Heshtja si miratim: Solidariteti selektiv i feminizmit të bardhë me Iranin, por jo me Palestinën

Nga: Zara Choudhry*

Feminizmi liberal, ose feminizmi ‘i bardhë’ siç njihet ndryshe, duket se përdor dy mjete të ndryshme në aktivizmin e tij: përdorimin e zërit dhe përdorimin e heshtjes. Heshtja këtu nuk është mungesë pasive e fjalëve, por një zgjedhje e qëllimshme me një objektiv të qartë.

Kur një vajzë kurde, Mahsa Amini, u vra nga duart e “policisë së moralit” në Iran sepse nuk e kishte veshur hixhabin e saj “në mënyrën e duhur”, pati zemërime, me të drejtë, të përmasave ndërkombëtare. Protestat shpërthyen në të gjithë vendin, pasi iranianët dolën në rrugë për të kërkuar drejtësi për Aminin, si dhe më shumë të drejta për gratë dhe anulimin e ligjit për obligueshmërinë e hixhabit. Disa femra protestuese hoqën dhe dogjën publikisht hixhabet e tyre, ndërsa të tjera i prenë flokët si një akt kundërshtimi.

Në Evropë dhe SHBA, grupet e grave, avokueset e të drejtave të njeriut dhe gra të famshme shprehën mbështetjen e tyre për protestuesit iranianë, madje disa i pamë duke prerë flokët në solidaritet. Konsensusi midis feministeve perëndimore ishte i qartë: gratë iraniane duhet të mbështeten në luftën e tyre.

Një vit më vonë, para syve tanë po shpaloset një katastrofë njerëzore në Gaza, duke prekur në mënyrë disproporcionale gratë dhe të porsalindurit sipas OBSH. Ndërkohë, të njëjtat feministe që përdorën zërat dhe platformat e tyre për të mbrojtur (me të drejtë) simotrat e tyre iraniane, tani po përdorin një qasje tjetër: heshtjen.

Ndërsa mbi kokat e grave të ngujuara të Gazës bien përditë bomba, ato që pretendojnë se mbrojnë të drejtat e grave, heshtin.

Derisa nënat e pikëlluara të Gazës mbështjellin fëmijët e tyre të vdekur me qefinë, ato që pretendojnë se punojnë për çrrënjosjen e dhunës ndaj grave dhe fëmijëve, heshtin.

Përderisa gratë shtatzëna të Gazës detyrohen t’i nënshtrohen operacioneve cezariane pa anestezi, ato që pretendojnë se bëjnë fushatë për qasjen e grave ndaj shërbimeve shëndetësore, heshtin.

Ndërsa nxënëset e Gazës gjenden të pajeta nën rrënojat e shkollave të tyre të bombarduara, ato që pretendojnë se mbështesin të drejtën për arsim për të gjitha femrat, heshtin.

Derisa gratë dhe vajzat e Gazës përballen me një gjenocid që po transmetohet drejtpërdrejt duke e parë e gjithë bota, ato që pretendojnë se besojnë në barazinë për të gjithë, heshtin.

Por në mungesë të fjalëve, heshtja e tyre flet shumë.

Feminizmi i bardhë

Heshtja e qëllimshme e këtyre të vetëshpallurve kampione e të drejtave të grave është e qëllimshme dhe plotësisht e parashikueshme. Dështimi i tyre për të mbrojtur gratë palestineze pasqyron një model të rrënjosur në themelet e feminizmit perëndimor të bardhë. Për këtë do të flasim më tej, por së pari, duhet të sqarojmë mirë nocionet.

Termi “feminizëm” ​​paragjykohet shpesh nga muslimanët të cilët përpiqen të kritikojnë idealet dhe objektivat që ata i konsiderojnë të papajtueshme me parimet fetare. Feminizmi, megjithatë, nuk përfshin një ideologji të vetme, por më tepër vepron si një nocion ombrellë për lëvizjet dhe ideologjitë e ndryshme socio-politike që përpiqen të trajtojnë një mori çështjesh me të cilat përballen gratë. Ato shpesh kanë qëllime dhe korniza historike të ndryshme.

Vitet e fundit, feminizmi liberal ose i rrymës perëndimore, shpesh i etiketuar si feminizëm “i bardhë”, është vënë nën vëzhgim. I tillë, përdoret për të përshkruar të menduarit e individëve që priren të universalizojnë objektivat, përvojat dhe besimet e grave të bardha, shpesh duke neglizhuar perspektivat e pakicave të racializuara në Perëndim dhe të grave “të tjera” në mbarë botën. Është e rëndësishme të theksohet se jo të gjitha feministet e bardha pajtohen me këtë mentalitet, dhe disa nga ato që e bëjnë këtë, nuk janë gra të bardha (1).

Duke përqendruar përvojën e grave të bardha (zakonisht të klasës së mesme), feminizmi i bardhë nuk arrin të marrë në konsideratë rolin e identiteteve të tjera shoqërore në diskriminimin me bazë gjinore. Ndërsa feminizmi i bardhë priret të jetë përjashtues në praktikë, rritja e feminizmit ndërsektorial (2) në dekadën e fundit ka ofruar një kornizë analitike që mundëson një kuptim më të thellë të kryqëzimeve të gjinisë, racës, fesë dhe identiteteve të tjera.

Që nga viti 1989, fillesa të shumta ndërsektoriale janë shfaqur, por në përgjithësi, feministet që janë ndërsektoriale në aktivizmin e tyre, priren ta shohin luftën e palestinezëve si atë të një komuniteti të margjinalizuar që i reziston një fuqie shtypëse. Është e qartë se feministet zezake dhe indigjene, si dhe ato që u përkasin komuniteteve të margjinalizuara, kanë qenë përgjithësisht të zëshme në mbështetjen e tyre për popullin e Gazës.

Fokusi i këtij artikulli është feminizmi perëndimor i bardhë. Personalisht, kam shkruar edhe më parë për rrënjët orientaliste e këtij lloji të feminizmit, duke filluar me Mary Wollstonecraft, që përdori imazhin e gruas “lindore” si një imazh i kundërt prej të cilit mund të përkufizohej gruaja perëndimore e ndritur dhe e qytetëruar. Strategjia u përdor si një mjet retorik që i lejonte feministet të argumentonin për emancipimin e tyre në Perëndim. Ato ndërtuan argumente rreth pasivitetit dhe servilizmit të një femre të imagjinuar lindore, jo përmes ndonjë shqetësimi për këtë të fundit, por më tepër për të bindur homologët e tyre meshkuj perëndimorë se duke mohuar emancipimin e grave perëndimore, ato po silleshin si burra lindorë. Nocionet e inferioritetit dhe barbarisë së Lindjes ishin aq të rrënjosura në shoqërinë perëndimore, sa thelbi i nënkuptuar ishte i qartë për të gjithë (3).

Jo vetëm që feministët perëndimorë e diferencuan femrën e tyre nga ajo lindore (bazuar në supozimet orientaliste dhe jo në realitetin e vëzhguar), ata e kthyen gruan lindore në një objekt interesi humanitar, duke i dhënë vetes mundësinë për të marrë pjesë në përpjekjet perandorake.

Feminizmi Perandorak

Në një kontekst britanik, përkrahësit e të drejtave të grave e konsideruan si detyrë të tyre të ndihmonin burrat britanikë në koloni. Figura të tilla si Mary Carpenter dhe Bayle Bernard inkurajuan koleget e tyre angleze të merrnin role profesionale në koloni për të “ndihmuar motrat” e tyre, role që ishin të paarritshme në vet Britaninë për shkak të kufizimeve gjinore. Në këtë mënyrë ato ishin në gjendje t’u tregonin “të gjithë atyre që qëndruan në shtëpi se perandoria nuk ishte vetëm projekt i britanikëve meshkuj, por se i përkiste edhe grave.”(4)

Letërsia feministe “The Englishwoman’s Review (Rishikimi i gruas angleze)”, ishte e rëndësishme në përhapjen e këtij mesazhi(5), krahas pikëpamjes se perandoria ishte një forcë për të mirën në botë. Kjo artikulohej shpesh në gjuhën misionare të krishtere, duke synuar të sillte dritën e besimit te “popullata e devijuar e Lindjes”.

Në Indinë e sunduar nga Britania, feministet u përqendruan në edukimin e gruas indiane të “paemancipuar”, “me një mendje servile” (gjithashtu një tjetër konstrukt feminist), por strategjitë e tyre ndryshonin kur bëhej fjalë për kolonitë e Afrikës dhe Lindjes së Mesme.

Egjipti përbën një shembull veçanërisht interesant. Në diskursin perëndimor mbi Islamin, tashmë i mbushur me referenca për nënshtrimin e grave dhe ndarjen e tyre nga shoqëria, shqetësimet feministe në kolonitë muslimane, përfshirë Egjiptin, u përqendruan rreth shtypjes së perceptuar të grave muslimane si nga burrat muslimanë, ashtu edhe nga feja islame. Ironikisht, kjo narrativë u përdor edhe si justifikim moral për ndërhyrjen imperialiste të Britanisë në rajon. Burrat përvetësuan gjuhën feministe për qëllime perandorake, ndërsa të njëjtët mohuan kërkesat feministe në shtëpi.

Siç ka treguar Leila Ahmad, Lord Cromer, konsull i përgjithshëm britanik në Egjipt nga 1883-1907, përdori retorikën feministe për të çuar përpara qëllimet “civilizuese” të misionit kolonial. Ai e bëri këtë ndërsa ndiqte në mënyrë aktive politika që ishin të dëmshme për gratë egjiptiane, duke kufizuar arsimimin e tyre. Ai besonte se “nënshtrimi i grave” nga Islami ishte një faktor kryesor në inferioritetin e qytetërimit islam dhe u kërkoi egjiptianëve të hiqnin dorë nga praktikat e veçimit dhe mbulesës. Por siç vëren Ahmadi, “ky kampion për zbulimin e grave muslimane” ishte në të njëjtën kohë një anëtar themelues i Lidhjes së Burrave për Kundërshtimin e Votimit të Grave në Angli(6).

Në kolonitë franceze të Afrikës së Veriut, një synim kryesor i supozuar i projektit kolonial ishte çlirimi i grave, dhe përsëri, akti i zbulimit ishte një shenjë qendrore dhe vizuale e “progresit”. Në kontekstin algjerian, shamia u bë simbol i rezistencës algjeriane ndaj kolonizimit(7). Frantz Fanon, psikiatër dhe filozof politik, shkruan se autoritetet franceze, “të përkushtuara” për të shkatërruar origjinalitetin e popullit, dhe nën udhëzimet për të sjellë shpërbërjen… e formave të ekzistencës që me gjasa mund të evokonin një realitet kombëtar… kishin fokusuar përpjekjet e tyre në veshjen e mbulesës, e cila u pa në këtë moment si një simbol i statusit të gruas algjeriane”.(8)

Gjatë Luftës Algjeriane për Pavarësi në vitet 1950, propaganda franceze u përpoq të paraqiste një imazh të unitetit franko-algjerian në botë. Ushtria organizoi tubime masive para mediave ndërkombëtare, duke shfaqur “pajtimin” midis popullsisë muslimane dhe kolonëve evropianë. Si pjesë e këtyre tubimeve, u zhvilluan ceremoni zbulimi për të shfaqur “suksesin” e ndërmarrjes koloniale franceze në “çlirimin” e grave muslimane nga kufizimet e fesë dhe kulturës së tyre. Në një ceremoni të tillë, grupe grash algjeriane digjnin mbulesat e tyre, ndërsa në një tjetër, gratë evropiane zbulonin “motrat” e tyre (9).

Sipas sociologes Marnia Lezreg, këto ceremoni iu shkaktuan dëm të përhershëm grave algjeriane. “Ceremonitë në fjalë sollën në qendër të vëmendjes politizimin e trupave të grave dhe përvetësimin e tyre simbolik nga autoritetet koloniale, duke iu sjellë kështu në shtëpitë e  grave algjeriane dobësinë e tyre…Trupi i tyre i seksualizuar u shpërfaq lakuriq përpara një turme kolonësh të zhurmshëm, të cilët, në një orgji brohoritjesh thërrisnin “Rroftë Algjeria Franceze”, duke shpallur fitoren për të gjitha gratë algjeriane”(10)

Ky akt zbulimi u shoqërua edhe me një element obsesioni erotik nga ana e kolonistëve meshkuj francezë. Kam shkruar edhe më parë për temën në fjalë një shkrim të titulluar Fotografi koloniale franceze që flet për imazhet erotike të studios që kapin gratë algjeriane në faza të ndryshme të zhveshjes. Duke pasur parasysh politizimin e mbulesës dhe lidhjen e saj me rezistencën antikoloniale, zbulimi u pa, sipas fjalëve të Fanon, si “një shprehje negative e faktit se Algjeria kishte filluar të mohonte veten dhe po pranonte përdhunimin e kolonizatorit.”(11)

Siç ka detajuar Lazreg, shamia gjithashtu i vinte në siklet gratë koloniale franceze, duke shërbyer si një kujtesë e vazhdueshme vizuale e pafuqisë së tyre në zhdukjen e ekzistencës së një tjetër mënyre për të qenë grua(12). Dikush mund të argumentojë, duke pasur parasysh ngjarjet e fundit në Francë në lidhje me veshjen e grave muslimane, se kjo situatë ende vazhdon të jetë e ngjashme.

Luftërat ‘feministe’ postkoloniale

Në epokën postkoloniale, diskursi publik në Perëndim ka ndryshuar: Gjuha raciste dhe misionare haptazi nuk konsiderohet më e pranueshme, si në kontekstin politiko-perandorak, ashtu edhe në atë feminist. Retorika e feminizmit liberal nuk është më e bazuar në idealet e krishtera, por më tepër përdor gjuhën e humanizmit laik. Bashkimi midis imperializmit perëndimor dhe feminizmit të bardhë, megjithatë, mbetet ende plotësisht i paprekur.

Justifikimet për luftën e udhëhequr nga SHBA-ja në Afganistan u përshtatën në një pjesë të konsiderueshme rreth çlirimit të grave afgane. Për këtë arsye, Rafia Zakaria, autore e “Against white Feminism/Kundër feminizmit të bardhë”, i referohet Luftës kundër terrorizmit si “feministe”, pasi të drejtat e grave u pozicionuan si një qëllim i supozuar i ndërhyrjes ushtarake. Ajo shprehet se, “Gratë amerikane u çliruan dhe tani ato, së bashku me anëtarët meshkuj të shërbimit, po shkojnë në Afganistan për të çrrënjosur regjimin mizogjen të talebanëve. Kështu, Amerika nuk ishte një superfuqi mizore që bombardonte një komb shumë më të vogël, por një forcë për të mirën, duke ndihmuar në sjelljen e barazisë gjinore në një vend të shkatërruar nga lufta.”(13)

Në krye të pushtimit, siç theksohet nga antropologia palestinezo-amerikane Lila Abu-Lughod, diskursi i medias kryesore nuk u fokusua në historinë e regjimeve shtypëse në rajon dhe rolin e Shteteve të Bashkuara në këtë histori. Në vend të kësaj, ajo u përqendrua rreth fesë dhe kulturës, veçanërisht trajtimit të grave. Vlen të lexohet edhe opinioni i saj: “Në vend të shpjegimeve politike dhe historike, ekspertëve u kërkohej të jepnin shpjegime fetare apo kulturore. Në vend të pyetjeve që mund të çonin në shqyrtimin e betejave të brendshme politike midis grupeve në Afganistan dhe shtete të tjera kombëtare, na u ofruan pyetje që punonin për të ndarë artificialisht botën në sfera të veçanta, duke rikrijuar kështu një gjeografi imagjinare të Perëndimit kundër Lindjes, ne kundër muslimanëve, kultura në të cilat zonjat e para mbajnë fjalime kundrejt të tjerave në të cilat gratë me burka përzihen në heshtje.”(14) 

Siç përmendëm më parë, kjo ishte e njëjta strategji e përdorur nga kolonialistët perëndimorë, duke përfshirë një fokus të theksuar tek shamia. Burka u bë simbol kulturor i barbarisë dhe mizogjinisë së talebanëve dhe i një “tjetri”. Ai ndihmoi në ndërtimin e binarit të “ne” dhe “ata” që ishte vendimtare në periudhën koloniale. Në një kontekst feminist, burka u bë një paraqitje vizuale e një imazhi të gruas “mjerane” që kishte nevojë për shpëtim nga “motrat” e saja perëndimore.

Në vitin 2002, një koalicion i grupeve të grave perëndimore i shkroi një letër të hapur Xhorxh Bushit duke iu lutur për ndërhyrje ushtarake në Afganistan për hir të grave afgane (15). Fondacioni Shumica Feministe, një organizatë feministe me bazë në SHBA, zhvilloi një fushatë kundër trajtimit të grave nga talebanët, duke mbledhur mbështetje nga të famshmit dhe feministë të Hollivudit. Revistat feministe dhe revistat e grave gjithashtu e drejtuan vëmendjen e lexuesve të tyre drejt gjendjes së vështirë të grave afgane.

Charles Hirschkind dhe Saba Mahmood theksojnë se kanë dështuar ata analistë të cilët kanë analizuar situatën duke lidhur gjendjen e vështirë të grave afgane me rolin që SHBA ka luajtur në krijimin e atyre kushteve të mjerueshme.

“Kjo heshtje, shoqëruese e entuziazmit të ringjallur për ushtrinë amerikane, si brenda akademisë, ashtu edhe tek popullata amerikane në përgjithësi, simbolizon gjithashtu një pjesë të madhe të përgjigjes si ndaj raporteve të rritjes së viktimave civile që rezultuan nga fushata e bombardimeve, ashtu edhe ndaj urisë së përhapur nga fushata në fjalë, dhe që pritej të përkeqësohej.”(16) 

Ata vënë në dukje se ueb sajti i shumicës feministe vazhdoi të përqendrohej tek ligësia e talebanëve edhe pse 2.2 milionë afganë u përballën me një rrezik në rritje të urisë për shkak të kufizimeve të rënda, të shkaktuara nga bombardimet amerikane, në shpërndarjen e ndihmave ushqimore.

Çështja këtu nuk është të mohohet se gratë afgane jetonin në kushte brutale para luftës, por të theksohet se brutaliteti që pësuan nga duart e “shpëtimtarëve” të tyre amerikanë (dhe gjithashtu roli i tyre në kontributin për krijimin e kushteve në vend që në fillim) thjesht injorohet nga feministët e bardhë. Ndërhyrja e tyre u përqendrua në “shpëtimin” e gruas afgane përmes arsimimit dhe lirisë për të hequr burkën, edhe nëse kjo nënkuptonte bombardimin e familjes së saj.

Siç pyet Ebu-Lughod: Sa shumë prej atyre që u ndjenë mirë për shpëtimin e grave afgane nga talebanët po kërkojnë gjithashtu një rishpërndarje radikale të pasurisë ose duke sakrifikuar konsumin e tyre rrënjësisht në mënyrë që gratë afgane, afrikane ose të tjera të kenë njëfarë mundësie për t’u çliruar nga dhuna strukturore e pabarazisë globale dhe nga shkatërrimet e luftës?”(17)

Heshtja si miratim

Në kohën e shkrimit të këtij artikulli, numri i të vdekurve pas bombardimeve izraelite të Gazës ka arritur në 18,000, me shumë trupa të tjerë që besohet se janë bllokuar nën rrënoja. Sipas UNRWA, më shumë se dy të tretat e të vrarëve janë gra dhe fëmijë. Në Gaza ka rreth 50,000 gra shtatzëna  me më shumë se 180 që lindin çdo ditë. Pesëmbëdhjetë prej tyre ka të ngjarë të përjetojnë komplikime të lidhura me shtatzëninë ose me lindjen dhe kanë nevojë për kujdes mjekësor shtesë. Disave u duhet të lindin mes rrënojave dhe rrugëve për shkak të shërbimeve të mbingarkuara shëndetësore dhe spitaleve të bombarduara. Këto janë vetëm disa nga pasojat e shumta shkatërruese të fushatës izraelite për të shfarosur popullsinë e Gazës.

Shtrirja e masakrës shtron pyetjen: Pse heshtin feministët e bardhë? A nuk meritojnë gratë e Gazës mbështetjen dhe përkrahjen feministe sa gratë iraniane apo afgane?

Citati i famshëm i Chakravorty Spivak është me rëndësi të përmendet këtu, feministët liberalë mbështesin “burrat e bardhë teksa shpëtojnë gratë esmere nga burrat esmerë.”(18) Mbështetja e tyre varet nga kush janë autorët dhe cilin botëkuptim ata po e promovojnë, pavarësisht nga mënyrat me të cilat ata përpiqen ta arrijnë këtë, ose nga shkatërrimi që lënë pas tyre. E përkushtuar ndaj imperializmit perëndimor, mbrojtja feministe e bardhë shtrihet vetëm aq sa e lejojnë qëllimet perandorake. Shteti koloni i Izraelit, që nga konceptimi i tij, është një projekt perandorak perëndimor. Kjo është arsyeja pse gjendja e vështirë e grave afgane dhe e grave iraniane (“viktimat” e burrave esmerë) shkaktoi një mbështetje kaq emocionuese dhe vokale dhe pse gratë palestineze, pavarësisht vuajtjeve të dokumentuara për dekada nën pushtimin izraelit, janë përballur kryesisht me heshtje.

Heshtja e tyre është një zgjedhje aktive, është miratim.

Feministët e bardhë nuk mund të shtiren me injorancën apo mungesën e guximit. Gratë e afta dhe inteligjente, të cilat shpesh kanë kundërshtuar normat shoqërore për çështje të diskutueshme që lidhen me gratë, madje edhe me koston e karrierës dhe reputacionit të tyre personal, zakonisht nuk qëndrojnë të heshtura përballë gjenocidit, përveç nëse ato mbështesin në mënyrë të nënkuptuar synimet kryesore perandorake që po zbatohen.

Heshtja e tyre për këtë çështje tregon më shumë për ta se sa ata vetë do të ishin të gatshëm të pranonin ndonjëherë. Idealet e tyre feministe janë përshtatur drejt një botëkuptimi shumë specifik që përputhet me imperializmin perëndimor, duke mos lënë vend për vizione të tjera të botës femërore. Morali bazë në nivelin e tij më themelor nuk ka asnjë lloj vlere nëse ndërhyn ose e rrezikon këtë botëkuptim.

Kështu duhet interpretuar heshtjen e atyre që kanë bërë karrierë falë avokimit feminist. Unë kam zgjedhur të mos përmend individë, por mjafton vetëm të hedhim një vështrim në diskursin publik të atyre që vitet e fundit kanë pretenduar të mbrojnë të drejtat e grave nga trans-ideologjia, ose të atyre që janë bërë aktivistë dhe avokatë të famshëm pranë të drejtave të njeriut, apo edhe organizatat kryesore liberale të grave dhe bamirësit në Perëndim që pretendojnë të mbrojnë diversitetin. Por një gjë është e sigurt, ata e kanë gjetur kohën për të mbrojtur të drejtat e grave iraniane për të hequr shaminë e tyre.

Feminizmi i bardhë ka një parim të pashprehur: qëllimi justifikon mjetet. Ndërhyrja e dhunshme mbështetet, madje inkurajohet, nëse po “nguliten” idealet feministe të bardha. Sepse për feministen e bardhë, ka vetëm një imazh të femrës, dhe ajo është pa shami.

Heshtja është miratim. Për aktivistet perëndimore të të drejtave të njeriut, grupet e grave, feministët e famshëm që shmangin përgjegjësinë morale dhe etike: Në mungesë të fjalëve tuaja, heshtja juaj po flet për ju.

* Zara është themeluesja dhe redaktorja e Sacred Footsteps, një portal i dedikuar udhëtimeve spirituale, historisë dhe kulturës nga një këndvështrim islam. Krahas artikujve dhe udhëzuesve, portali në fjalë synon të nxjerrë në pah aspekte të historisë dhe kulturës që shpesh anashkalohen, si dhe tendencat brenda udhëtimeve dhe industrisë së ashtuquajtur “udhëtimi hallall” që synon të kujdeset për udhëtarët muslimanë. Mund ta gjeni Zaran në X në profilin e saj @ZaraChoudharyX dhe IG: @zara_choudhary/

Bibliografi

  1. Për një analizë më të detajuar të Feminizmit të bardhë, shihni librin e Rafia Zakaria “Kundër feminizmit të bardhë” (2021).
  2. “Ndërsektorialiteti” është një term i krijuar nga Kimberlé Crenshaw, studiuese nga Kolumbia dhe profesoreshë e së drejtës në Universitetin e Kalifornisë, Los Anxhelos. Shih artikullin e saj të vitit 1989 “Demargjinalizimi i kryqëzimit të racës dhe seksit: një kritikë e zezë feministe e doktrinës antidiskriminuese, teorisë feministe dhe politikës antiraciste”.
  3. Lexo “Qeniet e varura: Rrënjët orientaliste të feminizmit perëndimor” nga Zara Choudhary për një analizë të detajuar historike.
  4. Zakaria, 2021, fq. 20.
  5. Shih Antoinette M. Burton, Barrat e historisë: Feministët britanikë, gratë indiane dhe kultura perandorake, 1865-1915(1994).
  6. Leila Ahmed, Gratë dhe gjinia në Islam (1992), fq.153.
  7. Shiko “Zbulimi i Algjerianes: Në fotografi Koloniale Franceze” nga Zara Choudhary për më shumë.
  8. Franz Fanon, “Zbulohet Algjeria”, Dekolonizimi: Perspektiva nga tani e më pas. Ed. Presenjit Duara.
  9. Neil MacMaster, Djegia e velit: Lufta Algjeriane dhe “emancipimi” i grave muslimane, 1954-62. (2012).
  10. Marnia Lazreg, “Elokuenca e heshtjes”(1994), f. 135-6.
  11. Franz Fanon, “Zbulohet Algjeria”, Dekolonizimi: Perspektiva nga tani e më pas. Ed. Presenjit Duara.
  12. Lazreg 1994, f. 136.
  13. Zakaria, 2021, f. 69.
  14. Lila Ebu-Lughod, A kanë nevojë gratë muslimane për shpëtim? (2013), f. 31-2.
  15. Zakaria, 2021, f. 71.
  16. Hirschkind, Charles dhe Saba Mahmood. “Feminizmi, talebanët dhe politika kundër-rebelimit. “Tremujori Antropologjik, vëllimi 75, nr. 2, 2002, f. 339-54, JSTOR, http://www.jstor.org/stable/3318265. Qasur më 27 nëntor 2023.
  17. Ebu-Lughod, 2013, f. 42.
  18. Spivak, Gayatri Chakravorty (1988). A mund të flasë Subalterni? Die Philosophin 14 (27): 42-58.
Ndaje