Biologjia si origjinë e dallimeve gjinore – I

  • Meshkujt dhe femrat dallojnë falë përbërjeve të ndryshme gjenetike të kromozomeve X dhe Y, e të cilat përcaktojnë urdhra për qelizat.
  • Vetëm riprodhimi mes meshkujve dhe femrave mund të siguroj vazhdimësi të llojit dhe për të ndodhur ky riprodhim, meshkujt dhe femrat duhet të kenë një bazë të ndryshme për tërheqje.

Seksi dhe gjinia

Çdo manifestim nga njeriu, qoftë ai kulturor, social, ekonomik, apo edhe artistik, nuk mund të paramendohet pa aspektet e veta biologjike, sepse njeriu është një qenie biologjike; jo vetëm biologjike, por përsëri biologjike në secilin rast dhe rrethanë. Si personaliteti, si gjinia, e madje edhe preferenca në shije ushqimesh, kanë një bazë biologjike; mundësohen nga strukturat dhe proceset biologjike (të natyrës fizike), e ndikohen, ndryshojnë, e përcaktohen nga strukturat dhe proceset biologjike, por në këtë rast – jo vetëm. Ku atëherë, vihet dallimi në mes të këtyre nocioneve? Për t’u përshkruar një kategori e veçantë, që ekziston përtej dhe jashtë personalitetit, një kategori që e quajmë gjini, ne duhet të vrojtojmë se çfarë sjellje, prirje, pamje, qëndrime, janë të ndikuara nga biologjia e seksit, e kjo për t’u konsideruar domethënëse duhet edhe të mos mund të paramendohet pa biologjinë e seksit.

Fillimisht duhet të analizojmë se si për shkak të dallimeve të qëndrueshme ekzistojnë dy kategori kryesore biologjike te njerëzit, për sa i përket kushteve për vazhdimësinë e llojit. Dy kryesore, pasi që janë theksueshëm më të përhapurat, prej kur ekziston njerëzimi dhe për shkak se janë të qëndrueshme për sa i përket kapacitetit për të vazhduar njerëzimi. Pastaj do të analizojmë se si duke qenë se këto dy kategori biologjike manifestojnë marrëdhënie sociale, do të shpërndajnë dallimet e tyre biologjike edhe në rrafshin sociologjik. Në vijim me mashkull dhe femër do t’i referohemi këtyre kategorive biologjike te njeriu. 

Riprodhimi dhe organet seksuale

Dëshmia e parë dhe kryesore biologjike e ekzistimit të dy sekseve, që manifestohen me nga një gjini përkatëse është historia rreth dy qind mijë vjeçare e njerëzimit deri në ditët e sotme. Që dy njerëz të vazhdojnë lënien e pasardhësve, ata duhet të kenë sekse të kundërta. Që këta individë me sekse të kundërta të kenë nxitje për të lënë pasardhës, ata duhet të tërhiqen nga manifestime psikologjike, sociologjike, kulturore, të pamjes, të sjelljes, esencialisht të ndryshme. Nëse burri tërhiqet nga burri, mashkulli nuk do të mund të çiftohet me femrën. Nëse një grup shumë i vogël femrash dëshirojnë të manifestojnë tipare tipike për burrat, e nëse burri tërhiqet nga burri, atëherë mashkulli do të ketë gjasën më minimale të mundshme të çiftohet me një femër (vetëm me femrat – “burra”). Nëse shumica e femrave do të manifestonin tipare tipike për burrat, atëherë do të mbeste vetëm një gjini, e jo e kundërta – disa gjini. Nëse shumica e femrave do të manifestonin tipare tipike për burrat, e shumica e burrave, tipare tipike për gratë, atëherë përsëri do të ishin vetëm dy gjini, kurse dallimet do të bëheshin semantike. Me fjalë të tjera, të qenit burrë, apo grua, është pashmangshëm e ndërlidhur me të qenin mashkull apo femër, respektivisht.

Pastaj janë po ashtu edhe dallimet që kanë qenë gjithmonë të qarta. Femrat mund të mbesin shtatzëna. Kjo kushtëzon që edhe nëse kurrë nuk dëshirojnë të mbesin shtatzëna, trupi i tyre të jetë me morfologji të përshtatshme për shtatzëni. Të gjitha femrat kanë vaginë. Vagina është një kanal, që nuk kryen ndonjë punë tjetër (biologjikisht), përveç punës riprodhuese. Për dallim, penisi, te meshkujt shërben edhe për riprodhim edhe për urinim. Vagina është kanali i vetëm ku ejakulimi nga penisi, mund të nis hapat e parë të prodhimit të pasardhësit dhe është kanali nga ku në mënyrë natyrale, del pasardhësi për t’u bërë organizëm i pavarur. Një femër edhe po të jetë infertile, edhe po të mos mbesë shtatzënë kurrë, përsëri ka vaginë, e nuk ka penis.

Esenca e dallimeve biologjike

Për fund duhet sqaruar se dallimi mes meshkujve dhe femrave nuk është vetëm në hormonet seksuale që dominojnë ndryshe te këto dy kategori – testosteroni te meshkujt, kurse estradioli dhe progesteronet te femrat, mirëpo është në kombinimet e kromozomeve të seksit që përmban secila qelizë me bërthamë, kudo në trup, madje më saktë, në gjenet që përmbajnë kromozomet X ose Y, në secilën qelizë me bërthamë në trup, prej momentit kur ky trup ka nisur nga një qelizë e vetme – zigota (qeliza vezë e fekonduar me spermatozoid). Dallimet mes këtyre dy grupeve janë shumë më të mëdha, sesa që kemi vendosur t’i përmbledhim në këtë shkrim.

Në pjesët vijuese do të diskutohen sistemi kardiovaskular, gjaku, dhjami, sistemi lokomotor, sistemi imunitar, neuroendokrinologjia dhe vetëvrasjet, me fokus në dallimet e paevitueshme, e natyrale mes këtyre sistemeve ose fenomeneve, ndërmjet dy sekseve.

 

REFERENCAT:

1 – Huxley VH. 2007. Sex and the cardiovascular system: the intriguing tale of how women and men regulate cardiovascular function differently. Adv Physiol Educ. 31(1): 17–22.

2- Blaak E. 2001. Gender differences in fat metabolism. Curr Opin Clin Nutr Metab Care. 4(6): 499-502.

3 – Nieves JW et al. 2009. Males Have Larger Skeletal Size and Bone Mass Than Females, Despite Comparable Body Size. J. Bone Miner. Res. 20(3): 529-535.

4 – Welle S, et al. 2008. Sex-Related Differences in Gene Expression in Human Skeletal Muscle. PLoS One. 3(1): e1385

5 – Janssen I, et al. 2000. Skeletal muscle mass and distribution in 468 men and women aged 18–88 yr. J. Appl. Physiol. 89(1): 81-88.

6 – Ortona E, et al. 2019. Editorial: Sex Hormones and Gender Differences in Immune Responses. Front. Immunol. 10.

7 – Sapolsky RM. 2017. Behave, the biology of humans at our best and worst (1st ed.). Penguin Press.

8 – Alexander GM, Hines M. 2002. Sex differences in response to children’s toys in nonhuman primates (Cercopithecus aethiops sabaeus). Evol. Hum. Behav. 23(6): 467-479.

9 – Hassett JM, et al. 2008. Sex differences in rhesus monkey toy preferences parallel those of children. Horm Behav. 54(3): 359–364.

10 – American Foundation for Suicide Prevention. 2022. Suicide statistics. American Foundation for Suicide Prevention. https://afsp.org/suicide-statistics/

11 – Ibrahim N, et al. 2017. Gender differences and psychological factors associated with suicidal ideation among youth in Malaysia. Psychol Res Behav Manag. 10: 129–135.

12 – Elflein J. 2022. Suicide death rates by gender U.S. 1950-2019. Statista. https://www.statista.com/statistics/187478/death-rate-from-suicide-in-the-us-by-gender-since-1950/

13 – Murphy GE. 1998. Why women are less likely than men to commit suicide. Compr Psychiatry. 39(4):165-75.

Ndaje