- Kufijtë mes privates dhe publikes pothuajse nuk ekzistojnë.
- Numri i fëmijëve “analfabetë funksionalë” (të cilët nuk mund të dallojnë, kuptojnë apo përdorin informacionin) është në rritje.
- Harroni naftën dhe diamantet… sasia e informacionit të mbledhur për lëvizjet e çdo individi, por edhe për gjendjen, shëndetin, shijen, opinionet e zakonet e tij, konsiderohen gjëja më e vlefshme në tregun botëror…
Qysh do të na quajë historia?
Fakti se jetojmë në kohë turbulencash është frazë e njohur që nuk ka nevojë ta fusim në thonjëza. Shumë prej historianëve, sociologëve, por edhe njerëzve të rëndomtë, janë të bindur se epoka jonë nuk është si ajo e shekujve të mëparshëm; kur po pësohen ndryshime në veçoritë, karakteristikat dhe në sistemin e vlerave… Sot nuk po ndryshon vetëm botëkuptimi ynë, vlerat, por edhe parimet themelore nëpërmjet të cilave e kuptojmë dhe e interpretojmë botën. Cilat janë ndryshimet kryesore?
Bota si fshat (një topos dominues i përdorur shumë shpesh në botën akademike dhe në media). Sot, një person mund të përjetojë të gjithë botën duke udhëtuar fizikisht ose virtualisht, duke qenë në kontakt me këdo dhe kudo. Kjo i ka edhe anët pozitive, (p.sh. vizitat e vazhdueshme të turistëve në vende të ndryshme), që u ofron njerëzve edhe një mundësi për tu larguar nga mënyra e të menduarit provincial e të bëhen shpirtërisht më të pasur e më tolerantë. A do ta arrijmë këtë nivel?
Jeta publike
Kufijtë mes privates dhe publikes pothuajse nuk ekzistojnë. Çdo gjë që bëni ose thoni, në çdo kohë mund të regjistrohet dhe t’i transmetohet botës me shpejtësinë e dritës. Privatësia bëhet e dukshme publikisht. Ku ta tërheqim linjën?
“Turma e vetmuar”. Teknologjia na ka lidhur me njerëz dhe vende të paarritshme, ndërsa paralel me këtë rritet asocializimi. I lëmë mënjanë njerëzit që jetojnë në videolojëra, dhe të përqendrohemi në një mënyrë jetese krejtësisht “të vetmuar”, ku pothuajse të gjitha nevojat mund të plotësohen “online”, ndërsa në të njëjtën kohë bëjmë një jetë të vetmuar në qendër të një aglomeracioni. Planet për “meta-jetën” e vizionarëve modernë e kthejnë filmin Matrix në diçka shumë reale. A do të jetë e vërtetë meta-lumturia?
Perandoria e informacionit
Asnjëherë në historinë e njerëzimit nuk ka pasur qasje kaq të madhe në informacione. Një njeri i arsyeshëm dhe i disiplinuar është i kënaqur. Ai mund të përdorë burime të mëdha njohurish për zhvillimin e tij dhe për të hulumtuar botën. Në të njëjtën kohë, numri i fëmijëve “analfabetë funksionalë” (të cilët nuk mund të dallojnë, kuptojnë apo përdorin informacionin) është në rritje dhe këtë e dëshmojnë institucionet përkatëse. Pse do t’u duhej fare gjithë ky informacion? Le të shtojmë internetin, atë shumëfishues të pabesueshëm të së mirës dhe së keqes, që ka kontribuar në masë të madhe në minimin pothuajse të plotë të autoritetit (opinionet e YouTuberëve të njohur vlerësohen më shumë se ato të fituesve të çmimit Nobel, sepse “pëlqimet” janë bërë kriteri më i rëndësishëm). Është një paradoks tjetër interesant dhe një kohë të gjatë e bluaj në kokë. Gjetja e informacionit të vlefshëm dhe të dobishëm është bërë po aq e vështirë si në kohën e regjimeve totalitare.
Vëzhguesi nën vëzhgim
Sot, si kurrë më parë, ne mund të monitorojmë dhe kontrollojmë rrahjet e zemrës, numrin e hapave, sasinë e sheqerit në gjak… Por në të njëjtën kohë jemi edhe të vëzhguar. Të gjitha aspektet e jetës njerëzore janë nën mbikëqyrje të paprecedentë dhe e gjithë kjo “në kohë reale”. Sasia e informacionit të mbledhur jo vetëm për lëvizjet e çdo individi, por edhe për gjendjen, shëndetin, shijen, opinionet, e zakonet e tij, janë befasuese dhe nuk është rastësi që aktualisht konsiderohet gjëja më e vlefshme në tregun botëror… harroni naftën dhe diamantet!
Deri më tani nuk duket gjë e keqe që mbledhësit e informacionit na tregojnë e imponojnë vetëm disa blerje, sjellje, preferenca, opinione… A thash “vetëm”?
Teknologjia është aq e avancuar sa lind problemi i dallimit midis një kopjeje dhe një origjinali. Nga fotografitë e deri te paratë, një zë njeriu dhe një fytyrë në një video… çdo gjë mund të falsifikohet pa e ditur fare! Duket se përpara nesh është një rishqyrtim i madh; çfarë të besosh dhe çfarë të mos besosh? Të urtët thonë se bota materiale është vetëm një iluzion ose mashtrim, atëherë, pse i ndajmë gjërat në kopje dhe në origjinal? Një iluzion dhe një mashtrim mbetet iluzion dhe mashtrim, apo jo?
Teknologjia e mençur
Nuk mund të jemi kundër teknikës dhe teknologjisë si të tillë, por duhet ta lidhim me zhvillimin njerëzor. Deri tash, përvoja po dëshmon se njeriut të pajisur me teknologji po i rritet pafundësisht mundësia për t’ia imponuar vullnetin e tij të tjerëve, apo jo? Me siguri do të mbetemi në kujtesë si “ata që kanë bërë transplantime zemrash dhe kanë hipur në Hënë”, që është gjithashtu diçka e paprecedentë! Por a është e mundur të vendoset një kufi i arsyeshëm, ku mund të themi se më shumë se kaq nuk është e dëshirueshme? A duam ta shikojmë nga një këndvështrim më të saktë: Çfarë ndodh me imagjinatën njerëzore nëse më shumë shikojmë video të ndryshme, e fare pak lexohen libra? Si është gjendja e mbamendjes sonë në një situatë ku mund të regjistrojmë e fotografojmë çdo gjë me celularin tonë? Si është gjendja e shëndetit tonë pasi përdorim ashensorë dhe makina? Çfarë duam të zhvillojmë? Çfarë do të ngrihet në piedestal? Cilësitë e brendshme të njeriut, ndërgjegjja, përqendrimi, kujtesa, vullneti, imagjinata dhe vlerat morale? Apo do të zëvendësohen me mjete të jashtme?
A është mirë të nxitohet me zhvillimin e “inteligjencës artificiale” kur zhvillimi i inteligjencës natyrore te shumica e njerëzve nuk ka arritur as gjysmën e kapacitetit të saj?
Kur teknologjia del nga kontrolli, atëherë jetojmë ditët “joshëse” të sipërfaqësores dhe krijimit të nevojave iluzionare.
“Përmirësimi i natyrës”
Ne jemi ndoshta të parët në histori që përpiqemi të “korrigjojmë” ligjin natyror e hyjnor të polaritetit mashkull-femër. A do të bëhet ky, modeli mbizotërues? Dhe nëse po, si do t’i përgjigjet natyra? Ne e dimë faktin që ndoshta e dinë (thënë me kusht) edhe zogjtë në mal, se natyra nuk të shpërblen, e as nuk të dënon, në natyrë ka vetëm pasoja. Kuptohet, pasojat e veprimeve tona ndihen më vonë, por “jo shumë vonë”.
Për në fund…
Nuk e di se si do të quhet kjo epoka jonë në të ardhmen, por do të doja të mbaheshim mend kështu:
Ata që u nisën drejt galaktikave, por edhe kuptuan se ka një botë shpirtërore që është shumë më e rëndësishme.
Ata që bënë e u krenuan me zbulime epokale, por në një moment e kuptuan se njeriu duhet të jetë i fortë nga brenda, e jo vetëm nga jashtë, ndaj e nënshtruan teknologjinë si një shërbëtore të dobishme për të mbetur të lirë. Ata që e kthyen planetin në një fshat të madh, dhe pasi kishin shijuar helmin e shfrytëzimit e racizmit, preferuan respektimin e të ndryshmëve mbi pseudo-bashkimin e rremë dhe ndarjet e imponuara.
A do të jetë kështu?
Varet… varet prej meje dhe prej teje.