Shteti, mirëqenia dhe shoqëria: Plakja e popullsisë, ndryshimet demografike dhe enigma e shtetit të mirëqenies (I)

  • Në shoqëritë paramoderne përkujdesja brenda familjes për fëmijët dhe të moshuarit, dhe shërbimet sociale nuk ishin drejtpërdrejt nën përgjegjësinë e shtetit. Shumica e shërbimeve të tilla kryheshin përmes aktorëve si familja, marrëdhëniet familjare e farefisnore, bamirësitë, institucionet fetare etj.
  • Për dallim nga periudhat e mëhershme, shtetet moderne, përkatësisht shtetet e mirëqenies/sociale (welfare state), janë mekanizma themelore përmes politikave të së cilave organizohet mirëqenia sociale. 
  • Një nga çështjet më të rëndësishme të këtij ndryshimi të strukturës së popullsisë është plakja e popullsisë, e cila ka sjellur me vete sfida që nuk janë hasur më parë sa i përket strukturës sociale dhe sidomos mirëqenies së popujve.
  • Pyetja themelore është se a ka mundësi të ketë mirëqenie në një shoqëri me një popullsi të plakur dhe a mund të jetë i qëndrueshëm një shtet social ku numri i personave të cilët kanë barrën e mirëqenies së shoqërisë bie vazhdimisht, ndërsa i atyre për të cilët duhet përkujdesur rritet?

Rritja e popullsisë së botës është një temë që, si e tillë, shpesh bëhet temë e diskutimeve shkencore por edhe bisedave tona të përditshme. Që prej kohës së revolucionit industrial, numri i banorëve të globit është rritur me një shpejtësi mbresëlënëse, duke e tejkaluar tanimë shifrën prej 8 miliardë frymëve (OKB, 2022). Përveç aspektit sasior, një çështje tjetër që duhet të shqyrtohet në lidhje me popullsinë e tokës ka të bëjë me aspektin cilësor, përkatësisht ndryshimin e shpejtë të strukturës së popullsisë. Ndryshimi i sotëm demografik, i cili ndër tjera karakterizohet edhe me plakjen e popullsisë dhe për rrjedhojë rritjen e numrit të të moshuarve brenda shoqërive njerëzore, ka preokupuar studiues të shumtë dhe ka qenë e mbetet objekt i hulumtimeve në fusha të ndryshme shkencore. Zhvillimet ekonomike, sociale dhe kulturore të shkaktuara nga ky transformim demografik janë objekt diskutimi nga këndvështrime të ndryshme në botë. Një nga çështjet kryesore në lidhje me këtë temë është ndikimi i ndryshimeve demografike në mirëqenien e njerëzve në botë, si dhe cilat janë e duhet të jenë reagimet e shteteve ndaj këtij zhvillimi demografik.

Për dallim nga periudhat e mëhershme historike, shtetet moderne, përkatësisht shtetet e mirëqenies/sociale (welfare state), janë mekanizma themelore përmes politikave të së cilave organizohet mirëqenia sociale. Në shoqëritë paramoderne, krahas përkujdesjes brenda familjes për fëmijët dhe të moshuarit, si dy kategori të cilat kanë nevojë përkujdesjeje, edhe shërbimet sociale si arsimi dhe shëndetësia në një shkallë më të gjerë nuk ishin drejtpërdrejt nën përgjegjësinë e shtetit. Gjatë kësaj periudhe të gjatë historike shumica e shërbimeve të tilla kryheshin përmes aktorëve si familja, marrëdhëniet familjare e farefisnore, bamirësitë, institucionet fetare etj. Megjithatë, me shfaqjen e shtetit të mirëqenies, megjithëse politikat e ndjekura nga regjimet e mirëqenies në shtete të ndryshme janë të ndryshme, këto shërbime sociale kanë kaluar në përgjegjësinë e shtetit. Prandaj, shteti i mirëqenies/social si praktikë, që kur u krijua në gjysmën e dytë të shekullit të 20-të, është një fenomen i ri në historinë njerëzore.

Në këtë mënyrë mund të themi se zhvillimet demografike dhe ndryshimet ekonomike e sociale për një kohë të gjatë janë sfidat me të cilat përballen politikbërësit apo regjimet e mirëqenies në shtetet e ndryshme të botës. Kështu që, përgjigjja ndaj këtyre sfidave bazohet tek analizimi i saktë i proceseve demografike dhe hartimi i politikave të duhura përballë këtyre sfidave. Një nga çështjet më të rëndësishme të këtij ndryshimi të strukturës së popullsisë është plakja e popullsisë, e cila ka sjellur me vete sfida që nuk janë hasur më parë sa i përket strukturës sociale dhe sidomos mirëqenies së popujve. Plakja, e cila shpesh shihet si një problem i vendeve të industrializuara perëndimore, është kthyer në një zhvillim demografik që shqetëson të gjithë botën sot. Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara, përqindja e të moshuarve (raporti i grupit 65 vjeç e lart me popullsinë totale), që është 9%, do të rritet në 16% në vitin 2050 (OKB, 2022). Pra, përderisa sot nga 100 persona 9 prej tyre janë të moshuar, në vitin 2050 ky numër do të rritet në 16, që i bie pothuajse dyfishi.

Si ndodhë transformimi demografik?

Tre proceset bazë demografike që ndikojnë në transformimin, përkatësisht rritjen apo uljen e popullsisë pranohen të jenë: lindja, vdekja dhe migrimi. Rrjedhimisht, diferenca ndërmjet numrit të lindjeve dhe vdekjeve është në fakt një tregues i rritjes ose uljes natyrore të popullsisë. Përveç këtyre, një faktor i tretë që ka ndikim të drejtpërdrejtë në numrin e popullsisë është migrimi.

Siç u përmend më lartë, numri i popullsisë së botës ka arritur në 8 miliard dhe kjo prirje e rritjes, që ka marrë hov shekujve të fundit, pritet të vazhdojë edhe në të ardhmen e afërt. Popullsia e botës, në fakt, është rritur me një rrjedhë të ngadaltë gjatë historisë së njerëzimit. Prandaj, popullsia botërore, e cila ishte rreth 6 milionë gjatë kalimit në jetën e sedentare/të vendosur me revolucionin bujqësor (afërsisht 12 mijë vjet më parë), kishte arritur në 250 milionë pas disa mijëra viteve, përkatësisht në shekullin e parë (Livi-Bacci, 2012).

Rritja e popullsisë, e cila kishte një rrjedhë të ngadaltë për mijëra vjet, tregoi një rritje dhe transformim shumë më të madh pas revolucionit industrial dhe ndryshimet që ai solli. Për shembull, popullsia e botës, e cila u rrit shumë ngadalë gjatë shekujve e mileniumeve arriti në 1 miliard për herë të parë në vitet 1800, ndërsa në 2 miliardë u rrit pas vetëm rreth një shekulli e gjysmë (1930). Sot, popullsia e botës, e cila ka arritur në 8 miliardë, është rritur në mënyrë të shpejtë e duke u shumëfishuar në më pak se një shekull dhe pritet të vazhdojë me të njëjtin trend, së paku edhe në të ardhmen e afërt.

Krahas rritjes së popullsisë, një tjetër zhvillim i ri për sa i përket historisë botërore mund të përmendet prirja e përqendrimit të njerëzve në qytete. Në fakt, zhvillimet themelore që përbëjnë botën moderne, siç është revolucioni industrial, përkrah ndryshimeve ekonomike e sociale, kanë transformuar strukturat arkitekturore e kulturore të qyteteve, qytezave dhe fshatrave. Në krye të këtyre transformimeve padyshim se është transformimi demografik i këtyre vendbanimeve. Megjithatë, mund të thuhet se ky transformim, përkatësisht rritja e popullsisë dhe shkalla e lartë e urbanizimit është po ashtu një fenomen i ri sa i përket historisë së gjatë të njerëzimit. Në fakt, gjatë historisë së njerëzimit, megjithëse qytetet kanë luajtur një rol vendimtar në ngritjen e qytetërimeve dhe perandorive të ndryshme, dihet se shumica dërrmuese e komuniteteve njerëzore kanë jetuar në zonat rurale. Jetesa pas revolucionit bujqësor bazohet në fakt në jetën sedentare/të vendosur dhe të prodhimit bujqësor. Prandaj, gjatë këtyre shekujve shumica e vendbanimeve ku njerëzit janë të përqendruar janë zona rurale.

Ndërsa pas revolucionit industrial, kjo situatë ka pësuar një ndryshim rrënjësor. Qyteti, përveç banorëve tradicionalë si udhëheqësit politik e ushtarak, tregtarët dhe zejtarët etj., u shndërruar në një qendër tërheqëse edhe për masat, të cilat përbëjnë shumicën e njerëzve. Mundësitë ekonomike, sociale dhe kulturore të ofruara në qytete shkaktojnë urbanizim të shpejtë duke nxitur migrimin e brendshëm dhe të jashtëm. Prandaj, mund të thuhet se urbanizimi është një pjesë e rëndësishme e transformimit demografik në botë gjatë periudhës moderne. Për më tepër, krahas migrimit të brendshëm drejtë qytetit, një çështje që sot zë vend në krye të agjendës si të shteteve kombëtare ashtu edhe të organizatave ndërkombëtare është migrimi i jashtëm. Në fakt, migrimi i miliona njerëzve i shkaktuar nga faktorë të ndryshëm si lufta, paqëndrueshmëria ekonomike dhe politike apo kërkesat për një jetë më të mirë janë skena me të cilat përballemi çdo ditë. Pra, migrimi, i cili ndahet në dysh si migrimi i brendshëm dhe i jashtëm, është një faktor i tretë krahas lindjes dhe vdekjes, që transformon strukturat demografike të vendeve e kontinenteve.

Megjithatë, nuk duhet anashkaluar fakti se ky transformim demografik është i ndërlidhur me zhvillime në fusha të tjera. Kjo për arsye se përveç revolucionit industrial të përmendur më sipër, revolucionet shkencore dhe zhvillimet e tjera si ato politike dhe ekonomike shihet se kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në transformimet demografike. Për shembull, zhvillimet në teknologji kanë ndikuar drejtpërsëdrejti në shëndetësi, e pastaj kjo ka pasuar drejt gjetjes së shërimit për sëmundje që kanë shkaktuar viktima masive për shekuj. Kështu që, këto zhvillime kanë shkaktuar ndryshime rrënjësore në jetën dhe shëndetin si dhe statistikat e vdekjes së njerëzve. Rrjedhimisht, sot shihet se numri i vdekjeve gjatë lindjes është ulur dukshëm, janë zhvilluar trajtime për sëmundjet vdekjeprurëse dhe për rrjedhojë është rritur jetëgjatësia. 

Nga ana tjetër, zhvillimet në fushën e komunikimit dhe infrastrukturës e kanë bërë më të lehtë mbulimin e distancave ndërmjet vendeve dhe njerëzve dhe kanë nxitur lëvizshmërinë njerëzore. Sot, shihet se migrimi dhe lëvizshmëria e njerëzve brenda dhe ndërmjet shteteve është rritur ndjeshëm. Këto dhe zhvillime të ngjashme kanë bërë që të shfaqen debatet e globalizimit, dhe në diskutimet e përditshme bota sot krahasohet me një fshat. Përveç kësaj, bazuar në mundësitë e ofruara nga zhvillimet e sipërpërmendura, shtetet moderne kanë arritur fuqinë për të transformuar strukturën demografike në mënyra të ndryshme në popullsinë e tyre (Foucault, 2008), apo duke “edukuar njerëzit” përmes mekanizmave që i posedojnë (Bauman, 2013). Rrjedhimisht, si rezultat i zhvillimeve në fusha të ndryshme apo edhe kapaciteteve që posedojnë mekanizmat si shteti modern, struktura demografike sot ka pësuar një transformim.

Krahas këtyre ndryshimeve, në vazhdën e studimeve mbi strukturën dhe ndryshimin e popullsisë të cilat janë shtuar që nga shekulli i 18-të, Teoria e Tranzicionit Demografik (The Demographic Transition theory) ofron një kuadër të rëndësishëm për shpjegimin e ndryshimeve demografike. Sipas kësaj teorie, transformimi demografik të cilin e përjetuan shoqëritë evropiane në periudhën moderne nuk ishte një përvojë specifike e kufizuar me një kohë apo hapësirë të caktuar. Rrjedhimisht, kjo teori, themelet e së cilës u hodhën nga Warren Thompson, e u sistemua nga punimet e Frank Notestein, parashikonte se kjo përvojë do të ishte një proces që do të përfshinte edhe pjesët e tjera të botës (Davis, 1945; Notestein, 1945). Sipas kësaj teorie, përvoja e shoqërive evropiane është një proces përgjithësues dhe supozohet se shoqëritë e tjera në botë do të kalojnë nëpër procese të ngjashme. Megjithatë, mund të thuhet se ata që e përvetësojnë këtë teori janë nën ndikimin e teorisë së modernizimit (modernisation theory) dhe kanë një qasje eurocentrike (Aysan, 2014).

Sipas kësaj teorie, shoqëritë evropiane kaluan në tre faza, nga të cilat do të kalojnë edhe shoqëritë e tjera. E para nga këto faza të përmendura korrespondon me periudhat kur lindshmëria dhe vdekshmëria janë të larta. Shkalla e lartë e vdekjeve për arsye të ndryshme gjatë historisë së njerëzimit deri në revolucionin industrial dhe rritja shumë e ngadaltë e popullsisë botërore janë karakteristikat e kësaj periudhe. Luftërat, vështirësitë në kushtet fizike, pamjaftueshmëria në furnizim me ushqim dhe ujë, sëmundje epidemike si murtaja etj., kanë rezultuar në shkallë të lartë të vdekjeve, rrjedhimisht rritja e popullsisë është shumë e ngadaltë. Megjithatë, me periudhën moderne, përmirësimi i infrastrukturës dhe kushteve fizike përmes revolucioneve shkencore në mjekësi dhe jo vetëm, kanë mundësuar përparime në trajtimin e këtyre problemeve. Prandaj, periudha që filloi me shekullin e 18-të korrespondon me fazën e dytë të shoqërive evropiane. Përveç çështjeve të përmendura në këtë fazë, rritja e nivelit të shkrim-leximit, rritja e numrit të njerëzve të arsimuar, urbanizimi etj., janë zhvillime të cilat kanë transformuar jetën shoqërore në këtë periudhë. Me ndikimin e të gjitha këtyre zhvillimeve, u vu re se vdekshmëria u ul me shpejtësi, ndërsa krahasuar me të parën lindshmëria ndoqi një rënie më të ngadaltë. Pra, përderisa lindjet vazhduan me një trend të lartë, vdekjet si në fëmijëri si në pleqëri pësuan një rënie drastike. Rrjedhimisht, si rezultat i diferencës midis këtyre dy faktorëve, vdekshmërisë dhe lindshmërisë, u përjetua një rritje e dukshme që u konceptualizua si “shpërthimi i popullsisë”.

Mirëpo, në fazën e tretë vërehet një prirje e uljes më të shpejtë e lindjeve. Pra, ngjashëm me uljen e shpejtë të vdekshmërisë që kishte ngjarë në fazën e dytë, në këtë fazë ndodhë një ulje e shpejtë e lindshmërisë. Kështu që, me uljen e shkallës së lindshmërisë ngadalësohet edhe rritja e popullsisë. Madje, nëse shkalla totale e lindshmërisë bie nën shkallën e vetë-zëvendësimit të popullsisë (replacement rate), që i bie të jetë së paku mbi 2.1, rritja e popullsisë ngecë. Prandaj, me fazën e tretë megjithëse popullsia mbetet e qëndrueshme për një periudhë kohore, ajo ndjek një trend në rënie. Si rezultat, pas kësaj faze ndodh i ashtuquajturi tranzicioni demografik.

Siç mund të shihet në Figurën 1, ka pasur një rënie të shpejtë të lindshmërisë në të gjithë botën në gjysmën e dytë të shekullit XX. Në vitet 1960, përderisa norma totale e lindshmërisë ishte 7 në Afrikë, 6 në Azi dhe afër 3 në Evropë, ajo ishte 5 në mbarë botën. Ndërsa vitet në vijim, lindshmëria u ul në të gjitha rajonet dhe u afrua në 2 në mbarë botën. Lindshmëria në Evropë mbeti nën shkallën e zëvendësimit për gati 40 vjet, një rënie e shpejtë u përjetua në Azi dhe shkalla totale e lindshmërisë ra në shkallën e zëvendësimit. Edhe pse ka një rënie në Afrikë, prapë mbetet rajoni me shkallën më të lartë të lindshmërisë totale në botë me një normë lindshmërie prej rreth 4. Megjithatë, të gjitha rajonet e botës, edhe pse me karakteristika të ndryshme ekonomike dhe kulturore po përjetojnë një rënie të lindshmërisë si rezultat i transformimit demografik. Atëherë, të gjitha këto përparime e zhvillime të cilat kanë ndikuar në përmirësimin e jetesës dhe uljes e vdekshmërisë, me kalimin në fazën e tretë dhe uljes së lindshmërisë kanë një kosto: plakja e popullsisë! Atëherë, pyetja themelore është se a ka mundësi të ketë mirëqenie në një shoqëri me një popullsi të plakur dhe a mund të jetë i qëndrueshëm një shtet social ku numri i personave të cilët kanë barrën e mirëqenies së shoqërisë bie vazhdimisht, ndërsa i atyre për të cilët duhet përkujdesur rritet?

Figura 1: Shkalla e fertilitetit në mbarë botën 1960-2021 (Burimi: United Nations – Population Division, 2022.)

 

Burimet:

Aysan, M. F. (2014). Türkiye’nin Demografik Dönüşümü ve Yeni Meydan Okumalar. L. Sunar (Ed.), Türkiye’de Toplumsal Değişim, içinde (s. 67-87). İstanbul: Nobel Yayınevi.

Bauman, Z. (2013). Legislators and interpreters: On modernity, post-modernity and intellectuals. John Wiley & Sons.

Davis, K. (1945). The World Demographic Transition. The Annals of the American Academy of Political and Social Science, 237, 1-11.

Foucault, M. (2008). The Birth of Biopolitics: Lectures at the College de France, 1978-1979. New York: Pelgrave Macmillan.

Livi-Bacci, M. (2012). A Concise History of World Population (5. baskı). West Sussex: Wiley-Blackwell.

Notestein, F. W. (1945). Population the Long View. T. Schultz (Ed.), Food for the World, içinde (s. 36-57). Chicago: Chicago University Press.

United Nations Department of Economic and Social Affairs Population Division. (2022). World Population Prospects 2022: Summary and Results.

Ndaje