Dhuna në familje, abuzimi me substanca dhe bixhozi

  •  Abuzimi me substancat – veçanërisht abuzimi me alkoolin dhe drogat, shpesh identifikohet si një faktor që lidhet me dhunën në familje. Kjo për shkak se të gjitha substancat që kanë potencial të shkaktojnë varësi kanë efekte të fuqishme në tru. Kur përdorimi i alkoolit dhe/ose drogave bëhet kronik përveç pasojave përcaktuese në aspektin neurologjik, mund të ndryshojë ndjenjat, perceptimet, proceset e të menduarit dhe tërë sjelljen.
  • Në fakt, hulumtimet tregojnë se përdorimi i alkoolit rrit drejtpërdrejt gjasat për dhunë sidomos brenda marrëdhënieve intime, pra ndërmjet dy partnerëve (p.sh., Leonard, 2005). Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) raporton se në SHBA në 55% të rasteve, partneret e viktimave të dhunës në familje ishin të intoksikuar me alkool para kryerjes së sulmit fizik. 

Dhuna në familje mbetet një çështje e përhapur mirëpo shumë shpesh e fshehur, që prek individë dhe familje të panumërta në mbarë botën. Dhuna në familje definohet si një sërë sjelljesh abuzive, duke përfshirë abuzimin fizik, emocional dhe psikologjik, që ndodhin brenda marrëdhënieve familjare. 

Pavarësisht rritjes së ndërgjegjësimit dhe përpjekjeve për ta luftuar atë, dhuna në familje vazhdon të prekë komunitetet globalisht, pavarësisht nga mosha, gjinia apo statusi socio-ekonomik.

Abuzimi me substancat – veçanërisht abuzimi me alkoolin dhe drogat, shpesh identifikohet si një faktor që lidhet me dhunën në familje. Kjo për shkak se të gjitha substancat që kanë potencial të shkaktojnë varësi kanë efekte të fuqishme në tru. Kur përdorimi i alkoolit dhe/ose drogave bëhet kronik përveç pasojave determinale në aspektin neurologjik, mund të ndryshojë ndjenjat, perceptimet, proceset e të menduarit dhe tërë sjelljen. Në fakt, këto pasoja janë gjetur edhe tek përdoruesit social – pra individët që nuk përdorin këto substanca rregullisht (Weissenborn & Duka, 2003).

Truri përbëhet nga rrjetë neuronesh që funksion kryesor kanë përpunimin dhe transmetimin e informacionit. Si rrjedhojë, droga dhe alkooli ndërhyjnë në mënyrën se si funksionojnë këto neurone, duke ndryshuar mënyrën se si dërgojnë, marrin dhe përpunojnë informacionet. Për shembull, studimet e neuroshkencës tregojnë se alkooli shkakton ndryshime morfologjike në rajonet e trurit të përfshira në pjesën frontale të trurit (Everitt & Robbins, 2005; Kalivas & Volkow, 2005; Kalivas, 2009). Këto dëshmi vijnë nga studime të ndryshme në njerëz dhe kafshë, nga metoda te ndryshme siç janë fMRI, EEG apo nëpërmjet vëzhgimeve molekulare dhe qelizore. Këto ndryshime kur “përkthehen” në nivelin e sjelljes, shkaktojnë ndryshime në vetëkontroll, vendimmarrje dhe përpunim emocional.

Në kontekstin e marrëdhënieve të afërta ku bëjnë pjesë marrëdhëniet familjare, studimet tregojnë se përdorimi kronik i alkoolit rrit impulsivitetin dhe sjelljen agresive – pikërisht për shkak të zvogëlimit të vetëkontrollit, e që kontribuojnë në përshkallëzimin e konflikteve brenda familjes (Curtis et al.,2019).

Në fakt, hulumtimet tregojnë se përdorimi i alkoolit rrit drejtpërdrejt gjasat për dhunë sidomos brenda marrëdhënieve intime, pra ndërmjet dy partnerëve (p.sh., Leonard, 2005). Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) raporton se në SHBA në 55% të rasteve, partneret e viktimave të dhunës në familje ishin të intoksikuar me alkool para kryerjes së sulmit fizik. Disa statistika nga Qendrat Amerikane për Varësinë e bëjnë ende më të bindshme lidhjen ndërmjet abuzimit me substanca dhe dhunës në familje, ku thuhet se në vitin 2016, në mbarë botën, rreth 90,000 vdekje u shkaktuan si pasojë e dhunës në familje, që vinte si pasojë e përdorimit të alkoolit. Gjithashtu, mbi gjysma e individëve që ushtrojnë dhunë ndaj prindërve të tyre të moshuar (60 vjeç e lartë) janë të varur nga alkooli ose drogat.

Për shkak se alkooli dhe substancat narkotike prekin qendrën e shpërblimit të trurit – sidomos nëse përdorimi i tyre është kronik, rritet tendenca për krijimin e varësisë ndaj konsumimit të tyre për të arritur nivelin e kënaqësisë së njëjtë. Clark (2010), thekson se lojërat e fatit (bixhozi) kanë po të njëjtën mënyrë të ndikimit në nivelin neural. Për shembull, kur një person përjeton emocion të lartë pas një fitore në lojë, reagimi neural mund të ngjajë me atë të një personi që përjeton një rritje të dopaminës pas përdorimit të substancave. Sikur tek alkooli edhe tek substancat narkotike, dëmi nga lojërat e fatit shtrihet përtej njerëzve që luajnë bixhoz, duke dëmtuar gjithashtu shëndetin dhe mirëqenien e personave të afërm duke përfshirë partnerët intimë dhe anëtarët e tjerë të familjes (Browne et al., 2016; Tulloch et al., 2021).

Studimet kanë gjetur një lidhje në mes të bixhozit dhe dhunës duke përfshirë jo vetëm marrëdhëniet intime të partnerëve, por edhe ndikimin e saj në familjen më të gjerë (Dowling, Suomi, et al., 2016). Edhe pse kjo lidhje ende nuk është e qartë, ka shumë faktorë që mund ta shpjegojnë atë. Një mundësi është se faktorët stresues të përfshirë me lojërat e fatit mund të shkaktojnë stres kronik në familje, duke krijuar një mjedis ku anëtarët e familjes janë më të prirë për sjellje të dhunshme. Për shembull, shpenzimi dhe humbjet konstante nga lojërat e fatit mund të sjellin tensione financiare në familje. Presioni për të rikuperuar humbjet mund të kontribuojë në ankth, ndërsa ndjenjat e fajit dhe turpit mund të rriten. Këto emocione negative mund të përforcohen në ambientin e shtëpisë dhe të shkaktojnë një atmosferë tensioni, duke rritur rrezikun e dhunës. Në situata të tjera, është e mundur që dhuna në familje mund të jetë si pasojë e abuzimit me substanca siç është alkooli, ngase në shumë raste personat që luajnë bixhoz, kanë tendencë të abuzojnë edhe me substanca tjera duke e bërë problemin ende më të ndërlikuar (Cunningham-Williams et al., 2007; Korman et al., 2008).

Përveç se dhuna në familje mund të jetë pasojë, ajo mund të jetë edhe shkaktare për abuzimin me substanca. Pra, dhuna mund të ndikojë në rritjen e tendencës për përdorimin e alkoolit apo substancave narkotike, si dhe abuzimin me lojëra të fatit. Kjo sepse viktimat e dhunës mund të zgjedhin strategji jo gjithmonë të shëndetshme për menaxhimin e mpirjes fizike apo psikike për shkak të dhunës që përjetojnë. Trauma dhe stresi i shkaktuar nga një mjedis i dhunshëm ndikojnë në shëndetin emocional të viktimave, duke nxitur drejt përdorimit të substancave si një mënyrë e përkohshme për tu “ndarë” nga realiteti i dhimbshëm.

Në anën tjetër, dhunuesi mund të përdorë substancat narkotike apo alkoolin, si një mjet për të larguar mbase ndjenjën e fajësisë, apo çfarëdo ndjenjë tjetër negative që asociohet me kryerjen e një akti të dhunshëm. Dhe rikthimi i personit te këto substanca shpesh sjell përsëri një cikël të pashmangshëm, ku abuzimi me substanca apo bixhozi nxit dhunën në familje dhe dhuna në familje, nga ana tjetër, nxit abuzimin e mëtejshëm të substancave apo/dhe bixhozit.

Si përfundim, pamë që përdorimi kronik i substancave mund të lidhet me rritjen e sjelljeve të dhunshme në familje, duke krijuar ndryshime në nivelin morfologjik të trurit si dhe në nivelin e sjelljes. Në të njëjtën kohë, përdorimi i substancave në mënyrë rekreative, përfshirë atë të alkoolit, megjithatë, edhe pse jo drejtpërdrejt i lidhur me dhunën në familje, mund të sjellë çështje të tjera të shëndetit mendor dhe sjelljes. 

Përdorimi i lojërave të fatit (bixhozi) gjithashtu mund të jetë një faktor i cili, bashkë me përdorimin e substancave, mund të ndikojnë në shfaqjen e dhunës në familje. Lidhja reciproke në mes të gjithë këtyre faktorëve e bënë ende më të komplikuar problemin, sepse abuzimi me substancat dhe lojërat e fatit mund të rrisin tendencën për dhunë në familje, por edhe dhuna në familje mund të çojë në më shumë përdorim të substancave dhe abuzimin me lojëra të fatit.

Për të ndërprerë këtë cikël, është e rëndësishme që të shqyrtohet mënyra më e mirë për të zgjidhur situatën, duke përfshirë mbështetjen nga profesionistët e shëndetit mendor, trajnime për menaxhimin e konflikteve, apo programe rehabilitimi për abuzimin e substancave.

Ndaje