- Tërmeti i shkurtit të këtij viti në Turqi nxori në pah problemet serioze që kishin objektet e ndërtimit, në respektimin e kushteve të ndërtimit.
- Nëse një shoqëri përpiqet ta zgjidhë problemin me korrupsionin në ndërtim, trashëgimia e ndërtesave të mbetura aty nga koha e korrupsionit e bën shumë të vështirë zgjidhjen e këtij problemi.
- Ligji i ndërtimit në Kosovë amniston “ndërtesat”, rrjedhimisht amniston pronarët që e kanë shkelur ligjin.
Pas tërmetit të fundit katastrofik që ndodhi në Turqi dhe Siri, shumë qytetarë me të drejtë janë shqetësuar lidhur me cilësinë e ndërtimeve edhe te ne. Për shkak se është konstatuar se shumë ndërtesa të rrënuara në tërmetin e 6 shkurtit në Turqi dhe Siri kanë pasur probleme me ndërtim, dhe i kanë shpërfillur standardet e kërkuara për rezistencë ndaj tërmeteve, ndërgjegjësimi ndaj respektimit të standardeve të ndërtimit ka rifituar vëmendje. Megjithatë, krahas ndërgjegjësimit për standarde, është riaktualizuar edhe tema e amnistisë së ndërtimeve.
Amnistia e ndërtimeve në Turqi ka histori të hershme. Amnistia e ndërtimeve ka të bëjë me legalizimin e objekteve, të cilave nuk i dihet cilësia e ndërtimit. Që nga viti 1948 e deri tani në Turqi janë dhënë 19 amnisti zonale. Plani i parë zyrtar i amnistisë zonale u miratua nga parlamenti më 1984. Kurse, amnistia e fundit u pranua nga qeveria turke në maj 2018 dhe u përkrah nga partia në pushtet dhe opozita. Kjo amnisti u dha leje banimi më shumë se 3 milion ndërtesave, të cilat nuk ishin ndërtuar sipas rregulloreve. Më 4 qershor 2018 amnistia u bë ligj duke u botuar në gazetën zyrtare të Turqisë. Kështu, prej atëherë e deri në vitin 2022 më shumë se 7 milion ndërtesa kanë marrë leje përmes kësaj fushate, prej tyre 5.8 milion ndërtesa të banimit. Kjo amnisti u kritikua nga shumë organizata, përfshirë edhe Odën e Inxhinierëve dhe Arkitektëve Turq dhe sipas disa raporteve prestigjioze, të cilave nuk do t’u referohemi për shkak të natyrës së këtij shkrimi, 83% e të gjitha vdekjeve të shkaktuara nga tërmetet janë të ndërlidhura me korrupsionin në ndërtim.
Industria globale e ndërtimit llogaritet segmenti më i korruptuar në botë. Korrupsioni në ndërtim ndikon në mënyrën e inspektimit, formulimit të ligjeve dhe aktiviteteve korruptuese që kërkojnë reduktimin e kostos duke rrezikuar jetën e njerëzve. Pjesa strukturore e ndërtesës prej themeleve, shtyllave dhe pllakave të meskateve është një proces që lehtë mund të fshihet nga sytë e njerëzve dhe kështu edhe ndodh në shumicën e rasteve, pasi që banorët që futen në një ndërtesë nuk mund të shohin asnjë element strukturor se si është punuar. Derisa numri i vdekjeve nga tërmetet vazhdon të rritet pavarësisht përparimit teknologjik, mesatarisht gjatë dekadës së fundit kemi 60 mijë vdekje në vit si pasojë e tërmeteve dhe cunameve.
Ndërtimi cilësor dhe rezistent ndaj tërmeteve ka efekt direkt në zvogëlimin e numrit të vdekjeve. Duke i analizuar me kujdes vendet, të cilat kanë probleme të mëdha me tërmetet dhe shtrihen në zonat me aktivitet të lart sizmik, vërejmë se ka dallim të madh nga vendi në vend sa i përket cilësisë së ndërtimit dhe rrjedhimisht edhe pasojave në humbjet e jetëve. Viteve të fundit rritja e popullsisë në qendrat urbane ka ndikuar në shtimin e kërkesës për ndërtim të ri. Prandaj, edhe nëse një shoqëri përpiqet ta zgjidhë problemin me korrupsionin në ndërtim, trashëgimia e ndërtesave të mbetura aty nga koha e korrupsionit e bën shumë të vështirë zgjidhjen e këtij problemi, e jo rrallë është edhe e pamundur të zgjidhet për shkak se paraqet kosto të lartë për buxhetin e vendit.
Nëse vështrojmë ligjin e ndërtimit në Kosovë, mund të thuhet që është rast më ekstrem për këtë që thamë më lart, ngase në ligjin e legalizimeve në vendin tonë “amnistohen ndërtesat” dhe amnistohen pronarët që e kanë shkelur ligjin. Neni i mëposhtëm i këtij ligji “Për trajtimin e ndërtimeve pa leje” (2018) neni 18.3.3 thotë: Deklaratë të nënshkruar nga pronari i ndërtimit pa leje se pranon të gjitha përgjegjësitë për sigurinë e strukturës së ndërtimit. Kjo deklaratë do të shënohet në certifikatën e legalizimit dhe do të regjistrohet në kadastër. Pra institucionet në vendin tonë për sigurinë e ndërtesave kërkojnë vetëm një “deklaratë të nënshkruar” nga pronari. Thënë ndryshe, pronari që nuk ia ka haberin në çështjet e inxhinierisë, i kërkohet deklaratë se objekti është i sigurt. Një objekt i tillë legalizohet, përdoret për banim, shitet te një pronar tjetër me dëshminë deklarative të pronarit se ndërtesa është e sigurt. Por, me cilët mekanizma pronari dëshmon që objekti i tij është i sigurt kur praktika e ndërtimit te ne dëshmon që nganjëherë punohet edhe natën që t’i ikin kontrolleve të inspekcionit (nëse ka), ose me marrëveshje me inspektorë të korruptuar vijon ndërtimi në kohë kur këta nuk dalin në terren, si dhe variante të tjera për të cilat publiku veçse është i njoftuar. Kështu, hasim në objekte pa projekt të strukturës, ku secili mjeshtër pa kurrfarë kualifikimi vendos se sa shtylla të vendosen, apo sa fije armaturë… Të tillët udhëhiqen nga thënia e famshme “hajt se boll e mban”.
Neni 19.1 i të njëjtit ligj të thotë: Certifikata e legalizimit vërteton se ndërtimi pa leje plotëson kërkesat për legalizim sipas këtij Ligji dhe lejon shfrytëzimin e ndërtimit. Në këtë mënyrë lejohet shfrytëzimi i këtij ndërtimi nga ana e shtetit. Ndërsa neni për taksat (20.1-2) ia vendos kapakun kësaj çështjeje duke caktuar shuma qesharake: 1. Taksa për legalizim të ndërtimeve pa leje të kategorisë I dhe ndërtimeve pa leje të kategorisë II që janë shtëpi është një euro për metër katror (1€/m²).
2. Taksa për legalizimin e llojeve vijuese të ndërtimeve pa leje është dy euro për metër katror (2€/m²)
Qytetarët e ndershëm paguajnë shuma të majme për t’u pajisur me leje ndërtimore dhe për shkak të paaftësisë dhe korrupsionit të ndërlidhur me këtë proces edhe iu merr kohë me muaj e vite duke u sorollatur nëpër korridoret e komunave. Nga ana tjetër, qytetarët që ndërtojnë pa leje shpërblehen me pagesë qesharake tatimore, të caktuar me nenin e mësipërm. Fatkeqësisht, si pushteti, po ashtu edhe opozita vazhdojnë të heshtin, derisa në sytë e gjithë botës shihen efektet potenciale të ndërtesave pa standarde që i pirshin tërmetet si shtëpi prej letre. Kjo situatë e shpjegon më së miri se në çfarë gjendje si shoqëri jemi katandisur: “Injoranca dhe korrupsioni si mishi dhe thoni”!