“Udhëtimi për në shtëpi” si një guidë udhëtimi shpirtëror e sjellë në shqip

*Ky shkrim është pjesë e parathënies në shqip e librit të sapopërkthyer të Timothy Winter (Abdal Hakim Murad) nga ligjëruesi në Universitetin e Tubingenit, Dr. Besnik Sinani, i botuar ekskluzivisht për Autentik, promovimi i të cilit do të bëhet më 21 maj edhe në Prishtinë.

Dr. Besnik Sinani
Universiteti Tübingen, Gjermani

Prej më shumë se një gjysmë shekulli tashmë, prezenca e myslimanëve në Evropë, shenjat dalluese të besimit të tyre si minaret apo mbulesa e femrave, luftërat civile e konfliktet në ish-kolonitë si dhe zgjatimi i tyre në Evropë nëpërmjet diasporave dhe emigracionit, dhuna politike me ngjyrime fetare, luftërat civile në Ballkan, debatet rreth integrimit – për të përmendur vetëm disa nga temat më të spikatura – stimulojnë në kontinent një ankth ekzistencial politik, social e kulturor. Përforcimi në vitet e fundit i lëvizjeve të djathta populliste vetëm sa kanë përshkallëzuar tensionet e mbrujtura prej dekadash. Për shqiptarët këto tensione e debate janë konsideruar jetike, veçanërisht të nxitura nga zëra publikë që shohin një konflikt primordial midis specifikave historike të shqiptarëve dhe aspiratave të tyre evropiane. Këta zëra publikë kanë paraqitur shqiptarët figurativisht, por edhe politikisht e kulturalisht, si një emigrant i mbetur në kufi, i cili nuk di nëse do të pranohet apo jo në tokën e premtuar evropiane. Bëhet fjalë për një kufi Huntington-ian, i shënuar qysh në lashtësi nga ‘vija e Theodhosit’. Po të mos i pranohet kalimi në këtë pikë kufitare, na thuhet, shqiptarin e pret kthimi në ‘burgjet e historisë’. Kryqëzata anti-fetare e komunizmit bëhet kështu ‘një e keqe nga e cila lind e mira’, dhe duket të ketë krijuar një mundësi purifikimi nga feja, pra faji i paraardhësve që ‘tradhtuan Jezu Krishtin’, ky akt tradhtie që ‘e nxiu dhe e zverdhi’ shqiptarin. Ky akt purifikimi nga tradhtia e gjyshërve, kjo ‘zbardhje’ e mundshme, premtojnë zërat e misionarëve kulturorë e politikë të evropianizimit të shqiptarëve, do të siguronte vizën e hyrjes, viza që mban vulën e ‘identitetit evropian’. Që ky kalim të jetë i mundur, ky identitet nuk mund të pranojë ambiguitet, kompleksitet e as kujtesë. 

Përkthimi i Travelling Home: Essays on Islam in Europe ka për qëllim të sjellë në shqip adresimin e disa prej këtyre debateve nga një prej zërave më prominentë të myslimanëve evropianë, Timothy Winter, apo siç njihet në mesin e shumë myslimanëve, Sheh Abdal Hakim Murad. Për dallim nga gjithë analistët, burokratët e akademikët që kanë adresuar aspekte të prezencës së myslimanëve në Evropë ndër vite, reflektimet e tij nuk janë të natyrës sociologjike. Përkundrazi, ato janë reflektime mirëfilli teologjike, të rrënjosura në leximin programatik të teksteve themeltare të Islamit, të dijeve të tij, të kredos, normativit dhe spiritualitetit, por edhe të kujtesës së pasur historike.

I shkolluar në institucione elitare në Lindje e Perëndim, në Universitet e Kembrixh dhe Londrës në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Universitetin e Ez’herit në Egjipt, aktualisht lektor në Universitetin e Kembrixhit dhe themelues i Kolegjit Mysliman dhe i Xhamisë Qendrore po në Kembrixh, ai kombinon në këtë libër shfletimet nga disa biblioteka si dhe reflekton eksperiencën nga disa funksione, qoftë akademike e qoftë të shërbimit fetar. Shembujt që ai sjell nga eksperienca e myslimanëve evropianë kapërcejnë kufijtë nga brigjet e Evropës ku përditë mbyten emigrantë, te Sarajeva e luftës që pasoi copëtimin e Jugosllavisë. Lënda e tij vjen nga manuale të kredos dhe jurisprudencës islame po aq sa nga romane alarmante që kërcënojnë lexuesin francez për marrjen e Parisit nga myslimanët.

Një gazalian modern, autori i këtij libri është qëllimisht polemizues. Teksa myslimanëve u kërkohet vazhdimisht ‘integrim’, ajo në të cilën u kërkohet të integrohen është në transformim të vazhdueshëm. Identiteti që u kërkohet të përqafojnë është po aq fluid sa ideologjitë bashkëkohore të fluiditetit seksual. Liberalizmi tradicional që supozonte një distancë frymëmarrjeje midis shtetit dhe bindjeve personale të individit duket të jetë zëvendësuar nga një liberalizëm militant, i cili kërkon në mënyrë ngulmuese dorëzimin përpara ortodoksisë së kredos së vet. Tradita skolastike islame parashikon, dhe ka mjaft për të thënë rreth jetës së myslimanëve mes ‘popujve të librit’ – siç i adreson Kurani të krishterët dhe hebrenjtë, por është e vështirë të gjesh në tekstet e traditës të flitet për një realitet post – krishterë, si ai aktual evropian. Cila do të ishte qasja teologjike ndaj një realiteti të tillë, e ku do të duhej të kërkonim përgjigjet e mundshme?

Edhe pse ky libër ka gjeneruar vëmendje akademike të konsiderueshme, lexuesi i synuar është ai mysliman e për rrjedhojë, shënjestër polemizuese e autorit drejtohet pikërisht tek forma pranie religjioziteti mysliman të sendëzuara nga trauma post-koloniale. Kjo frymë polemizuese ka nxitur së këndejmi shumë polemika brenda-komunitare. Por kjo polemikë është në funksion të rolit që autori beson që myslimanët duhet të luajnë në kontekstin bashkëkohor evropian: atë të dëshmitarëve të prezencës metafizike të një bashkësie të ngritur mbi etosin profetik. Por për ta bërë këtë, ai duket se sugjeron: myslimanët duhet të abandonojnë llogoret identitare të ideologjizuara, të çlirojnë xhamitë nga gardhet e karakterit etnik, dhe të ri-imagjinojnë prezencën e tyre përtej qasjes së emigracionit ekonomik. Ajo që kërkohet nuk është as më pak e as më shumë se një lloj transhendimi drejt këtij roli jetik për shëndetin shpirtëror të kontinentit. Që të mund ta luajnë këtë rol, myslimanët do të duhet së pari të ndërmarrin transformimin e brendshëm të vetes së tyre. I ngulitur në atë që është bërë i njohur si ‘Islami tradicional’, autori adreson në mënyrë kritike e pa dorëza forma të religjiozitetit bashkëkohor global mysliman, që shpesh kanë qenë në qendër të debateve edhe të myslimanëve shqiptarë.

Ky libër nuk është një plan-program veprimi politik, kulturor apo social. Përkundrazi, ai është një ftesë për tu ri-lidhur me urtësinë e prodhuar brenda traditës shekullore të dijeve islame, e së këndejmi, besimtari nuk është askund i huaj, sepse ‘Zoti e ka bërë tërë tokën faltore’ dhe ‘ngado që të kthehet atje do gjejë fytyrën e Zotit’. Ai nuk është askund i tjetërsuar, sepse pas çdo qenieje njerëzore ai sheh aktin e Krijuesit. Rrugëtimi i tij është shpesh i mundimshëm, por ai reflekton eksperiencën profetike, dhe prezenca e tij nuk është askund efemere, se ajo, siç na thotë Kurani, bart amanetin hyjnor qysh nga akti fillestar i krijimit. E ndoshta në këtë mënyrë, ai do të ketë diçka t’u ofrojë edhe atyre që sot e luftojnë dhe e përçmojnë. Qetësia (sekina) profetike atij i duhet t’i sigurojë qartësinë që të shohë përtej armiqësisë së ekstremistëve, ankthet e tëhuajzimit të modernitetit. Përkundër reciprocitetit të armiqësisë, myslimani lypset të përpiqet, aty ku i pranohet, të ofrojë një prezencë shëronjëse.

Kjo nuk është hera e parë që Abdal Hakim Murad vjen në shqip. Më shumë se dy dekada më parë, nga 2001-2003, kur shkrimtari Ervin Hatibi drejtonte gazetën Drita Islame, lexuesit myslimanë shqiptarë filluan të njihen me esetë e tij të përkthyera në faqet e kësaj gazete. Qysh nga mesi i viteve ’90 të shekullit të kaluar, Abdal Hakim Murad nëpërmjet shkrimeve dhe leksioneve të tij inicioi një transformim të qasjes religjioze ndër myslimanët britanikë dhe më gjerë ne Evropë. Më vonë, në vitin 2013, Qendra Studimore Erasmusi, e drejtuar nga Dr. Rezart Beka, do të botonte librin Besimi, Arsyeja dhe Shpallja: Pikëtakimet e reja, përkthyer nga ky i fundit dhe nga Arjol Guni. Faqja në internet e kësaj qendre ndër vite ka botuar disa artikuj të autorit. Arjol Guni është sërishmi përkthyes i këtij libri të dytë, një përkthyes i familjarizuar me ligjërimin e autorit, i cili ka trajtuar një tekst aspak të lehtë me përkujdesje dhe kërshëri. Në këtë mënyrë, ky tekst ka gjithë gjasat të pasurojë ligjërimin teologjik në shqip, po aq sa të nxisë debate të frytshme në mendimin fetar shqiptar.

Në krye të herës sugjerova se ky libër ofron një qasje teologjike ndaj disa prej debateve më të ndezura identitare që kanë adresuar myslimanët shqiptarë. Por përtej kësaj, teksa bashkësia myslimane e shqiptarëve po merr gjithnjë e më shumë përmasa diasporike, me rritjen e numrit të besimtarëve që mbajnë prezenca periodike sa në Berlin apo Milano dhe në Tiranë, sa në Shkup dhe në Londër, sa në Prishtinë dhe në Cyrih, ky libër premton të shërbejë edhe si një lloj guide udhëtimi në udhëtimin shpirtëror që shoqëron çdo udhëtim fizik. Për rrjedhojë, ky libër shërben për të bërë në të tashmen atë që myslimanët kanë bërë kaq suksesshëm përgjatë gjithë historisë: Krijimin për myslimanët evropianë të një gjuhe të përbashkët praktikash e referencash, që ngrihen mbi përpjekjen për të mbërthyer kujtesën e momentit primordial, kur Zoti pyeti: “A nuk jam Unë Zoti juaj?”.

 

 

Ndaje