Turqia ballafaqohet me zgjedhje më interesante në dy dekadat e fundit. Rezultati i pushtetit të pacenuar të AKP-së (Partia e Drejtësisë dhe Zhvillimit) në krye me ish-kryeministrit dhe presidentit Erdogan në të gjitha zgjedhjet qendrore dhe në shumicën dërrmuese të zgjedhjeve lokale, me lehtësi të ndjeshme ka qenë i parashikueshëm. Gjatë viteve 2000 e sidomos deri në vitin 2016 partia në pushtet dhe lideri i saj Rexhep Tajip Erdogan kanë nënshkruar një numër të madh suksesesh për Turqinë, duke e bërë atë favorit të qartë elektoral çdoherë. Kjo ka mundësuar që në zgjedhjet e kaluara vetëm diçka të jetë milimetrikisht e paparashikueshme: përqindja e saktë e fitores së AKP-së. Në lidhje me këtë është një risi që i karakterizon zgjedhjet e 14 majit.
Madje këto zgjedhje po tërheqin vëmendje të konsiderueshme ndërkombëtare, me mediat kryesore që i quajtën ato “zgjedhjet më të rëndësishme të vitit 2023”. Shumë në Perëndim shpresojnë se turqit më në fund do të zëvendësojnë presidentin Rexhep Tajip Erdogan dhe Partinë e tij për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP), me një udhëheqje liberale më të përshtatshme që do të sjellë një ndryshim të thellë në politikat e brendshme dhe ndërkombëtare të vendit.
Politika partiake e dy dekadave të fundit dhe zgjedhjet e 14 majit
Karakteristika kryesore e opozitës në Turqi në 20 vitet e fundit ishte shpërndarja e votës në shumë parti dhe mungesa e një lideri karizmatik që garon fuqishëm kundër Erdoganit. Këtë e vërteton fakti që partia më e madhe opozitare, Partia Republikane e Popullit (CHP) për 20 vjet rezultatin më të mirë zgjedhor e ka shënuar më 2018, me vetëm 30% si kandidat për president dhe 22.6% si parti, përballë partisë në pushtet me 53.6% si kandidat për president dhe 42.5% si parti. Po ashtu, vlen të përmendet që edhe partitë e tjera si HDP 10.7% (partia me bazë elektorale kurde), MHP 11.1% (partia nacionaliste që sikur në zgjedhjet e fundit edhe këtë herë garon në koalicion me AKP-në), IYI Parti 9.9% (parti e formuar nga ndarja prej MHP), për shkak të shumë faktorëve, përgjatë gjithë këtyre viteve nuk kanë mundur që potencialin e tyre elektoral ta shtyjnë përtej limiteve aktuale.
Duke e kuptuar këtë strukturë kokëforte elektorale të Turqisë dhe në mungesë të një lideri të fortë, partitë opozitare, bashkë me dy partitë e reja, njëra e ish-kryeministrit të dorëhequr dhe ish-ministrit ikonik të punëve të jashtme të AKP-së Ahmet Davutoglu dhe tjetra e ish-ministrit tjetër të jashtëm dhe të ekonomisë Ali Babaxhan, në krye me CHP-në dhe tre parti të tjera, përfshirë IYI Parti, në shkurt të vitit 2022 filluan negociatat për një koalicion të zgjeruar opozitar. Siç njihet ndryshe si Tryeza e të Gjashtëve, negociatat për front të përbashkët nuk i përmbylli dot deri në mars të këtij viti. Edhe pse me 3 mars, IYI Parti kishte marrë vendimin të garojë e vetme në zgjedhje, 3 ditë pas në mitingun e përbashkët kryetarja Akshener ishte paraqitur duke konfirmuar qëndrimin në tryezë dhe bashkëngjitjen në Koalicionin e Kombit, siç është emëruar zyrtarisht Tryeza e të Gjashtëve. Në ditën e njëjtë, po ashtu, është proklamuar edhe emri i kandidatit për president të koalicionit, Kemal Këlëçdaroglu.
Këlëçdarolgu, një ish-burokrat, kryetar i CHP-së nga viti 2010, me përkatësi fetare alevite, përgjatë viteve të tij të kryetarllëkut nuk ka shënuar ndonjë sukses të madh. Madje konsiderohet se roli i tij është zbehur ndjeshëm sidomos pas fitores së kandidatëve të CHP-së në Stamboll dhe Ankara në zgjedhjet e fundit lokale. Në të 75-tat e tij, shumëkush prej njohësve të politikës turke mendon se po të ishte kandidat për president i koalicionit dikush si kryetari i Stambollit Imamoglu apo kryetari i Ankarasë Javash, fitorja do të ishte më se e sigurt. Megjithatë, ka edhe të tjerë që kontributin e Këlëçdaroglut e lidhin me reformimin e partisë, hapjen në retorikë ndaj shtresave konservatore e fetare, të cilat CHP si parti laiciste i ka refuzuar qysh nga themelimi, përvetësimin e një laicizmi të butë liberal përkundër atij të ashpër republikan paraprak, modestinë në jetën e tij private etj. Sipas tyre, këto karakteristika të tij kanë mundësuar që të formohet një bllok i unifikuar opozitar. Pra, përballë një partie të fortë me një lider karizmatik si AKP e Erdogan, disa parti të vogla bashkë, me një lider të butë.
Përkundër që me bashkimin e opozitës me 6 mars dhe me përkrahjen e heshtur të HDP-së, lideri i të cilës është i burgosur, është krijuar një momentum për fitore dhe shumë sondazhe e nxjerrin Këlëçdarolgun të parin, Erdogan dhe partia e tij cilësohet shpesh edhe komikisht si “ustah i zgjedhjeve”. Rezultati duket të jetë shumë i ngushtë dhe çdo ditë që i afrohet zgjedhjeve mund të ndryshon e përmbysë gjithçka. Megjithatë, risia më e madhe e këtyre zgjedhjeve, dhe aspekti më interesant i tij është që në 20 vjet për herë të parë ekziston mundësia reale që periudha e qeverisjes së AKP-së dhe Erdogani të përmbyllet, duke u sfiduar nga opozita fuqishëm.
Programet politike
Nëse ndalemi te programet e koalicioneve përkatëse, presidenti Erdogan dhe mbështetësit e tij besojnë se Turqia po ripozicionohet si një fuqi e madhe industriale dhe ekonomike. Ata kërkojnë të fitojnë një mandat të tretë si president me këtë vizion.
Platforma kryesore e presidentit Erdoğan në këto zgjedhje është ‘Shekulli i ri’ dhe pavarësi e plotë në çështjet strategjike: Pavarësi ushtarake, nëpërmjet super industrisë së mbrojtjes dhe me projekte që bëjnë Turqinë top 5 vendet që prodhojnë teknologji të lartë të gjeneratës së pestë dhe superfuqi në dronet luftarake. Pavarësi energjetike, nëpërmjet gjetjes së gazit në Detin e Zi dhe naftës në zonën lindore të Turqisë, si dhe me projekte për shndërrimin e vendit në qendër të rrugëve energjetike nga Rusia, Azerbajxhani, Irani, Iraku, Mesdheu për furnizimin e Evropës. Pavarësi ekonomike, duke ndjekur politika ortodokse me norma interes të ulët, me prodhim të lartë dhe kualitativ vendor si dhe me eksporte rekorde.
Ndërkohë grupet opozitare akuzojnë Erdoganin se e ka nxjerrë Turqinë nga kampi perëndimor, i cili sipas tyre është një oazë e demokracisë dhe burim i të gjitha lirive. Megjithatë, sipas kampit të Erdoganit, opozita injoron faktin që Erdogan e ka zhvendosur vendin nga varësia pothuajse e plotë nga Perëndimi në pavarësinë pothuajse totale në çdo gjë, nga nafta dhe gazi në industritë e mbrojtjes etj.
Sa i përket platformës së opozitës, kryesisht është një antipod i personalitetit dhe mënyrës së qeverisjes së Erdoğan. Përderisa Erdogani qeveris me autoritet, opozita projekton pushtet të ndarë me partitë kualicioniste, në vend të sigurisë si prioritet, opozita proklamon lirinë, në vend të ekonomisë ortodokse, atë neoliberale të integruar brenda sistemit perëndimor prej ku edhe do të thithin ‘para të nxehta’. Në politikën e jashtme ofrojnë betonizim të vendit në NATO dhe aleancë më të madhe me perëndimin.
Nëse Erdogani fiton, ai me siguri do të dyfishojë agjendat e tij të brendshme dhe të jashtme, veçanërisht ndaj Rusisë, Evropës dhe Shteteve të Bashkuara. Ai do të vazhdojë të ndjekë një qasje hibride ndaj fuqive të mëdha duke balancuar interesat turke mes Perëndimit, Rusisë dhe Kinës. Ai do të ruajë anëtarësimin e Turqisë në NATO duke forcuar marrëdhëniet tregtare dhe gjeopolitike me Rusinë, Kinën, botën arabe – vendet e Gjirit Persik, vendet e Afrikës dhe Lindjen e Largët, veçanërisht me Indonezinë dhe Malajzinë.
Ndërsa Kilicdaroglu, të cilit i mungon përvoja e politikës së jashtme, ka qenë i përqendruar në çështjet e brendshme dhe krizën ekonomike. Nëse zgjidhet, ai ka të ngjarë të zbusë tonin e Turqisë ndaj partnerëve të saj perëndimorë dhe NATO-s dhe të heqë veton ndaj anëtarësimit të Suedisë në aleancën ushtarake. Ditë më parë, Kilicdarogluk deklaroi për WSJ se do të vendosë një embargo ndaj Rusisë me kërkesë të SHBA-së.
Reagimi nga Perëndimi dhe Lindja
Zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe parlamentare në Turqi janë të rëndësishme jo vetëm për popullin turk, por edhe për rajonin dhe botën. Rezultatet e zgjedhjeve do të kenë implikime të rëndësishme si për politikën kombëtare ashtu edhe për atë ndërkombëtare.
Vendet perëndimore nuk po e shikojnë këtë në heshtje dhe tashmë kanë marrë qëndrimin e tyre. Prej presidentit të SHBA-ve Biden që premton të punojë për rrëzimin e Erdoganit, e deri te mediat me ndikim, janë angazhuar në diskreditimin e Erdoganit dhe partisë së tij. Në të njëjtën kohë, ata synojnë të zbardhin imazhin e rivalëve të tij, veçanërisht liderit të opozitës Kemal Kilicdaroglu.
“The Economist”, për shembull, u thotë turqve se Erdogani “duhet të shkojë”. Ajo u ka bërë thirrje atyre të votojnë në mënyrë që të “shpëtojnë demokracinë” në Turqi. Revista akuzon Erdoganin, i cili ka fituar zgjedhjet demokratike për 20 vjet, se sundon në një “stil gjithnjë e më autokratik”.
“Independent” dhe “The Guardian” i Britanisë, “Le Point” dhe “Le Monde” franceze, “New York Times”, “New Yorker”, “Wall Street Journal” dhe shumë gazeta të tjera duket se kanë lënë mënjanë etikën e tyre profesionale për të marrë pjesë në fushatën e paprecedentë të kundërfushatës kundër Erdoganit. Ata e promovojnë Kilicdaroglu si shpëtimtarin e Turqisë dhe turqve, përkundër që ai ka humbur çdo herë që ka dalë kundër Erdoganit.
Megjithatë, në politikën e brendshme ndërhyrjet e tilla në zgjedhjet turke vetëm se rrisin ndjenjat anti-perëndimore, duke përforcuar perceptimin se fuqitë perëndimore po ndërhyjnë në punët e brendshme të vendit dhe po përpiqen të imponojnë interesat e tyre. Gjithashtu shihet si shkelje e sovranitetit dhe pavarësisë së vendit, rrjedhimisht përforcon perceptimin se Perëndimi është armiqësor ndaj interesave të Turqisë. E gjithë kjo çon në pakënaqësi dhe mosbesim më të madh ndaj Perëndimit. Me një fjalë ndërhyrjet e tilla në zgjedhjet e Turqisë jenë kundërproduktive, dhe vetëm fuqizojnë bllokun e pushtetit.
Për këto zgjedhje janë të interesuara edhe shtetet dhe liderët arabë dhe myslimanë. Ata kanë marrëdhënie komplekse me udhëheqësit e Turqisë. Disa mbajnë një lloj ‘tampon zone’ në marrëdhëniet e tyre me Turqinë, në mënyrë që të kenë hapësirë për të manovruar, pavarësisht se kush do të fitojë zgjedhjet e së dielës.
Popujt kryesisht mysliman në Lindjen e Mesme, megjithatë, dëshirojnë të shohin një demokraci të suksesshme e funksionale në Turqi si një nga vendet kryesore myslimane. Ata duan të shohin që suksesi i Turqisë të ketë një ndikim pozitiv për ndryshimin në vendet e tyre.
Refugjatët palestinezë, egjiptianë, irakianë dhe sirianë në Turqi presin me padurim rezultatet e zgjedhjeve. Shumica duan të shohin një tjetër fitore të Erdoganit, sepse ai i respekton dhe sillet pozitivisht me ta; opozitarët po bëjnë fushatë të egër për të kthyer refugjatët në shtëpi. Kilicdaroglu, për shembull, ka thënë se ai do të kthejë refugjatët sirianë në Sirinë e shkatërruar nga lufta, e cila ende sundohet nga i njëjti regjim që shkatërroi vendin. Turqia strehon rreth katër milionë refugjatë arabë, kryesisht sirianë.
Ballkani dhe zgjedhjet
Politikanët e njohur në Ballkan, shqiptarë, boshnjak e serb, kanë shprehur admirim dhe mbështetje për presidentin turk Erdoğan, përpara zgjedhjeve të 14 majit. Ata besojnë se nën udhëheqjen e tij, Turqia është bërë një aktor i fuqishëm në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe ka bërë përparim të rëndësishëm në fusha të ndryshme, duke përfshirë ekonominë, arsimin, kujdesin shëndetësor dhe mbrojtjen. Madje shumëkush në vendet e Ballkanit, duke përfshirë kryeministrin Rama, mbështesin hapur presidentin Erdogan.
Ata vlerësojnë gjithashtu aftësinë e Erdoganit për të krijuar bashkëpunim dhe miqësi me të gjitha kombet në Ballkan. Në këtë kontekst, ekziston një ndrojtje sa i përket ndërrimit eventual të pushtetit në Turqi i cili mund të fokusohet më shumë në politikën e brendshme duke i injoruar problemet në rajon. Kështu, sidomos në Bosnje dhe Kosovë, kundërpesha dhe ndihma turke mund të mos jetë e pranishme në momente të duhura.
Megjithëkëtë, nuk pritet ndryshim i kursit në politikën e jashtme turke edhe nëse ndërron pushteti sa i përket Ballkanit. Turqia dhe vendet e Ballkanit sot janë pjesë e një strukture komplekse ekonomike e politike e cila ja mundëson mirëmbajtjen e marrëdhënieve të qëndrueshme dhe, për më tepër, edhe partitë opozitare kanë qëndrime të qarta sa i përket rajonit, dhe radhitjen e Turqisë krah Bosnjës e Kosovës edhe nëse ndërron sasi, nuk pritet të ndërrojë substanca.
Si përfundim, këto zgjedhje priten të jenë zgjedhjet më të rëndësishme në dy dekadat e fundit, për shkak se vijnë si një lajmëtar i përmbylljes së pushtetit të Erdoganit e AKP-së, megjithëse pushteti nuk mund të thuhet që është pa gjasa. Derisa pushteti e projekton veten si pushtet i fortë e me autoritet, opozita e projekton antipodin e saj, si liberale e gjithëpërfshirëse. Përkundër reagimeve nga perëndimi kundër Erdoganit, ai vazhdon të gëzojë popullaritet të madh si në Turqi ashtu edhe jashtë saj, përfshirë këtu edhe Ballkanin edhe pse ballafaqohet me kërcënimin më serioz të 20 viteve të fundit, të prirë nga kandidati Këlëçdaroglu. Ndonëse angazhimi i Erdoganit për Ballkanin vazhdon të vlerësohet dhe ekziston një ndrojtje sidomos në Bosnje dhe Kosovë, edhe nëse fiton opozita nuk pritet të ketë ndërrim të qasjes ndaj rajonit.