Mr. Holmes – Recension

  • Kur e eliminon të pamundurën, çka do që mbetet dhe sado e pamundur që duket, ajo duhet të jetë e vërteta. 
  • Mediokriteti nuk sheh asgjë më lartë se vetveten; ndërsa talenti e njeh dhe e pranon natyrshëm gjenialitetin.
  • Asnjë njeri nuk e ngarkon mendjen e tij me gjëra të vogla, përveç nëse ka arsye të forta për të bërë një gjë të tillë.

Disa nga citatet më të famshme të Sherlock Holmes të përzgjedhura në mënyrë të rëndomtë.

Nuk ka dyshim se karakteri i Sherlock Holmes  i krijuar për herë të parë nga Sir Arthur Conan Doyle, është nga më të njohurit në botën e artit letrar dhe atë kinematografik. Kur përmendet emri i tij, na kujtohet një burrë i moshës mesatare, me veshje elegante tipike Londineze, kapelë dhe duke thithur një llullë, njeri tepër inteligjent mirëpo shumë sociopatik dhe pandjenja në raport me shoqërinë. Me këtë përshkrim kemi pasur rastin të shohim aktor të ndryshëm duke luajtur në projekte filmike dhe seri të ndryshme gjatë kohërave të ndryshme.

Pa u thelluar në historikun e filmave dhe serialeve që janë bërë në dekadat e kaluara për karakterin në fjalë, kësaj here do të flasim pak për filmin Mr. Holmes nën regjin e Bill Condon, ku detektivin karizmatik e shohim nga një kënd krejtësisht ndryshe. Bazuar në novelën e Mitch Cullin të titulluar “A Slight Tick Of The Mind – Shpërfillje e vogël e mendjes” rrëfehet jeta e z. Holmes në moshë të shtyrë pas përfundimit të karrierës së tij si detektiv privat. 

Ngjarja rrëfehet dikur rreth vitit 1947, ku pas përfundimit të luftës së dytë botërore, z. Holmes (Ian McKellen) kthehet në shtëpinë e tij private në fshatin Sussex ku jeton me kujdestaren e shtëpisë znj. Munro (Laura Linney) dhe djalin e saj Roger (Milo Parker). Duke u munduar të jetojë një jetë të thjeshtë me kujdesin për bletët e tij që i ka pasion, gjithashtu mundohet të shkruajë për rastin e tij të fundit i cili në fakt edhe e ka shtyrë të tërhiqet nga puna e tij prej detektivit si dhe ngjarje kjo e cila e ka mundur emocionalisht dhe i ka shkaktuar “një rrëshqitje të vogël të mendjes.” Z. Holmes ka probleme me kujtesën, mirëpo lidhja e tij emocionale me djaloshin Roger i kthen kujtime nga e kaluara e tij. Kujton rastin e tij të fundit që ka punuar me znj. Ann Kelmot (Hattie Morahan) si dhe rrugëtimi i tij në Japoni tek z. Tamiki Umezaki (Hiroyuki Sanada).

Skenari është ndërtuar shumë bukur, ku ngjarjet e Sherlock Holmes zhvillohen në sekuenca të ndryshme jolineare. Herë rrëfehet jeta aktuale e tij gjatë pleqërisë në shtëpinë e tij, e herë kthehet në ngjarje të ndryshme në të kaluarën e tij. Sir Ian McKellen ka pas një paraqitje të shkëlqyer, në fakt nuk besoj që do të gjendej një aktor tjetër që do ta luante më mirë rolin e Holmes në moshë të shtyrë se sa McKellen. Bill Condon ka pasur bashkëpunime edhe tjera me McKellen (Gods and Monsters, si dhe projektin e radhës Beauty and the Beast), besoj që kjo edhe ka dhënë rezultate të mira si në përzgjedhjen e rolit po ashtu edhe në performancën e tij. Pa dyshim që edhe Laura Linney ka dhënë një performancë tepër të bukur, duke pasur parasysh se karakteri i saj znj. Munro nuk ka ekzistuar asnjë herë në projektet tjera filmike të Sherlock Holmesit. Ajo me mjeshtri të madhe ka arritur ta paraqes një grua vejushe e cila përpiqet të bëjë gjithçka për t’i siguruar një jetë më të mire djalit të saj Roger. Gjithashtu Milo Parker një djalosh shumë i talentuar i cili tregon potencial të madh me lidhjen e tij emocionale si dhe interesimin e tij për të mësuar gjithçka nga detektivi i famshëm. Aktori im i preferuar nga lindja e largët Hiroyuki Sanada me ato pak paraqitje gjithashtu i plotëson shumë bukur fragmentet e jetës së z. Holmes.

Mendjemprehtësia dhe karizmi i Sherlock Holmes padyshim që vërehet edhe në këtë projekt filmik, mirëpo ajo që e dallon karakterin e tij nga filmat/seritë e tjera është se Mitch Cullin është përpjekur ta zbres nga piedestali figurën e Sherlock Holmes të cilën Dr. Watson e ngriti në shkrimet e tij. Shohim një Sherlock Holmes më të zakonshëm, emocional, të kujdesshëm dhe të dashur për të tjerët.

Vlen të përmendet edhe kolona zanore e cila i jep madhështi filmit. Carter Burwell ka marr pjesë në projekte të mëdha filmike, madje edhe tek Mr. Holmes ka arritur të realizojë me mjeshtri muzikën e cila shumë bukur shkon me natyrën e ngjarjeve. 

Mendoj që Bill Condon ka bërë një punë të mirë me filmin, ku përmes Mr. Holmes na dhuron emocione nga më të ndryshmet, si: agonia e pleqërisë (e kjo shpërfaqet si nga karakteri i Holmes po ashtu edhe nga aktori McKellen), reflektimi i të kaluarës me plot pendim, frika nga pafuqia njerëzore për t’i mbrojtur më të dashurit e tij, etj. Përfundimisht, Mr. Holmes është një vepër që assesi nuk bën t’ju ikë fanatikëve të detektivit karizmatik, sociopatit Sherlock Holmes.

Ndaje