Feminizmi radikal: Kritikat

  • Përpos kritikave të dy nënrrymave të feminizmit radikal ndaj njëra tjetërs, edhe feministet tjera drejtojnë kritika ndaj feminizmit radikal. Ndër to është kufizimi i lirisë së zgjedhjes dhe veprimit të grave në shoqëritë aktuale. 
  • Feminizmi radikal i portretizon burrat dhe maskulinitetin si qenësisht të keq, qëndrim i cili kritikohet edhe nga femizmat e tjerë. 
  • Mbi të gjitha, feminizmi radikal objektivisht është joshkencor, ideologjikisht ekstremist, politikisht i rrezikshëm dhe nuk e njeh moralin si kriter i të sjellurit të njerëzve.

Kritikat për feminizmin radikal vijnë edhe brenda kuadrit të mendimit feminist edhe nga tradita të tjera të mendimit. Së pari, siç mund të vërehet në shkrimet e kaluara, në shumë mënyra, feministet radikale-libertare dhe radikale-kulturore janë kritike të njëra-tjetrës, por sigurisht që nuk janë kritiket e vetme. Një kritikë brenda feminizmit thekson faktin që mundësia e grave për zgjedhje është jashtëzakonisht e kufizuar në një kontekst patriarkal. Për këtë arsye, është akontekstuale, ahistorike dhe, për rrjedhojë, joreale, që gjithçka t’i lihet në dorë “zgjedhjes së lirë.” Shumëçka në jetën tonë ndodh pavarësisht vullnetit tonë dhe shumë dimensione të identitetit tonë janë të paracaktuara në mënyrë të pandryshueshme nga zgjedhja e lirë. 

Një kritikë tjetër nga brenda, e filozofes Jean Bethke Elshtain, thekson që feminizmi radikal e ndan shoqërinë kategorikisht në burra dhe gra, ku burrat a priori, biologjikisht ose ontologjikisht janë të korruptuar, simbolizojnë vetitë e këqija, ndërsa gratë janë të pafajshme dhe simbolizojnë vetitë e mira. Ky esencializëm mund të jetë thelbësisht një pikënisje me nuanca të qarta fashiste. Ashtu si “njerëzit e bardhë” që mendojnë se zezakët janë më pak të vlefshëm vetëm për shkak se janë zezakë, njëjtë mendojnë edhe feministët radikal për burrat që përbrendësojnë vetitë e këqija vetëm se janë burra. E vërteta është se jo çdo grua është viktimë dhe jo çdo mashkull është shfrytëzues dhe shtypës. Është e qartë se gratë kanë luajtur role të forta dhe aktive në histori, thekson Elshtain. Përveç kësaj, shembujt e burrave që mbështesin gratë në luftën e tyre për liri janë gjithashtu të dukshëm dhe jo të paktë.

Një pikë tjetër është se është e gabuar të thuhet se të gjitha sistemet patriarkale janë të njëjta. Praktikat sutte në hinduizëm, ku gruaja digjet në turrën e druve pasi t’i vdes burri, janë shumë të ndryshme nga praktikat shtypëse patriarkale në vendet e tjera. Kështu, feminizmi radikal dështon të tregojë vetëdije për diversitetin e shoqërive të ndryshme duke i konsideruar ato si të njëjta.

Përveç kritikave të mësipërme, gjykuar objektivisht, supozimet e feminizmit radikal janë joshkencore për shkak se ndjekin një linjë jometodike të analizës. Për më tepër, arritja në përfundime të shpejta për çështje komplekse, tejthjeshtësimet e shumta, shpërfillja e korrelacioneve mes variablave dhe gjykimet e pasakta përgjithësuese e bëjnë feminizmin radikal sipërfaqësor dhe të pasaktë.  Këtu mund të shtohet edhe fakti që tejthjeshtësimet në aspektin filozofik, dëshmojnë për dembellëk të mendjes dhe zellit për hulumtim duke u përgjigjur pyetjeve tepër komplekse me përgjigje tepër të thjeshtuara. 

Nga një perspektivë morale subjektive dhe objektive, siç janë traditat konservatore dhe fetare, sidomos te besimet monoteiste, feminizmi radikal është një lëvizje devijante e cila nuk ka një sistem vleror. Sidomos përjashtimi i seksualitetit nga sistemi i vlerave përbën një rrezik për institucionin e familjes dhe, për pasojë, edhe shoqërinë. Pandehma të feminizmit radikal se seksi feminist është seks pa kurrfarë kufizimesh dhe mes çdokujt (madje edhe mes motrave dhe vëllezërve, prindërve dhe fëmijëve), i bazuar vetëm në vullnetin e lirë është shumë problematik për këto tradita të cilat kanë shumicën e botës si besimtarë. Sipas këtyre traditave feminizmi radikal do të merrte një dënim të rëndë në bankën e të akuzuarit të gjykatës së moralit për shkak që hap rrugë drejt devijimeve dhe shthurjeve epshore. 

Gjykuar në aspektin politik, feminizmi radikal, për shkak se operon në terma strikte dhe kategorike të politikës identitare paraqet një lloj të fashizmit ndaj burrave dhe jofeministëve. Për shembull, nëse skaji i spektrit të nacionalizmit është fashizmi, nëse skaji i socializmit ose të majtës është komunizmi, nëse skaji i liberalizmit është libertarianizmi, skaji i feminizmit është feminizmi radikal. Kështu feminizmi radikal përfaqëson versionin më ekstrem të feminizmit i cili mund të kategorizohet lehtë bashkë me skajet e ideologjive të tjera që në historinë e njerëzimit bëjnë pjesë në kronikat e zeza dhe ngjarje të terrorit. Përveç kësaj, funksionimi i logjikës së feminizmit radikal është në horizonte shumë të ngushta, fakt i cili dëshmon për dogmatizmin e tij. Për më tepër, politikisht feminizmi radikal operon gjithherë me polarizim duke e ndarë shoqërinë në dysh, në njërën palë të mirë dhe tjetrën të keqe, mënyrë e cila, thënë butë, e dëmton kohezionin social. 

Si përfundim, feminizmi radikal përfaqëson një lëvizje politike dhe ideologji me supozime shkencërisht të pasakta dhe reduksioniste, ahistorike dhe akontekstuale, amorale, ekstreme dhe mbi të gjitha të rrezikshme për funksionimin normal të shoqërive. Përpos kësaj, praktikisht për shkak që pandehma të feminizmit radikal kanë  qasje agresive dhe polarizuese, shpesh edhe linçuese, kanë efekt kundërproduktiv shikuar nga perspektiva e avancimit praktik të të drejtave dhe përmirësimit të mirëqenies dhe pozitës shoqërore të grave. Për këto arsye, ndoshta në listën e shënjestrave të feministëve joradikalë, krahas luftës kundër dhunës ndaj grave, papunësisë dhe shkeljes së të drejtave në përgjithësi, edhe kritikat brenda llojit në drejtim të feministëve radikal do të ishin me vend. 

Lexime të mëtutjeshme

Tong, R., & Botts, T. F. (2018). Feminist thought: A more comprehensive introduction. Routledge.Walters, M. (2005). Feminism: A very short introduction (Vol. 141). Oxford University Press.Çakır, S. (2007). Feminizm: Ataerkil iktidarın eleştirisi.Çakır, S. (2011). Feminist Tarih Yazımı: Tarihin Kadınlar İçin, Kadınlar Tarafından Yeniden İnşası. Serpil Sancar (der.), Birkaç Arpa Boyu, 21, 505-533.

 

Ndaje