Studenti si (mos) zgjidhje e problemeve

“Njeriu është qenia e vetme të cilit i duhet arsimimi” – Imanuel Kant

Këtu e shtroj vetëm përsiatjen time rreth një çështje tejet nevralgjike, çështje që më “dhemb” çdo ditë e më shumë, nyjën e cilës nuk po munden ta zgjidhin ekspertizat përkatëse të vendit, por çka është më dramatike, nuk po mundemi ta gjejmë përgjigjen as në ngrehinën tonë imagjinare.

Para se gjithash, mendoj që duhet të studiojmë me një qëllim holistik. T’i kemi gjërat përreth vetes në një gjendje më të mirë, e me këtë, të jemi edhe vetë mirë. Nuk e kam për qëllim vetëm nocionin inxhinieri, që njihet shkencërisht si diçka e kompletuar nga ana teknike, fjala bie, inxhinieri ndërtimi nga faza e planifikimit deri te përfundimi i projektit sipas sistemit “çelësat në dorë”. Kjo do të ishte frazë tepër teknike, andaj, studimin dhe universitetin nuk i perceptoj si kompani që merren me çështje kryekëput teknike. 

Të studiuarit për t’i përmirësuar gjërat e për t’i shtyrë proceset përpara, kërkon qëllime të larta fisnike, kur ne vërtetë me tërë qenien tonë besojmë se studimi im, do të jetë përmirësues jo vetëm i gjendjes sime, por edhe i ambientit të cilin e ndaj me qeniet tjera njerëzore. Duke u bazuar në të dhënat statistikore që tregojnë për gjendjen e sotme të arsimit, mund të themi se nga aspekti teknik është gjithçka në rregull. I ndërtuam banesat me sistemin e freskuesve, me temperaturën e dëshiruar të dhomës, me çelësat në dorë, por “hipotermia e shpirtit” po pëson rënie. Qasja holistike, që aq shumë mungon në realitetin tonë, bëhet përcaktuese e ardhmërisë sonë. Njeriut që i mungon ky kuptim, e sheh veten e tij si diçka të ndarë nga natyra, si qenie që jeton në një ishull dhe pret që i tërë oqeani ti shërbejë si një kamerier. 

Qasja holistike në gjithçka, sidomos tek një student me ideale për të nesërmen, është personi i cili e kalit së pari unin e tij në një aktivitet, i cili aktivitet më vonë bën ndryshimin e duhur në shoqëri. Ndjenja e përkatësisë nuk është shprehje që lexohet kalimthi, të gjithë përkasim diku nga kushtëzimet biologjike e historike, por përkatësia humane i takon apo do të duhej tʼi takonte çdo shpirt njeriu. 

Në 150 vitet e fundit, me hapërimin e hovshëm të teknologjisë e shkencës, kemi siguruar komoditet më të lartë në krahasim me krejt gjeneratat e mëparshme. Jetojmë në kushte të tilla të cilat ata para nesh as që i kanë pasur në imagjinatë. Nëse i referohemi studimeve të ekspertëve të çështjeve arsimore, situata është shqetësuese. 

Këtejmi, a mund të themi se jemi gjeneratë më inteligjente? Mendoj se do të ishte gabim po të përgjigjeshim në mënyrën pohore. Madje, ata që pretendojnë kështu, tregojnë për veten e tyre, për subjektiven, jo për gjendjen objektive. Krahasimin me gjeneratën e mëhershme mund ta bëjmë edhe me një eksperiment të vogël. Fjala bie, si mundet që me kushtet minimale të arsimimit, si në kuadrin familjar njashtu edhe në hapësirat e shkollës, e kanë përvetësuar materialin mësimor në atë mënyrë që edhe në ditët e sotme, pasi që kanë hyrë në moshë të thellë, i dinë dhe u kujtohen vargje të tëra poezish e epesh, ia dalin mirë edhe në matematikë dhe zgjidhjet logjike të problemeve, ndërsa këtë e kanë arritur pa mjete digjitale, e ndoshta edhe pa libra e fletore pune. 

Tekefundit, rëndësia e inteligjencës qëndron në aftësinë për të pasur dije rreth lëshimeve të vetë inteligjencës, për t’i nxjerrë në pah dobësitë, vrimat e errëta të arritjes njerëzore që të njëjtat t’i ndriçojë. 

Me fjalë tjera, studenti, por edhe ata që e interpretojnë dijen, çdoherë duhet t’i thonë vetes, ajo që di është fare pak në krahasim me atë që mundem ta mësoj. Këtë mund ta ilustrojmë me shembull nga praktika jonë kur lexojmë një libër. Gjatë leximit dhe gjatë mbarimit të librit, ne ndeshemi me dy çështje faktike. Një grup thotë, sa pak paskam ditur për temën që e shtjellon libri, në realitet, ndeshemi me injorancën personale, e libri këtë na e bën të dukshme. Grupi tjetër që thotë: ëhë… pikërisht kështu kam dashur të them, por nuk kam ditur të shprehem kaq bukur sa autori, këtij grupi, domethënë, lexuesit më të përgatitur, libri i jep inspirim dhe shtysë për të menduarit dhe pasuruarit të diapazonit të tij. 

Sado që ekspertët e arsimit alarmojnë për mungesë të kuadrit profesionist, veçanërisht në institutet teknologjike, çështja nuk qëndron veç tek të fituarit kualifikime për të gjetur një punë diku, e as ajo licencë të shërbejë si pasaportë për të ikur nga vendi. Këto dije do të duhej të ishin të orientuara kah përforcimi i kapaciteteve vetanake, si shtet dhe si individ. Ta ndërtojmë sistemin tonë e ta bëjmë më të mirë se dje dhe më premtues për të nesërmen. 

Mendoj se kjo është përgjegjësia themelore që studenti i sotëm e ka mbi shpatullat e tij, por edhe në përgjithësi si gjeneratë e sotme. Pa këto qëllime, ne do ta shkëpusnim në mënyrë të pakthyeshme zinxhirin e bartjes së përvojave te gjeneratat e ardhshme, te fëmijët tanë. Andaj, para se ta bëjmë planin për studimin e shkencave, qofshin ato shkenca ekzakte apo humane, së pari duhet studiuar inxhinierinë e vetes. Të përshtatemi në atë mënyrë që produkti jonë i radhës, mjek, farmacist, kompjuterist, psikolog, apo një aplikacion teknologjik, problemet e këtyre produkteve që po i hasim tani, në të ardhmen të reduktohen në mënyrën më të mirë të mundshme. Lëshimet e shumta në sferën arsimore, fërkimet e shumta që po ndodhin para syve tanë në sistemin universitar, të përmirësohen në pikën ku më nuk do të flisnim për analfabetizmin funksional. Nga të gjitha profesionet e mundshme mund të jetohet nëse njeriu i përkushtohet me tërë shpirtin. 

Nuk mund të jemi të gjithë menaxherë, inxhinierë etj. Këto janë kërkesat e pamundshme të kohës së moderne, që po kthen gjithçka përmbys. Krejt të rinjtë që do të dëshironin ti ndjekin ëndrrat e tyre, po u nënshtrohen dhe po ndikohen ndaj një pyetje: “a mundem t’i paguaj faturat me këtë profesion?  Por nëse i vendosim gjërat kështu, ku mbetet lumturia? Sa persona hoqën dorë nga profesionet e tyre për të punuar atë që ua do zemra. Hoqën dorë nga profesionet që u sillnin më shumë para, për të punuar me atë që u sjellë më shumë lumturi.

Atë që studenti i kohës së sotme e ka për primare ta shqyrtojë, e duke i parë para vetes edhe statistikat e nivelit të arsimit,  është rezonimi se gjithë veprimet e tij, lidhen me veprimet e të nesërmes në rrethin e tij. Hapin që sot ai e hedh në rrugën e dijeve, është trajektorja nëpër të cilin duhet të ecë fëmija i tij nesër. 

Gjithandej ndeshemi me lajme negative në sferën e arsimit, në universitete shtetërore dhe ato private. Ka rënë cilësia e arsimit, profesorët janë njëzëri se çdo gjeneratë është më e dobët se gjenerata e kaluar, andaj, a ka ardhur koha të bëjmë një pauzë të shkurtë për të medituar? Pse kjo indiferencë, pse ky mosveprim? 

Për të parë shkatërrimin e sistemit arsimor, duhet të pyeten profesorët universitarë që kanë përvojë mbi 40 vjet. Disa prej tyre parashtrojnë pyetjen: Cila ka qenë energjia e brendshme e studentit i cili ka rënë 13 herë nga provimi, por e ka dhënë provimin me të 14 herë? Nuk ka pasur ankesa nga studenti, tani ankesat e vetme mund të jeni vetëm të llojit teknik, nëse në godinë eventualisht nuk ka internet. Tekefundit, nëse të gjithë nxënësit kalojnë, si krijohen elitat? 

Nga ana tjetër, me ligjin e vitit 2000 (në Maqedoni) u parapa hapja e universiteteve private me iniciativën e qytetarëve dhe fondacioneve nga vendi dhe jashtë. Ndonëse në fillim, nëpër Evropë kjo praktikë u tregua tejet cilësore, në Ballkan, përkatësisht në Maqedoni, Shqipëri e Kosovë, por edhe gjetiu, dolën në pah efektet negative. Afro 30 universitete në Maqedoni dhe afro 40 të tilla në Kosovë e Shqipëri, treguan se te shtetet e pazhvilluara me nivel të lartë të korrupsionit dhe mungesë të kuadrit profesional, hapja e këtyre universiteteve e humbet kuptimin. 

Universitetet private, sipas këtyre studimeve, u shndërruan në kompani komerciale. Pyetja ime është, pse nuk është bërë kërkesë që universitet mund të themelojë secili, por si organizim joprofitabil sikur janë universitet në Amerikë? Pas pavarësimit të Maqedonisë, sistemi i lartë arsimor për dhjetë vjet me radhë nuk nxori Ligj të ri. Me kalimin e kohës, gjegjësisht, pas vitit 2004, u hapën rrugët e legalizimit të Universitetit të Tetovës, por kurrë nuk u shuan zërat se duhet të rritet cilësia në arsimin e lartë.

Në ekonomi ka një ligj që thotë se gjërat kanë vlerë vetëm nëse janë të rralla. Nuk dua të tingëlloj si cinik, por nëse kemi më shumë doktorantë se banorë, atëherë çʼkuptim e vlerë mund të ketë. 

Edhe më dramatike bëhet gjendja kur inspektorët e arsimit në procesverbalet e tyre shënojnë: “Ky universitet punon si fabrikë e diplomave”. 

* * *

Nëse i hapim uebfaqet e tri ministrive të arsimit të Shqipërisë, Kosovës e Maqedonisë së Veriut për ti shqyrtuar aspiratat në fushën e arsimit, shohim vetëm fraza boshe të llojit (për shembull në Kosovë): Kosova ka potencial të jashtëzakonshëm për të ecur në hap me shoqëritë e përparuara . 

Në vebfaqen e Ministrisë së Arsimit Shqipërisë shkruhet: “Investimi në kapitalin njerëzor dhe kohezionin social” përbën edhe tematikën që parashtrohet për konsultim publik, si pjesë e draftit të SKZHI 2015-2020. 

Në atë të Maqedonisë së Veriut (ndonëse vetëm deklarativisht e në formë klisheje, por megjithatë ka një  dritare të veçantë ku shkruan Misioni dhe Vizioni), në pjesën e Misionit thuhet: “Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka mision ta zhvillojë arsimin dhe sistemin edukativo- arsimor në Republikën e Maqedonisë, ta zhvillojë shkencën, arritjet shkencore dhe inovacionet përmes aplikimit të parimeve të cilësisë, ekonomizimit, përgjegjësisë qytetare dhe të lidhshmërisë me tregun e punës. Me zbatimin e këtyre parimeve do të mundësohet edhe pjesëmarrje e barabartë në Republikën e Maqedonisë në proceset integruese Evropiane arsimore, ekonomike dhe politike”, kurse në pjesën e vizionit thuhet: “Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka vizion t’i promovojë vlerat dhe bazat në arsim cilësor dhe shkencë si çelës për përmirësimin e cilësisë të jetës në mbarë shoqërinë”  . 

Siç vërehet, ministritë e Kosovës e Shqipërisë, as formalisht nuk e kanë të shënuar në faqet e tyre elektronike Misionin e vizionin që kanë, por vetëm disa deklarata ministrash e dokumente që fillojnë me fjalët “Plani strategjik për arsimin…”.

Studiuesit e problematikave në arsim shtojnë se eksperimentimi me modele të ndryshme arsimore dhe mospërshtatja e shteteve të zhvilluara me kushtet tona, kanë ndikuar negativisht në sistemin arsimor. Pastaj, politizimi i shkollave, presioni i prindërve dhe fryrja e notave nga ana e mësimdhënësve, mbingarkesa me çështje administrative të mësimdhënësve etj, sollën shkallën e lartë të analfabetizmit funksional, humbjen e mendimit kritik të nxënësve, si dhe prodhim kuadrosh që nuk posedojnë kompetenca të cilat u shënohen në diplomat që kanë. Të gjitha këto na bëjnë shoqëri e paaftë në tregun e hapur të punës. 

Nuk vazhdohet kështu, thjesht duke i rënë qark të vërtetës sonë dhe njerëzores në ne, e të pretendojmë se gjithçka është në rregull. Qëllimet tona nuk duhet të thyhen nga ndeshja me realitetin e ashpër, kjo nuk duhet të qëndrojë në rrugë si pengesë e pakalueshme. Për shumicën e studentëve këto lajme nga ekspertët e arsimit krijojnë edhe apati intelektuale, një gjendje vendnumëro. Kur krijohen këto hendeqe në kuptimin tonë, atëherë si do të jetë e mundur që ti detektojmë hendeqet në realiteti?

Gjendjet e situatat jashtë nesh, mund të jenë të ngadalshme, mund dhe mos të lëvizin fare nga vendi, por e tërë kjo nuk duhet të jetë shkaku që ajo brenda lëkurës sonë të jetë e ngadalshme apo e palëvizshme. Në të vërtetë, kufiri i parë që na ndan ne, qenien tonë, e na bën të jetë i dallueshëm nga ambienti rreth nesh, është lëkura. Gjërat i ndajmë jashtë dhe brenda lëkurës sonë. Për gjërat që ndodhin jashtë, mund të jenë shkaktarë të tjerët, por ajo që zhvillohet brenda nesh, që krijohet si bindje, si angazhim, si puls që e mban njeriun në jetë, jemi përgjegjës vetëm ne e askush tjetër.

Shumë pyetje mbeten ende të hapura. A jemi kështu si jemi falë teknologjisë? Cili është qëllimi i edukimit dhe çfarë do të thotë të jesh një person i arsimuar? Filozofi grek Platoni besonte se edukimi nuk ka të bëjë me futjen e informatave në mendjet e studentëve, por me nxjerrjen ose inkurajimin e mençurisë që është gjë e lindur te ne. Në mënyrë të ngjashme, shkrimtari dhe historiani i madh gjerman i artit të kontinentit aziatik, Hajnrih Zimer (Heinrich Zimmer) dikur tha se në Perëndim dituria barazohet me mbledhjen e informacionit, ndërsa në Lindje nënkupton transformimin. 

Ndoshta ka ardhur koha që qasja transformuese të zbatohet edhe në arsimin perëndimor, ku suksesi do të konsiderohet një qenie njerëzore më e plotë, më e lumtur, e arsimuar vërtetë, e për rrjedhojë, e lirë. Nëse teknologjia mund të ndihmojë në arritjen e këtij qëllimi, atëherë aplikimi i saj është i dëshirueshëm. Por është gabim të shihet teknologjia si një forcë lëvizëse. Edukimi i vërtetë është diçka shumë më e vështirë, më sfiduese dhe më njerëzore.

Ndaje