Pse Rusia e do Ukrainën të pushtuar: Mitizimi historik dhe projektimi gjeopolitik

  • Ukraina në mitizmin dhe vetëdijen kolektive ruse është vatër e rusizmit.
  • Kievi dhe Ukraina kanë qenë historikisht qendra të ndikimit dhe politikës ruse.
  • Për Rusinë territori është më i rëndësishëm se ekonomia, dhe Ukraina është qendër e tokës – zemër e Rusisë. 
  • Pushtimi i Ukrainës është edhe luftë kundër shtrirjes së ndikimit të “Perëndimit atlanticist”. 
  • Mentaliteti i njëjtë ekspansionist mbizotëron edhe në Serbi. 

24 shkurt 2022. Pakkush kishte pritur që agimi i kësaj dite/date do të çelte me krizën më të madhe ndërshtetërore pas Luftës së Dytë Botërore, luftën mes Ukrainës dhe Rusisë. Përkundër kërcënimeve me sanksione të rënda ekonomike nga shumë shtete, Federata Ruse, si trashëgimtare e ish-Perandorisë Cariste dhe ish-Bashkimit Sovjetik, veçse kishte hyrë në territorin e shtetit fqinj perëndimor. Përveç kësaj, kjo ndërhyrje shënon edhe konfliktin më të madh në kufijtë e Bashkimit Evropian, i cili vazhdon të jetë prej regjioneve më stabile dhe paqësore në botë. Secili që e shikon këtë situatë do ta shtronte natyrshëm pyetjen si vijon: Pse Rusia, një ekonomi veçse e dëmtuar nga luftërat dhe sanksionet në vitet e fundit, pavarësisht kërcënimeve të mëtutjeshme që rrezikojnë t’ia përmbysin ekonominë, është e vendosur ta pushtojë Ukrainën me një pushtim klasik, i cili bartë edhe kosto të lartë financiare? Sigurisht që përgjigja në këtë pyetje është shumë më komplekse sesa mund të duket në shikim të parë dhe përgjigjet mund të jenë të shumta. Ky shkrim do ta analizojë çështjen e shtruar në aspektin e vetëdijes kolektive mbi historinë dhe projektimet gjeopolitike të së ardhmes së Rusisë, bazuar në konstruktin rus.

Shikuar nga një perspektivë historike, territori i Ukrainës së sotme për Rusinë paraqet shtetin e parë me origjinë ruse. Bëhet fjalë për Principatën e Kievit (shek. 9 -13), që më vonë do të bëhet bazë për identitetin kombëtar rus dhe ukrainas, respektivisht gur themeltar i kombit dhe shtetit rus. Ndonëse qendra e ish-Perandorisë Cariste do të bëhej Shën Petersburgu dhe qendra e Bashkimit Sovjetik do të bëhej Moska, Kievi për rusët vazhdon të mbetet kryeqyteti emocional i vendlindjes së rusizmit, i cili në thelb është një simbiozë e komponentëve etnike sllave dhe fetare ortodokse. Këtë rëndësi të Kievit si qendër e ilustron edhe një postim i 22 shkurtit në Facebook i Ambasadës së ShBA-ve në Kiev, ku paraqiten në njërën anë monumentet historike mesjetare në Kiev dhe pyjet në Moskë, duke aluduar që Kievi ishte qendër civilizimi kur Moska ishte një me natyrën. Edhe gjatë Luftës së Parë Botërore dhe Revolucionit të Tetorit më 1917, ndryshe nga pjesët e tjera periferike të Perandorisë Cariste të cilat ardhjen e Leninit në pushtet e konsideronin vetëm si ndërrim të carit, Kievi bashkë me Moskën dhe Shën Petersburgun ishin vatra të revoltës anti-monarkiste. 

Për më tepër, ukrainasit ndonëse e imagjinojnë komunitetin e tyre kombëtar si të ndarë prej çdo kombi tjetër, sidomos prej rusëve, gjuha e përafërt, prejardhja sllave dhe feja ortodokse në syrin e rusëve i bënë ata jo shumë të ndryshëm, së paku prej perspektivës ruse. Në këtë kontekst, Presidenti Putin vazhdon të theksojë se Ukraina është “Rusia e Vogël”. Këto deklarime janë edhe për shkak të faktit se 1/3 e popullsisë në Ukrainë është ruse, derisa pjesa e popullatës (sidomos në perëndim dhe veri) të këtij shteti preferon rusishten si gjuhë komunikimi. Pra, janë faktorë të rëndësishëm me origjinë historike dhe identitare që e bëjnë Ukrainën të rëndësishme për Rusinë dhe rusët. 

Gjeopolitikisht Ukraina për Rusinë është një territor në sferën tradicionale të ndikimit. Përveç që ka vazhdimësi territoriale, sipas teoricienit kontrovers me ndikim në Moskë, Alexander Dugin, projektimi strategjik i Rusisë për të ardhmen është i mbështetur në historinë e Rusisë si perandori Euroaziatike. Dugin, i cili është njohës i mirë i teorive klasike të gjeopolitikës dhe ideator i aneksimit të Krimesë, qysh nga viti 2014 thekson bindshëm që lufta mes Ukrainës dhe Rusisë është e paevitueshme dhe se fati përfundimtar i Ukrainës është Rusia. Mbështetur në teoritë klasike të gjeopolitikës, për Dugin-in, i cili del në pah si një intelektual me ndikim në qarqet politike dhe ushtarake ruse në periudhën post-sovjetike, territori është më i rëndësishëm sesa ekonomia. Në këtë kuadër, Dugin thekson që kundër unipolaritetit atlantik në krye me ShBA-në, një Euroazi e fort, në krye me Rusinë do të ishte përgjigjja e duhur. Duke u bazuar në studimet e gjeopolitikologut McKinder, dhe postulatin e tij të famshëm “Kush sundon Evropën Lindore sundon tokën-zemër (heartland); Kush sundon tokën-zemër sundon ishullin botëror; Kush sundon ishullin botëror sundon botën.”, shtrirja e hegjemonisë ruse në Evropën Lindore, e sidomos në Ukrainë, është jetike për rikthimin e Rusisë si lidere e Euroazisë. Duke theksuar që “Ukraina si një shtet i pavarur me ambicie të caktuara territoriale, përfaqëson një rrezik të madh për të gjithë Euroazinë”. Dugin është herët i zëshëm që nuk ka zgjidhje tjetër përveç aneksimit të Ukrainës. 

Sigurisht që në analizën e pushtimit të Ukrainës nga Rusia, mund të përfshihen në mori faktorësh të cilët në mënyrë të vetëdijshme janë lënë jashtë këtij shkrimi. Megjithatë, në vetëdijen kolektive të rusëve mbi historinë, përkundër vullnetit sovran të popullit ukrainas, Ukraina simbolizon deri në mitizim vatrën e parë të rusizmit, lavdinë mesjetare dhe humbja e saj simbolizon krenarinë e gërryer perandorake dhe mundjen zhgënjyese sovjetike. Gjithashtu, në projektimet gjeopolitike, Ukraina për Rusinë paraqet një pjesë të rëndësishme të tokës-zemër, përballje kundër “atlanticizmit” dhe ndaljen e kërcënimeve kundër sigurisë kombëtare të Rusisë. Kur kemi parasysh që mentalitet i tillë mbizotëron në mendjen e politikës, akademisë dhe fesë edhe në Serbi, gjithmonë duhet të ruhet në një qoshe të mendjes që një potencial lufte, sado i fshehur dhe i pazbatueshëm tani për tani, qëndron edhe te fqinji ynë ballkanas. 

Ndaje