Javët e fundit, Kosova është tronditur nga një ngjarje tragjike që ka sjellë edhe një herë në radhë të parë çështjen e dhunës me bazë gjinore. Rasti i fundit, fatkeqësisht nuk është një rast i izoluar; përkundrazi, është emblematike e një problemi të përhapur që ekziston në shoqërinë tonë. Si rrjedhojë, kjo ngjarje ka nxitur diskutime të shumta, kryesisht duke fokusuar nga një lens gjinor, dhe me një etiketim të shoqërisë sonë si shoqëri patriarkale.
Është evidente se kulturat dhe traditat shoqërore mund të kultivojnë një ambient ku forcohet norma e maskulinitetit toksik, duke inkurajuar sjellje agresive si një mjet për të shprehur fuqinë dhe dominimin e burrave. Stereotipat e lidhura me rolet gjinore, siç janë: përcaktimi i burrave si të fortë dhe grave si të dobëta, mund të kontribuojnë në krijimin e një mjedisi ku dhuna bëhet një formë e pranueshme e afirmimit të fuqisë mashkullore.
Përveç shoqërisë, një bazë akoma më të fortë mund të ketë aspekti biologjik, duke përfshirë perceptimin mbi forcën fizike natyrore që u është dhënë meshkujve në krahasim me femrat. Në kontekstin e dhunës ose abuzimit në familje, ndryshimet biologjike në forcën fizike mund të kontribuojnë në dinamikën e fuqisë brenda marrëdhënieve familjare. Një individ me forcë më të madhe fizike mund të ketë një ndjenjë dominimi, e cila, kur kombinohet me faktorë të tjerë shoqërorë dhe kulturorë, mund edhe të japë një ndjenjë epiteti në favor të meshkujve. Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se jo të gjithë individët që janë fizikisht më të fortë përfshihen në sjellje abuzive dhe se forca fizike nuk mund të justifikojë dhunën dhe dominimin tek meshkujt.
Grupet feministe me të drejtë kanë qenë në ballë të avokimit për barazinë gjinore dhe ndërgjegjësimit për çështjen e përhapur të dhunës ndaj grave. Përpjekjet e tyre padyshim kanë kontribuar në ndryshime pozitive shoqërore, duke inkurajuar biseda dhe ndryshime politikash që synojnë mbrojtjen e të drejtave të grave. Ndërsa është e pamohueshme që gratë vuajnë në mënyrë disproporcionale pasojat e dhunës me bazë gjinore, një fokus ekskluziv vetëm nga lensi gjinor mund të kontribuojë pa dashje në një perspektivë miopike. Sepse kjo dilemë realisht kalon kufij të debatit për të gjetur fajtorin mashkull, dhe për të mbështetur viktimën femër. Kjo dilemë gjithashtu nuk përfundon me marshimin në shesh, e me dënimin e kriminelit, por kërkon një analizë shumë më të thellë.
Një studim nga Universiteti i Queenslandit sugjeron se politikat që synojnë të parandalojnë dhunën ndaj partnerit intim nuk duhet të fokusohen ngushtë rreth faktorëve gjinorë siç janë qëndrimet e burrave ndaj grave dhe maskulinitetit toksik. Kjo për shkak se atëherë problemi reduktohet në një faktor të vetëm që jo gjithmonë është shkas për dhunën dhe vrasjen e gruas.
Për më tepër, reagimet vetëm nga baza gjinore mund të kenë edhe një kundërefekt. Studimet e fundit në fushën e “profecive vetëpërmbushëse” (ang. self-fulfilling prophecy) theksojnë ndikimin e pritshmërive shoqërore në sjelljen individuale. Një studim nga Madon et al. (2018) zbuloi se individët shpesh mundohen të përshtaten me stereotipat, duke adaptuar sjelljen e tyre për të përputhur me normat e perceptuara nga shoqëria. Në kontekstin e dhunës bazuar në gjini, etiketimi i vazhdueshëm i burrave si potencialisht dhunues mund të kontribuojë pa dashje në një profeci vetëpërmbushëse, ku disa individë përvetësojnë sjellje agresive për të përputhur me pritshmëritë shoqërore.
Në këtë linjë argumenti, Garcia-Moreno dhe kolegët (2013) gjithashtu theksojnë se një fokus ekskluziv në identifikimin e burrave si dhunues pa marrë parasysh kompleksitetin e këtyre faktorëve rrezikon dhe forcon sjelljen që në fakt përpiqet të luftojë. Për më tepër studimi i Kimmel (2018) nënvizon presionet shoqërore që ndihen burrat për të përputhur me role tradicionale gjinore, ne radhë të parë, e që ky presion mund të përshkallëzohet si pasojë e imazhit të krijuar.
Pra, nëse synimi është të kuptojmë dhe të parandalojmë sjelljet dhunuese, duhet të shohim përtej stereotipave dhe të analizojmë shumëllojshmërinë e faktorëve që ndikojnë në sjelljen njerëzore. Le të nxisim një dialog dhe diskutime që njohin individualitetin brenda gjinisë, dhe krimin si një akt jo vetëm gjinor.