- Bota ngadalë po shndërrohet në një bishë agresive që po sulmon nga të gjitha anët duke i gërryer shtyllat themelore të njerëzores. Po hyjmë ne erën e post-humanitetit.
- Niçeja si stërgjyshi i filozofisë postmoderne thoshte se identitetet janë të rrëshqitshme. Kjo do të thotë se nuk ekziston e vërteta. E nëse nuk ka të vërtetë, atëherë nuk ka as drejtësi dhe gjithçka është e lejuar. E nëse gjithçka është e lejuar, e dini çfarë mund të ndodh…
- Krejt arketipat, mitet për burrin dhe gruan, pjellshmërinë, Zotin, të madhërishmen – po i nënshtrohen një ridefinimi, rrjedhimisht me një mendësi të tillë, bie në ujë edhe gjysma e letërsisë dhe artit.
Pse nuk jam për “arsimimin seksual?”
Po hy në vitet e dyzeta dhe po ndiej se 10 vitet e fundit sikur dikush ta ketë hipur tërë njerëzimin në “Formula 1” dhe se po lëvizim me një shpejtësi nga e cila objektet rreth nesh bëhen të panjohura. Me një hov të tillë, nuk i shohim ngjyrat reale, por sikur një brushë e pistë kalon mbi një pikturë dhe i lë shkarravinat në të.
Për këtë në masë të madhe është fajtore edhe teknologjia, por edhe një përshpejtim i përgjithshëm zhvillimor që po na e turbullon pamjen e “fotografisë së madhe”.
Në këtë mënyrë po vijmë në situatë kur ne sot po i mbrojmë gjërat natyrore dhe normale nga sulmet e jashtnatyrshme që pohojnë se “e natyrshmja nuk është e natyrshme”, gjegjësisht, pohojnë se gjërat që ne i konsiderojmë të natyrshme janë të vendosura në kornizë nga ne, por në “realitet nuk është ashtu”.
Përse të ketë arsimim seksual?
Sepse, a nuk do të ishte më normale të instalohet lënda “arsimimi për dashurinë?” Pse të fillohet nga ajo që zakonisht paraqet kurorë dhe vjen në fund të procesit. Tani po flasim për arsimim seksual të mirëfilltë, e jo atë që e dëgjova në mediat e Maqedonisë: “Arsimi seksual në shkollat e vendit siguron mbrojtje gjatë marrëdhënieve seksuale”, dhe se qenka “vërtetuar” (nuk tregohej koha dhe vendi ku është vërtetuar) që: “Edukimi seksual e shtyn pragun kur adoleshentët fillojnë për herë të parë të kenë marrëdhënie seksuale”.
Edhe unë kam mësuar në biologji për organet reproduktive, pastaj kemi lexuar për dashurinë etj. Megjithatë, unë po e vërej se çfarë po plasohet edhe në letërsi, thashë letërsi…? Më mirë ta quaj letërsi “fast food” apo letërsi “McDonaldʼs”.
Ne aktin seksual e kemi vendosur në fillim të lidhjes, apo lidhja fillon me aktin seksual. Jo sepse jam edukuar në një tjetër frymë, por edhe kam parë tjera kohëra, kam lexuar dhe dua libra dashurie. Ndërsa “arsimimi seksual”, që vetë sintagma ˈarsimim seksualˈ është tragjikomike, duhet së pari të ketë arsimim moral. Kështu që edhe në disa romane, lidhja e personazheve fillon me marrëdhënien seksuale?! Kjo për mua paraqet perceptim brutal të qenies njerëzore, një varfërim dhe një reduktim radikal të tipit “kafsha e Darvinit”.
Me këtë trajtesë, njeriut i merret dimensioni hyjnor, i merret e drejta e shpresës, besimit, apo ta dojë dikë thellësisht; ta dojë hyjnoren te qenia njerëzore, unë kështu e kuptoj dashurinë.
Dashuria nuk është vetëm mes dy vetave, ajo është mes dyve, kurse në mes tyre është Zoti. Kështu jam i edukuar, të tilla vepra kam lexuar dhe më duket shumë e pranueshme e normale. Andaj, nuk jam i mendimit se seksit duhet t’i jepet primati para asaj që e quajmë “harpë” e shpirtit njerëzor. Këto gjëra janë emocione, janë përzgjedhje që i bën shpirti, kështu që edhe martesa për mua është akt kosmologjik, akti i përzgjedhjes së gruas së jetës, gruas me të cilën do të vazhdoj gjininë njerëzore.
Bota, jo vetëm që po lëviz në drejtim të demitologjizimit dhe sferës njerëzore pa praninë e ndjenjave, por edhe kemi ardhur në situatë të flasim për një arsimim seksual më “ndryshe”. Tani po spekulohet arsimi më i ndryshëm seksual dhe kjo është një lloj klimaksi i kësaj antropolatrie dhe vetëpëlqimi të njeriut. Kështu po vijmë deri te më intimja, te harpa shpirtërore e njeriut, që të futen terma ideologjik sikurse “e drejta”.
Fraza e njohur “Ti ke të drejtë në përzgjedhje”
Mund të pajtohem me shumëçka, të ndërroj disa pikëpamje a ide nëse tjetri më bind me argumente, por të pajtohem me relativizmin e vlerave themelore e themeltare të njerëzores, nuk mundem kurrë. Pa çka se mund të quhem konservativ, i dalë nga moda, retrograd etj.
Mos të harrojmë, gjithçka filloi me Niçen dhe me gjeneratën e tij postmoderniste. Në kuptimin që nuk ka identitete të qëndrueshme, ose identitetet janë të rrëshqitshme dhe vazhdimisht janë në zhvillim e kështu me radhë. Krejt këto mund të tingëllojnë bukur, megjithatë kur këto zbatohen në identitete, e jo në vlera bazike aksiologjike, atëherë i humbet kuptimi. Nuk mundemi t’i relativizojmë shtyllat e njerëzisë.
Edhe rregulli i arkitekturës na e ilustron këtë: “Pa dallim se çfarë identiteti mban objekti, qoftë xhami, shkollë, spital apo shtëpi kulture, atë nuk e mban identiteti, por e mbajnë shtyllat”. Katër shtyllat kryesore të njerëzisë janë: e mira, e keqja, burri dhe gruaja. E mira dhe e keqja janë të dallueshme, burri dhe gruaja gjithashtu janë të dallueshëm për nga natyra e tyre. Këto katër shtylla nuk mund t’i nënshtrohen asnjë relativizmi. Është tjetër kur thuhet se ka nuanca të zeza te ngjyra e bardhë dhe anasjelltas, por të më bindin se e zeza mund të bëhet e bardhë dhe e bardha e zezë, pa kurrfarë pasoja për njerëzinë, këtë nuk e besoj.
Krejt kjo sillet rreth një mandre “Ti ke të drejtë”. Demokracia na mësoi që kemi të drejtë në gjithçka. Saqë kemi të drejtë edhe për vetëvrasje. A e kemi lexuar Dostojevskin? A di dikush për fatin e Kirillovit në atë roman dhe teza e tij se akti më i lartë i lirisë është vetëvrasja?
Niçeja si stërgjyshi i filozofisë postmoderne thoshte se identitetet janë të rrëshqitshme. Kjo do të thotë se nuk ekziston e vërteta. E nëse nuk ka të vërtetë, atëherë nuk ka as drejtësi dhe gjithçka është e lejuar. E nëse gjithçka është e lejuar, e dini çfarë mund të ndodh… (Nuk paska identitete stabile, nuk paska një të vërtetë?! Në Shkup, kur ishim fëmijë dhe ndienim se donin të na mashtronin për diçka, thoshim “Pash Zotin!”, duke i qeshur në fytyrë).
Holivudi filloi t’i “rehabilitojë” të gjithë personazhet negative nga fëmijëria ime, me arsyetimin se edhe atyre dikush u ka bërë keq, e nga ky shkak ata janë bërë të këqij…?! Kjo më duket propagandë dhelparake në emër të së keqes, që të arsyetohet e justifikohet e keqja. Çfarë porosi merr fëmija im nga filmat e tillë? Nuk ekzistuaka e keqja, se edhe atij dikush i ka bërë keq. Si rrjedhojë, edhe ti mund të bësh keq, sepse edhe ty dikush të ka bërë keq. Këtu nuk është patjetër të humbet botëkuptimi religjioz, por këtu humbet arsyeja dhe nyja kryesore që mban të lidhur njeriun dhe humanitetin në të.
Kur postmodernistët thonë se “gjithçka shkon” dhe nuk është vetëm një e vërtetë, këtë e vërej edhe në një reklamë televizive. Teksa ndjek një program televiziv, bëhet një ndërprerje e këtij lloji duke reklamuar veturat: “Vetura e vitit, Renault Clio”; pastaj një ndërprerje e radhës, “Vetura e vitit, Citroen…”; pas pak çastesh, “Vetura e vitit BMW”.
Në atë moment i lajmërohem një mikut që i njeh veturat dhe e lus të më shpjegojë se cila është vetura e vitit. Miku ma kthen: “Krejt është e vërtetë, sepse Reanult është më i mirë se harxhon më pak, Citroen është mi i mirë për nga amortizimi, e BMW nuk prishet lehtë”.
Një parcializim i tillë i të vërtetës sjell përmbysjen e vlerave.
Me vetë faktin që ne ndiejmë nevojën të flasim se jonormalja nuk mund të jetë normale, në një mënyrë bëhemi pjesë e katrahurës.
Po u lejuan martesat e të njëjtës gjini, cili do ta krijojë idenë simbolike mitologjike për gjirin e nënës?
Apo ajo që në fjalorët e simboleve interpretohet si shenjë e amësisë. Çfarë do të bëjmë me idetë e deritanishme të ushqimit, të amësisë, familjes etj. Idetë për “liritë” dhe të “drejtat” e tilla janë të orientuara kah rrënimi i konceptit familje.
Kur të zbehet koncepti për familjen, jo vetëm se do të ndodh mortaliteti i planetit, por do të zhduken ndjenjat elementare. Njerëzit bëhen makina që shkruajnë por nuk ndiejnë.
Kur njeriu i vendos në skenë gjërat që nuk duhet të vendosen, diçka që nuk e ka krijuar ai, diçka që i është dhënë, gjithnjë përfundon në humbje.
Me një mendësi të tillë, bie në ujë edhe gjysma e letërsisë dhe artit. Krejt arketipat, mitet për burrin dhe gruan, pjellshmërinë, Zotin, të madhërishmen – i nënshtrohen një ridefinimi.
Do të bie në ujë edhe vetë Frojdi, sepse i zhduket “Kompleksi i Edipit”, krejt veprat tjera që janë shkruar sipas matricës së Frojdit, mes tyre është “I huaji” nga Albert Kamy e kështu me radhë.
Krejt e dimë sa është shpejtësia e dritës, por askush nuk e di shpejtësinë e territ. Ne jemi ata që duhet ta matim dhe ta shumëzojmë me zero.