Teologu Vladimir Kera: Inferioriteti i muslimanëve vjen nga mosnjohja dhe mosrespektimi i identitetit të tyre

Ndjenja e inferioritetit me të cilën përballen muslimanët vjen nga mosnjohja e bindjeve që ata kanë përqafuar dhe mosrespektimi i identitetit që ata i takojnë në rrafshin personal dhe konceptual. Kështu ka deklaruar teologu Vladimir Kera, në një intervistë për platformën e mendimit Autentik. Ai thekson se ndjenja e vazhdueshme e fajit dhe tentimi kronik për shfajësim tregon se sa më shumë investojmë në formimin e identitetit dhe karakterit të qëndrueshëm, aq më shumë do të ndërtojmë një diskurs i cili do të na mundësojë të tregojmë më shumë se kush jemi dhe jo kush nuk jemi. Kera në këtë bisedë ka folur edhe për predikuesit fetarë dhe raportin e tyre me masën, arsyet e islamofobisë ndër shqiptarë, sfidat me të cilat ballafaqohen të rinjtë e këtij shekulli, si dhe faktin që qytetërimi islam në fundamentin e tij e ka harmoninë në raportin e njeriut me Zotin, me tjetrin si dhe me natyrën. 

 

Pyetje

1. Pse ndihen sot muslimanët inferior, më çka po i sfidon ata “Pushteti i Kulturës Dominuese”, që të ndihen të plogësht dhe pa vetëbesim?

Në konceptet bazë të inferioritetit dhe të shkaktarëve të tij, nuk përjashtohet edhe faktori i jashtëm, si kultura dominuese, andaj unë mendoj se inferioriteti vjen nga mos njohja e bindjeve që kemi përqafuar dhe mos respektimi i vetes në rrafshin personal dhe konceptual. Një element që e përforcon këtë është edhe angazhimi ynë i vazhdueshëm me këto komplekse, gjë e cila na mban peng të tregojmë se kush nuk jemi, më shumë sa angazhohemi në zhvillimin personal dhe shoqëror. 

Duke rikthyer në vëmendje komplekset, ia vështirësojmë situatën vetes, ndërkohë që nëse fokusohemi tek zhvillimi dhe trajtimi i problemeve me masën, arrijmë të zhvillojmë aftësitë e nevojshme për zgjidhjen e tyre dhe nuk biem pre e komplekseve të panevojshme.

Problemi me stigmën në shoqëri, nuk është vetëm etiketimi me një term ose fenomen të caktuar, por kur fillon të sillesh ashtu siç të tjetër të etiketojnë. Siç e përmenda edhe më sipër, kjo sjellje vjen si pasojë e dobësimit të identitetit dhe mos njohjes së vetvetes. 

Si përfundim mund të them se problemi nuk qëndron në ekzistencën e një kulture dominuese që kërkon ta paraqesë si fetarë të prapambetur, por problemi fillon kur ne sillemi ashtu si të tjerët duan të na shikojnë dhe etiketojnë.

 

2. Pse një pjesë jo e vogël e muslimanëve, shpeshherë edhe besimtarëve – praktikues, familjarizohen me teoritë konspirative, e thjeshtëzojnë në bardhezi funksionimin e botës dhe zhvillimet globale, duke besuar se çfarëdo përpjekje e njerëzve dhe popujve është e kotë. Ku është defekti?

Teoritë konspirative përgjithësisht gjejnë hapësirë kur një shoqëri nuk e ka të qartë rrugën e saj dhe nuk angazhohet në faktorizimin e vetes në atë që e udhëzon Zoti. Në momentin kur shoqëria është në “pritje-pasive” ajo udhëhiqet nga ideja se dikush nga jashtë do ta ndihmojë, ose një mrekulli do ndodhë, por fetarisht vetë mrekullia është e lidhur me përpjekjen. 

Në fazën e dobësimit, të rënies së ambicieve dhe përpjekjeve, shoqëria shtyhet drejt konspiracioneve, paqartësive të ideve dhe konkluzioneve, për t’i dhënë një shpjegim gjendjes aktuale, qoftë ky shpjegim edhe iluzionist. 

Profeti a.s. kur u pyet për ditën e gjykimit tha: “Nëse e shikon duke ndodhur, ti mbille filizin tënd”. Kjo qasje e sjell qartësisht se çdo konspiracion apo iluzion duhet të kanalizohet nën hijen e objektivave të jetës dhe qartësisë së mendjes së shëndoshë dhe të ekuilibruar. Çdo lloj informacioni që vjen në jetë duhet trajtuar me masën që i takon. Nuk mundet një ide apo mendim i caktuar, të orientojë qasjen tonë mbi jetën, qëllimin e saj dhe madhështinë e krijimit që ka bekuar Zoti mbi ne.

 

3. Disa prej studiuesve të fesë në hapësirat shqiptare – në diskursin publik – pranojnë të jenë në bankën e të akuzuarve vazhdimisht. Nevoja permanente për shfajësim, flet për….?

Kjo qasje flet shumë për një fazë tranzicioni, e cila mendoj se karakterizohet nga paqartësia e ideve, pamundësia e realizimit të tyre dhe mos ekzistenca e modeleve të suksesshme.

Ky diskurs tashmë është ngritur më së tepërmi në fushën mediatike dhe ajo që do të sugjeroja është fokusimi ynë se si mund ta ndryshojmë atë.  Për këtë do të parashtroj disa faktorë që i shoh si ndihmues në këtë drejtim:

E para është të fokusohemi më tepër tek shqetësimet tona në kuptimin e koncepteve dhe ideve që duam të përcjellim, se sa thjesht t’i kundërpërgjigjemi diskursit që ekziston. 

E dyta ka të bëjë me krijimin e një platforme zëvendësuese që na mundëson përcjelljen e ideve, jo vetëm si mesazh, por edhe si alternativë konkrete që fakton perspektivën fetare si alternativën e duhur.

E treta është krijimi i modeleve dhe sistemeve që realizojnë qartësimin konkret të frymës dhe civilizimit ndërtues islam.

Sa më shumë investojmë në formimin e identitetit dhe karakterit të qëndrueshëm, aq më shumë do të ndërtojmë një diskurs i cili do të na mundësojë të tregojmë më shumë se kush jemi dhe jo kush nuk jemi.

 

4. Patriot apo Nacionalist? Na shtjello më shumë.

Përtej sqarimit terminologjik të fjalëve patriot dhe nacionalist të cilat kanë specifikat e veta, do të doja të hedh vështrimin diku tjetër. Mendoj se nëse me këto fjalë qëndrojmë thjesht në nivelin e terminologjive të cilat nuk prodhojnë asnjë ndikim për zhvillimin ekonomik, qytetarë, arsimor dhe kulturor të shoqërisë sonë, ato janë thjesht qasje emocionale që hipnotizojnë masat e gjera  më teori iluzionare e fryrje emocionale. E gjithë kjo, nuk bën gjë tjetër vetëm se na varfëron më shumë. Ndërsa, nëse me këto fjalë kuptojmë punën konkrete larg manipulimit, korrupsionit apo shpopullimit të vendeve tona, atëherë unë do të isha i pari që do të kërkoja që këto terma të përdoren. Por, fatkeqësisht nuk më rezulton si e tillë. Ajo që shikoj është se këto terma janë keqpërdorur dhe vazhdojnë të keqpërdoren duke manipuluar masën e gjerë të popullit. Patriotizmi për të mbrojtur tokën ku kemi lindur, vatanin, nderin dhe dinjitetin e njerëzve është një nga kërkesat parësore të fesë dhe është element i natyrshmërisë së njeriut. 

Nacionalizmi, si frymë që më pas mban gjallë patriotizmin, do të kishte vlerë nëse ai kthehet në vepër konkrete duke shtuar dëshirën për zhvillim, punë dhe arsim, duke qëndruar përtej fanatizmit të verbër, sloganeve pa vepër dhe emocioneve pa punë konkrete.

 

5. Një këshillë për kolegët tuaj “celebrity” – që turmat iu diktojnë atyre fenë, dhe jo ata turmave, dhe pjesën tjetër të kolegëve që jetojnë jashtë kontekstit – në një botë paralele.

Nuk mendoj se jam në nivelin e këshillës, por mund të tregoj pikëpamjen time se si e mendoj diskursin fetar. Është e vërtetë që ekzistojnë të dy këto kategori në diskursin e ligjërimit, gjë e cila herë ta bën fenë të huaj duke pamundësuar jetësimin e saj, dhe herë e bën fenë si faktor anestezie për masat e gjëra. 

Mendoj se ajo që duhet për të ndërtuar një diskurs të duhur janë elementet e mëposhtme. 

E para është kuptimi i saktë dhe i drejtë i teksteve fetare, duke ndjekur traditën e shkollave të mendimit fetar deri në kohën tonë, duke analizuar metodat e këtij mendimi, studimi dhe kërkimi i informacionit nga njerëzit kompetent të fushave teologjike dhe jo vetëm. 

E dyta është njohja e aktualitetit, pra kuptimi i situatave politike, ekonomike, sociale të shoqërisë dhe gjendjen e saj. Njohja e saktë, sigurisht që do të mundësojë edhe qasje korrekte midis gjendjes ku jemi dhe qëllimit ku duam të shkojmë.

E treta ka të bëjë me aftësinë e përshtatshmërisë, pra zbatimit nga njohja teorike në jetën praktike të diskursit teologjik, në mënyrë që feja dhe mësimet e saj të jenë elementi ndikues që zbukuron dhe zhvillon jetën tonë.

 

6. A lidhet islamofobia tek shqiptarët me faktin se muslimanët në botë nuk janë hegjemoni, dhe nevojën e tyre që të rreshtohen ose ta respektojnë të fortin?

Për mendimin tim Islamofobia tek ne është çështje që lidhet me kompleksin e inferioritetit karshi vendeve perëndimore, historinë e gjatë të komunizmit dhe mungesën e kulturës së dijes dhe leximit. Këto elemente të lartpërmendura e shtyjnë një pjesë të shoqërisë të tregojnë ndjenja urrejtje ndaj një feje si Islami, pa i dhënë mundësi vetes për të lexuar me saktësi dhe seriozitet rreth vetë Islamit. Tendenca për t’u dukur evropian dhe pamundësia për t’u bërë, mendësia se Evropa nuk na pranon kështu, sjell edhe këtë aspekt të shfaqjes kundra Islamit. 

 

7. A i takoni të rinjtë shpesh, dhe a e dini se çka ka nevojë ta zëmë një 18 vjeçar sot, duke pasur parasysh moshën, brishtësinë, trendët dhe modelet me të cilat ai shërbehet? 

Dinamikat e jetës më kanë bërë të takohem në mënyrë të vazhdueshme me të rinjtë. Ajo që dallohet më së tepërmi është paaftësia e tyre për të vendosur qëllime afatgjata dhe të qëndrueshme, gjë që vjen si pasojë e modernizmit dhe ndikimit të tij, në zhvillimin e identitetit të të rinjve, duke i bërë ata të luhatshëm. Ata e kanë të vështirë të krijojnë qëllime reale, të qëndrueshme, të kuptojnë se çfarë ju duhet dhe për çfarë kanë realisht nevojë. Janë disa elemente që ndikojnë në formimin e identitetit të secilit prej nesh.

E para është investimi i vazhdueshëm në zhvillimin intelektual dhe sqarimi konceptual i ideve, kuptimi i pyetjeve, shqetësimeve dhe përkufizimeve të rëndësishme rreth njeriut, jetës, kohës, familjes, individit etj.

E dyta është lidhja me modele të shëndosha të cilat orientojnë tek e mira, frymëzojnë nga puna, morali, kultura e arsimimi. 

E treta ka të bëjë me krijimin e strukturave të forta sociale, që ofron si në rrafshin intelektual dhe atë praktik, modelin më të mirë, aktivizimin e energjive tek punët e duhura dhe mundësinë e formimit të një shoqërie e cila udhëhiqet nga vlerat, intelekti dhe puna e dobishme konkrete.

 

8. Çka qëndron në ADN-në e Civilizimit Islam, dhe çka iu shkon juve nëpër mend kur përmendet ky qytetërim?

Sipas pyetjes më lehtësohet qasja sepse shpalos një reflektim tim personal. Sipas meje kur përmendet civilizimi dhe qytetërimi islam në ADN-në e tij qëndrojnë tre komponentë kryesore, Zoti, njeriu dhe natyra. I gjithë civilizimi ndërtohet në marrëdhënien e njeriut me Zotin (rrafshi vertikal), dhe marrëdhënien e njeriut me gjithçka që e rrethon (rrafshi horizontal). E gjithë fryma hyjnore sjell mundësinë e harmonisë midis këtyre komponentëve thelbësorë të ekzistencës, pra midis njeriut dhe shoqërisë, midis shoqërisë dhe natyrës dhe të gjitha këto në raport me krijuesin suprem, Zotin. Të gjitha mësimet i përgjigjen kësaj marrëdhënie e cila kërkohet të jetë e ekuilibruar dhe e harmonizuar. Pikërisht kjo harmoni gjendet e shpalosur në civilizimin islam si në arkitekturë, art, poezi, adhurime, në formimin e shtetit dhe në çdo aspekt tjetër.

Faleminderit për intervistën, e mbi të gjitha Zoti e di më mirë.

Ndaje