- Pas diplomimit shumë të rinj ballafaqohen me një boshllëk të pakuptueshëm.
- Kjo gjendje, e cila manifestohet me shfaqjen e simptomave të ndryshme, nga hulumtuesit lidhet me sindromin post diplomik.
- Ndonëse simptomat kapin një gamë të gjerë, si mungesën e motivimit, pagjumësinë etj., edhe tejkalimi i tij mund të arrihet lehtë.
Shumë të rinj e përjetojnë vështirë tranzicionin e post diplomimit ngaqë çdo fund është një dalje nga zona e komforit. I riu ose e reja për rreth katër (4) vite ka përvetësuar rutinën e studimit, margjinat e rregullimit të kohës kanë qenë datat e provimeve dhe për një moment me hedhjen e kapelës së diplomimit në ajër, hidhet edhe rutina disa vjeçare. Sapo të hidhet kapela në ajër, një breshëri sfidash sociale, financiare, emocionale dhe madje ekzistenciale mund të vijnë duke na gjunjëzuar para tyre.
Me paramendimin e këtij momenti dhe me përjetimin e tij është normale të paraqiten shenja depresioni si zbehje e shpresës për një ardhmëri të mirë, ndryshim apetiti, frikë e vazhdueshme, ndjesi e vetmisë dhe të ngjashme. Natyrshëm kjo situatë vjen me një mori pyetjesh që ngjallin tension: Pse kaq shumë të diplomuar ndihen në depresion? A aludojnë gjithmonë këto ndryshime të humorit në depresion? Çfarë mund të bëni për t’u ndjerë më mirë dhe për të tejkaluar këtë periudhë më të shëndetshme?
Intensiteti i simptomave mund të ofrojë një të dhënë të madhe. Është krejtësisht e natyrshme të ndihemi të lodhur ose të stresuar gjatë periudhave të tranzicionit. Por nëse e kalojmë pjesën më të madhe të ditës në shtrat, nëse ndihemi aq të shqetësuar sa nuk mund të përqendrohemi dhe harrojmë aftësitë tona, atëherë duhet ndezur alarmet për të parandaluar një periudhë aspak të këndshme.
Në këtë periudhë mund të ndihet faj, turp ose urrejtje ndaj vetvetes. Ndjesia e pamjaftueshmërisë mund të arrijë kulmin e saj, mund të pendohemi se si e kemi kaluar kohën përgjatë studimeve duke uruar që të kishim studiuar më shumë ose të kalonim më shumë kohë me miqtë. Ndoshta dhe kritikojmë veten për zgjedhjen e drejtimit “të gabuar” ose të shkollës “së gabuar”. Ndoshta kemi vështirësi të shijojmë hobit e vjetra, e mendimi që diploma e sapo marr nuk do na dërgon atje ku imagjinonim ose prisnim mund të ndihemi të mashtruar dhe të tradhtuar. Zemërimi për situatën specifike mund të përhapet në pjesë të tjera të jetës si ajo familjare ose romantike, e kështu do të krijohet një barrikadë për të ndjerë kënaqësi në jetë. Çdo gjë që bëjmë mund të duket e mërzitshme ose e pakuptimtë.
Në një hulumtim i cili ka pasur për qëllim krahasimin e pranisë së depresionit tek të rinjtë e moshës 18-25 dhe mbi 25 vjeç mes vitit 2010 dhe 2020 është konstatuar se përderisa tek të anketuarit mbi moshën 25 vjeç në vitin 2010 depresioni ka qenë 6.8% në vitin 2020 është rritur në 8.4% mirëpo tek të rinjtë mes moshës 18-25 vjeç duke qenë në vitin 2010 8.3%, në vitin 2020 është rritur në 17%.
Në vazhdim do të mundohemi të rrumbullakojmë arsyet potenciale të cilat paraqiten në rolin e faktorit për rritje të depresionit ose të sindromit pas diplomik.
- PASHPRESA – Rrjetet sociale mund të japin përshtypjen se shokët e klasës po e bëjnë të gjithë për mrekulli duke nxitur ndjesinë sikur e keni ikur barkën për një të ardhme më të mirë. Rrjetet sociale shpesh janë vende ku njerëzit projektojnë versionin shumë më të suksesshëm dhe më të lumtur se sa atë të vërtetin.
- MUNGESA E MOTIVIMIT – Mund të jetë e vështirë të ecësh përpara kur të gjitha rrugët para duken të mbushura me gropa dhe kthesa të mprehta.
- PROBLEME ME GJUMIN – Mund ta gjeni veten të rraskapitur, duke fjetur deri në pasdite ose duke luftuar për disa minuta gjumë nga problemet me orën e brendshme të trupit.
- PROBLEME ME KONCENTRIM DHE MEMORIE – Mund të harroni gjëra të thjeshta si ku i keni lënë çelësat ose çfarë dëshironi të hani në darkë.
- DEPRESIONI SEZONAL – Shumica e njerëzve me depresion sezonal përjetojnë simptoma në dimër, mirëpo mund të përjetohet edhe në pranverë, rreth kohës së diplomimit. Për dallim nga depresioni major, depresioni pranveror përmirësohet me ndryshimin e stinës.
- PROBLEMET ME ADAPTIMIN – Njeriu në përgjithësi ndjen vështirësi në përballimin e ngjarjeve stresuese ose sfiduese të jetës. Gjatë diplomimit si fillim i një periudhe të re të jetës mund të ndiheni të trishtuar, të pashpresë ose të qani më shumë sesa zakonisht dhe të keni përshtypjen që gjendja në të cilën gjendeni nuk do të ndryshon asnjëherë, mirëpo është me rëndësi jetësore të dihet që gjithçka është kaluese dhe se jeta kohë pas kohe do të shtron si ekspozitë sfidat e saj.
Si të menaxhohet me sindromin post diplomik?
- Shërbimet alumni janë qendrat për orientim në karrierë dhe suportim të të diplomuarve të universiteteve. Çdo student i sapo diplomuar mund të përfitojë falas nga mbështetja profesionale e këtyre qendrave nëse janë funksionale në universitetet ku kanë diplomuar.
- Mbajtja e lidhjeve miqësore me kolegët e studimeve. Mund të jetë e pamundur të kthehemi edhe njëherë në universitet, por çdoherë mund t’i mbajmë lidhjet miqësore. Qoftë edhe një bisedë e shkurtër telefonike mund të na ndihmojë të mos humbim ndjesinë e përkatësisë dhe të mos ndihemi të vetmuar.
- Marrja shtruar e situatës. Duhet përkujtuar konsistencat e treguara për disa vite me radhë për të kaluar provimet dhe për t’u diplomuar. Dikush me etikë të dobët pune ndoshta nuk mund ta kishte arritur kështu që, edhe periudha e vështirë ekzistenciale e post diplomimit do të kalojë.
REFERENCAT:
- Woolston C. Signs of depression and anxiety soar among US graduate students during pandemic. Nature. 2020 Sep;585(7823):147-148. doi: 10.1038/d41586-020-02439-6. PMID: 32811983.
- Wiesenthal NJ, Gin LE, Cooper KM. Face negotiation in graduate school: the decision to conceal or reveal depression among life sciences Ph.D. students in the United States. Int J STEM Educ. 2023;10(1):35. doi: 10.1186/s40594-023-00426-7. Epub 2023 May 17. PMID: 37220487; PMCID: PMC10189696.
- Cooper KM, Gin LE, Brownell SE. Depression as a concealable stigmatized identity: what influences whether students conceal or reveal their depression in undergraduate research experiences? Int J STEM Educ. 2020;7(1):27. doi: 10.1186/s40594-020-00216-5. Epub 2020 Jun 4. PMID: 32550126; PMCID: PMC7271012.
- Chi T, Cheng L, Zhang Z. Global prevalence and trend of anxiety among graduate students: A systematic review and meta-analysis. Brain Behav. 2023 Apr;13(4):e2909. doi: 10.1002/brb3.2909. Epub 2023 Feb 27. PMID: 36852520; PMCID: PMC10097092.