shërbimeve është kryer nga aktorë të ndryshëm si familja dhe marrëdhëniet farefisnore, organizatat bamirëse, institucionet fetare etj. Një nga shembujt më të mirë të këtij lloji të shpërndarjes së mirëqenies është ‘sistemi i vakëfit’ i cili është një praktikë e rëndësishme në qytetërimin islam dhe veçanërisht në Perandorinë Osmane (Özcan , 2010), rrjedhimisht i pranishëm edhe në trojet tona për shekuj me radhë. Një bashkëpunim i ngushtë midis tarikatëve apo urdhrave sufistë fetarë, organizatave tregtare dhe vetë tregtarëve e esnafëve, e deri tek pjesëtarët e dinastive të ndryshme përgjatë historisë, bëri të mundur lulëzimin e sistemit të vakëfeve, një shembull i mirë i të cilit janë edhe medresetë si institucione të arsimit e të cilat financoheshin e mirëmbaheshin përmes kësaj forme të organizimit.

Ndërsa sa i përket shtetit modern mund të thuhet se ai është i ndryshëm nga periudhat e mëparshme për shkak të zhvillimeve teknologjike e infrastrukturore, ndër të tjera, të cilat i hapën shtetit mundësi të reja që të depërtojë shumë më tepër nëpër pore të ndryshme të  jetës. Me fjalë të tjera, mjetet e reja teknologjike, zhvillimet ushtarake, inovacionet komunikuese etj., i lejuan shtetit modern të informohet dhe të rregullojë jetën e përditshme të qytetarëve të tij, shumë më tepër se sa ishte e mundur më parë. Ky fuqizim dhe rolin që fitoi në gjysmën e dytë të shekullit të 20-të, i ka mundësuar shtetit modern të rrisë rëndësinë e tij në shpërndarjen e mirëqenies në krahasim me institucionet tradicionale si familja dhe institucionet fetare.

Në këtë drejtim, shteti i mirëqenies është një fenomen i ri në historinë e njerëzimit që kur u krijua në gjysmën e dytë të shekullit të 20-të (Pierson, 2007). Pavarësisht se lëvizjet shoqërore, aktivizmi për të drejtat sociale, ideologjitë si socializmi e marksizmi etj., janë produkte të mëhershme, kryesisht të zhvillimeve përgjatë shekullit të 19-të, përkatësisht revolucionit industrial si dhe efektet e tij në industrializim, urbanizim etj., shteti i mirëqenies është praktikë e gjysmës së dytë të shekullit të njëzet. Rrjedhimisht, megjithëse sfondi historik i shtetit të mirëqenies daton në shekullin e 19-të, institucionalizimi dhe aplikimi i tij në Evropë u zhvillua pas Luftës së Dytë Botërore (Aysan, 2020). Përveç të qenit një strukturë ndryshe nga strukturat e mëparshme historike, shteti i mirëqenies ka ripërcaktuar se çfarë është vet ekzistenca e shtetit (Esping-Andersen, 1999, f. 34). Prandaj, shteti i mirëqenies, siç u përmend më lart, është produkt i epokës post-industriale, përkatësisht i botës së dominuar nga ekonomia kapitaliste dhe shteti-komb. Për më tepër, shumica e shteteve të mirëqenies “u ngritën nën kapitalizmin (liberal)” (f. 106), siç argumenton Pierson (2007). Në kontekstin historik në të cilin u shfaq shteti i mirëqenies, mund të argumentohet se kapitalizmi, shteti-komb dhe shtetet e mirëqenies kanë një lidhje të ngushtë me njëri-tjetrin (Pierson, 2007).

Prandaj, shteti i mirëqenies është një zhvillim i ri, po aq edhe i papritur pasi u shfaq në një sistem ekonomik të dominuar nga kapitalizmi! Me fjalë të tjera, ndërhyrja minimale e shtetit, tregu i lirë, thirrjet për mos ndërhyrje të shtetit etj., janë vetëm disa nga premisat e njohura të liberalizmit, e të cilat në shikim të parë bien ndesh me parimet e shtetit të mirëqenies! Megjithatë, “[D]epresioni i Madh i vitit 1929 dhe shkatërrimi i rëndë i shkaktuar nga shpërthimi i menjëhershëm i Luftës së Dytë Botërore” (Aysan, 2020, f. 684) si dhe zhvillime të tjera ekonomike dhe politike ndikuan në një “kompromis” (Pierson, 2007). Me fjalë tjera, kemi të bëjmë me një kompromis të gjerë midis së majtës dhe të djathtës, midis kapitalit dhe punës të cilët sollën tek lindja dhe aplikimi i shtetit të mirëqenies (Pierson, 2007). Në këtë rast, pala punëtore braktis aspiratat për revolucion, socializim të tregut etj., dhe në këmbim fiton beneficione të cilat ishin të paarritshme më parë. Nga ana tjetër, pala kapitale pranon angazhimin për punësim të plotë, mbështetjen për shtetin social, gjë që ishte një situatë e padëshirueshme më parë (Pierson, 2007). Prandaj, mund të argumentohet se “premtimi i shtetit të mirëqenies nuk ishte thjesht një politikë sociale për të lehtësuar sëmundjet sociale dhe rishpërndarjen e rreziqeve bazë, por një përpjekje për të rishkruar kontratën sociale midis qeverisë dhe qytetarëve” (Andersen, 1999, f. 33).

Duke marrë parasysh institucionet tradicionale dhe rolin e ri të shtetit social/mirëqenies, mund të thuhet se përgjegjësia për shpërndarjen e mirëqenies është e ndarë mes shumë institucioneve. Megjithatë, rreziqet si paaftësia, sëmundja, papunësia, plakja etj. janë parë si përgjegjësi e individit apo familjes për shekuj me radhë. Me fjalë të tjera, përkujdesja ndaj personave në nevojë, qoftë fëmijë, plak apo i sëmurë, është kryer kryesisht brenda institucioneve si familja. Por, që nga mesi i shekullit të 20-të, këto rreziqe janë konsideruar si rreziqe sociale dhe politikat sociale janë zhvilluar dhe menaxhuar në përputhje me rrethanat (Esping-Andersen, 1999, f. 33). Terminologjia e përdorur për të përshkruar këtë situatë është dështimi i mirëqenies. Kur bëhet fjalë për dështimin e mirëqenies në këto dy institucione, përkatësisht në familje dhe në treg, shteti i mirëqenies hyn në lojë si një aktor i tretë (Esping-Andersen, 1999). Në këtë kontekst, “të gjitha goditjet në sistem janë kryesisht për shkak të tregut të punës dhe rënies së stabilitetit të familjes” (Esping-Andersen, 1999, f. 145).

Prandaj, kur flasim për këtë çështje, përkatësisht për mirëqenien, duhet t’i kushtohet vëmendje dy pikave apo koncepteve thelbësore rreth të cilave zhvillohet diskutimi: rreziqet sociale dhe institucionet që merren me këto rreziqe. Me fjalë të tjera, ekzistojnë rreziqe sociale, si sëmundja, pleqëria e të ngjashme, të cilat rrezikojnë mirëqenien e një individi. Në anën tjetër, duhet të ekzistojnë mekanizma apo aktorë të cilët bartin përgjegjësinë për të menaxhuar këto rreziqe. Sa i përket asaj se kush janë aktorët që kanë përgjegjësi përballë këtyre rreziqeve kuadri i paraqitur nga Esping-Andersen (1999) ka ndikuar në literaturë dhe ka qenë vendimtar në klasifikimet e bëra për këtë temë. Rrjedhimisht, shihet se aktorët që menaxhojnë rreziqet sociale ndahen në tri kategori. Siç u tha më lart, këta aktorë janë familja, tregu dhe shteti. Megjithatë, kjo tipologji e Esping-Andersen duhet të rivlerësohet. Prandaj, një aktor i katërt, shoqëria civile, duhet të shtohet në menaxhimin e rreziqeve sociale (Aysan, 2018; Aysan dhe Aysan, 2021). Pra, janë katër aktorë të mirëqenies: shteti, tregu, familja dhe shoqëria civile.

Llojet e regjimeve të mirëqenies

Megjithatë, pavarësisht se shteti i mirëqenies është një emërim i përbashkët për shumë shtete, reagimet e këtyre shteteve, apo më saktësisht regjimeve të mirëqenies, ndaj problemeve ekonomike, rreziqeve sociale dhe shpërndarjes së pasurisë nuk janë homogjene, rrjedhimisht ato shfaqin dallime në praktikë. Në këtë kontekst, vendet anglo-saksone janë të përqendruara tek tregu, që nënkupton se këto probleme zgjidhen përmes tregut, kështu për shembull sëmundja e përkujdesjes ndaj pleqve rregullohet përmes marrëdhënieve të tregut. Ndërsa, qasja e vendeve skandinave karakterizohet nga dekomodifikimi, gjë që e vendos shtetin si aktorin kryesorë për mirëqenien e qytetarëve të tij. Ndërkohë, Evropa Kontinentale dhe veçanërisht Evropa Jugore janë më të përqendruara te familja. Për këtë arsye, duhet kujtuar se “nuk është e mundur të propozohet një shtet social monolit në të gjitha vendet industriale me karakteristika dhe politika sociale të ngjashme” (Aysan, 2020, f. 685). Prandaj, megjithëse shteti social është një model i ri, ai ka dallime në aplikimet e tij. Me fjalë të tjera, regjimet e mirëqenies bazohen në histori, kulturë, fe, strukturë politike, etj., të shoqërive përkatëse e që ndryshon në varësi të faktorëve të shumtë. Prandaj, një nga çështjet më të rëndësishme në lidhje me dallimet e regjimeve të mirëqenies lidhet me varësinë ndaj këtyre faktorëve të lartpërmendur (path-dependency). 

Në këtë kuptim, modeli më i njohur për regjimet e ndryshme të mirëqenies, të ndikuar më së shumti nga Esping-Andersen, është tipologjia “Tre botët e kapitalizmit të mirëqenies (The Three Worlds of Welfare Capitalism)” (Esping-Andersen, 1999, f. 73). Sipas kësaj tipologjie, ekzistojnë tre regjime të mirëqenies: 1. Regjimi liberal i mirëqenies; 2. Regjimi socialdemokrat i mirëqenies; 3. Regjimi konservator i mirëqenies (Esping-Andersen, 1999). Regjimi i parë, regjimi liberal i mirëqenies, i referohet më së shumti politikave të SHBA-së dhe Anglisë. Në regjimin e dytë, regjimin socialdemokrat, vendet skandinave janë përfaqësuesit më të mirë të tyre. Regjimi i tretë ndërkohë, regjimi konservator përfaqësohet kryesisht nga vendet e Evropës kontinentale. Megjithatë, krahas këtyre tre regjimeve, duhet bërë një shtesë, që mund të quhet si regjimi i mirëqenies së Evropës Jugore, i cili më vonë u institucionalizua, duke përfshirë Italinë dhe Spanjën. Një nga tiparet dominuese në vendet e përfshira në këtë regjim është përparësia e familjes në shpërndarjen e mirëqenies sociale dhe popullizmi si dhe patronazhi si mjet për shpërndarjen e mirëqenies (Aysan, 2020). 

Megjithatë, duhet pranuar se ky model i regjimeve të mirëqenies, i bazuar tek Esping-Andersen, karakterizohet nga problemi i eurocentrizmit. Tipologjia bazohet vetëm në analizën e vendeve perëndimore. Për këtë arsye, kur merren parasysh pjesë të tjera të botës, nga periudha historike dhe bashkëkohore, ekzistojnë përvoja dhe shembuj të ndryshëm të shpërndarjes së pasurisë që duhet të përfshihen në analizë. Kjo tipologji me problemet e saj është kritikuar dhe marrë parasysh edhe nga vet autori. Prandaj, edhe vet autori është i vetëdijshëm për problemin dhe ka bërë rekomandime të ndryshme në lidhje me regjimet e mirëqenies (Esping-Andersen, 1999). Prandaj, mund të thuhet se literaturës për regjimet e mirëqenies duhet t’i shtohen klasifikime të reja, duke marrë parasysh rajone të ndryshme të botës.

Mirëqenia vs. Fitimi 

Ndërsa shteti i mirëqenies është i përhapur në Evropë e pjesë të tjera të botës si dhe është një model që vende të ndryshme e marrin si shembull, ai është gjithashtu një model që ngërthen brenda vetes paradokse. Një nga çështjet më të rëndësishme e sfidat thelbësore në lidhje me shtetin social është problemi i qëndrueshmërisë. Rritja e standardit të jetesës, gjë që mundësohet përmes politikave të mirëqenies, do të thotë jetë më e rehatshme apo më luksoze, jetë më e shëndetshme, më shumë arsimim dhe më shumë mundësi karriere etj., e që ndikon në rritjen, për shembull, të jetëgjatësisë dhe kërkesave për mbrojtje sociale të cilat janë barrë për shtetet e mirëqenies. Prandaj, në njërën anë, me ndihmën e mundësive që ofron shteti social, ndodh një transformim demografik pozitiv në bazë të shumë parametrave. Megjithatë, nga ana tjetër, situata e re e krijuar nga ky transformim përbën një sfidë për vet shtetin social, ngase kjo gjendje e re krijon implikime tjera si dhe shton kërkesat për vet shtetin e mirëqenies e që ndikon në vet qëndrueshmërinë e tij! Pra, si rezultat i zhvillimeve pozitive në rritjen e mirëqenies vjen një dilemë ku shteti i mirëqenies përballet me sfida serioze por kërkesat nga qytetarët e tij vijnë duke u rritur! Në këtë kuptim, ky paradoks mund të shprehet si “sa më të paqëndrueshme të shfaqen shtetet e mirëqenies, aq më të mëdha janë kërkesat për mbrojtje sociale” (Esping-Andersen, 1999, f. 145). 

Pra, pyetja me të cilën përballet shteti i mirëqenies është: A janë të qëndrueshme shtetet e mirëqenies? Kjo është një pyetje që pasqyron disa elemente themelore të sistemit ekonomik kapitalist post-industrial. Problemi qëndron tek fakti se brenda këtij sistemi kapitali rritet vetëm nëpërmjet fitimit; ndërsa fitimi ka një qëllim: më shumë fitim. Pra, fitimi duhet të riinvestohet për të sjellur fitim më të madh, cikël ky i cili nuk ka një fund. Megjithatë, kompromisi i detajuar më sipër midis klasave të punës dhe kapitalit, përmes modelit të elaboruar do të thotë se për të ekzistuar mirëqenia, përkatësisht shteti i mirëqenies, një pjesë nga fitimet duhet të investohen në investime joprofitabile, në këtë rast mirëqenie. Pra, po flasim për një paradoks apo zgjedhje në mes dy gjërave: fitimi vs. mirëqenia! Prandaj, fokusimi vetëm në faktorin e fitimit duke injoruar mirëqenien e njerëzve sjellë më shumë rritje ekonomike ose më shumë kapital; por, shkakton rreziqe sociale që familja dhe tregu nuk mund t’i menaxhojnë të vetme, e që mund të krijojnë masa të gjëra të cilët përballen me varfëri, sëmundje, papunësi etj. Nga ana tjetër, investimi më i madh në mirëqenien e qytetarëve përmes shtetit rrit standardin e jetesës së qytetarëve dhe nxit transformimin demografik të tyre në mënyrë pozitive; por, kjo ndikon në fitim, e rrjedhimisht çon në pyetjen se a mund të jetë i qëndrueshëm një shtet i tillë? A mund të ketë fitim, rritje ekonomike të mjaftueshme, rrjedhimisht sa mund të jetë i qëndrueshëm një model i shtetit me barrën e mirëqenies mbi supe?

Ndaje