Qytetet e Kosovës dhe vërshimet e menjëhershme – flash flood

  • Zonat me potencial shumë të lartë për përmbytje janë zonat urbane krahasuar me zonat rurale. 
  • Bazuar në të dhëna, rezulton që qytetet me rrezikshmëri të lartë nga vërshimet e shpejta janë: Prishtina, Mitrovica, Peja, Gjakova e Prizreni.
  • Komunat duhet të jenë të kujdesshme në planifikimet urbane dhe zgjerimin e qytetit, i cili duhet të bëhet çdo herë konform kushteve topografike të hapësirës duke shikuar pjesën e rrjedhave ujore në afërsi, e nëse janë në afërsi përroska apo lumenjtë duhet që trajtimi i tyre të bëhet konform potencialit ujor që mund ta ketë një lum.

Termi përmbytje të menjëhershme apo të çastit është futur si definicion në shkencat hidrometeorologjike që nga viti 1889 me rastin e përmbytjes së krijuar nga shembja e një dige në qytetin Johnstown1 i cili gjendet në kuadër të shtetit të Pensilvanisë.

Përmbytjet e shpejta kanë në vete një numër të madh të faktorëve që mund t’i iniciojnë, por ajo që më së shpeshti vihet në pah apo është faktori themelor janë reshjet jashtëzakonisht të mëdha për një kohë të shkurtër. Shtuar kësaj edhe faktorët e tjerë që mund të shkaktojnë përmbytje të menjëhershme siç janë shpërthimi i digave. Në aspektin shkencor intensiteti i reshjeve, pastaj vendndodhja dhe shpërndarja e reshjeve, përdorimi i tokës dhe topografia, llojet e bimësisë/dendësia e tyre, lloji i tokës janë elemente që përcaktojnë se sa shpejtë mund të ndodh një vërshim i menjëhershëm dhe në cilat hapësira apo lokacione mund të ndodh.

Zona me potencial shumë të lartë janë zonat urbane apo qytete, të cilat priren ndaj përmbytjeve për periudha të shkurtra kohore. Në qytete reshjet (stuhitë) kanë potencial për të shkaktuar përmbytje të shpejta dhe më të rënda krahasuar me zonat rurale. Në zonat urbane shumica e territorit është e papërshkueshme nga uji, pra uji nuk arrin të depërtojë në tokë dhe bën që sasi të mëdha të ujit të përshkojnë sipërfaqen e tokës të cilat, kur arrijnë në pika të ngushta bëjnë që të grumbullohet sasi e madhe e ujit deri në masë që arrin t’i përmbysë zonat përreth.

Vërshimet e çastit janë shumë të rrezikshme dhe bëjnë që në shumicën e rasteve njerëzit të kapen në befasi. Këto situata bëhen të rrezikshme kur në zonat e caktuara njerëzit bllokohen nga sasia dhe lartësia e madhe e ujit. Mund të ndodh që si pasojë e këtyre vërshimeve shtëpitë, bizneset të bllokohen apo të shkaktohen dëme në pronë pa pasur mundësi që të merren masat preventive për pronën apo shtëpinë e tij/saj.

Në dekadën e fundit vërshimet e shpejta kanë shtuar frekuencën e paraqitjes së tyre, e kjo ka bërë që shkencëtarët të bëjnë lidhjen e tyre me ndryshimet klimatike të cilat janë fakt i pakontestueshëm se janë realitet i shekullit në të cilin po jetojmë. IPCC2 potencon faktin që ndryshimi i klimës ka ndikuar dukshëm që disa nga variablat lidhur me ujin të kontribuojnë në përmbytje të tilla. Me fjalë të tjera, rritja e temperaturave globale mund të mos shkaktojë përmbytje të drejtpërdrejta, por ajo i përkeqëson shumë nga faktorët potencial që mund të shkaktojnë këto vërshime.

Në kuadër të vërshimeve të shpejta me të cilat po përballen shumica e vendeve evropiane, as Republika e Kosovës nuk është imune ndaj këtij fenomeni. Qytetet e Kosovës në 3 vitet e fundit janë duke u përballur me vërshime të cilat përveç dëmeve materiale, fatkeqësisht kanë shkaktuar edhe humbje të jetëve njerëzore.

Nisur nga kjo, me datë 24 qershor 2023 pas reshjeve me intensitet të lartë në regjionin Perëndimor të Kosovës, konkretisht në qytetin e Pejës, shkaktohen vërshime të shpejta në disa zona urbane të këtij qyteti të cilat fatkeqësisht kanë rezultuar me humbjen e 2 jetëve njerëzore. Në këtë linjë me datë 19 janar 2023 si pasojë e reshjeve të vazhdueshme edhe qyteti i Skenderajt përballet me vërshime të tilla.

Shumica e zonave urbane janë duke u afektuar nga këto dukuri që po shkaktojnë dëme në sektor të ndryshëm të jetës njerëzore.

Nga analizat që janë realizuar nga ekspertë të GIS (Geography Information System) dhe hidrologë në Kosovë, janë nxjerrë zona me rrezikshmëri të madhe në kuadër të sistemeve lumore në Kosovë. Bazuar në këto të dhëna (harta), rezulton që qytetet me rrezikshmëri të lartë nga vërshimet e shpejta janë: Prishtina, Mitrovica, Peja, Gjakova e Prizreni. Me rrezikshmëri mesatare janë Skenderaji, Gjilani, Ferizaji, Klina, Lipjani etj. Në kuadër të sistemeve lumore më problematiku paraqitet sistemi lumor i Sitnicës, ku ky lum kalon në disa komuna si Lipjan, Fushë Kosovë, Vushtrri e Mitrovicë, pas tij vije sistemi lumor i Drinit të Bardhë dhe Moravës së Binçës me komunat si Pejë, Gjakovë, Gjilan, Viti.

Mund të përfundojmë që faktorët kryesor që sjellin deri tek vërshimet e menjëhershme në zonat urbane janë si më poshtë:

  1. Degradimi dhe dëmtimi i shtretërve lumor nga eksploatimi i rërës dhe zhavorrit.
  2. Hedhja e mbeturinave në kanale kulluese apo përroska.
  3. Infrastruktura nëntokësore kulluese e dobët në zonat urbane (bashkimi i kanalizimit fekal me atë atmosferik).
  4. Mbindërtimi i lidhjeve (urave) mes zonave rurale apo urbane (paraqesin rrezik për bllokim nga drunjtë apo mbeturinat).
  5. Mospastrimi i pusetave kulluese në zonat urbane etj.

Duke i vënë në pah faktorët dhe shkaqet që mund të dërgojnë në vërshime të menjëhershme në zonat urbane dhe jo vetëm, fokus i veçantë duhet të jetë që institucionet lokale dhe qendrore të jenë çdo herë në koordinim të plotë me institucionet paralajmëruese për vërshime e që në rastin tonë është Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës. Institucionet qendrore veçanërisht ministria e linjës së bashku me institucionet që veprojnë në raste të vërshimeve, duhet që t’i hartojnë sa më parë hartat e rrezikshmërisë potenciale përmes të cilave evidentohen zonat e sakta që rrezikojnë të përmbyten në zona urbane.

Komunat si institucione të dyta reaguese në rastet e tilla duhet të jenë të kujdesshme në planifikimet urbane dhe zgjerimin e qytetit, i cili duhet të bëhet çdo herë konform kushteve topografike të hapësirës dhe çdo zhvillimi në hapësirë t’i paraprihet me analiza konkrete duke shikuar pjesën e rrjedhave ujore në afërsi, e nëse janë në afërsi përroskat apo lumenjtë duhet që trajtimi i tyre të bëhet konform potencialit ujor që mund ta ketë një lum. Po ashtu duhet që komuna të insistojë që investimet apo ndërtimet e reja paraprakisht t’i detyrojnë ndërtimet e reja që infrastruktura nëntokësore fekale dhe atmosferike të jetë e ndarë dhe me madhësi konfrom hapësirës ku gjendet, e në të njëjtën kohë komuna si ofruese e shërbimeve të investojë në gypa më të gjerë të cilët kanë potencial të thithjes më të shpejtë të ujit gjatë reshjeve intensive. Në këtë kontekst komunat duhet të jenë vigjilente në pastrimin e zonave hotspot me rrezikshmëri përmbytjeje siç janë kanalet lumore që kalojnë në afërsi të zonave të banimit, pastaj largimi i mbeturinave nga zonat e rrjedhjes etj.

Qytetarët e zonave urbane dhe jo vetëm duhet që të jenë të kujdesshëm që të mos i ngushtojnë shtretërit e rrjedhave lumore, pasi me rregulla hidrologjike parashihet që një lum të përmbytë në intervale të caktuara kohore, si mesatare merret çdo 10, 15 apo 50 vite. Andaj sugjerim dhe rekomandim i vazhdueshëm është që edukimi mjedisor i shoqërive është i domosdoshëm në mënyrë që njeriu të përgatitet të përballet me pasojat e ndryshimeve që po ndodhin në mjedisin jetësor.

Duke synuar që përmes këtij shkrimi të përcjellim mesazhin që njeriu duhet të përgatitet për raste të tilla, po i potencojmë disa rregulla me rastin e vërshimeve të shpejta si: vlerësojeni rrezikun që prona juaj mund të përmbytet (mund të merren informata në komunën tuaj), nëse jeni në zonat që përmbyten përdoreni thasë me rërë, lopata, çizme pune, pastaj në rast vërshimeve telefononi agjencinë për menaxhim të emergjencave, faktor me rëndësi është po ashtu edhe monitorimi i motit, të shmanget dalja gjatë emergjencave të tilla, të testohet uji i pijes nëse furnizoheni nga puset, e po ashtu mos konsumoni ushqime që kanë rënë në kontakt me ujin e përmbytjeve dhe shumë me rëndësi është qëndrimi larg linjave elektrike të rrëzuara.

_________________________________

1 https://www.nwrfc.noaa.gov/floods/papers/Johnstown_flood.pdf.
2
Intergovernmental Panel on Climate Change (https://www.ipcc.ch/).

Ndaje