Biologjia si origjinë e dallimeve gjinore – II

  • Madhësia e zemrës dhe arterieve dhe venave të mëdha të gjakut është më e madhe te burrat, sesa te gratë.
  • Gratë janë më të ndjeshme ndaj hipotensionit ortostatik dhe ndaj të fikëtit (sinkopës). Pra, qëndrimi më i gjatë në këmbë dhe rikthimi nga hapësira (jashtë gjeosferike), për gratë është më dobët i tolerueshëm.
  • Burrat përjetojnë insuficiencë kardiake më shpesh se gratë, kurse gratë përjetojnë infarkt të zemrës më shpesh se burrat.
  • Para menopauzës gjaku i grave është më i mbrojtur nga ateroskleroza.
  • Gratë kanë më shumë dhjam, në raport me masën trupore.
  • Burrat kanë dimensione dhe masa më të mëdha të kockave se gratë.
  • Burrat kanë theksueshëm më shumë masë muskulore (skeletale).
  • Gratë kanë reagime imune më të fuqishme se burrat
  • Testosteroni rritë agresivitetin gjatë sfidave, por edhe mund të rrisë empatinë nëse sfida është të jesh empatik.
  • Interesimi për lodra të ndërlidhura me njërën gjini te njerëzit nuk u tregua të dallonte as te majmunët vervetë. Të dhëna të njëjta u gjetën edhe me majmunë rezusë.
  • Burrat që para se të lindnin ishin të ekspozuar në sasi më të lartë të testosteronit (në mitër të nënës), më së rralli kanë tërheqje ndaj dikujt tjetër pos femrave (grave) dhe gratë me që para se të lindnin ishin të ekspozuara në nivele të ulëta të testosteronit (në mitër të nënës), kanë tërheqjen më të madhe ndaj fytyrave më mashkullore.
  • Burrat kryejnë vetëvrasje më shumë se gratë, kurse ato kanë mendime për vetëvrasje më shumë se burrat.

Sistemi kardiovaskular dhe gjaku

Për sa i përket sistemit kardiovaskular, madhësia e zemrës dhe arterieve dhe venave të mëdha të gjakut është më e madhe te meshkujt, përbrenda moshës dhe racës së njëjtë. Zemra më e vogël nënkupton pompim të sasisë më të vogël të gjakut për rrahje. Femrat kanë puls më të shpejtë (më shumë rrahje për minutë). Meshkujt kanë sipërfaqe trupore më të madhe. Kjo nënkupton se indeksi kardiak, pra sa sasi e gjakut pompohet për minutë, për sipërfaqe trupore është e njëjtë mes meshkujve dhe femrave, e kështu del edhe në studime statistikore. Kjo nënkupton se në të dy sekset, trupi do të furnizohet mjaftueshëm me gjak sa ka nevojë, mirëpo, mashkulli ka nevojë më shumë, andaj edhe pompon më fort, kurse femra ka nevojë më pak.

Veprimi i sistemit simpatik që rritë edhe vëllimin minutor edhe rezistencën periferike është më i theksuar te meshkujt e shëndoshë, sesa te femrat e shëndosha, për moshën e njëjtë dhe e kundërta për sistemin parasimpatik (me veprim të kundërt). Falë kësaj femrat janë më të ndjeshme ndaj hipotensionit ortostatik dhe ndaj të fikëtit (sinkopës). Pra, qëndrimi më i gjatë në këmbë, për femrat është më dobët i tolerueshëm, si edhe rikthimi nga hapësira (jashtë gjeosferike). Meshkujt kanë rrezik më të lartë dhe paraqitshmëri më të madhe për hipertension sesa femrat; ndryshim ky që zbehet për femrat pas menopauzës.

Përgjithësisht, meshkujt përjetojnë insuficiencë kardiake më shpesh se femrat, kurse femrat përjetojnë infarkt të zemrës më shpesh se meshkujt. Kjo nënkupton se meshkujt përballen më shpesh me rrezikun për dëmtim, kurse femrat dëmtohen më shpesh nga rreziku (problemi).

Përqindja e eritrociteve për të njëjtin vëllim gjaku (hematokriti), është më e madhe te meshkujt sesa te femrat. Para menopauzës gjaku i femrave është më i mbrojtur nga ateroskleroza për shkak të sasive më të mëdha të qarkullimit të HDL, dhe sasive më të ulëta të triglicerideve. Pra rreziku, vije më rrallë për femrat. [1]

Dhjami, kockat dhe muskujt

Përgjithësisht femrat kanë më shumë dhjam, në raport me masën trupore. Me meshkujt, femrat dallojnë edhe sepse, këtë dhjam e deponojnë më shumë në rajonin gluteal dhe femoral. [2] Roli i dhjamit në organizëm është kryesisht termorregullues dhe amortizues. Pra dhjami shërben si një izolator më i mirë i nxehtësisë te muskujt. Dhjami ruan nxehtësinë vetëm duke ekzistuar, kurse muskujt ruajnë nxehtësinë, duke vepruar dhe duke e “prodhuar” atë. Falë kësaj, rezultati i njëjtë, për femrat mund të arrihet në një shkallë të caktuar të pasivitetit fizik, krahasuar me meshkujt. Dominimi i dhjamit në krahasim me muskujt është tregues i favorizimit të pasivitetit fizik në krahasim me aktivitetin fizik, me fjalë të tjera, këmbët e meshkujve, natyrshëm janë më të favorizuara për aktivitet fizik.

Në anën tjetër, edhe për mosha të ngjashme dhe gjatësi e pesha të ngjashme, për shpeshtësi të ngjashme të ushtrimeve fizike dhe konsumim të ngjashëm të qumështit për një vit, përsëri u gjetën dimensione dhe masa më të mëdha të kockave te meshkujt sesa te femrat. Po ashtu nga një studim u gjet se frakturat nga stresi janë theksueshëm më të shpeshta në kadetet ushtarake femra (3.4-21%), sesa te meshkujt (0.9-5.2%). [3]

Ka më shumë se 2400-3000 gjene të muskujve skeletalë, që shprehen ndryshe mes meshkujve dhe femrave. [4] Meshkujt kanë më shumë masë muskulore (tërthorovijore), theksueshëm më të madhe edhe nëse shikohet masa muskulore në total, edhe nëse shikohet raporti i masës muskulore me masën totale trupore. [5]

Sistemi imunitar

Femrat kanë reagime imune më të fuqishme se meshkujt, kjo madje duke përfshirë edhe krahun humoral edhe atë qelizorë. Estrogjenet në përgjithësi, në nivele të zakonshme te femrat fuqizojnë veçanërisht lirimin e antitrupave, por edhe pjesët tjera të imunitetit (si qelizat Th1 dhe NK), kurse testosteroni dhe progesteroni e zbehin reagimin imun. Nivelet estrogjenike periovulatore dhe në shtatzëni, pra kur janë dukshëm më të rritura, në fakt kanë efekt të kundërt duke zbehur reagimin imun. [6] Imuniteti i lartë nënkupton dy gjëra, se do të luftohen më fuqishëm mikrobet e ndryshme dhe se do të harxhohet më shumë energji nga ky sistem, sepse pos tjerash, duhet kuptuar se gjatë një “lufte” me mikrobin, “fusha e betejës” janë vetë indet tona, e si rrjedhojë as këto nuk janë të kursyera. Për këtë arsye, edhe paraqitshmëria dhe prania e sëmundjeve autoimune (kur imuniteti sulmon vetë trupin tonë) janë më të larta te femrat. Një imunitet i lartë në njërën anë nënkupton një mbrojtje nga bota mikroskopike, një mbrojtje në qetësi (makroskopike); në anën tjetër nuk mund të dominohet në imunitet, nëse trupi vetvetiu nuk i shpenzon resurset e veta në mënyrë të veçantë për këtë imunitet. Kjo dëshmohet edhe nga fakti se në gjendje të stresit (kur organizmi rrezikohet nga dëmtues të jashtëm; nuk është fjala vetëm për stresin psikik), me lirimin e kortizolit (hormoni i stresit), dobësohet përgjigjja imune. 

Neuroendokrinologjia

Gjë që neuroendokrinologjia mund të dëshmojë më së miri është se edhe sjelljet apo kategori të tjera që artificialisht quhen konstrukte sociale (vetëm për vetëm), kanë një bazë të fuqishme biologjike, pa përjashtuar ndikimin që kanë faktorët e jashtëm. Testosteroni mund të rrisë ndjenjën e kërcënimit dhe agresivitetin në një sfidë dhe na bën më ankcioz, por nga ana tjetër testosteroni edhe rritë vetëbesimin dhe optimizmin dhe na bën më pak ankcioz. Pra roli nuk duhet të mendohet tek ankthi, por te ndjenja e kërcënimit, agresiviteti, vetëbesimi, optimizmi; ankthi do të jetë vetëm efekt dytësor. Testosteroni rritë instinktin për të rrezikuar, mirëpo kjo duhet të përkthehet në kontekst real, a është rrezikimi te të bërit e një oferte paqeje, apo është rrezikimi të bëhet një pushtim. Është qasje e gabuar të mendohet se testosteroni shkakton agresivitet të përgjithshëm. Burrat nuk janë gogolë! Edhe me kastrime totale, pa lënë asgjë mbrapa, agresiviteti nuk kishte rënë plotësisht. Te burrat e burgosur janë gjetur nivele më të larta të testosteronit mirëpo nuk duhet të harrojmë se agresiviteti rritë nivelet e testosteronit, atëherë te ata ka mundësi që kjo të ketë sjellë nivelet e rritura të testosteronit, e jo e kundërta. Brenda niveleve fiziologjike, rritja e niveleve të testosteronit, nuk ka quar domosdoshmërisht në rritje të agresivitetit, përveç rritjeve supra-fiziologjike. Roli kryesor i testosteronit në sjellje është se testosteroni nxitë sjelljet e caktuara, që të sigurojë fitoren në sfida të ndryshme. Testosteroni rritë agresivitetin gjatë sfidave, por edhe mund të rrisë empatinë nëse sfida është të jesh empatik. Në një studim nga Eisenegger dhe Fehr prej Universitetit të Cyrihut, kur pjesëmarrësit burra do të luanin një lojë ku duhet të ndash paratë mes teje dhe lojtarit tjetër, dhe të dy mund t’i merrni vetëm nëse lojtari tjetër pranon shumën që i ke caktuar, pjesëmarrësit të cilëve u është dhënë testosteron para lojës, bënin oferta më bujare! Me fjalë të tjera testosteroni nxjerrë sjelljet që sigurojnë mbajtjen e statusit, triumfin e sfidës. [7]

Lodrat nuk mund të jenë mashkullore, lodra është lodër, kurse shoqëria ka ndërtuar një rol për to, është argumenti i konstruktivizmit social. Studimi i 2002 me majmunë vervetë, gjeti se meshkujt e tyre të rritur kishin interes dukshëm më të theksuar për të luajtur me lodra për të cilat kanë dukshëm më shumë interes edhe fëmijët meshkuj te njerëzit (p.sh. lodrat me rrota), në krahasim me lodrat me të cilat luajnë më shumë fëmijët femra te njerëzit (p.sh. kukullat), për të cilat femrat vervete treguan interesim më të madh. Për më tepër, interesimi për lodra me të cilat fëmijët luajnë pa dallim gjinie, nuk dallonte as te majmunët vervetë. [8] Të dhëna të njëjta u gjetën edhe në studimin e 2008 me majmunë rezusë. [9] Konstruktivizmi social nuk ekziston në botën shumë më jo-inteligjente dhe aspak kulturore a religjioze të kafshëve. Edhe sikur të ekzistonte, ky kurrsesi nuk do të ishte konstrukt i ndërtuar nga njerëzit për kafshët. 

Sikur të kishte mundësi të matej me çfarë sasish të testosteronit kemi jetuar gjatë jetës fetale… Në fakt një analizë retrograde, ka mundësi të bëhet përmes dallimit mes gjatësisë së gishtit të dytë (tregues) dhe gishtit të katërt (të unazës), që varet nga sasia e testosteronit në të cilin kemi qenë të ekspozuar in utero. Kur ky dallim është më mashkullor (ka pasur më shumë ekspozim në testosteron), individi i rritur ka sjellje më tipike mashkullore (pamje, agresivitet, dorëshkrim, rezultate matematikore) dhe madje edhe shpeshtësi më të madhe të gjendjeve më ekskluzive për meshkujt (autizmi, çrregullimi me mungesë të vëmendjes dhe hiperaktivitet). Në anën tjetër, kur ky dallim gishtash është më femëror, individi i rritur ka tipare më femërore (pamje, aftësi më të dobëta atletike, dorëshkrim, butësi) e edhe shpeshtësi më të madhe për gjendje më ekskluzive për femrat (anoreksia). Për më tepër, grupi i meshkujve që gjatë jetës në mitrën e nënës ishin ekspozuar në sasi më të larta të testosteronit, është grupi ku më së rralli gjendet tërheqje ndaj dikujt tjetër pos femrave (grave) dhe grupi i femrave që gjatë jetës në mitrën e nënës ishin më pak të ekspozuara në testosteron, është grupi ku gjasat janë më të mëdha për tërheqje ndaj fytyrave më mashkullore. [7]

Me fjalë të tjera, patjetër se role të caktuara të burrave dhe grave, mësohen gjatë jetës, mirëpo kjo duhet kuptuar në kontekstin si zogu që duhet të mësohet të fluturojë, për dallim prej elefantit që këtë as nuk mund ta mësojë (përveç nëse ndërhyjmë kirurgjikisht për t’i vendosur elefantit një motor dhe helikë në shpinë dhe vazhdimisht mbushim me benzinë këtë motor).

Vetëvrasjet, mendimet suicidale dhe tentimet-vetëvrasjet

Në SHBA, meshkujt e bardhë, të moshës së mesme, vetëvriten më së shumti, madje në 2020 numri i meshkujve që vdiqën nga vetëvrasja ishte 3.88 herë më i madh se numri i femrave, konkretisht 69.68% e vdekjeve ishin te meshkujt. [10]

Meshkujt vetëvriten më shumë se femrat, kurse femrat tentojnë të vetëvriten dhe kanë ide suidicale më shpesh se meshkujt. [11]

Në SHBA, qysh prej 1950 deri në llogaritjet e 2019, shkalla e vetëvrasjeve te meshkujt ka qenë përherë, theksueshëm më e madhe te meshkujt, sesa te femrat. [12]

Femrat kanë gjasa 2 herë më të mëdha se meshkujt për të përjetuar depresion madhor, por kanë gjasa 4 herë më pak se meshkujt, që të vetëvriten. [13]

Një faktor i vërtetuar është metoda e përzgjedhur për vetëvrasje; meshkujt zgjedhin metoda që sjellin vdekjen më shpejtë, pra edhe më sigurt – në SHBA 58% e vetëvrasjeve te meshkujt janë me armë zjarri, kurse gati përgjysmë – 33% te femrat, ku metodat më të shpeshta janë ngulfatja dhe helmimi. [12]

Në Malajzi, po ashtu meshkujt janë më të rrezikuar nga vdekja prej vetëvrasjes, kurse femrat më të rrezikuara nga tentimi për vetëvrasje. [11]

Pra meshkujt dukshëm më shumë, e aplikojnë idenë e vetëvrasjes, kurse femrat e luftojnë më shumë idenë e vetëvrasjes. Pra, rregulla biologjike nuk është se meshkujt marrin vendime më të mira, apo se meshkujt janë më të favorizuar në natyrë dhe ky faktor tregon se vendosshmëria në ide nuk është gjithmonë e dobishme! Kjo po ashtu tregon se duhet të theksohet më shumë sesa momentalisht, rëndësia e shëndetit mendor te burrat dhe se nuk qëndron dëftimi se gratë janë viktima më të mëdha. Dallimet SHBA – Malajzi, tregojnë se përkundër ndryshimeve mjaft të theksueshme mes faktorëve kulturor e social mes vendeve të ndryshme, tentativat dhe vdekjet në vetëvrasje qëndrojnë ngjashëm mes meshkujve të vendeve të ndryshme dhe femrave të vendeve të ndryshme. Për më tepër kuptohet se, nuk është vetëm faktori i luftimit të ideve për vetëvrasje, por edhe dështimi në tentativë, që favorizon këtë fatmirësi (të vdekjeve më të pakta) te gratë.

Në shkrimin radhës dhe, njëkohësisht të fundit për këtë seri, do të trajtohen përfundimet në të cilat na shpiejnë të gjitha faktet e diskutuara në tërë serinë.

 

REFERENCAT:

1 – Huxley VH. 2007. Sex and the cardiovascular system: the intriguing tale of how women and men regulate cardiovascular function differently. Adv Physiol Educ. 31(1): 17–22.

2- Blaak E. 2001. Gender differences in fat metabolism. Curr Opin Clin Nutr Metab Care. 4(6): 499-502.

3 – Nieves JW et al. 2009. Males Have Larger Skeletal Size and Bone Mass Than Females, Despite Comparable Body Size. J. Bone Miner. Res. 20(3): 529-535.

4 – Welle S, et al. 2008. Sex-Related Differences in Gene Expression in Human Skeletal Muscle. PLoS One. 3(1): e1385

5 – Janssen I, et al. 2000. Skeletal muscle mass and distribution in 468 men and women aged 18–88 yr. J. Appl. Physiol. 89(1): 81-88.

6 – Ortona E, et al. 2019. Editorial: Sex Hormones and Gender Differences in Immune Responses. Front. Immunol. 10.

7 – Sapolsky RM. 2017. Behave, the biology of humans at our best and worst (1st ed.). Penguin Press.

8 – Alexander GM, Hines M. 2002. Sex differences in response to children’s toys in nonhuman primates (Cercopithecus aethiops sabaeus). Evol. Hum. Behav. 23(6): 467-479.

9 – Hassett JM, et al. 2008. Sex differences in rhesus monkey toy preferences parallel those of children. Horm Behav. 54(3): 359–364.

10 – American Foundation for Suicide Prevention. 2022. Suicide statistics. American Foundation for Suicide Prevention. https://afsp.org/suicide-statistics/

11 – Ibrahim N, et al. 2017. Gender differences and psychological factors associated with suicidal ideation among youth in Malaysia. Psychol Res Behav Manag. 10: 129–135.

12 – Elflein J. 2022. Suicide death rates by gender U.S. 1950-2019. Statista. https://www.statista.com/statistics/187478/death-rate-from-suicide-in-the-us-by-gender-since-1950/

13 – Murphy GE. 1998. Why women are less likely than men to commit suicide. Compr Psychiatry. 39(4):165-75.

Ndaje