Rrugëve të artit për ta gjetur shpirtin

  • Veprimtaria e vetme njerëzore e cila nga fillesat e gjurmëve të para e deri në ditët e sotme ka ngelur subjektive, individuale, jo e përfshirë në plotni qoftë nga aspekti teorik, qoftë nga përvoja, është arti. 
  • Jemi dëshmitarë se në kohën e sotme, për të keqen e të shëmtuarën flasim si diçka që është në suaza të normales.
  • Kur një artist, intelektual, apo një njeri i zakonshëm e i mirë refuzohet nga rrethi i tij, ai kalon në vetizolim. Çfarë ndodh më vonë, me izolimin e tij, rrethi bëhet edhe më i ngushtë, pastaj ky izolim përhapet si metastazë në gjithë globin.

“Askush nuk duhet të lexojë poezi, të shohë piktura apo statuja, nëse nuk është i aftë të shohë më tepër nga çfarë ka shprehur autori i tyre” (Nathaniel Hawthorne).

Veprimtaria e vetme njerëzore e cila nga fillesat e gjurmëve të para e deri në ditët e sotme ka ngelur subjektive, individuale, jo e përfshirë në plotni qoftë nga aspekti teorik, qoftë nga përvoja, është arti. Arti mundëson rrugën e shpirtërores, pa iu nënshtruar autoritetit. Ithtarëve të tij, u jep mundësinë të thellohen në shtresat më të thella shpirtërore e psikologjike pa shkelur në tempull. I jep kuptim ekzistencës në pluralizëm dhe gjithë jetës së brendshme e të jashtme. Gëzimi i zbulimit të veprave artistike dhe soditja rreth tyre, për mua paraqet rrugë. Kjo shpesh ngelet e paargumentuar, sepse mbështetet në zhvillimin e aftësive për ta perceptuar artin, e kjo është tejet subjektive saqë nuk mund  të krahasohet me asnjë përvojë të tjetrit.

Megjithatë mund të them që gjatë jetës sime, kam shijuar në veprat filmike shumëçka që gjendet në një libër për estetikën e filmit.

Për dallim prej atyre që e kanë studiuar religjionin, nuk mund të them se kam ndonjë përvojë të madhe, e konsideroj që perceptimi im mbi religjionin nuk është vetëm emocional, por në masë të njëjtë edhe intelektual.

Atë që ne e ndeshim në art dhe në religjion, është urdhri i brendshëm: Beso! Edhe në njërën, edhe në tjetrën fushë shpirtërore mund të hyhet pa përvojë, pa njohuri paraprake, kurse të mirat vijnë me anë të zbulesës. Të dyja rrugët shpijnë kah njohja, së pari e vetes, pastaj simboleve dhe domethënieve të tyre. Trupëzimi i njërës dhe tjetrës në art, mund të na shfaqet edhe në një vepër filmike. Pseudo Longin në shkrimin e tij për “sublimen” si nocion kompleks, e ka kategorizuar këtë nocion si: “ndjenjë e lartë e fisnike në vendin e duhur”. Kjo na jep të mendojmë se qysh tek kritiku i vjetër grek, Pseudo Longin, është e qartë se “sublimja” paraqet vetinë imanente të veprës artistike. (Vepra e Pseudo Longin mbi sublimen, është vepër greke mbi kritikën e letërsisë. Është shkruar në shekullin 1 të erës sonë, autori nuk është i njohur, por ia kanë përshkruar filozofit Kasiju Longin. Longin, sot e hasim me emrin Pseudo-Longin. Ky shkrim llogaritet si vepër klasike në fushën e estetikës dhe diskutimeve për shkrimin e bukur.

Sublimja, sipas mendimit estetik të Kantit nënkupton idenë e pafundësisë. Kjo është ndjenjë që domosdo lidhet për absolutin, na bën të dalim nga kufijtë për ta arritur transcendentalen. Kjo pikë arrihet pa dëshmitarë. Dëshmitarët e vetëm mbeten veprat artistike. Veprat artistike ne i kuptojmë sipas një yshtje të shpirtit dhe qëllimi ynë nuk është të humbasim në to, të arratisemi, por të vrojtojmë dhe të vrojtohemi përmes tyre. Çdoherë që ne ndeshemi me veprën artistike, ngushëllohemi përsëri dhe gjejmë harmoninë, ekstazën, apo thjesht lumturinë.

  Në përgjithësi, mistikët e mëdhenj nuk kanë lënë dëshmi të shumta mbi përvojën dhe njohuritë e tyre. Përvoja e tyre është e mbështjellë me fshehtësi dhe shpeshherë mbështetet në mësimet sekrete. Padyshim që rruga mistike e përndritjes ngelet subjektive dhe këtu qëndron edhe vlera e saj për njerëzinë.

Edhe pse thamë se veprat e artit janë subjektive (me të gjitha format e manifestimet e tyre, film, letërsi, muzikë etj.) megjithatë kanë qasje universale, gjithëpërfshirëse. Veprat artistike mbeten në kohë dhe hapësirë, sado që interpretohen, zbërthehen, analizohen, gjithmonë disa individë mund të vijnë te një gjykim personal për një vepër të caktuar, gjykim i cili do të dallojë nga të gjitha gjykimet tjera të mëparshme. Përsiatjet mbi veprat artistike nuk mund të kanunizohen kurrë. 

Ti kthehemi kësaj epoke të cilën po e jetojmë. Për mua arti i kohës së tashme, me të gjitha referencat e tij, me thesaret e qytetërimit mbi vete, mbetet veprimtaria e vetme që ngelet e pagjunjëzuar, e lirë, shpëtuese dhe ngushëlluese.

Gjithsesi, në vorbullën e menyve të shumta që ofrohen në përditshmërinë tonë, gjithmonë ka një grup të caktuar njerëzish tek të cilët nevoja për mënyrë të jetës së pasur kulturore nuk shuhet kurrë. 

Ky grup njerëzish, nuk lejon t’i nënshtrohet ngjarjeve e situatave ditore, por me zemër të hapur e zgjedhin rrugën e ngritjes kulturore e shpirtërore përmes artit të bukur.

Është e qartë se njerëzimi në veprat e artit ka bërë gjënë më të çuditshme – ka bërë “natyrën tjetër”- si pasqyrë mistike, në të mund të gjejmë gjithçka, dhe në çastin që e gjejmë, jemi ne.

Sa bukur e ka prezantuar një ide të tillë psikologu Ken Villber në veprën e tij “Pa kufij”: “Nëse ekziston më shumë se një botë, më shumë se një rend i gjërave, atëherë këto gjëra nuk mund të reduktohen mes tyre. Nga oqeani i madh i asaj që nuk e dimë, duket se vetëdija jonë është vetëm një ishull i vogël, kurse këtë ishull, në mënyrë jo(spontane) e rrahin pa ndalur valët e njohurive të zonës së pa hulumtuar, të panjohur”. (K. Wilber, 2002:4).

Andaj, po të ekzistonte vetëm ky realitet që na shpaloset përmes shqisave tona, arti do të ishte i pamundur. Dikush artin e ka quajtur edhe “thirrje për ta krijuar njeriun”.

Për këto arsye më duket që arti mund të funksionojë si formë e religjionit, ndonëse do të ishte një lloj paradoksi. Meqenëse, tek politikologu dhe ekonomisti i njohur botëror Isak Adizhes, në një libër të tij (Zotërimi me ndryshimet) hasim një paragraf kushtuar kësaj teme. Aty thuhet që nëse jo plotësisht, arti patjetër mund të plotësojë një funksion të rëndësishëm religjioz në shekullin e ri. Tekefundit, pavarësisht nga gjithçka, arti na jep mundësinë dhe qasjen tek idetë neutrale, siç thotë filozofi rumun Emil Sioran, ideja është ide vetëm nëse është neutrale.

***

Nga filmat që i kam parë dhe tjerat që pres t’i shoh, artistët i ndaj në dy grupe. Disa ushtrojnë vazhdimisht dhe i plasojnë veprat e tyre (filma, romane, muzikë etj.), dhe të tjerët që janë të rrallë. Bindja ime është se regjisorët e shkrimtarët duhet të krijojnë vetëm atëherë kur vërtetë kanë çfarë të thonë.

Jemi dëshmitarë se në kohën e sotme, për të keqen e të shëmtuarën flasim si diçka që është në suaza të normales. Lexojmë çdo ditë lajme në kronikën e zezë. Babai ka mbajtur vajzat e tij në bodrum, i ka keqtrajtuar, mbytur etj. Ose, një shtet ka sulmuar një tjetër shtet, e agresione të ndryshme nëpër botë. Komentet tona për këto të këqija janë kryesisht të përmbledhura në një fjalë – tmerr. Por, tmerri është vetëm pasojë që buron nga e keqja, neve nuk duhet të na interesojnë pasojat e së keqes, por shkaktarët që sjellin te këto të këqija. Pse bëjmë keq? Nëse njeriu është qenie që përzgjedh, sepse vetë kuptimi i lirisë është në mundësinë e përzgjedhjes, në fakt, vetë liria ndonjëherë merr pamjen paradoksale, sepse përzgjedhim të mirën ose të keqen, me këtë ne kryejmë një restrikcion. Liria na shfaqet si restrikcion i personalitetit. Së këndejmi, nëse e kemi lirinë të përzgjedhim, atëherë pse përzgjedhim të bëjmë keq?

Kështu që, tani të keqen ne filluam ta llogarisim si të drejtë legale të njeriut. Njeriu mund të thotë, kam të drejtë të bëj keq. Pse? Sepse mund të përgjigjet për të keqen e bërë. Domethënë ka një ligj që e dënon dhe prej këtu e merr të drejtën të bëjë keq. Më pastaj, i njëjti mund të thotë se e ka  mbajtur burgun dhe me këtë shfajësohet.

Çështja është që të mos vije fare te e keqja. Të përzgjedh vetëm të mirën në vend të keqes. Nëse i hedhim një sy rrjeteve sociale, a ka organizim për të bërë një punë të mirë aty? E keqja, rrallëherë vjen sipas një automatizmi, e keqja është përzgjedhje që e bëjmë ne. Kështu që ne me përzgjedhjen tonë përcaktohemi edhe si qenie njerëzore, me logjikë dhe vetëdije të shëndoshë.

Po ta shohim filmin “Qielli mbi Berlin” (Wings of Desire) të regjisorit gjerman Vim Venders, na bëhen të qarta shumë gjëra rreth karaktereve njerëzore dhe festimit të ekzistencës njerëzore, ky është një film-poezi. Rezymeja e shkurtër është kjo: Qielli mbi Berlin i vitit 1987, shfaq pikëpamjet e engjëjve ndaj botës dhe çfarë mendojnë engjëjt për njerëzit. Rrëfimi në këtë film artistik është i vendosur, siç thotë edhe titulli, në Berlin, dy vjet pas rënies së murit të Berlinit. Ky film trajton çështjet ekzistenciale dhe shpirtërore të qenieve të mbinatyrshme, andaj shikuesit lehtë mund të vijnë te krahasimi i këtij filmi me filmat “Stallker”, në vitin 1979 të Andrej Tarkovskit, apo filmin “Njihuni me Xho Blek” (Meet Joe Black) në vitin 1998 të regjisorit Martin Brest. Ndonëse ritmi i këtij filmi është i ngadalshëm, shikuesit i ofrohet mundësia të shëtisë në botën e metaforave dhe simboleve të shumta, pikërisht edhe nga shkaku i ritmit dhe rrjedhës më të ngadalshme të kohës. Në këtë film, Engjëjt Damiel dhe Kasiel, ua lexojnë mendimet njerëzve dhe i përcjellin, shënojnë karakteristikat njerëzore dhe raportojnë njëri-tjetrin për atë çfarë shohin. Si dëshmitarë të së mirës dhe të keqes, ata megjithatë nuk guxojnë të ndërhyjnë në jetët e tyre. Pas disa shekujsh kundrimi, engjëlli Damiel dashurohet në gruan Marion (Solveig Dommartin). Damieli, me të rënë në dashuri, dëshiron të shndërrohet në qenie njerëzore. Me këtë analizë të shkurtër të përmbajtjes dua të them edhe se disa filma me rrjedhë të ngadalshme, ende nuk humbin nga magjia e tyre. Mes tjerash, i tërë filmi është me kundërshti të shumta. Për çdo përqafim në këtë film, dikush tjetër fjaloset. Në çdo pikë të ndritshme, ekziston edhe ana e errët. Berlini është lokacion i përkryer për një film përplot me kundërthënie dhe pikërisht për shkak të murit që ndan dy anët e Gjermanisë, e me këtë e shton edhe poetikën e theksuar në këtë film. Aspekti tjetër i theksuar në këtë film është perspektiva engjëllore dhe ajo njerëzore. Derisa engjëllin Damiel e përcjellin ngjarjet pozitive (skena ku gruaja e mbyll çadrën e saj qëllimisht për tu lagur nga shiu), engjëllin tjerë Kasiel e përcjellin ngjarjet negative (skena ku një i burgosur përplas kokën për muri dhe bërtet – tani!). Po ashtu, Damieli vendos të bëhet njeri për ta ndierë kohën dhe për të përjetuar bukuri të ndryshme (në një skenë thotë se “dëshiroj të luftoj për historinë time!), kurse Kasieli mendon se njerëzit janë bisha të egra që para vdekjes së tyre mbesin të vetmuar. Meqenëse ka shumë për të folur rreth këtij filmi, e që në fakt nuk duhet të shpalosen të gjitha detajet për shkak se nuk lihet pastaj hapësirë për tu parë, e shoh të arsyeshme të përmend vetëm edhe këtë: Krejt në fillim të filmit, shfaqen shkronjat e shkruara nga shkumësi mbi një dërrasë, gjë që u sugjeron shikuesve se gjenden në një klasë dhe duhet të përgatiten për mësim, sepse përmes filmit duhet të mësojnë për ta vlerësuar jetën. 

Filmat e rinj, por edhe ato më të vjetër, në të shumtën e rasteve flasin për individin i cili nuk kuptohet nga shoqëria. Shoqëria është një makineri që shumë rëndë i përthith idetë e reja. Kur një artist, intelektual, apo një njeri i zakonshëm e i mirë, refuzohet nga rrethi i tij, ai kalon në vetizolim. Çfarë ndodh më vonë, me izolimin e tij, rrethi bëhet edhe më i ngushtë, pastaj ky izolim përhapet si metastazë në gjithë globin. Njeriut të tillë i mbetet ikja nga bota agresive dhe nuk ka ku të kërkojë strehë. Andaj, arti është i domosdoshëm si uji. Këtë ikje, këtë azil mos ta kërkojmë diku tjetër, por ikim e strehohemi në veten tonë. Në rreshtat që i lexojmë dhe në filmat në të cilët thellohemi. Njeriu patjetër duhet ta gjejë kuptimin, mundemi 15 ditë pa ushqim, 7 ditë pa ujë, por pa kuptim, nuk mundemi asnjë çast të vetëm.

 

REFERENCAT:

 1 – Longin. Enciklopedia kroate, botimi online. Enti leksikografik Miroslav Krlezha, 2021. (Longin. Hrvatska enciklopedija, mrežno izdanje. Leksikografski zavod Miroslav Krleža, 2021. http://www.enciklopedija.hr/Natuknica.aspx?ID=37097

Ndaje