Për filmin: Diktatori i madh
Liria është e gjithëpranishme dhe e pavdekshme. Është termi më abstrakt nga gjithë termat abstrakt, kurse abstraktja e saj nuk është e mundur të shpjegohet e të prezantohet në plotni. Liria është në çdo qelizë, në çdo frymëmarrje, në çdo kontraktim zemre, nga barku i nënës deri në varr. Nuk përkapet nga pesë shqisat tona, sepse ekzistenca e saj nuk mund të futet në ndonjë kornizë shqisore.
Pas saj brohorasin shpirtrat që duke i pranuar vibrimet e lirisë, e zgjojnë lektisjen brenda tyre, e kjo lektisje shtrin duart drejt lirisë; sikur një fëmijë që vrapon këmbëzbathur pas fluturave, -e sheh një flutur, vrapon pas saj dhe rrëzohet në tokë, fillon e qan duke mos e kuptuar se flutura i rri mbi kokë.
Kështu i ndodh njeriut të cilit duke vrapuar pas lirisë e injoron ekzistencën e saj duke harruar në gjithëpraninë. Njeriu, falë aftësisë së tij për ndarjen e të përbashkëtës dhe ndarjen e të pandashmes, e kufizon edhe natyrën e lirë të lirisë. Duke krijuar shoqëri që bazohet në egoizëm, njeriu nga vetja e flaku njerëzoren, e derisa i vendosi themelet e etjes për dominim dhe luftës për pushtet, e “çimentoi” lirinë prapa fasadave të ligjërimit tiranik. Nga një sistem të hapur, krijoi sistem gjysmë të mbyullur, e diku edhe krejtësisht të mbyllur.
Kjo i bie që në vend të hapësirës ajrore ne thithim kundërmim toksik nga shoqëria, e dezintegrojmë lirinë duke e shndërruar në objekt malli si organ i pazhvilluar, si apendiks i aftësive njohëse.
Në këtë sistem të mbyllur, njerëzit gjithashtu janë të izoluar e të mbyllur në vete. Duke iu nënshtruar modeleve të “patjetërsueshme” shoqërore, e perceptojnë ekzistencën e tyre vetëm si një grup rregullash që duhen respektuar, dhe në të njëjtën kohë, duke harruar moralin e vërtetë, ata i nënshtrohen vullnetit të të tjerëve, duke mbyllur portat e zemrave të tyre. Krejt kjo buron nga lakmia, për një tokë të ndarë me kufij, për disa copë letrash që në dukje e lehtësojnë jetën, kurse në esencë njeriun e bëjnë rob. Duke qenë robëritë të tillë, çdo ditë ngatërrohemi në rrjetin e merimangës, duke ua lënë jetën në dorë atyre që e thurin rrjetin, e duke u orvatur që edhe vetë të bëhemi si ata.
Shoqëria, në të vërtetë, është një rrjet merimangash që i presin viktimat e tyre, insektet që ngatërrohen në atë rrjet, e humbin aftësinë e fluturimit. Ato insekte janë qytetarët e zakonshëm, ithtarët e këtij sistemi të cilët janë zënë në këtë rrjet, pajtohen me fatin “shoqorëror/kolektiv”. Ata i lëshojnë krahët e tyre të dobët në letargjinë e cila e shënon ekzistencën e tyre, duke qenë në një gjendje të tillë, mendojnë se janë të rrethuar nga merimangat. Merimangat janë pushtetarët, pushtetmbajtësit, diktatorët, ligjvënësit dhe të gjithë ata të cilët insektet i quajnë “ata lart”. Kur insekti do të ngatërrohet nëe rrjetin e tyre, ata thurin lëvozhgë, duke e izoluar nga bota, nga gjerësitë që i ka liria; duke hedhur mbi ta sekrecionet që i kalbin trupat për tu ngrënë më vonë.
Këtë gjë e bëjnë edhe disa njerëz të shoqërisë sonë. I lidhin fortë qytetarët e vendit sikur buajt në parmendë për t’i lëvruar arat e tyre. Nëse bualli nuk e bën punën ashtu siç do pronari, shkopi e zë vendin e zotëruesit. Për tu liruar njeriu nga shtypja shoqërore, së pari duhet ta largojë rrjetin nga mendja e tij, pastaj t’i hap krahët dhe të ndahet nga rrjeti ngjitës që në fund të fluturojë drejt lirisë. Këta njerëz sot janë të paktë në numër, por edhe gjithmonë kanë qenë pak, ata janë forca lëvizëse që i bën ndryshimet në shoqëri, ata luftojnë për të drejtat e tyre dhe nxjerrjen në liri të robërve tjerë. Ata janë revolucionarët, heronjtë e heroinat, ata zemërgjerët tek të cilët kundërmimet mbytëse të shoqërisë vetëm ua përforcojnë sistemin imun dhe i bëjnë rezistues ndaj kanosjeve të pushtetit.
Revolucioni i tyre çlirimtar nxit evolucionin e shoqërisë. Këta njerëz ende kanë një pjesë të rrjetit ngjitur për trupat e tyre. Ata luftojnë për ideale të caktuara, janë të përqafuar nga liria, por kanë edhe predispozita që të thurin rrjet sipas masës së tyre.
Qytetarët e lirë janë sikur brumbujt, ata dalin vetëm në maj, që dëshmon për numrin e paktë. Ata nuk orvaten të fluturojnë mbi rrjetet e merimangave, por i shkatërrojnë duke kaluar përmes tyre. Për shpirtrat e tyre të fortë dhe mendjet e lira, rrjeti nuk përbën kurrfarë problemi. Brumbujt janë aktorët, filozofët, liridashësit, “çmendarakët”.
Mendjet e tyre punojnë ndryshe nga të tjerët, ata përçojnë impulse që janë në një valë me impulset e lirisë dhe interferojnë me impulset nga mendjet e nënshtruara të qytetarëve, në ndërkohë pengojnë sinjalin me të cilin pushteti e drejton popullin. Ata janë fëmijë të lirisë, fëmijë të vullneteve të tyre. Nuk janë të pranuar nga shoqëria, sepse në momentin e prishjes së rrjetit lirojnë edhe insekte tjera, i motivojnë, ua tregojnë diellin dhe i shpijnë nëpër kopshtet e bukura me lule duke ua shfaqur nektarin e lirisë. Këta njerëz nuk krijojnë kukulla teatri, ata bëjnë njerëz të cilët udhëhiqen nga zëri i arsyes, nuk i kufizojnë vendet dhe nuk ndërtojnë gardhe me gjemba, por e përafrojnë botën dhe i hapin horizontet.
Një strukturë tëtë tillë shoqërore e paraqet filmi “Diktatori i madh” nga Çarli Çaplini.
Në përputhje me atmosferën e atëhershme të luftës, rrëfimi i gjen pandanët e tij edhe sot, por edhe duke e prezantuar makinën kohore e cila na shpie përmes zhvillimit evolutiv të njeriut modern. Në film janë prezantuar përfaqësuesit karakteristikë nga të gjitha shtresat shoqërore,- merimangat e mëdha, insektet e brumbujt. Merimanga e madhe është diktatori.
Ai duke e mbajtur foltoren e fjalëve tiranike, i drejton insektet kah rrjeti, e kur atao ngatërrohen në rrjet, i nënshtron plotësisht. Është i fiksuar pas fuqisë, fanatizmi i tij e pengon të flasë natyrisht me diktatorin tjetër; duke u lektisur pas fuqisë dhe superioritetit, çdoherë kur gjendet në shoqëri me njerëz tjerë, e shfaq karikaturën dhe largimin e tij nga njerëzorja. Ai nuk ndien dashuri, për të, egoizmi, disiplina dhe pushteti janë dashnoret më të bukura, e nëse ndonjëra prej tyre i rrezikohet, ky çmendet krejtësisht. Dëshira e tij për të sunduar me botën dhe për t’i nënshtruar njerëzit, më së miri është ilustruar në skenën ku ai luan me tullumbacet në formë globi. I lumtur deri në ekstazë derisa e rrotullon “botën” në duart e tij duke luajtur me tullumbace, e përfytyron veten në rolin e të gjithëpushtetshmit, njeri superior të cilit i nënshtrohen të gjithë. Por kur tullumbacja pëlcet, ai e humb lumturinë, nuk e ka më botën në duar, por vetëm mbetjet e asaj që dikur ishte bota.
E njëjta ndodh edhe në jetën reale, diktatorët duke dashur të arrijnë primatin e në sundimin e tyre e shkatërrojnë mikrokozmosin e një numri të madh njerëzish të pafajshëm.
Merimangat e zakonshme janë sistemet ushtarake të pushtetit, atoa janë ushtareët që sikur mbajtësit e rendit i radhisin insektet dhe ua presin krahët atyre që mund të fluturojnë mbi rrjet. Insektet janë qytetarët që dënohen me jetë nën diktaturë, rasa arianite që e përvetëson vullnetin e diktatorit duke e flakur vullnetin vetjakanak. Brumbulli është berberi çifut. Ai paraqet arketipin e insektit i cili së pari ka qenë i rekrutuar në ushtri duke mos e ditur për çfarë lufton. Gjatë orvatjes për ta shpëtuar jetën e tij dhe të ushtarit përkrah, i ndodh fatkeqësi. Ngatërrimi i tij në baltë simbolizon ngatërrimin e krejt ithtarëve të nënshtruar, kurse pas pastrimit në spital, sikur janë pastruar të gjitha ndyrësitë nga bota egoiste e makute. Personazhi pëson amnezi. Humbja e kujtesës së tij krahasohet me humbjen e mundësisë për tu nënshtruar.
Ai tashmë gjendet në modelin e shoqërisë dhe e klasifikojnë si të çmendur. Ai në dukje është një i çmendur që refuzon të jetë i vetëdijshëm për gjendjen momentale në shtet dhe për këtë shkak i dorëzohet ligjit të zemrës ku forca lëvizëse është dashuria.
Me kthimin e tij në jetën e përditshme, ai i kundërvihet kufizimeve që i imponon pushteti.
Kjo më së mirië shfaqet në fshirjen e shkrimit “Çifut” nga vitrina e sallonit të tij. Ky veprim i provokon mbajtësit e rendit që pas refuzimit për të qenë i etiketuar e aplikojnë ligjin e shkopit. Ky u kundërvihet duke e shfaqur vullnetin e lirë, duke u treguar se nuk është buall që mund t’i vihet parmenda për ta lëvruar arën, por njeri që ka dinjitet. Veprimi i tij i shqyen rrjetet e shoqërisë dhe e zgjon shpirtin çlirimtar te njerëzit që gjenden afër tij.
Shoqëria ka frikë nga ky njeri, për këtë shkak jepet urdhër që të dëbohet dhe të vritet në kampin e përqendrimit. Muret e kampit nuk janë të mjaftueshëm që ta mbajnë vullnetin e tij për liri – ai ikën nga kampi.
Ngjashmëria identike e berberit dhe diktatorit nuk është e rastësishme. Ajo paraqet universalizmin e natyrës njerëzore, e paraqet fjalëkalimin e barazisë të çdo njeriu, por i tregon edhe rrugët që janë përzgjedhur për realizimin e jetës. Rruga e ndryshme jetësore rezulton në dallueshmërinë e tyre: derisa njëri është egoist, tjetri është altruist, në vendin e njërit ka vend vetëm për të, kurse në zemrën e tjetrit ka vend edhe për tri botëa tjera. Njëri e ushqen urrejtjen, ndërsa tjetri kultivon plantacione me dashuri. Njëri është njeri, ndërsa tjetri ka humbur njerëzoren. Pikërisht ngjashmëria fizike është përdorur si medium për përçimin e mesazhit, ku në fund, në vend që berberi të burgoset, sistemi ushtarak e burgos diktatorin e tyre duke e dënuar për mosrespektimin e regjimit dhe pushtetit të tij, ndërsa ai, vetë e ka krijuar regjimin dhe e përfaqëson pushtetin.
Në vendin e foltores, gjatë kohës që duhet të mbahet fjalimi para luftës, në vend të diktatorit vjen berberi. Në fjalimin e tij të thukët nga thellësia e shpirtit, ai i tregon principet kryesore që duhet të udhëhiqet çdo njeri. Ai nuk do të jetë perandor, nuk do të sundojë me askënd, përkundrazi, dëshiron të na ndihmojë të gjithëve pa dallim të përkatësive të ndryshme. Në momentet kur sytë e popullit janë drejtuar kah ai, ai kërkon të thërrasim njerëzoren, thotë se njerëzit janë të lirë dhe duan të ndihmohen mes vete, ata nuk duan të urrehen, por për fat të keq, njerëzorja ka devijuar nga rruga e vërtetë duke i shndërruar njerëzit në robër të sistemeve, krijesa mekanike. Mesazhi i këtij fjalimi është se çdo njeri mund të jetë i lumtur nëse e heq rrjetin me të cilin e ka mbështjellë shpirtin e tij.
Berberi e përkujton kombin e tij se ata janë njerëz, nuk janë pajisje që duhen të nënshtrohen ndaj diktaturave që i urrejnë, apo i trajtojnë si bagëti që sipas dresurës u imponohet çfarë të mendojnë e çfarë të ndiejnë. Njerëzit ndiejnë vetiu, kjo na bën njerëz dhe na i pasuron arkivat tona shpirtërore me mundësitë për lidhje dhe ndjeshmëri.
Me këtë fjalim, Çarli Çaplini i drejtohet llojit njerëzor, mua, tTy, krejt atyre që jetojnë, krijojnë e marrin frymë; çdo njeriu, çdo shpirti e mendje që ka aftësinë të mendojë e meditojë. I përmend arsyet e lutës, thotë se askush nuk duhet t’i nënshtrohet lakmisë e urisë për pushtet, sepse këto i bëjnë njerëzit të verbër për vlerat humane. Shpirti i njeriut është krijuar të jetojë i lirë. Shpirti posedon potencialin të lirohet nga shoqëria jo e lirë, ka mundësinë të krijojë vend ku sundojnë vlerat morale, ku etika dhe estetika janë një.
Njeriu i lirë nuk i përket shoqërisë së robëruar, nuk i përket kufijve artificialë, as letrave me vlerë, përkundrazi, ai i përket botës, mendimeve e bindjeve të tij, veprave të tij, njeriu i lirë i përket njerëzores. Ai nuk digjet nga malli për ta kapur lirinë, sepse e di që ajo është brenda tij dhe falë saj e zgjedh mënyrën e duhur të jetës – jetë në harmoni me natyrën, ku fryjnë erërat e këndshme të dashurisë, ku liria i shkrin krejt akullnajat e zemrës e shpirtit, i thyen kufijtë dhe i hap rrugën njeriut të jetë njeri, sepse ka lindur i tillë nga Zoti dhe i tillë duhet të jetojë.