Kriptovalutat, një këndvështrim më ndryshe

  • Ende pa mbaruar kriza ekonomike, në vitin 2009 në botë shfaqet një valutë e re e cila quhet Bitcoin. Kjo valutë ishte shumë më ndryshe edhe në aspektin e funksionimit
  • Sistemi i ri që po kërkohej duhet t’i kishte dy cilësi që tashmë bankat nuk i ofronin: siguria dhe beneficioni.
  • Krijimi i Bitcoinit u bë nga një njeri misterioz për të cilin ende nuk dihet se kush është. Emri i personit enigmatik është Satoshi Nakamoto. Disa thonë se ky ishte grup njerëzish, por ka edhe të atillë që pretendojnë që ata vet janë Satoshi Nakamoto. 
  • Çdo ditë që kalon kriptovalutat janë duke marrë hov më të madh. Kështu që e ardhmja në industrinë e kriptovalutave duket të jetë shumë premtuese.

Padyshim që një nga temat më të përfolura vitet e fundit kanë qenë dhe janë kriptovalutat. Sigurisht që është folur për to në aspektin teknologjik se si ato mund të jenë një zgjidhje ideale për një sistem financiar, por më shumë ato janë bërë të njohura nga gjenerimi shumë i madh i përfitimeve financiare tek njerëzit e ndryshëm.

Përmes këtij shkrimi do të mundohem t’i prek disa pika të cilat anashkalohen vazhdimisht nga njerëzit e kësaj industrie, e të cilat për mua janë ndër faktorët kryesor për të pasur sukses në këtë industri.

Kriza financiare e viteve 2000

Në vitet 2007 – 2008, saktësisht me 15 shtator 2008, një ndër bankat më të mëdha në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Lehman Brothers, shpall bankrotimin dhe pas saj edhe disa banka tjera më të vogla, e që kjo më pastaj njihet si kriza financiare e viteve 2000. Sigurisht që kjo krizë nuk ndikoi vetëm në Shtetet e Bashkuara, por në të gjithë botën.

Pasi kriza kishte lidhje të drejtpërdrejtë me bankat, pra me sistemin klasik financiar, tek njerëzit tashmë ishte ngjallur dilema se sa e sigurt është pasuria e tyre, nëse pas kësaj krize përsëri ata i ruajnë paratë në banka të ndryshme, veçanërisht duke marr parasysh se çka ndodhi me Lehman Brothers dhe bankat e tjera. Shumica e njerëzve atë kohë nuk ndiheshin të sigurt që paratë e tyre t’i ruajnë përsëri në bankat komerciale, respektivisht nuk i besonin më sistemit bankar.

Ka pasur shumë studime dhe hulumtime për arsyet se cilat ishin shkaktarët e kësaj krize, e cila sigurisht që ishte e akumuluar për një kohë të gjatë dhe nuk ndodhi rastësisht brenda vitit. Disa nga hulumtuesit fajtor të kësaj krize e shohin hierarkinë, konkretisht centralizimin që e ka sistemi financiar. Në bazë të kësaj ata i fajësojnë Ben Bernanke (kreun e Rezervave Federale) atë kohë edhe Henry Paulson (Sekretari i Thesarit), që për shkak të vendimeve të gabuara dhe mos vëmendjes së tyre ka ardhur deri tek një krizë e tillë.

Dalja në dritë e Bitcoinit

Ende pa mbaruar kriza, në vitin 2009 në botë shfaqet një valutë e re e cila quhet Bitcoin.
Kjo valutë përpos që nuk ishte fare e ngjashme me valutat klasike, ishte shumë më ndryshe edhe në aspektin e funksionimit. 

Bitcoini u ndërtua në një koncept P2P (peer2peer), i cili nëpërmjet sistemit të tij do t’i mundësonte njerëzve që të kryenin transaksione monetare pa komision (pa bërë pagesa të shërbimit), brenda disa sekondave. Veçanti tjetër ishte se transaksionet nuk do të kontrolloheshin prej një entiteti p.sh si Banka Qendrore, sepse synohej të luftohej centralizimi. Tashmë – me valutën e re – transaksionet do të realizoheshin në bazë të konsensusit të disa nyjave ose më mirë të themi të një grupi të njerëzve.

Deri në vitet 2013-2014, Bitcoini dhe kriptovalutat nuk ishin edhe aq të njohura, e pas këtyre viteve ato filluan të marrin hov më të madh, derisa tek njerëzit kjo industri ose ky sistem po dukej si zgjidhja e duhur për t’i ruajtur paratë e tyre. Kjo ishte për arsye se ky ishte një sistem i decentralizuar dhe kontrollin mbi paratë nuk do ta ketë një entitet. Derisa, mundësia e humbjes së atyre parave është thuajse e pamundur. Por mbi të gjitha, ajo që i tërhoqi më shumë njerëzit të hyjnë në këtë industri, ishin fitimet e mëdha që ata mund t’i gjeneronin përmes investimeve të tyre. Kjo u bë thuajse arsyeja kryesore pse kriptovalutat fituan famën e madhe që e kanë edhe sot.

Pra, në bazë të kësaj nënkuptojmë që njerëzit pas krizës financiare po kërkonin një sistem të ri financiar ku mund t’i ruajnë paratë e tyre, mirëpo ata bashkë me sigurinë financiare, gjetën edhe një mundësi ideale që t’i shtojnë paratë e tyre. Siguria dhe beneficioni, ishin dy aspekte të cilat nuk i kishin në bankat ose në sistemin klasik financiar. 

Pavarësisht hovit të madh, Bitcoin ende nuk ka arritur t’i zëvendësojë bankat dhe sistemin e tyre financiar. Sistemi financiar konvencional ende është më i fuqishëm, si në aspektin e sigurisë, gjithashtu edhe në aspektin e kostos së transfereve.

***Duhet ta dimë se mundësia e gjenerimit të fitimit është e njëjtë si ajo e humbjes së investimeve. Risku është 50 për qind me 50 për qind.

Kush e krijoi Bitcoinin?

Krijimi i Bitcoinit u bë nga një njeri misterioz për të cilin ende nuk dihet se kush është. Emri i personit enigmatik është Satoshi Nakamoto. Disa thonë se Satoshi Nakamoto ka qenë grup njerëzish, por që ka edhe të atillë që pretendojnë që ata vet janë Satoshi Nakamoto. Që nga viti 2009 e deri më sot kjo është enigmë. Të shumtë janë ata që nuk i besojnë asnjë nga teoritë e lartpërmendura për emrin e inovatorit – zbuluesit të Bitcoin-it, përfshirë edhe mua.  

Kur Satoshi Nakamoto e bëri publike krijimin e Bitcoinit në forumin Bitcointalk.org, ai në shkrimin e tij e bashkëngjiti edhe atë që njihet si Whitepaper (dokumentimi i gjithë projektit) të Bitcoinit. Një gjë shumë e rëndësishme këtu ka qenë dhe vazhdon të jetë, që në atë whitepaper askund nuk shkruan që Bitcoin, respektivisht qëllimi i tij është decentralizimi, ndonëse siç e kam sqaruar më lartë, pika kryesore pse është krijuar Bitcoini dhe sistemi i kriptovalutave është saktësisht decentralizimi.

Gjithashtu, sistemi i sigurisë së Bitcoinit përdor një algoritëm enkriptues i cili quhet SHA-256, algoritëm ky i krijuar nga NSA (National Security Agency), e që nëse e shohim dhe e gjykojmë mbi parimin e decentralizimit, ky është një tjetër problem shumë i madh i cili vazhdon të ekzistojë në Bitcoin.

Dhe pyetja tjetër që duhet t’ia bëjmë vetës është se si është e mundur që një njeri ose një grup njerëzish ta krijojnë një sistem të ri financiar, i cili është kërcënim direkt për sistemin klasik financiar, e që në këtë mënyrë i rrezikon superfuqitë botërore, e në anën tjetër të mos mund të zbulohet deri më tash, se kush qëndron prapa kësaj nisme. Historikisht, kushdo që është munduar ta luftojë sistemin klasik financiar, ka përfunduar në mënyrë fatkeqe..

Duke i pasur parasysh këto dhe shumë gjëra të tjera, ne duhet ta shohim këtë industri me rezerva, dhe mos të besojmë gjithçka që na servohet.

E ardhmja e kriptovalutave

Deri tash kemi diskutuar për Bitcoinin për arsye se është sinonimi i kriptovalutave, por dihet që në këtë industri ka më shumë projekte/coina. Kriptovalutat nuk janë vetëm Bitcoini, mirëpo janë me mijëra projekte të cilat edhe kur janë ndërtuar, janë bërë mbi bazat e shëndosha të decentralizimit. Sigurisht, ka edhe projekte tjera të cilat nuk janë të ndërtuara mbi bazën e decentralizimit, ndonëse ato janë promovuar si të tilla.

Prej vitit 2018 e deri më sot, qasja dhe edukimi rreth kriptovalutave ka ndryshuar me të madhe. Tashmë edhe projektet që zhvillohen janë projekte më të avancuara, përmes të cilave synohet aplikimi i tyre në botën reale.

E kohët e fundit kemi projekte të ndryshme të cilat ofrojnë aplikim të Inteligjencës Artificiale (AI) në botën reale. Kemi projekte të cilat kanë të bëjnë me Financa të Decentralizuara (DeFi), projekte të Metaverse, Gaming, e shumë projekte tjera serioze.

Pra, çdo ditë që kalon kriptovalutat janë duke marr hov më të madh, në bazë të asaj që ato po ofrojnë, kështu që e ardhmja në industrinë e kriptovalutave duket të jetë shumë premtuese dhe secili duhet ta konsideroj pjesëmarrjen në të.

Mbi të gjitha, tregu i kriptovalutave është treg financiar, sikur tregu i stoqeve ose i bursës, në të cilën nevojiten aftësi teknike dhe njohuri shumë të thella teknologjike që në fund të mund ta kuptosh se si saktësisht funksionon kjo industri.

Mendimi se kjo industri është një industri e lehtë dhe nuk nevojitet dije dhe përgatitje rreth kësaj lëmie, është mendim i gabuar, i cili është mbjellë qëllimisht tek njerëzit e rëndomtë, sepse ata veprojnë në treg në bazë të emocioneve, e jo në bazë të argumenteve dhe fakteve që i kanë përpara vetes, e që kjo më së shumti i konvenon atyre që ne i quajmë ‘market makers’.

Pra para se të hyni në këtë industri, shfletoni nëpër internet, ka materiale të shumta, madje edhe në gjuhën shqipe. Ndërtoni bazat dhe njohuritë e duhura, dhe pastaj do ta shihni këtë treg me një sy krejt tjetër.

Ndaje