Pyjet e Kosovës në mes të degradimit dhe nevojës për ngrohje

  • Prej analizës së kryer nga Agjencia Pyjore e Kosovës, është evidentuar që në baza vjetore priten afro 1.6 milion metër/kub pyje, dhe nga kjo shifër vetëm 7% është në përputhje me legjislacionin pyjor.
  • Prej analizës nga imazhet satelitore të Landsat 8&9 dhe Sentinel 2, rezulton që Kosova në dy dekadat e fundit është duke humbur pyje në trendët jashtëzakonisht shqetësuese.
  • Format e prerjes janë aq të dëmshme saqë mundësia e rigjenerimit të hapësirave të tilla në aspektin natyror do të merrte shumë kohë, aq sa do të duheshin 2 apo 3 gjenerata të kalojnë që pyjet të rigjenerohen.
  • Shteti i Kosovës vite më parë mori vendim për ndalimin e përdorimit të thëngjillit, proces ky që shkaktoi dhe rritjen e kërkesës për dru për ngrohje.

Pyjet janë sipërfaqe toke të dominuara nga bimësia e lartë (pemë). Në botë ekzistojnë qindra definicione që mundohen të përkufizojnë termin “pyje”, e që këto definicione në bazën etimologjike përdorin faktorë të ndryshëm gjatë përkufizimit si dendësia e pemëve, lartësia e tyre, përdorimi i tokës, statusi ligjor dhe funksioni ekologjik. Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Bujqësi (FAO) e përkufizon pyllin si “Tokë që përfshinë më shumë se 0.5 hektar me pemë më të larta se 5 metra”. Në fjalorët internacional siç është Britanica, pyjet paraqesin një sistem kompleks ekologjik në të cilin pemët janë forma mbizotëruese jetësore. Pylli është sistemi më efikas i natyrës, i cili ka një shkallë të lartë të zhvillimit të procesit të fotosintezës, proces ky që i prek sistemet jetësore të bimëve dhe kafshëve të cilët janë në marrëdhënie organike komplekse. Pyjet mund të zhvillohen në kushte të ndryshme, varësisht nga lloji i tokës dhe kushtet klimatike në një hapësirë të caktuar.

Republika e Kosovës gjendet në Evropë, në Gadishullin Ballkanik. Kjo hapësirë në terminologjinë e gjeografisë regjionale njihet si Evropa Juglindore, apo edhe si Ballkani Perëndimor. Kosova si hapësirë gjeografike është vend kontinental pasi që nuk ka lidhje direkte me dete. Në aspektin relievor, Kosova në pjesët periferike të saj kufizohet me male si Bjeshkët e Nemuna në perëndim, Malet e Sharrit dhe Karadaku në jug dhe juglindje, Malet Lindore të Kosovës në lindje dhe Kopaoniku dhe Rogozna në veri. Ndërsa në pjesën qendrore të saj, pra ndarja mes Fushës së Kosovës dhe Rrafshit të Dukagjinit, gjenden “Malet Qendrore të Kosovës” si; Malet e Jezercit, Malet e  Nerodimes, Malet e Drenicës, Çyçavica etj.

Bazuar në të dhënat zyrtare të Agjencisë Pyjore të Kosovës, në kuadër të Kosovës gjenden afro 481 mijë hektar pyje apo 44.7% e territor të Kosovës. Nga totali i kësaj sipërfaqe 38% e saj është në pronësi private dhe 62% në pronësi publike. Nga analiza e kryer nga Agjencia Pyjore e Kosovës, është evidentuar që në baza vjetore priten afro 1.6 milion metër/kub pyje, dhe nga kjo shifër vetëm 7% është në përputhje me legjislacionin pyjor.

Pyjet e Kosovës çdo ditë e më shumë janë në rrezik degradimi, shkatërrimi apo nxjerrje nga funksioni primar i tyre, proces që realizohet në forma të ndryshme e secili nga këto procese rezultat final ka shkatërrimin e pyjeve. Nga analiza që është bërë duke përdorur imazhet satelitore të Landsat 8&9 e po ashtu satelitit evropian Sentinel 2, rezulton që Kosova në dy dekadat e fundit është duke humbur pyje në trendët jashtëzakonisht shqetësuese. Në krahasim me vendet e rajonit, Kosova është disi më mirë, por kur krahasohet me sipërfaqen e vendit me afro 11 mijë kilometra katror, evidentohet që brenda një viti kalendarik humben afro 654 hektar pyje në forma të ndryshme.

Degradimi i pyjeve të Kosovës është duke ndodhur në nivele dhe forma të ndryshme. Ajo që është më e pranishme dhe më e egra në këtë aspekt mbetet prerja ilegale e pyjeve, prerje e cila me mbi 90% të rasteve ndodh në forma nga më të egra. Këto forma të prerjes janë aq të dëmshme saqë mundësia e rigjenerimit të hapësirave të tilla në aspektin natyror do të merrte shumë kohë, aq sa do të duheshin 2 apo 3 gjenerata të kalojnë në mënyrë që ajo hapësirë pyjore të kthehet në gjendje së paku minimale në aspektin pyjor. Ajo që është shumë shqetësuese mbetet fakti që druri për të arritur pjekurin në të cilën fazë bëhet edhe sekuestrimi i karbonit, i cili proces është shumë i rëndësishëm për mjedisin ku jetojmë, pasi dihet që shumica e vendbanimeve në përgjithësi, e me theks të veçantë zonat urbane përballen me ndotje të ajrit.

Nga analizat që i janë bërë Kosovës në kontekstin gjeohapësinor, është konstatuar me të dhëna shumë të sakta që pjesa dërrmuese e pyjeve kanë pasur apo kanë aktivitet të shtuar në kuadër të prerjeve. Vlen të përmenden zonat kufitare të Kosovës dhe Serbisë, të cilat zona ndryshe njihen edhe si “hotspot” mjedisor. Këto zona kanë shkallë të lartë të degradimit të pyjeve, e në këtë linjë mendojmë që faktori kryesor që ka nivele të tilla degradimi është mos prezenca e organeve monitoruese dhe parandaluese të dëmtimit të pyjeve siç janë rojet e pyjeve dhe policia, meqë këto zona përgjatë brezit kufitar janë kryesisht më të qasshme për prerësit ilegal pasi prezenca policore është më e kufizuar për shkaqe që tashmë i njohim, pra shkaqet politike dhe ushtarake (KFOR-i). Ndër zonat që vlen t`i veçojmë janë: Karadaku i Shkupit (Viti), Malet e Gollakut (Kamenicë, Novobërd), Mokna (Istog) etj.

Nga ajo që është prezantuar më lartë, konstatohet që është shqetësues niveli i shpyllëzimit në Kosovë, por asnjëherë nuk janë marrë hapat e duhur që ky proces të shikohet në thelbin e tij, a thua pse qytetari i Kosovës përdor drurin si lëndë të parë për ngrohje, pse shteti ka dështuar në krijimin e një mekanizmi mbrojtës të pyjeve duke e ditur dhe rëndësinë që ato kanë për shoqërinë, e po ashtu pse shteti nuk ka ofruar alternativ për popullsinë që ajo në vend të drurit si lëndë të parë për ngrohje ta zëvendësojë me diçka tjetër që është miqësore me mjedisin ku jeton.

Shteti i Kosovës vitet më parë mori vendim për ndalimin e përdorimit të thëngjillit, proces ky që shkaktoi dhe rritjen e kërkesës për dru për ngrohje. Ky fakt i vuri pyjet në rrezik edhe më të madh sesa që ishin më parë. 

Në kohën që po flasim, pyjet dhe mjedisi pyjor kanë krijuar një dilemë të madhe në qarqe të ndryshme, mes asaj se a duhet të shfrytëzohen resurset pyjore në vendin tonë për ngrohje pasi shteti ynë ende nuk ka strategji të qartë për kalimin e ekonomive familjare nga ngrohja me dru në forma të tjera që janë të qëndrueshme për mjedisin. Tani vërehet që institucionet janë duke krijuar mekanizma të qëndrueshëm për furnizim me energji dhe kjo mendohet që të jetë një faktorë me rëndësi në kalimin nga ngrohja me dru në formën përmes energjisë së pastër të krijuar nga parqet solare dhe ato të erës në vendin tonë. Sfidë dhe nevojë imediate mbetet angazhimi i institucioneve edukuese e arsimore për futjen në kurrikulat shkollore të lëndëve që kanë për qëllim avokimin dhe ngritjen e vetëdijes nacionale për mjedisin në përgjithësi, e me theks të veçantë pyjet e Kosovës.

Ndaje