Republika jonë kundrejt obskurantizmit serb

Aleksandër Vuçiq për vite me radhë e ka ushqyer ndërdijen e serbëve të Kosovës, me imazhin e një shpëtimtari. Kosova, në diskursin e tij anakronik, ka vijuar të mbetet “i Metohije”, një tokë në pronësi të manastireve ortodokse, pra e shenjtë, ashtu siç u diktohet fëmijëve serbë nëpër institucionet shkollore, njëlloj siç portretizohej nga paraardhësit e tij nacionalistë, përgjegjës për gjenocidet e kryera në luftërat ballkanike që çuan në shembjen e Jugosllavisë.

Strukturat kriminale që kanë vepruar në veri, për opinionin publik në Kosovë, nënkuptojnë edhe elemente të involvuara në strukturat politike. Në fakt orvatja për t’i diferencuar nga njëra tjetra si entitete të ndryshme, është aq e vështirë, sa të bëhet se është gati e pamundur. Prishtina zyrtare është e vetëdijshme për këtë, andaj e rithekson zëshëm edhe në arenën ndërkombëtare që ato nuk janë të ndryshme, e përveçqë nuk janë të ndryshme, ato zgjatohen në struktura mercenarësh «të përkrahur politikisht, e financiarisht nga Beogradi» (Albin Kurti).

Por kjo lidhje e Beogradit me këto struktura ka qenë e njohur edhe për qarqet perëndimore. Ndonëse leverdia e lëvizjeve gjeopolitike në Ballkanin Perëndimor, ka sakrifikuar dhe vijon ta sakrifikojë Republikën e Kosovës, në llogari të një joshjeje shterpë që i bëhet Serbisë, kinse për ta shkëputur nga ndikimi rus. Këtë e dëshmon artikulli i zgjeruar në New York Times me titull:

Presidenti, Huliganët e Futbollit dhe “Shtëpia e tmerreve” e botës së krimit” 

Është thënë edhe më qartë edhe nga disa politikanë evropianë. Fjala vjen deputetja britanike Alicia Kearns e ka denoncuar edhe Kishën Ortodokse Serbe për flirt të hapur me grupet terroriste në Kosovë. Sipas saj, kishat dhe manastiret, janë shfrytëzuar si pika strategjike të këtyre grupeve, përkatësisht si strehë dhe deponi armësh. Vetë Kisha Ortodokse, në anën tjetër, ka qenë një jastëk për kokën e trazuar të Vuçiqit. Lidhja e kishës me politikën në rastin e Kosovës, mishëron bash atë që Branimir Anzulović do ta cilësonte si Serbia Hyjnore. Ky është fondamenti i kontekstit, pa të cilin çështja e veriut të Kosovës, nuk mund të analizohet.

Kosova, në anën tjetër, ka provuar në të gjitha mënyrat ta mbjell një diskurs pajtues e integrues për serbët lokal. Ua kujtojmë që të gjitha qeveritë e pasluftës, pa përjashtim, të inkurajuara edhe nga komuniteti ndërkombëtar, shpesh kanë provuar të jetësojnë strategji edhe të pamundshme për t’u jetësuar. Ato ua kanë garantuar serbëve lokal 20 ulëse në parlament, duke i veçuar nga komunitetet e tjera pakicë; ndonëse edhe atëbotë cilësoheshin si kriminale, strukturat paralele u amnistuan, e më pas iu dha drita e gjelbër për integrimin në institucionet e Kosovës: në gjykata, në administratë, e madje edhe në polici (marrëveshja e vitit 2013). Shikuar nga perspektiva e ditëve të sotme, këto veprime dalin të kenë qenë edhe të rrezikshme edhe të gabuara.

Pse të gabuara?

Pikërisht këto veprime ia garantuan Serbisë praninë e saj, jo vetëm në kuptimin e ndikimit, në strukturat e shtetit të Kosovës. Veriu u la qëllimisht si një “tokë e shenjtë” në të cilën lulëzoi krimi i organizuar ku gjithnjë e më shumë u artikuluan parullat anti-republikës, si: «Kosova është zemra e Serbisë!».

Lista Serbe mbyti mendimin e lirë te ky komunitet, uzurpoi dhe kontrolloi çdo pore të jetës së qytetarëve atje, duke i verbuar ata me propagandë, dhe duke mos i lënë të integroheshin natyrshëm, përkundër ofertës së sinqertë që buronte nga Prishtina. 

Përmes këtyre mekanizmave Aleksandër Vuçiq forconte ngjyrat e portretit të tij prej shpëtimtari, duke ia zgjatur jetën vetes në skenën politike. Aleatët rusë, sikundër dëshmon edhe hezitimi i tij për t’iu vënë sanksione atyre edhe pas shpërthimit të luftës në Ukrainë, ishin një mbështetje tjetër e fortë. Andaj zgjidhja e çështjes së Kosovës, do të nënkuptonte humbje e kontrollit të veriut, që për Vuçiqin do të thoshte edhe humbje elektorale. 

Pyetja që duhet të shtrohet është pikërisht kjo, nëse agresiviteti i veprimeve të këtyre strukturave në veri të manifestuara së fundmi, ndërlidhet me ambiciet e Vuçiqit me një mandat të ri politik? Ende nuk e kemi të qartë! Afërmendsh, këto struktura sot kanë dalë jashtë kontrollit të tij. Ato po e nuhasin se çështja e Kosovës dhe veriut, është duke iu rrëshqitur duarsh dhe tashmë, edhe në këto kushte të krijuara, ajo ka pushuar së qeni “tokë e shenjtë” e krimit të organizuar.

Ndryshe nga ç’mendon Rudian Zekthi në artikullin: Raport mbi çështjen shqiptare; nuk është aq e thjeshtë dhe aq «kollaj e rregullueshme» as nga pikëpamja e logjikës së shëndoshë. Sepse së pari në tavolinën e bisedimeve janë përjashtuar “akrobacionet” e lojës me kufij dhe shkëmbim territoresh. Kjo, nga sa është thënë, mund të ketë një efekt zinxhiror në tërë Ballkanin Perëndimor, pra edhe e papranueshme edhe për shumë vende të Bashkimit Evropian; së dyti, sepse Qeverisë së Kosovës, përkatësisht instrumenteve të saj si Policia e Kosovës, nuk i është dhënë kurrë drita e gjelbër për t’i luftuar strukturat paralele, përkatësisht ato kriminale; së treti, duke qenë se Kosova nuk e ka ushtruar sovranitetin e saj të plotë në këtë pjesë të territorit, e penguar edhe nga instancat ndërkombëtare që sipas marrëveshjeve të mëhershme që datojnë nga ajo e Rambujesë (Rambouillet Agreement – 1999) e këndej, me 1244-shin, me KFOR-in dhe EULEX-in (dikur policinë e UNMIK-ut), mbajnë përgjegjësinë për sigurinë e kësaj pjese të territorit, e ndërsa me vetëdije kanë lejuar rritjen e aktiviteteve kriminale, aq sa viteve të fundit u bënë vështirë të kontrollueshme.

Ndoshta qëllimi i disa prej qarqeve të huaja ishte pikërisht ky: krijimi i një aseti të tillë destabilizues, krijimi i një Republika Srpska, jo vetëm sa për ta kontrolluar Kosovën e vogël, por edhe për të mos e lënë Ballkanin Perëndimor të marr frymë lirshëm.

Përndryshe, dhënia e dritës së gjelbër për Policinë e Kosovës, për të ndërhyrë me të gjitha kapacitetet, për t’i demilitarizuar këto struktura, do të nënkuptonte njohje de facto shtrirje e sovranitetit të Kosovës, në kufijtë aktual ekzistues. Për këtë arsye Lista Serbe, e përkrahur edhe nga Vuçiqi po e kërkon me ngulm krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, sepse do që këto struktura t’i instalojë në këtë instrument politik, për ta siguruar edhe më tej praninë e saj politike, kulturore e fizike. Prandaj, me të drejtë Kryeministri Kurti, bashkë me ata që do ta pasojnë atë në këtë rol, do të refuzojnë t’ua servojnë në tavolinën e bisedimeve kafenë pa filxhan”, duke e ndjekur rendin alogjik të zbatimit të marrëveshjeve, apo siç e ilustron togfjalëshi i kryeministrit «ta vëmë qerren para kalit».

Parë nga një tjetër perspektivë, çështja e veriut ka ngelur një gurë Sizifi jo vetëm mbi kurrizin e shqiptarëve të Kosovës, por edhe mbi atë të serbëve lokal. Largimi i kësaj barre do të mund të vinte në shprehje vetëm me vullnet ndërkombëtar, sepse ai vendor nuk mungon.

Ndaje