“Mos vallë ne jemi “pushtues”?!

Prishtina, kryeqyteti i Kosovës, sot nuk gëzon lavdinë e trashëgimisë kulturore të cilën e ka pasur para luftës së fundit. Nëse pyesni se kush është fajtor, atëherë stepem. Jo që nuk di, jo që nuk dua të tregoj, por mendoj se drejtimi i gishtit tek fajtori është gjëja më e lehtë që mund ta bëjmë. Unë nga vlerat dhe besimi që kam, nisem prej  parimit që gjithmonë fajin fillimisht ta kërkoj te vetja, andaj në rrafshin kolektiv, mendoj që faji është vet tek ne, te qytetarët e saj.

Në këtë rast faji është edhe tek ata që jetuan në “Prishtinën e vjetër”, dhe ne që po e jetojnë të “re-në”. Do të tentoj ta shtjelloj prej perspektivës dhe përvojës time me këtë qytet.

Unë, nga viti 2016 merrem me “kërkimin” e Prishtinës së vjetër. Kur them kërkoj, e kam fjalën për përpjekjen e zbulimit të të humburës apo rikrijimit/rikthimit të saj. Këtë e bëj duke dokumentuar nëpërmjet fotografive dhe teksteve të cilat i gjej nëpër vende të ndryshme apo nëpërmjet rrëfimeve të prishtinasve të vjetër. Vendkërkimet ku hulumtoj janë arkivat shtetërore, komunale, Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore, bibliotekat, forumet dhe albumet personale. Prej gjithë këtyre burimeve, përveç gazetës “Rilindja”, shumica dërrmuese e atyre të cilëve iu ka interesuar Prishtina kanë qenë të huaj. Pra, lëre që nuk janë prishtinas, po as shqiptarë të Kosovës.

Matjen e “interesimit” për Prishtinën e vjetër po e bëj duke marr njësi matëse dokumentimin e saj. Pra, shkrepësit e fotografive, koleksionuesit e kartolinave,  ruajtësit e dëshmive tekstuale, janë pjesëtarë të popujve që në periudha të caktuara kohore, kanë qenë pushtues në Kosovë, si: serbë, italianë, austro-hungarezë dhe bullgarë. Pra, këtë mund ta paraqes si një dëshmi të fortë që Prishtina e vjetër është “humbur” nga vet prishtinasit e vjetër.

Tash, kur gjurmojmë te grupi i dytë, ku thash “prishtinasit e rinj”, pra në kohën e pas luftës së fundit, nga grupi që tenton ta adresojë fajin tek tjetri, madje edhe tek pushtuesi, kush na pengoi neve që ta ruajmë Prishtinën e pasçlirimit, nga degradimi urban e arkitekturor. “Mos vallë edhe ne jemi pushtuesit”, është pyetje që duhet secili prej nesh ta mendojë.

Vendi ruhet edhe duke mos vepruar keq. Prishtinën e vjetër e kanë shkatërruar ndërtimet e shumta pa leje, moskujdesi ndaj objekteve të vjetra, rrënimi i tyre, mungesa e renovimeve, mbyllja e lumenjve të saj, shpërfillja ndaj librave artistik kushtuar Prishtinës, etj.

Megjithatë këto nuk më kanë demotivuar që unë ta bëj të kundërtën, përkundrazi.  Koleksionimin e fotografive e bëj me pasion pa asnjë përfitim material. Thjesht buron nga dashuria e pastër që e kam për qytetin ku kam lindur dhe të parët e mi. Menaxhoj faqen “Prishtina e Vjetër” në rrjetin social Facebook, dhe organizoj ekspozita në këtë drejtim.

Fotografitë të cilat i postoj janë si hulumtim nëpër forume të serbëve, kroatëve, arkivave vendore, gazetës “Rilindja” dhe “Jedinstvo”. Nuk mjaftohem me kaq, për shkak se buroj nga një familje më se 2 shekullore në Prishtinë, kam një rrethinë e cila më siguron informata burimore për përmbajtjen e fotografive të gjetura. Këto informata përveç peshës nostalgjike që kanë, pothuajse ofrojnë ngjyrë në ato fotografi bardhezi. Sepse fotografia pa histori në prapavijë, është e pashpirt, andaj edhe rrëfimet për to “ringjallin” Prishtinën e vjetër.

Duke shtegtuar nëpër arkiva/burime të sipërpërmendura, kam koleksionuar një gamë të gjerë fotografish, por duke njohur historinë tonë me “hjeka” ky numër nuk është i mjaftueshëm. Sepse, të pasurit më shumë rrëfime se sa fotografi, na bën të besojmë se ende ka fotografi të pa publikuara, të paruajtura apo në rastin më të keq të pa shkrepura.

Siç e thashë më parë, gazeta “Rilindja” ishte e vetmja që gjeta atë që kërkoja. Gazetarë, fotografë, shkrimtarë shqiptarë me plot kuptimin e fjalës “marakli” të dokumentimit. Nga viti 1945 e gjer më 1990, me aq xhelozi kanë ruajtur fotografi, raportuar dëshmi, sa që më bën të bindem se me të vërtetë qëllimi u paraprinë mundësive. Këto gazeta i kam gjetur në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër  Bogdani”. Ku i kam nxjerr me anë të skenimit dhe më pas i kam përpunuar me mundësi vetjake.

Sa herë them që “më nuk ka fotografi”, “s’mbet fotografi pa e pa”, “i zbulova të gjitha”, gjithnjë dalin burime të reja të fotografive të papara më parë, gjë e cila është  prej gjërave që më gëzon më së shumti.

Në dashtë Zoti, paça shëndet, shumë shpejt dua ta botoj një libër-dokument me përmbajtje të fotografive të Prishtinës së vjetër të bashkëngjitura me fotografi të reja të lokacioneve të njëjta.

Deri atëherë, do të vazhdoj të hulumtoj informata dhe fotografi të pa publikuara  deri më tani, ashtu që të pasuroj bibliotekën time personale dhe pse jo gjithë të interesuarve të tjerë.

Këtu është linku i faqes Prishtina e Vjetër: https://www.facebook.com/PrishtinaOLD

Ndaje