- Me faktin që politika e shihte individin si funksion të një procesi socio-ekonomik, fokusi mbi problemet morale dhe ekzistenciale të individit mund të zhvilloheshin vetëm në kontekst të xhirimit të filmave që formalisht e hulumtonin procesin socio-ekonomik e historik.
- Historiografia shpeshherë shërben si hulumtuese e pajtimit moral të individit përkundër asaj që përjetohet si rrjedhë shkatërruese e armiqësore e historisë. Në këtë kontekst, hulumtimet reale historike, por edhe ato me ngjyrime fiktive, janë shumë ndikuese në formësimin e diskursit intelektual dhe qëndrimeve për një periudhë të caktuar historike.
- Ngjarjet drithëruese në historinë e Kosovës, por edhe në tërë rajonin ballkanik, janë shumë të përshtatura për trajtim kinematografik, sepse këto tema kërkojnë edhe hyrjen në dilemat e thella morale. Dëshmitë personale shpeshherë janë zëvendësim për dëshmitë kolektive e publike.
“Analiza e filmit vazhdimisht imiton, evokon, përshkruan: kjo është e vetmja që mundet, përmes një dëshpërimi principiel, me krejt forcën përpiqet të garojë me lëndën që mëton ta njohë. Në fund, pas përpjekjeve për ta njohur dhe rinjohur nga fillimi, shndërrohet në vend të mosnjohjes së vazhdueshme. Analiza e filmit vazhdimisht e përmbush filmin, e që e njëjta vazhdimisht i ikë prej dore: kjo është punë Sizifi par excellence”. Rejmon Belur.
Temat historike kohë të gjatë janë në qendër të vëmendjes tek shumë regjisorë të rinj e të vjetër. Filmat me këtë tematikë i vizualizojnë narracionet historike që sundojnë bashkë me imagjinatën e çdo populli, kështu, këto tema ndihmuan në konsolidimin e “bashkësisë imagjinare” (Andersen 1983). Filmat historik luajtën edhe një funksion të rëndësishëm, siguruan hapësirë për diskursin që i kushtohet problemeve morale.
Me faktin që politika e shihte individin si funksion të një procesi socio-ekonomik, fokusi mbi problemet morale dhe ekzistenciale të individit mund të zhvilloheshin vetëm në kontekst të xhirimit të filmave që formalisht e hulumtonin procesin socio-ekonomik e historik. Kështu që, është me rëndësi të theksohet se shumë filma që kategorizohen si zhanër historik, gjithashtu mund të shpjegohen edhe si filma ekzistencial.
Historiani i filmit Robert Rozenstoun veçon dy qasje kryesore për të cilat pohon se e karakterizojnë filmin historik si korrigjues të “historisë së vërtetë” (1995:6). Qasja e parë, sipas tij është “eksplicite”, e cila udhëhiqet nga çështjet konkrete sociale e politike dhe probleme të kohës në të cilën është xhiruar filmi (këtu bëjnë pjesë shumë filma të “realizmit socialist”). Qasja e dytë, sipas R. Rozenstoun është “implicite”, ku teksti kinematografik vlerësohet me kritere historike të periudhës së mëvonshme. Në kontekstin e këtij dyzimi, duhet të theksohet se shumë nga filmat “historik” për të cilat bëjmë fjalë, janë xhiruar duke marrë parasysh historinë e vërtetë.
Shpeshherë, episodi historik që e përbën rrëfimin, shërben si prapavijë e shqyrtimit të problemeve universale të fushës së etikës dhe estetikës, bie fjala, filmi i regjisores Blerta Basholli me titullin “Zgjoi”. Edhe këtë film patëm rastin ta shohim në Kinotekën e Maqedonisë dhe pati interes të madh si te publiku shqiptar vendas, po ashtu edhe te publiku maqedonas.
Pa harruar edhe filmat “Tri dritare dhe një varje” të regjisorit Isa Qosja; Filmi “Heroi” i regjisorit Luan Kryeziu; Filmi “Shtëpi e ëmbla shtëpi” i regjisorit Faton Bajraktari, po ashtu edhe filmat “Babai” i regjisorit Visar Morina dhe “Eho” i regjisorit Dren Zherka. Këta filma u shfaqën edhe në Republikën e Maqedonisë së Veriut me rastin e Javës së filmit të Kosovës, në dhjetor të vitit 2018. Java e Filmit të Kosovës u realizua në bashkëpunim me Kinotekën e Maqedonisë së Veriut dhe Kosovafilmin.
***
Në këtë rast, historiografia shpeshherë shërben si hulumtuese e pajtimit moral të individit përkundër asaj që përjetohet si rrjedhë shkatërruese e armiqësore e historisë. Në këtë kontekst, hulumtimet reale historike, por edhe ato me ngjyrime fiktive, janë shumë ndikuese në formësimin e diskursit intelektual dhe qëndrimeve për një periudhë të caktuar historike.
Po ashtu, dëshmitë personale kinematografike, që nuk pretendojnë të jenë të sakta, por përzgjedhin qasjen e imagjinatës së përbashkët historike, në fund, ndikojnë mbi perceptimin e historisë te publiku po aq sa historia zyrtare. Hulumtimet e filmave me tematikë historike janë instrumente të rëndësishme për zbulimin e doktrinave që e formojnë diskursin dominues kombëtar për historinë. Gjithashtu, me rëndësi të njëjtë janë edhe veprat kinematografike që i përkasin qasjeve jokonvencionale ndaj burimit historik, e të cilat i gjejmë edhe te filmat e animuar, filmat fantastikë-shkencorë etj.
Filmat e lartpërmendur, në një mënyrë e shqyrtojnë bashkëveprimin e individit me historinë, apo me pasojat e rrjedhës historike të Kosovës në kohën e luftës dhe periudhës së pas luftës. Këto elemente të bashkëveprimit mes individit dhe historisë i hasim tejet qartë te filmi “Heroi” i Luan Kryeziut. Shikuesit i jepet imazhi i plotë i një fryme të shkollës së neorealizmit të pastër italian. Me aktorët e përkryer të filmit Arben Bajraktaraj, Çun Lajçin e Adriana Morinën, ideja e regjisorit është bartur me sukses të plotë tek shikuesi.
Po ashtu duhet përmendur edhe hapësirën në të cilën zhvillohet narracioni i filmit “Heroi”, në këtë film po aq sa flitet për jetën e individit dhe pasojat e luftës në psikologjinë e jetës së përditshme të njeriut, në të njëjtën masë e bën më të tendosur edhe atmosfera e filmit, aty atmosfera ka aurë e shpirt dhe është ekuivalente me ambientin që i rrethon personazhet. Domethënë, edhe objektet në atë film, na ftojnë të shohim në thellësitë e fshehura të shpirtit njerëzor, duke u bërë të vetëdijshëm për realitetin që na përcjellë.
Ngjarjet drithëruese në historinë e Kosovës, por edhe në tërë rajonin ballkanik, janë shumë të përshtatura për trajtim kinematografik, sepse këto tema kërkojnë edhe hyrjen në dilemat e thella morale. Dëshmitë personale shpeshherë janë zëvendësim për dëshmitë kolektive e publike.
Filmi i Blerta Bashollit, “Zgjoi”, është film shumë shtresor. Në 90 minutat e këtij filmi paraqiten dritat e zbehta e errësirat e shumta të një jete njeriu. Aktorja Yllka Gashi në rolin e Fahrije Hotit nga Krusha e Madhe, në fakt na e shpalos të vërtetën se mësimi i historisë nuk na mëson gjë tjetër, përpos asaj çfarë është njeriu në esencë. Sa e fortë mund të jetë një grua kur jeta e sjellë në zgrip, nga njëra anë humbja e shtyllës së familjes, burrit të saj të vrarë në luftë, dhe nga ana tjetër, lufta ndaj një mentaliteti të thellë patriarkal që nuk do të dëgjojë për sfidat reale të jetës bashkëkohore të Kosovës së pasluftës.
Po ti kisha emëruar me një emër të përbashkët, filmat e Kosovës, ndoshta do të dukem tejet dogmatik, por ndjenja e brendshme gjatë shikimit të tyre më jep kushtimisht të drejtën ti kategorizoj si filma të “rrënojave” të luftës. Nga këto rrënoja, pastaj ngrihen perandoritë e fidanët e rinj të shpresës dhe sfidave të reja të jetës.
***
Ka shumë për të diskutuar për filmat që i ceka, po të shkruanim në detaje për rrëfanën e tyre, nuk do të mjaftonte një tekst i këtij formati. Filmat shqiptarë të Kosovës që i shfaqëm në kinemanë e Kinotekës së Maqedonisë së Veriut, e përbashkëta e tyre vjen në formë të një filmi të vetëm. Pa marrë parasysh kush është autori, pa marrë parasysh shkollimin e tij në Kosovë apo jashtë saj, në fakt, çdo regjisor i Kosovës shkruan historinë e skenarin e tij dhe njerëzve të tij.
Kush meriton më shumë vëmendje nga këta filma? Opusi i cilit regjisor meriton më shumë lëvdata? Përgjigjja ime është, që të gjithë. Pse? Sepse kanë më shumë nga ajo e përbashkëta, nga ajo e cila përbëhet e tërë epopeja e njerëzimit dhe lufta e tyre për ta sjellë në dritë një të vërtetë, një lule e cila e ngre tërë humusin e saj për të arritur te rrezet e dritës.
Filmat të cilat i ndoqa në kinemanë e Kinotekës, më kujtuan buqetën e luleve, në realitet, nuk ka buqetë në të cilën do të ishte e tepërt edhe një lule shtesë. Filmat e lartpërmendur kanë poetikë të veçantë, ndiqen me lehtësi sikur një poezi e bukur. Këta regjisorë kanë bërë diçka shumë të veçantë, diçka që del nga kornizat e temporales. Këta filma kapërcejnë edhe regjionin ballkanik. Në to është xhiruar materiali që do të jetë me rëndësi edhe për ata pas 50 e 100 vitesh. Sepse janë filma për të gjithmonshmen, për substratin dhe substancën e jetës sonë.
Edhe arkivat më precize ku ruhen të dhënat e çmuara, nuk mund të jenë më të fuqishëm kur në një material filmi përmblidhen figura dhe zëri. Mbi bazën e dokumenteve të shkruara mund të rindërtojmë një bulevard, një shtëpi, por nga to nuk dëgjojmë zëra e as vaje.
Mbi bazën e dokumenteve mund të sajojmë personazhet që kanë jetuar në një shtëpi dhe ti detektojmë shkaqet për gëzimet apo të qarat e tyre, por në dokumente nuk janë njerëzit.
Imazhi filmik ka fuqinë të zhvillojë mendime, të krijojë fjali, njashtu sikur fjalët që kanë fuqi të ngjallin një imazh të caktuar në tru. Fuqia e regjisorëve është sepse ata bëjnë “raport për shpirtin”. Regjisorët e Kosovës japin të vërtetën e kohës, kurse kjo nuk mund të planifikohet që më parë. Ndonëse filmi planifikohet në detaje, me skenarë, me ndihmën e drejtorit të fotografisë, ndihmësve të regjisorëve etj. Sepse në rrafshin estetik zhvillohet një magji që nuk planifikohet në detaje. Po të planifikohej gjithçka që më parë, atëherë gjithkush do të bënte kryevepra. Do të krijoheshin shkolla ku regjisorët do të prodhonin vetëm kryevepra. Kjo në teorinë e letërsisë njihet me emrin “ekar” (diçka që del jashtë kontrollit, devijim (në kontekstin pozitiv të fjalës).
Fuqia e këtyre filmave nuk qëndron në viktimizimin apo padrejtësinë që u bëhet personazheve, por fuqia qëndron në ngritjen e personazheve mbi shtrëngesat e jetës dhe tejkalimin e problemeve me të cilat ballafaqohen.
Filmat e dhënë, mund të lëvdohen edhe për një fakt tjetër. Janë filma që nëse nuk i kishin bërë, do të ishte një humbje e madhe dhe nuk do ti bënte askush pas tyre. Kanë bërë diçka që u desh të bëhej patjetër, që pjesëtarët e një kombi të mos i ekspozohen një harrese kolektive. Këta filma na kthejnë nga rreziku i harresës. E përbashkëta e këtyre filmave është se në ballë kanë një kryepersonazh rreth të cilit sillen ngjarjet, me këtë arrihet njohja e kontekstit të brendshëm, mundësia të shihet e padukshmja, apo për një çast të ndalojmë së shikuari vetëm të dukshmen.