(Pa)mundësia e funksionimit të familjes si një trup i vetëm

  • Tradita zakonore, sqaruar nga një prizëm fotografik, të jep imazhin e udhëheqjes së familjes nga burri i cili “kullet” te burrat, nga një grua e cila me lejen e burrit “kullet” te gratë, ndërsa anëtarët e tjerë mbesin hije. Ata nuk kanë privatësi, nuk kanë as pushtet, qoftë edhe mbi veten.
  • Pra, kemi figurën e drejtuesit të familjes sipas Kanunit e cila paraqitet si figurë diktatoriale që grumbullon paratë dhe fitimet e tërë familjarëve, i dërgon ata në punë këdo, kudo e kurdo dhe nëse ata tregohen të padëgjueshëm në urdhërat e drejtuesit të familjes, atëherë pasojnë ndëshkimet.
  • Në një hapësirë të tillë, mund të theksohet se privatësia nuk është as e diskutueshme, ngaqë gruaja trajtohet si rob, dhe vetë qëllimi i martesës, siç përkufizohet në Kanun, është sjellja e një “robi” në shtëpi dhe ka të bëjë vetëm me sjelljen e një krahu të punës, për ta shtuar familjen dhe për t’u bërë “shpi”.

Individi duke qenë pjesë e një shoqërie të caktuar, është edhe rezultat i shprehive, zakoneve dhe kulturës që ajo shoqëri ka. Të gjithë njerëzit e çdo komuniteti shoqëror mund ta shohin pjesën e shëndoshë dhe njëkohësisht anën e “sëmurë” të tyren që në prezantimin e parë të saj. 

Pikërisht një pasqyrim të tillë, njësoj si të gjitha shoqërive të tjera, mund t’i bëhet shoqërisë shqiptare, e cila historikisht përbën një dominim të tabuve dhe rregullave të cilat i atribuohen drejtpërdrejt traditës zakonore përmes kanuneve të ndryshme, ndërsa në Veriun e Shqipërisë përmes Kanunit të Lekë Dukagjinit, si një përmbledhje e rregullave të caktuara që kanë funksionuar si ligje.

Në mesin e shumë problemeve me të cilat përballet një shoqëri si kjo e jona, është lidhja e pashmangshme me jetën e tjetrit, pavarësisht se në shumë aspekte deri te vendimet e caktuara duhet të na sjellin vetëm qëllimet që ne i kemi si individ, pa e përfshirë asnjë person të dytë.

Çfarë e ka sjellë shoqërinë deri te kjo, ndërlidhet pikërisht me traditat zakonore, ku njerëzit qoftë edhe brenda familjes kanë pasur rol dytësor, tretësor apo zero në raport me vendimet të cilat ndërlidhen drejtpërdrejt me jetën e tyre, si shkollimi, vendi ku duan të jetojnë, njerëzit me të cilët duan të krijojnë familje, vendi ku duan t’i dërgojnë fëmijët në shkollë, ku ta kalojnë kohën e lirë dhe të tjera.

Tradita zakonore, sqaruar nga një prizëm fotografik, të jep imazhin e udhëheqjes së familjes nga burri i cili “kullet” te burrat, nga një grua e cila me lejen e burrit “kullet” te gratë, ndërsa anëtarët e tjerë mbesin hije. Ata nuk kanë privatësi, nuk kanë as pushtet, qoftë edhe mbi veten.

Kur flasim konkretisht për ballafaqimin në mes të traditës zakonore dhe privatësisë si term, kjo e dyta bie poshtë që në fillimin e trajtimit, përkatësisht pasqyrimit që na e jep Kanuni i Lekë Dukagjinit nëpër nene të shumta.

Për shembull në Kreun e dytë të Kanunit të Lekë Dukagjinit, neni 20, i cili është i emëruar  Tagri, perlimi e detyra e të zot’t të shpis, paraqitet roli që ka udhëheqësi i shtëpisë ku që në përballje të parë me tekstin vërehet dominimi i një njeriu mbi njerëzit e tjerë, ku nëse nuk bindet ndonjëri nga ta paraqiten edhe dënime të cilat ai i urdhëron të ekzekutohen, që përfshijnë lidhjen, keqtrajtimin fizik e psikik.

Disa nga të drejtat e drejtuesit të familjes sipas Kanunit, të cilat gjenden pikërisht në Kreun e dytë të Kanunit të Lekë Dukagjinit, janë: 

3) mbi fitime të gjindes së shpis, të rrogës a të falmeve;

7) me çue në punë a në shtek gjinden e shpis;

10) me ndeshkue gjinden e shpis, kur kur mos të hecin si e

lypë e mara e shpis.

Pra, kemi figurën e drejtuesit të familjes sipas Kanunit e cila paraqitet si figurë diktatoriale që grumbullon paratë dhe fitimet e tërë familjarëve, i dërgon ata në punë këdo, kudo e kurdo dhe nëse ata tregohen të padëgjueshëm në urdhrat e drejtuesit të familjes, atëherë pasojnë ndëshkimet.

Ndëshkimet janë këto:

  1. a) Me lanë pa hanger
  2. b) Me u hjekun armët e krahit a të brezit për nji a dy javë;
  3. c) Me lidhë a me burgosun në shpi;
  4. d) Kryekcyemin me e da shpijet me pjesë, qi i përket, për me shporrë shnerzimin e rrezikun.

Ndërsa kur bëhet fjalë për çështjen e marrjes së vendimeve për vetën në bazë të Kanunit në rastin e gruas sidomos, ajo nuk ka rol tjetër përveç si “rob”, duke mos pasur kështu aspak rëndësi mendimi i saj në vendimin për martesë, nëse ajo pastaj dëshiron të shkurorëzohet ose jo në rast të problemeve martesore, keqtrajtimeve dhe të tjera. Kanuni e konsideron gruan të paaftë për të menduar e marrë vendime, pasoja këto që edhe pse të reduktuara, janë bartur edhe në shekullin dhe hapësirën në të cilën jetojmë.

Në Librin e tretë të Kanunit të Lekë Dukagjinit përmenden edhe të drejtat e vajzës për martesën e saj, ku ajo gëzon zero të drejta. 

  • . 31. Tagri vajzës.

 Vajza, edhe në mos pasët prindt, ajo s’ka tager me mendue për Martes të vet,

tagri asht në dorë të vllazenve a të kusherijve.

Vajza s‘ka tager:

  1. a) me zgjedhë fatin e vet; do të shkojë për ate, për të cilin t’a fejojn;
  2. b) m’u përzie në shkuesi as në fejesë;
  3. c) as në këpucë as në petka, thuhet në këtë pjesë të Kanunit.

Shiheni më poshtë edhe fuqinë e burrit mbi gruan, e cila përshkruhet në formën më brutale të mundshme, gjë e cila fatkeqësisht reflekton edhe në ditët e sotme, në rastet e përditshme të dhunës në familje, ku në shumicën e rasteve pikërisht gruaja është viktimë:

  • .58. Tagri i burrit mbi gruen.

Burri ka tager:

  1. a) me kshillue e me qortue gruen;
  2. b) me rrahë e me lidhë gruen e vet, kùr të mbrrîjë me i a perbuzë fjalen e urdhnit.

Pra, gruaja nuk ka të drejtë të flasë mbi gjendjen e vet, thjeshtë duhet të jetë e bindur.

Në një hapësirë të tillë, mund të theksohet se privatësia nuk është as e diskutueshme, ngaqë gruaja trajtohet si rob, dhe vetë qëllimi i martesës, siç përkufizohet në Kanun, është sjellja e një “robi” në shtëpi dhe ka të bëjë vetëm me sjelljen e një krahu të punës, për ta shtuar familjen dhe për t’u bërë “shpi”.

M’u martue më kanun do’me thanë m’u ba shpi, me i a shtue shpis nji rob ma teper, sa per krah të punve, sa per të shtuem të fmive.” (Libri i tretë: Martesa)

Kështu e përkufizon martesën Kanuni i Lekë Dukagjinit. Ndonëse theksueshëm ka ndryshuar mënyra e funksionimit të familjeve kosovare dhe atyre në Veriun e Shqipërisë, përsëri ka pika të trashëguara nga Kanuni, sidomos në provincë. Zbehja e ndikimit të këtyre traditave është arritur me ndryshimin e gjeneratave, të cilat kanë krijuar më shumë pavarësi, por ende jo plotësisht, gjë e cila po reflekton në rastet e dhunës në familje, që jo rrallëherë kemi edhe vrasje të grave.

Këtu mund të vihet në pah një dallim tejet i madh i traditës me religjionin, në këtë rast me mësimet islame, sepse duke qenë një shoqëri me shumicë myslimane, ne kemi trashëguar edhe nga mësimet religjioze islame, pra mënyrës se si shihet nga aspekti religjioz ky element i pandashëm i jetës së njeriut, vetja dhe ajo që njeriu vendosë ta mbajë për vete.

Para se të ndërlidhet kjo çështje me Islamin, në lidhje me këtë realitet shoqëror, i cili jo domosdoshmërisht ekziston vetëm në Kosovë, për atë se si ekziston këtu, socilologia Flaka Ymeri e sheh çështjen e privatësisë, si një të drejtë themelore të njeriut, e cila duhet të respektohet patjetër nëse një shoqëri synon të ndërtohet e shëndoshë.

“Secili prej nesh duhet të ketë privatësinë e tij sepse është e drejtë themelore që ta mbrojë veten nga ekspozimet personale karshi njerëzve të tjerë dhe e drejtë e secilit prej nesh është që të ndajmë gjëra me të tjerët vetëm sa ne duam. Ndërtimi i shoqërisë së shëndoshë është të respektojmë veten, të kemi kufi në raport me të tjerët dhe po ashtu të respektojmë edhe të tjerët në të njëjtën kohë dhe të ngremë vetëdijen personale dhe kolektive”, shprehet sociologia Flaka Ymeri.

Në aspektin se si ka ndikuar kanuni në këtë çështje, ajo ka potencuar se në aspektin e trajtimit të njeriut si individ i veçantë ka mangësi:

“Tradita zakonore apo ajo me kanun ka pasur të mirat e saj në aspektin e mbrojtjes së privatësisë apo familjes në përgjithësi duke u treguar një kujdes më i detajuar në shumë aspekte mirëpo në aspektin individual ka pasur mangësi, sepse individi nuk ka gëzuar të jetë i barabartë apo të jetë në qendër dhe të gëzojë integritetin e tij.”

Nëse liria e individit diskutohet nga prizmi fetar islam, atëherë së pari duhet qartësuar një fakt, që tradita zakonore e dhënë përmes Kanunit të Lekë Dukagjinit është shumë e ngatërruar me mësimet islame (ngaqë shumica e popullsisë i takon këtij religjioni), sidomos te shumica e gjeneratave më të vjetra te të cilët këto dy aspekte gati se shihen si një i vetëm. Këtë e sqaron edhe teologu Vladimir Kera, i cili e trajton këtë çështje duke e parë problematike, ngaqë prodhon në thelb informatë të pasaktë.

“Mendoj jo vetëm që janë të përziera, por janë edhe thellësisht të keqinterpretuara, në kuptimin që ajo që është zakonore shpesh konsiderohet si fetare dhe ajo që është fetare nuk lexohet dhe kuptohet sipas strukturave të kuptimit dhe metodave që i takon islamit, por lexohet në bazë të interpretimeve personale duke përdorur shpesh prapavijën e formimit zakonor”, shprehet ai.

Teologu Vladimir Kera, jep edhe një shembull shumë ilustrues të asaj që u theksua më lart dhe që e ndan traditën zakonore me atë fetare islame në dy fusha shumë të ndryshme.

“Nëse flasim për familjen specifikisht burrin dhe gruan në aspektin e roleve që ju “takojnë” në zhargonin popullor atë që zakoni e ka ndarë në mënyrë të prerë pra: “Burri për luftë e punë, gruaja për shtëpi e fëmijë”, do të shohim që Islami nuk bën një ndarje të tillë. Por, Islami nxitë për drejtësi dhe bashkëpunim në rolet e edukimit brenda shtëpisë si për burrin ashtu dhe gruan, duke i dhënë gjithsecilit përgjegjësitë që i takojnë në modelin që ju ofrojnë fëmijëve dhe nevojën që ata kanë për njëri-tjetrin që familja të jetë sa më e shëndetshme dhe kompakte”. 

“Në aspektin e privatësisë, islami jo vetëm që i respekton privatësinë por edhe inkurajon që të ruhet integriteti i gjithsecilit prej anëtarëve duke vendosur në thelb të vërtetën kur thuhet dhe të drejtën kur veprohet. Në familje nuk vlen vetëm fakti që kush është më i madh apo më i vogël, burrë apo grua, por kush po e thotë të vërtetën dhe kush po përpiqet dhe është më i sinqerti, ai është më meritori. Profeti a.s. ka thënë: “Nuk është prej nesh ai që nuk respekton të madhin dhe nuk mëshiron të voglin tonë”, thotë teologu Kera.

Nga reflektimi i njerëzve të fushave të ndryshme, çështja e privatësisë, ruajtjes së dinjitetit të individit përballë shoqërisë mund të thuhet lirisht se mbetet një nga problematikat e shoqërisë kosovare. Dalja e ngadaltë nga “gëzhoja” e vezës së traditës zakonore, ka përzier edhe faktet më të sakta të cilat reflektojnë në qasjen e njerëzve në përditshmërinë e tyre. 

Sot në vendin tonë njeriu përballet me luftën e ruajtjes së dinjitetit, ku një shumicë njerëzish tentojnë të ndërhyjnë në jetën e tjetrit, përfshirë këtu prindërit te fëmijët e tyre, veçanërisht te djemtë, kjo ngaqë ende konsiderohet që vajza është “për derë të huaj”, duke ekzistuar kështu njëfarë pushteti, kushtimisht “i padiskutueshëm” mbi djemtë. E njëjta vlen edhe tek ndarja e pasurisë, trajtimi më i veçantë për djemtë, detyrime të ndryshme të cilat në disa vende në Kosovë, djemve u janë bërë pjesë që nga dita që kanë ardhur në jetë.

Kështu, e tërë kjo kulturë e sjelljes ndaj tjetrit e përcjellë sipas traditës, në veçanti përmes Kanunit të Lekë Dukagjinit, dallon si e bardha me të zezën në këtë rast, me mësimet islame, ku gjërat janë të ndara qartë, ajo që dëshiron individi ta ndajë me shoqërinë dhe ajo që nuk dëshiron ta ndajë me shoqërinë, janë vetëm vullnet i tij, pa qenë i detyruar nga asgjë dhe askush, duke e ruajtur integritetin e tij personal.

Gjithsesi, kjo vlen natyrisht nëse këto rregulla që përfshin Islami do të zbatoheshin nga myslimanët ashtu siç janë të caktuara, pa qenë të përziera me zakonet, traditën, kanunin, por vetëm me të vërtetën e cila mund të arrihet nga të gjithë ata që synojnë ta njohin.

Ndaje