Katër pika rreth librit “Enigma e Qytetërimit Danubian”

Në Muzeun Kombëtar të Kosovës, më 22 Korrik 2021, u promovua libri “Enigma e Qytetërimit Danubian”, i autorit Harald Haarmann. Ky libër është një prezantim i përgjithshëm i rezultateve të hulumtimeve dhe studimeve të periudhës së Neolitit, dhe interpretim i aspekteve të veçanta, fillimisht me rëndësi specifike për trevën e Ballkanit, para se të përfshijë nga këndi i studimeve interdisciplinare hipoteza e teori mbi zhvillimet kulturore, të cilat e paraprinë qytetërimin evropian dhe më gjerë. 

Autori me mjeshtëri i ka ndërfutur edhe disa çështje, që sipas vlerësimit profesional nga fusha e arkeologjisë, pa e mohuar kontributin e rëndësishëm të autorit të dhënë në këtë vepër, në Sektorin e Arkeologjisë të Muzeut Kombëtar të Kosovës, ato çështje vazhdojnë të trajtohen sipas qëndrimeve të bazuara në këndvështrimin tradicional të mendimit historik.

Në vijim, do të japim shumë shkurtimisht një vështrimin kritik këtyre çështjeve të trajtuara në këtë libër.

 

1. Qytetërimi Danubian. Nuk është provuar shkencërisht që përgjatë lumit Danub ndonjë vendbanim i periudhës së Neolitit të ketë qenë qytet ose vatër e qytetërimit. Në Evropë elementet e para të qytetërimit, siç janë organizimi i veprimtarisë agrare, blegtoria, poçeria, teknologjia e avancuar e përpunimit të gurit dhe ndërtimtarisë, janë të njohura fillimisht në jug dhe juglindje të gadishullit Ballkanik. Mendimet lidhur me inovacionin dhe ndikimin kulturor në përgjithësi nga zona Anatolike në drejtim të perëndimit, mbeten ende dominante. 

Zhvillimi i pavarur për një kohë të gjatë ka sjellë individualitete kulturore me karakteristika identitare të reja në vende të ndryshme të Evropës juglindore, sikurse edhe përgjatë lumit Danub. Megjithatë, mendimet se a janë përhapur kulturat neolitike në mënyrë difuzioniste, migracionale apo kanë pasur zhvillim të pavarur, vazhdojnë të mbesin të hapura. 

Shoqëritë Neolitike të zonës së Ballkanit, në të gjitha fazat e kësaj periudhe, kanë ndjekur si kriter për ngritjen e vendbanimeve lumenjtë e ndryshëm, të cilët jo vetëm që nuk janë fare degë të Danubit, por gjithashtu, kronologjikisht lokalitetet pranë tyre, qoftë edhe për periudhën e kulturës vinçane, mund të jenë më të hershme. Niveli më i lartë artistik i plastikës figurale në kulturën vinçane është arritur në luginat e lumenjve Ibër, Sitnicë e Llap të Kosovës, kah fundi i periudhës Neolitike, megjithatë nuk mund të pretendohet se është arritur shkallë e tillë e zhvillimit për t’u quajtur qytetërim. 

Shenjat e organizuara si formë e shkrimit fillestar në kulturën vinçane, mbeten të padeshifruara. Përdorimi i tyre nuk plotëson kriteret se në atë shoqëri është arritur shkalla e qytetërimit. 

Njeriu gjithmonë ka pasur nevojë për të mbajtur ndonjë evidencë, sado që të ketë qenë formë primitive ajo, por kjo nuk e bën shkrimin e caktuar kriter të qytetërimit, madje as arti, estetika, teknika e teknologjia, pa pasur edhe disa kritere tjera si: organizimi i jetës shoqërore dhe publike bazuar në legjislacion, zhvillimi i letërsisë, siç njihen në Mesopotami Kodi i Hamurabit dhe Epi i Gilgameshit. Këtë nivel nuk e ka arritur kultura vinçane e asnjë tjetër evropiane në Epokën e Neolitit, deri në kohën e qytetërimit kreto-mikenas dhe antikitetit grek e romak. Niveli i lartë teknologjik e artistik i mjeteve utilitare, arkitekturës, organizimit urban, shoqëror e ekonomik, janë tregues të stadit qytetërues, por jo gjithherë meritojnë të quhen qytetërime, përderisa në ndonjë vend tjetër këto veçori janë shumë më të avancuara. Në Mesjetë ka pasur shoqëri të organizuara që bazoheshin në kode zakonore, mirëpo assesi nuk mund të quheshin shoqëri të qytetëruara. 

Një prej mesazheve kryesore që përçohet nëpërmjet kësaj vepre është vendosja e Evropës në fillet e zhvillimit të qytetërimit, ndryshe nga që është menduar, se qytetërimi e ka origjinën në Lindjen e Mesme. Autori e mbështet mendimin e tij në zbulimet dhe studimet rreth Epokës Neolitike, duke e shtyrë kështu shumë mbrapa në kohë rolin influencues të perëndimit në përhapjen e qytetërimit.

Vija ndarëse-lindje-perëndim janë të njohura qysh në periudhën antike, siç ishte ajo e Teodosit në shekullin e 4-të, brenda territorit evropian dhe brenda të njëjtit qytetërim, atij romako-bizantin, e që erdhi si pasojë e dyndjeve të paraardhësve të popujve të sotëm evropiano-perëndimor.

Vija të ngjashme ndarëse ka pasur edhe në fillim të shek. 20, për çështje studimore, lidhur me influencat kulturore. Megjithatë, realiteti tregon se edhe në shek. 21, dallimet kulturore janë pengesë e mirëkuptimit ndër-njerëzor, gjë që është vënë re, jo më larg se në dekadën e fundit me ndërtimin e mureve në brezat kufitare të shteteve të caktuara lindore të Unionit Evropian, për të ndaluar refugjatët e ikur nga vendet e Lindjes së Mesme, të cilët kërkonin t’i shpëtonin krizës së shkaktuar nga lufta. 

Qytetërimi nga lindja ka prekur skajin më perëndimor të Evropës Mesjetare, Spanjën e sotme, atje ku njihej kultura dhe civilizimi Arabo-Islamik Andaluzian (711-1492). Për afro 8 shekuj nga ato qytete u ndriçua me kulturë e dije Evropa, dhe në përgjithësi nuk pati vija ndarëse territoriale në kufijtë kulturor, madje ky qytetërim parapriu Renesansën Italiane e Evropiane në përgjithësi. Ndërsa, në Evropën juglindore nga shek. 15 e për disa shekuj me radhë u shtri qytetërimi Otoman, degë tjetër e qytetërimit Islamik.  

Ndarja e Evropës (fjalë me origjinë arabe që do të thotë ‘perëndim’) nga lindja, në çfarëdo forme përveç termit gjeografik, nuk i kontribuon klimës së kulturuar, që do të duhej të mbretëronte në qytetërimin modern. 

2. ‘Përmbytja e Noes’. Sipas autorit, përmbytja në kohën e profetit Nuh, paqja qoftë mbi të, (f.26), në këtë libër prezantohet duke iu referuar teorive të kohës moderne që lidhen me shkaqet (tërmeti) dhe pasojat (ndarja tokësore), kufijtë hapësinor (rajonale) dhe kronologjik (Epoka e Neolitit). 

Qasja në këtë libër përkitazi me këtë ngjarje të rëndësishme, e cila i dha kahe të re historisë së njerëzimit, ndonëse metodologjikisht shkencore, është tërësisht hipotetike, dhe në parim, në shpërputhje me Shpalljet Hyjnore – Teuratin, Ungjillin dhe Kur’anin.

3. Kibla e muslimanëve dhe ndërlidhjen që e bën autori me Kiblën idolatrike (f. 204) nuk është e saktë. Qabja në Mekë nuk ka qenë orientimi i parë i muslimanëve për adhurimin e Allahut, Zotit të gjithësisë; ka qenë Xhamia el Aksa në Palestinë, në Veri të Gadishullit Arabik. Në fillimet e islamit, në Qabe kanë qenë 360 idhuj me emra të ndryshëm. Fjala Kibël, është një prej trajtave të rrënjës kbl në gjuhën arabe, prej së cilës derivojnë trajta të shumta me kuptime të ndryshme si: pranim, qasje, kthim, përpara, përball, orientim, fis, afër, etj. Për më tepër, monoteizmi islam nuk është paraprirë nga asnjë lloj forme e politeizmit.   

4. Feminizmi si lëvizje kulturore e politike dhe një formë ideologjike për barazi gjinore e promovuar që nga shekulli i 19, ka pasur ndikimin e vet të fuqishëm edhe në shkencën e arkeologjisë. Në emër të promovimit të një lloj fryme egalitare shoqërore, i është dhënë prioritet studimit të periudhës së Neolitit, për faktin e pranisë më të madhe të gjetjeve figurale femërore në raport me ato mashkullore, si dhe njohurive tepër të pakta mbi organizimin e jetës shoqërore në atë epokë. Kështu, interpretimet e feministëve kanë gjetur terren në periudhën e Neolitit për të promovuar idenë dhe për ta implementuar në shoqëri moderne. 

Përgjithësimi i një epoke të tërë, pra në kohë dhe hapësirë, sipas një rendi të organizimit shoqëror, matrilinear ose matrifokal, përdoret si precedent për feministët, për të promovuar në emër të barazisë dhe balancit shoqëror edhe diçka përtej, rolin primar të gruas në statusin social në familje dhe linjë të trashëgimisë (f.185), version ky pak a shumë i njohur tek hebrenjtë, e që nuk është arritur ende të provohet për periudhën e Neolitit. 

Enigma e qytetërimit danubian figurativisht që në kopertinë e jep boshtin e mesazhit si dhe metodologjinë e trajtimit të kësaj teme: femra e paraqitur nga ana e pasme në ballinë, në trajtën e një figurine të stilizuar, dhe e njëjta me pamje nga ana e përparme, në shpinë të kopertinës. Faktet arkeologjike dhe ato historike e kanë dëshmuar se burri dhe gruaja në rolet e tyre të natyrshme në familje i kanë kontribuar për së mbari shoqërisë njerëzore.

Ndaje