- Rrugët për braktisjen e anonimitetit në kohën që jetojmë janë të shumta, por dy janë më kryesore: përmes rrjeteve sociale ose emisioneve banale televizive.
- Emisione të llojit të Big Brother dhe It’s My Love nxitin sjellje të këqija e agresive në publik, promovojnë poshtërimin si argëtim si dhe forcojnë kulturën e pasivitetit, shkelin privatësisë si e drejtë themelore.
- Pra, ikja nga anonimiteti përmes të keqes në shekullin që po jetojmë është rrugë shumë më e lehtë se përmes të mirës.
Përpjekja e njeriut për të ikur nga anonimiteti nëpërmjet rrjeteve sociale është shndërruar në një fenomen viteve të fundit. Fatkeqësisht kjo tentativë s’ka rezultuar e pasuksesshme. Kjo argumentohet edhe nga fakti se kurrë më shumë nuk kemi pasur njerëz “të famshëm” e që janë pa profesione e pa ndonjë shërbim për shoqërinë.
Është në natyrën e njeriut të dëshirojë të bëhet i famshëm e të ketë autoritet. Por, për këtë qëllim në shoqërinë tonë deri vonë janë zgjedhur mjete më fisnike. Deri vonë shoqëria jonë s’ka qenë kaq makiaveliste. Sot për ta arritur qëllimin (famën) po arsyetohen të gjitha mjetet (sharja, rrahja, banaliteti, seksualiteti, nxitja e urrejtjes e të tjera).
Rrugët për braktisjen e anonimitetit në kohën që jetojmë janë të shumta, por dy janë më kryesore: përmes rrjeteve sociale ose emisioneve banale televizive.
Mjafton ta hapësh TikTok-un dhe aty sheh nga të gjitha llojet e degjenerimit, gjithnjë LIVE. Sheh njërin që fle live në TikTok dhe 1500 persona e shikojnë kot. Sheh burrë e grua që nga e njëjta shtëpi lidhen live mes vete në TikTok dhe teksa flasin gjëra koti i shikojnë 3000 persona në kohë reale, sheh repera që shahen live në format më banale të mundshme dhe mbi 10000 persona i shikojnë live. Gjendja më e mirë s’është as në televizion pasi shpeshherë televizioni për shkak të ndikimit të këtyre figurave, pikërisht këto figura i thërret, i ekspozon para ekranit dhe i promovon ato.
Emisione si “It’s my love”, “Për’puthen”, “It’s my home” e “Big brother”, nxisin sjellje të papërshtatshme dhe të pakuptimta te publiku pasi vetë konkurrentët aty brenda nxiten nga produksioni për sjellje që në kushtet normale, në jetën e tyre reale, s’do t’i bënin kurrë. Nxitja që produksioni i bën konkurrentëve për të shkaktuar drama të panevojshme e konflikte artificiale mes tyre dhe nxitja e sjelljeve seksuale në anën tjetër janë karremi që po përdoret në këto emisione për ta kapur shikuesin.
Në këto emisione fatkeqësisht kultivohen debatet pa asnjë argument e me përplot sharje, dhuna verbale e në shumë raste edhe fizike, ngacmimet seksuale e sjelljet e tjera të papërshtatshme të cilat përmes përsëritjes sistematike tentojnë të bëhen të pranueshme për masën e gjerë.
Gazetari britanik, Mark Lawson, i cili njëherësh është edhe kritik i teatrit dhe artit, ka shprehur kritika të forta ndaj emisionit “Big Brother”, duke i treguar defektet e tij të shumta duke filluar nga manipulimi i votimit, racizmi, bullizmi e deri te dëshira e dëshpëruar për famë e konkurrentëve të këtij formati televiziv. Lawson argumenton se ky emision nxit sjellje të këqija e agresive në publik.
Jon Ronson, autor dhe regjisor britaniko-amerikan, gjithashtu ka qenë kritik ndaj emisionit “Big Brother”, duke e cekur efektin e tij dehumanizues mbi konkurrentët e këtij emisioni, duke thënë se gjykimi dhe vlerësimi i publikut mund të shkatërrojë jetën e pjesëmarrësve pasi ata të dalin nga “Big Brother”. Ronson e potencon fuqishëm efektin negativ në shëndetin mendor dhe emocional që e shkakton ky reality show.
Dr. Pamela Rutledge, psikologe e mediave, kur flet për emisionet e tilla, potencon poshtërimin që bëhet në këto emisione si një formë argëtimi për publikun.
“Është e rëndësishme të theksohet se “reality TV” nuk është me të vërtetë “realitet”. Reality TV është krijuar dhe kontrolluar përmes montazhit, skenarit, marifeteve për të ngritur konfliktin dhe emocionet nga producentët”, thotë ndër të tjera ajo.
Një ndër efektet tjera sipas psikologëve është edhe promovimi dhe nxitja e kulturës së pasivitetit. Psikologët thonë se emisionet e tilla mund të nxisin pasivitetin duke i bërë shikuesit të prirë që të mbeten ulur me orë të tëra para ekraneve dhe t’i ndjekin eksperiencat e të tjerëve, rrjedhimisht duke u bërë shikuesit më pak të përfshirë në jetën e tyre dhe duke u munduar artificialisht të përfshihen në jetën e konkurrentëve.
Përveç psikologëve e autorëve të ndryshëm, kundër emisioneve të tilla kanë reaguar edhe shumë grupe shoqërore të ndryshme.
Grupet e të drejtave të njeriut kanë kritikuar emisionin për shkeljen e privatësisë së pjesëmarrësve. Njerëzit me aftësi të kufizuara kanë kritikuar emisionin për shfrytëzimin e tyre në disa raste. Organizatat që luftojnë kundër dhunës e kanë kritikuar emisionin për promovimin e sjelljeve të këqija dhe të papërshtatshme me vlerat e tyre.
Pedagogu nga Shqipëria Ergys Mërtiri thotë se emisione të tilla i drejtohen instiktit e jo arsyes.
“Big Brother është një mënyrë për të peshkuar audiencë me lehtësi, pa u lodhur. Duke shfaqur produkte që i drejtohen instiktit dhe jo arsyes, që shfaqin vulgarizmin dhe jo finesën, që spektakularizojnë vesin dhe jo virtytin, idiotësinë dhe jo mençurinë, fitohet audiencë në kurriz të vlerave. Shoqëria e bigbradherizuar humbet vlerat, kulturën, humanizmin, autenticitetin duke u natyralizuar me marrëzinë, vesin, banalitetin, anormalen. Shkurt Big Brother kontribuon në degradimin kulturor të shoqërisë”, ka thënë ndër të tjera Mërtiri.
Për të gjitha këto që u shkruan më lart, Big Brother-i i Shqipërisë është ilustruesi më i mirë. Se nuk ka më privatësi e tregoi rasti më i mirë kur njëri nga banorët aty (Luiz Ejlli) pasi foli për një sëmundje që aludonte që e kishte, u urdhërua nga drejtuesja e emisionit që të shkonte dhe të bënte analizat në Spitalin Shtetëror. Spitali Shtetëror iu bind pushtetit mediatik duke cenuar kështu publikisht barazinë e shtetasve shqiptarë. Ndërsa në momentin që banori u detyrua të bënte analiza, e që ndoshta banori s’ka dashur që ta dijë askush sëmundjen e tij (nëse ekzistonte e s’ishte lojë), ndodhi shkelja më flagrante e privatësisë.
Impakti i Big Brother-it në Shqipëri çuditërisht ishte shumë i madh në shoqëri. Shumë më i madh se që ishte menduar. Atje u organizuan protesta nga qytetarët për banorin e tyre të preferuar, drejtuesit e këtij formati u kërcënuan në forma të ndryshme e të shumta vazhdimisht. Ndërsa, figura që prodhoi emisioni ishte padyshim Luiz Ejlli, ku njerëzit dukshëm në Shqipëri e Kosovë filluan ta imitonin duke u munduar të flasin e veprojnë si ai. Madje, shkuan deri aty sa ndërruan edhe pamjen, vetëm e vetëm që të ngjasojnë me të. Shumë qytetarë, kryesisht të rinj, në Kosovë e Shqipëri, i shndërruan flokët e tyre në të verdha që të ngjasojnë sa më shumë me banorin e tyre të preferuar.
Andaj, lirisht mund të themi, emisionet e tilla televizive që e kanë bigbradherizuar tërësisht shoqërinë shqiptare në të dy anët e kufirit po tentojnë vazhdimisht ta normalizojnë të keqen dhe ta anormalizojnë të mirën.
Pra, ikja nga anonimiteti përmes të keqes në shekullin që po jetojmë është rrugë shumë më e lehtë se përmes të mirës. Andaj, gjëja më e mirë që mund të bëjmë në parandalim të kësaj të keqeje është bojkoti i tyre.