“Kompleksi i Zotit”: Dokumentari “Babai ynë”, si u bë mjeku baba i dhjetëra fëmijëve

“Our Father”, një dokumentar i Netflix, tregon historinë e Jacoba Ballard dhe gjysmë vëllezërve të saj – mbi 50 persona në total – që zbuluan se të gjithë ishin të lidhur me babën biologjik, Dr. Donald Cline, një ish mjek fertilizimi në Indianapolis. Dokumentari ndjek hetimin në veprimet kriminale të Cline, motivet e tij të mundshme dhe ndikimin e mashtrimeve të tij mbi “viktimat”, rrjedhimisht gratë që në mirëbesim kishin pranuar nga doktori në fjalë gjetjen, seleksionimin e donatorëve, për tu bërë nëna.

Dr. Robert Cline siguronte pacientët e tij se sperma e donatorit që ai përdorte për trajtimet e inseminimit ishte ekskluzive dhe selektive. Në realitet, ajo ishte e tij dhe jo e donatorëve të tjerë. Dokumentari “Our Father” ndjek përpjekjen e një grupi gjysmë vëllezërish për të zbuluar gënjeshtrat e Cline, dhe për ta bërë që doktori të paguante për veprimin e tij. Në këtë dokumentar personazhet po përballen me realitetin e rëndë të përplasjes së identitetit personal, dramë që i ka shokuar viktimat.

“Unë personalisht mendoj se ishte një eksperiment për të, një lojë e sëmurë,” thotë një prej pasardhësve/viktimave të tij. Dr. Donald Cline, një mjek fertilizimi në zonën e Indianapolisit, kishte përdorur në shumë raste spermën e tij për të inseminuar pacientët në klinikën e tij. Cline e bëri këtë pa lejen e grave që kërkonin trajtimin e tij, dhe pasi u siguroi ato se sperma e donatorit ishte nga një grup studentësh të mjekësisë dhe përputhej fizikisht me burrat e tyre.

Jacoba Ballard – njëri nga fëmijët e Dr. Cline, tregon se si kontaktonte secilin prej (gjysmë) vëllezërve të saj, në anën tjetër viktimat u zbuluan pasi morën teste të ADN-së në faqe si Ancestry.com dhe 23andMe. Kur hulumtimi i saj për prindin e tyre të përbashkët çonte te Dr. Cline, ajo mori këto dëshmi dhe shkoi në zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm të Shtetit të Indianës. E lënduar, e zemëruar dhe e neveritur, Ballard lajmëroi mediat, duke e ngritur këtë temë para publikut të gjerë. Me çdo zbulim të një vëllai tjetër – numri vazhdonte të rritej, 14, 22, 33, 48, dhe kështu me radhë.

Ballard dhe të tjerët duan që mjeku ta pranojë fajin e bërë. Por në vend të kësaj, mjeku refuzon të bëjë një test ADN-je. Thuhet se Dr. Cline është arrogant dhe i ashpër, një i moshuar që klinikën e tij e kishte mbushur me kryqe dhe vargje me tema biblike.

Të paktën, Jocoba Ballard njëra nga fëmijët viktimë kërkon nga babai i saj biologjik, që ta pranojë fajin e bërë, duke theksuar se ka bërë diçka të gabuar. Por, në vend të kësaj mjeku pengon edhe raportimin e mediave për rastin në fjalë, duke mospranuar madje që t’i nënshtrohej një testi të ADN-së. Në fund, Ballard dhe gjysmë vëllezërit e saj mbeten të habitur për motivet e Cline, edhe pse ai mohon rolin e tij në prejardhjen e tyre gjatë një interviste me autoritetet. Madje ai ka thënë se “Unë nuk i shoh këta njerëz dhe nuk i konsideroj fëmijët e mi.”

Dokumentari në fjalë shpreh anomalitë dhe keqpërdorimet që mund të bëhen gjatë procesit të fertilizimit, në rastin kur nuk dihet donatori, respektivisht prindi i fëmijës. Ky është ndoshta vetëm një nga rastet që ka bërë bujë, mediale derisa mund të ketë edhe shumë raste të tilla të keqpërdorimeve masive. “Our Father” merr kuptim edhe në kontekstin tonë lokal në Kosovë, për arsye se para deputetëve të Kuvendit të Kosovës javë më parë ka qenë “Projektligji për Shëndet Riprodhues dhe Fertilizim të Asistuar Mjekësor”, përmes të cilit i hapet rrugë mundësisë që shumë fëmijë të privohen nga njohja e prindërit të tyre, aq më tepër të përsëritet potencialisht edhe rasti i Dr. Cline. Presioni mbi ata që e kanë kundërshtuar projektligjin ka qenë i madh, duke i akuzuar si shkelës të të drejtave të njeriut, duke harruar që po të njëjtit po i shkelin rëndë të drejtat e fëmijëve për ta njohur njërin nga prindërit e tyre – babanë. Është tepër brengosëse se si gatishmëria për një të “drejtë”, e përligj sipas kësaj kategorie, traumën që do ta përcjellë një person gjatë tërë jetës së tij, sepse nuk kishte mundësi ta njoh babanë e tij, dhe atë jo për ndonjë arsye objektive, të ndonjë lufte, katastrofe natyrore, vdekje fatale, ose diçka të tillë, por vetëm sepse nëna e tij e ka bërë këtë përzgjedhje. Pavarësisht presionit jo të vogël, etiketimeve të vazhdueshme, dhe kartës se qëndrimi që fertilizimi i asistuar mund të ndodhë vetëm në mes një burri dhe gruaje, është arkaik dhe joemancipues, njerëzit në Kosovë besojnë ende te rregullimi konvencional i familjes, si njëra prej shtyllave kryesor që e ka mbajt gjallë identitetin dhe vetë qenien kombëtare në Kosovë.

 

Ndaje