Analiza e “The Witch”

  • Përballja me sfidat e jetës kur njeriu vihet para një detyre gati të pamundur, e shtyn atë në qoshen e errët të jetës, e cila shpesh merr forma të mbinatyrshme dhe njeriu përfundimisht e sheh veten duke luftuar me krijesa të mbinatyrshme.
  • Besëtytnia, injoranca, fanatizmi ekstrem fetar, është po ashtu një tjetër faktor që e shtyn njeriun në ato qoshet e errëta.
  • Emocionet e forta që njeriu i përjeton në mendje si rezultat i përjetimeve tragjike, shpesh marrin forma të trishtueshme dhe shfaqen edhe në realitet, duke kaluar normalen në abnormalitet.

Të gjithë e njohim atë ndjenjën kur e shohim në fillim të një filmi horror “bazuar në ngjarje të vërtetë”, detaj ky me të cilin skenaristët dhe regjisorët përpiqen të shtyjnë përjetimin e filmit nga audienca në kufijtë më të skajshëm të frikës, duke provuar ta zvogëlojnë apo nëse është e mundur ta largojnë tërësisht vijën ndarëse mes të vërtetës dhe fiktivës. Kemi pasur rastin të shohim shumë filma me shtriga, magji të zeza, a krijesa të mbinatyrshme, të cilat të tmerrojnë, ta ngrenë adrenalinën dhe jo rrallëherë edhe të bëjnë që të ngrihesh nga vendi prej frikës. Mirëpo prapëseprapë këta filma kanë arritur në ato pika ku shihet qartë imagjinata e krijuesve të filmit.

Filmi “The Witch” nga regjisori Robert Eggers i cili njëherit është edhe skenarist i filmit, është i bazuar në përrallat dhe rrëfimet popullore të periudhave të ndryshme historike në SHBA. Ngjarja në këtë film zhvillohet në vitet 1630 në New England, SHBA. Bëhet fjalë për një familje të devotshme krishtere e cila nuk pajtohet me kishën lokale në të cilën kryenin shërbimet fetare, pasi që sipas tyre edhe vet kisha ishte korruptuar dhe “e kishte humbur rrugën e drejtë.” Si rezultat familja përjashtohet nga fshati dhe detyrohen të jetojnë në një vend të braktisur afër malit. Për shkak të varfërisë së madhe si dhe një viti me të korrura të dështuara, familja fillon të vë në dyshim besimin e tyre duke u bindur se Zoti i ka braktisur ata dhe se djalli i ka pushtuar shpirtrat e tyre, e kështu bëjnë përpjekje për ta gjetur “shtrigën” e cila ishte fajtorja e kësaj përmbysjeje.

Ajo që e bën më të veçantë këtë film nga filmat tjerë me këtë tematikë është origjinaliteti si në rrëfim ashtu edhe në realizim. Duke u nisur nga vet skenari që sipas R. Eggers në përmbajtje ka pjesë-pjesë shkëputje autentike të pandryshuara nga shkrimet e vjetra, kjo e bën filmin më të kapshëm dhe më autentik. Gjuha me dialektin e viteve 1600-ta i jep një ngjyrim autentik filmit dhe ia shton magjinë rrëfimit. Pastaj kinematografia e drejtuar nga Jarin Blaschke është realizuar me brilancë ku xhirimet janë bërë kryesisht me ndriçim natyral. Ngjyrat e zymta, atmosfera po ashtu e zymtë ku dominojnë ngjyrat e vjeshtës, e shoqërojnë filmin gjatë gjithë kohës duke e shtuar atmosferën e zymtë që rrëfen.

Përveç qasjes shumë njerëzore dhe reale gjatë përshkrimit të “shtrigës”, ku portretizimi i shërbëtores së djallit paraqitet krejtësisht njerëzor pa hiperbola dhe efekte speciale, bile edhe pa grimosje e maskime çfarëdo qofshin, Eggers gjithashtu mundohet që përmes kësaj familje t’i hedh në pah stereotipat e grupacioneve fetare ku në shumicën e rasteve vet qasja e tyre ekstreme është burimi i çdo të keqe, pastaj korrupsioni që ndodh në institucionet fetare etj.

Të veçantë e bën filmin edhe aktrimi i kastës, ku vëmendje të madhe tërheq performanca e djaloshit Harvey Scrimshaw i cili më befasoi tej mase. Pastaj edhe aktorja Kate Dickie të cilën fansat e Game Of Thrones (Lysa Arryn of House Tully) do ta njohin në shikim të parë, gjithashtu ka bërë performancë mbresëlënëse. Tjetër aktor nga bota e Game of ThronesRalph Ineson (Dagmar Cleftjaw) gjithashtu ka paraqitje të shkëlqyer në film, ku realisht kujtoj që vet prezenca e këtyre dy aktorëve të njohur i ka tërhequr një numër të madh shikuesish për ta shikuar atë. Nuk ka dyshim që edhe Anya Taylor-Joy ishte e hatashme në rolin e saj, duke e mbajtur filmin në supet e saj si protagonistja thuajse kryesore në këtë film. Mendoj që paraqitja e saj e shkëlqyer në këtë film, i ka hapur asaj dyert për të marr pjesë më pas në shumë tituj tjerë filmash duke e bërë Taylor-Joy një aktore të famshme dhe shumë të kërkuar vitet e fundit.

Përfundimisht “The Witch” ka arritur t’i paraqes sfidat e shoqërisë së shekujve të kaluar, ku filmi trajton përpjekjet e ndryshme njerëzore për mbijetesë, përballja e sfidave të jetës ku shpeshherë shkaktari kryesor i problemeve del të jetë vet njeriu, besëtytnitë apo edhe bindjet ekstreme fetare të kohës, injoranca e shoqërisë në njërën anë, si dhe arroganca e kokëfortësia njerëzore në anën tjetër e fut njeriun në qoshe të frikshme të jetës e shpeshherë me përfundime tragjike. Ky film duhet shikuar nga gjithkush që i pëlqen tematikat e kulteve fetare, ritualet satanike me theks të veçantë shtrigat.

Ndaje