Problemet në Projektligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Liritë Fetare

  • Ligji për Liritë Fetare në Kosovë do të plotësohet dhe ndryshohet ashtu që përbërja dhe numri i Bashkësive Fetare do të ndryshojë.
  • Me kushtet e reja të vendosura do mundësohet/lehtësohet paraqitja e fraksioneve fetare të ndërtuara mbi ideologji të rrezikshme fetare. 
  • Projektligji konsiderohet të jetë i pamjaftueshëm në realizimin e duhur të jetës dhe organizimin fetar në vend. Si i tillë i njëjti do duhet të ndryshohet dhe plotësohet.

“Liria e besimit është më e patjetërsueshmja dhe më e shenjta e të gjithë të drejtave të njeriut.” – Thomas Jefferson

Liria e besimit është njëra nga liritë themelore të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, përkatësisht nenin 38 të saj. Një e drejtë e tillë, është garantuar edhe me nenin 9 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, së bashku me lirinë e ndërgjegjes dhe lirinë e mendimit. Kjo e drejtë garantohet edhe me një mori aktesh tjera vendore e ndërkombëtare. 

Legjislacioni ynë përcakton se çdo person është i lirë të pranojë dhe manifestojë fenë. Përveç kësaj, çdo person ka të drejtë të shfaqë bindjet personale, si dhe të pranojë ose të refuzojë anëtarësimin në një bashkësi fetare. E drejta e anëtarësimit derivon nga liria e fesë dhe mbetet universale dhe diskrecionale për çdo individ.  

Në Kosovë, liria fetare në mënyrë më të detajuar rregullohet me Ligjin nr. 02/L-31 për Lirinë Fetare në Kosovë. Ky ligj është në fuqi që nga viti 2007, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin Nr. 04/L-115 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjeve që kanë të bëjnë me përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare të Pavarësisë së Kosovës. 

Ligji bazik, pritet që së shpejti të plotësohet dhe ndryshohet me Projektligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 02/L-32, të miratuar me 25 janar 2023 nga kabineti qeveritar, duke u proceduar tutje për në hapat e tjerë legjislativ. Projektligji do të sjellë risi të cilat ndikojnë në përbërjen e numrit të bashkësive fetare, regjistrimin, njohjen e statusit, çregjistrimin dhe shuarjen e tyre. Me këtë ligj do të konstituohen procedura dhe institucione të reja.  

Sipas ligjit aktual, janë të njohura këto bashkësi fetare: Bashkësia Islame e Kosovës, Kisha Ortodokse Serbe, Kisha Katolike, Bashkësia e Besimit Hebre, dhe Kisha Evangjeliste (Kisha Protestante Ungjillore e Kosovës). Me ndryshimin dhe plotësimin e këtij ligji, në cilësinë e bashkësive fetare do të njihen edhe Bashkësia e Tarikateve të Kosovës dhe Komuniteti Bektashian i Kosovës, duke u rritur kështu numri i bashkësive fetare në shtatë (7). 

Edhe me plotësimin dhe ndryshimin që parashihet t’i bëhet këtij ligji, ende nuk ka ndonjë bashkësi fetare ortodokse në të cilën do mund të anëtarësoheshin shqiptarët e besimit ortodoks. Kisha Ortodokse Serbe vazhdon të mbetet ekskluzivitet vetëm për serbët ortodoksë, kjo për shkak të mënyrës se si është e organizuar dhe strukturuar kjo bashkësi fetare etnike. Mos ekzistenca e një bashkësie fetare për shqiptarët e besimit ortodoks ka mundësuar dhe lehtësuar përvetësimin e padrejtë të kulteve ortodokse kosovare nga Kisha Ortodokse Serbe. Edhe pse ka dëshmi dhe fakte historiografike që dëshmojnë ndërtimin e objekteve ortodokse nga shqiptarët, një numër i madh i objekteve ortodokse kanë mbetur nën pronësinë dhe administrimin e Kishës Ortodokse Serbe. Përcaktim etnik tjetër ka edhe Bashkësia e Besimit Hebre. Hebrenjtë në të vërtetë janë popull, ndërsa besimi i tyre quhet judaizëm.  

Paqartësia e termave shfaqet edhe te termet Kisha Katolike. Ky është nocion i gjerë dhe si i tillë shfaq konfuzion dhe lë hapësirë të gjerë për interpretim. Ligjvënësi do të duhej të specifikonte se cilës Kishë i referohet në projektligj, pasi që ka një numër të larmishëm të Kishave Katolike. Përdorimi i saktë gjuhësor do duhej të ishte Kisha Katolike – Ipeshkvia e Kosovës. 

Sipas projektligjit, bashkësitë fetare do të kenë statusin e personit juridik, duke fituar kështu zotësinë për të ushtruar të drejtat dhe obligimet e tyre, që lidhen me statusin juridik të entitetit, të tilla si e drejta e zotërimit ose marrja me qira e pronës, mbajtja e llogarive bankare, punësimi i punëtorëve, sigurimi i mbrojtjes ligjore të komunitetit; anëtarëve dhe pasurive të tyre, të drejtën e themelimit të institucioneve të ndryshme brenda bashkësive me karakter humanitar, fetar, edukativ, arsimor apo karakter të ngjashëm.

Statusi i personit juridik bashkësive fetare të lartcekura do t’u pranohet ex lege – sipas ligjit, dhe bashkësitë do të pajisen me certifikatat e tyre të regjistrimit. Grupet e tjera të cilat dëshirojnë t’u njihet statusi i bashkësive fetare, duhet të regjistrohen sipas procedurave të përcaktuara me këtë projektligj dhe aktet e tjera të cilat do të nxirren më tutje. 

Bashkësitë të cilat do të dëshirojnë të regjistrohen, do të duhet të paraqesin kërkesën për regjistrim, emrin e një përfaqësuesi të autorizuar për arsye të kontaktimit të tij me autoritetet publike, qëllimet dhe aktivitetet e bashkësisë fetare, parimet bazë të besimit të asaj bashkësie, pasurinë që posedojnë dhe qëllimin e përdorimit të saj. 

Përveç këtyre kushteve, një bashkësi do të duhet të ketë të paktën njëqind (100) anëtarë, shtetas të moshës madhore të RKS-së. Fakt ky që lë hapur mundësinë e paraqitjes së fraksioneve të ndryshme fetare. Kjo mundësi (lehtësi) do të mund të shfrytëzohet nga fraksione me ndikim, të ndërtuara mbi ideologji fetare të rrezikshme, e që shpeshherë dinë të jenë kërcënuese për sigurinë dhe rendin publik. 

Rrjedhimisht, nëse ndonjë bashkësi fetare (anëtarët e saj) në emër të lirisë së fesë do të kryejë/jnë veprime të cilat janë në kundërshtim me sigurinë dhe rendin publik, shteti do të mbetet i detyruar të kufizojë lirinë e fesë me ligj, ashtu siç përcaktohet edhe me paragrafin 4 të nenit 38 të Kushtetutës. Për të shmangur një “eskalim” të tillë të situatës, shteti duhet të caktojë kritere më rigoroze për regjistrimin e bashkësive fetare, duke filluar që nga rritja e numrit të kërkuar të anëtarëve. Me qëllim të rregullimit të procedurës për regjistrimin, çregjistrimin dhe shuarjen e bashkësive fetare, Qeveria do të nxjerrë akte nënligjore.

Nga risitë e tjera të krijuara me këtë ligj, do të jenë edhe themelimi i Komisionit për Regjistrimin e Bashkësive të Reja Fetare dhe Zyrës / Njësisë përkatëse për Bashkësitë Fetare. Këto dy institucione, ndër të tjera do të kujdesen për zbatimin e këtij ligji, themelimin, regjistrimin, çregjistrimin, shuarjen, mbajtjen e evidencës për Bashkësitë Fetare, zhvillimin e dialogut ndërfetar, etj. Komisioni do të përbëhet nga 7 anëtarë të zgjedhur ad-hoc. Procedura e përzgjedhjes së këtyre anëtarëve nuk është rregulluar ende. 

Projektligji do të përcaktojë raporte të ndërsjella në mes të bashkësive fetare dhe qeverisë. Sipas projektligjit, përmes ofertave vjetore, Qeveria mund të ftojë bashkësitë fetare për marrjen e fondeve që kanë të bëjnë me mirëmbajtjen e monumenteve kulturore që janë në pronësi të bashkësive fetare. Raporti tjetër shtet – bashkësi do të shtrihet edhe në raportimin financiar që do të bëjnë bashkësitë fetare. 

Sipas projektligjit, të gjitha bashkësitë fetare do të jenë të obliguara që deri me datën 31 mars të vitit pasardhës, të dërgojnë pasqyrat financiare të audituara për vitin paraprak te Zyra Përkatëse për Bashkësitë Fetare. 

Sa për fund, ky projektligj është me plot vërejtje dhe i pamjaftueshëm dhe si rezultat; në periudha të afërta duhet të ndryshohet dhe të plotësohet përsëri! 

Zgjidhja më e mirë, do të ishte një ligj përmbledhës, përmbajtjesor, rigoroz, dhe i përpiluar në bashkëpunim me profesionistë nga Bashkësitë Fetare dhe njohës tjerë të organizimit të jetës fetare në Kosovë. Roli i Bashkësive Fetare në nxjerrjen e akteve të cilat rregullojnë jetën dhe lirinë fetare është i pazëvendësueshëm dhe si i tillë nuk duhet neglizhuar. Përvoja e analizuar dhe studimet profesionale të realizuara, do të duhej të ishin dy shtyllat mbështetëse të këtij projektligji. 

Ndaje