Juristë, mjekë, profesorë

  1. Shprehja me njëfarë fame e Lordit Akton (1834-1902) se pushteti korrupton dhe pushteti absolut korrupton në mënyrë absolute, në kulturën tonë është bërë shumë e famshme, duke u banalizuar e përdorur në kushtet e alarmit nga mundësia e abuzimit me pushtetin e kryeministrave të radhës. Banalizimi si kollajllëk i të kuptuarit, ka të bëjë me theksimin e nevojës për t’u ruajtur nga pushteti absolut, duke e neglizhuar (përmes mostheksimit) se sa e vështirë është kjo, nëse prej vetiu çfarëdolloj pushteti korrupton.

    Pra nëse e paraqesim në invers: pushteti absolut korrupton në mënyrë absolute, dhe pushteti çfarëdo korrupton, kuptojmë se për të luftuar korruptimin absolut, rruga e vetme është t’i bëjmë ballë korrupsionit normal – joabsolut.

  1. Që do të thotë se banalizimi tjetër i së njëjtës thënie, ka të bëjë me supozimin që korruptimi prej pushtetit përfshin zotëruesit e pushtetit, duke harruar se pushteti është transferim simbolik – konvencional i fuqisë së shoqërisë, dhe si fuqi i intereson vetëm vetvetja, por duke qenë se është e vetmja fuqi prej së cilës as nuk e përfytyrojmë të çlirohemi, atëherë interesi i saj për të shumëfishuar veten, na implikon të gjithëve.
  2. Kështu që, duke e lënë mënjanë ideologjinë, e duke u joshur nga sociologjia, për ta diskutuar kuptimin bazë të shprehjes, na duhet të modifikojmë formulimin e saj: pushteti implikon dhe pushteti absolut implikon në mënyrë absolute.
  3. E modifikuar kështu, shprehja fiton vetinë e të qenit e pabanalizueshme. Sepse na zbulon të vërtetën e përhershme që nëse ka një rrugë të mundshme që varet nga njerëzit, vetëm rezistenca ndaj korruptimit prej pushtetit normal mund të ndikojë në shmangien e pushtetit absolut dhe korruptimit absolut. Por kjo, gjithsesi, përveçse është e vështirë, nuk është as e menjëhershme, as e sigurt.
  4. Nuk është e menjëhershme, sepse do të duhet që kjo rezistencë të rrokë së paku një a dy breza të një shoqërie, që të stabilizohet si shprehi popullore dhe e qëndrueshme. Dhe nuk është as e sigurt, pasi vendosja e pushtetit absolut ka edhe një natyrë aliene: mund të vijë pavarësisht përpjekjeve të një shoqërie, nga faktorë të paparashikuar të aspektit gjeopolitik, historik apo kulturor.
  5. Po ashtu, modifikimi i mësipërm i kësaj shprehjeje, është i pabanalizueshëm, sepse na zbulon të vërtetën tjetër të trishtueshme, që implikimi prej presionit të fuqisë së pushtetit nuk është përjashtim, por përbën normën, dhe për pasojë rezistencën ndaj këtij implikimi duhet t’ua kërkojmë vetëm atyre të paktëve që kanë atributet e duhura për ta përballuar këtë presion, dhe jo për t’ia vendosur si imperativ gjithkujt me sugjerimin utopik se duhet të jetojnë në kushtet e tejkalimit permanent të vetvetes.
  6. Duke mos e pikasur qartësinë e kësaj të vërtete, personat që zotërojnë ligjërimin publik në këtë vend (por jo vetëm), (apo pikërisht për ta mbuluar qartësinë e kësaj të vërtete) dorëzohen vet ndaj implikimit korruptues të pushtetit dhe për ta maskuar këtë dorëzim, frustrojnë shumicën invalide që nuk ia ka arritur ende t’i rezistojë implikimit prej pushtetit.
  7. E ushtrojnë këtë dhunti për të frustruar këdo nga gjithsecili, sepse nuk ushtrojnë atë që është detyra e tyre e vetme: të pikasin çdo mundësi, të shfrytëzojnë çdo ekuivok, të rrokin çdo ndryshim të papritur të raportit të forcave, për të fortifikuar shumicën invalide (përmes inicimit dhe konsolidimit të ligjeve, normave, institucioneve, tendencave) ndaj fuqisë natyrore të pushtetit për t’i implikuar dhe devijuar.

    Dhe nëse ia dalin ta bëjnë këtë, të mos krenohen, sepse janë duke bërë atë që ua detyron statusi që pretendojnë: të shpëtojnë shoqërinë nga dhuna e korruptimit akut që vjen nga pushteti absolut dhe të ndihmojnë pjesën e shoqërisë që mbetet (më të madhes) t’i rezistojnë pushtetit normal.

  1. Mundësia e organizimit korporatist të grupeve të shoqërisë për të rregulluar marrëdhënien e tyre me të tërën (me shoqërinë), siç e kemi thënë edhe tjetër herë, është sot një nga alternativat e pakta në dispozicion, që pjesëtarët e shoqërisë, grupe-grupe, t’i shmangen fuqisë korruptuese të pushtetit.
  2. Kur lindën për herë të parë në shoqërinë paramoderne, korporatat ishin marrëveshje mes grupeve të ndryshme me pushtetin, por pushteti nuk ishte palë, por garantues i cilësisë së marrëdhënies mes grupit të korporatuar dhe shoqërisë. Dhe korporatat funksiononin ngaqë pushteti paramodern, për të garantuar apo rritur fuqinë e vet, nuk kishte nevojë t’i kontrollonte ato (ky pushtet burimet e legjitimimit të vet nuk i kishte të ndërlidhura, humorin apo mirëqenien e grupeve të ndryshme që e përbënin shoqërinë).
  3. Vërtetësia e kësaj konfirmohet nga çfarë ndodhi në moderne, kur pushteti tashmë i kushtëzuar në legjitimimin e tij prej peshës së grupeve që e përbënin shoqërinë, në mënyrë të natyrshme synoi t’i vendoste korporatat nën dominimin e vet. Pasojë e kësaj përpjekjeje për dominim janë:
      1. marrëdhëniet përherë të tensionuara të pushtetit dhe sindikatave në epokën moderne;
      2. përfaqësimi i njënjëshëm para publikut i pushtetit dhe korporatave të dijes në kulmin e lulëzimit të shtetit komb (siç e kemi përmendur edhe një herë tjetër);
      3. shkrirja e pushtetit me korporatat në rastin e shteteve moderne tiranike, si në Italinë e Musolinit, Spanjën e Frankos dhe Portugalinë e Salazarit.
  1. Por sot, në postmoderne, vihet re një rend i ri i gjërave. Sërish pushteti ka burime të tjera legjitimiteti (kompanitë transnacionale – që pikërisht prej mundësisë për ta zgjedhur publikun e vet nuk kanë fare bashkënatyrësi me korporatat klasike; dhe masmedian që në kushtet e atomizimit të përgjithshëm, i kanë zëvendësuar grupet klasike të interesit me grupime jomateriale).

    Për pasojë, korporatat si ndërmjetësuese të vlerës së produktit të grupeve, në raport me publiken (tërë shoqërinë), kanë sot një mundësi të madhe për t’u ripërtërirë dhe për ta garantuar rezistencën dhe mosimplikimin e pjesëve të tëra të shoqërisë, ndaj fuqisë së vetvetishme implikuese të pushtetit.

  1. Vetëm mos harrojmë: ky avantazh i formës korporatiste sot, nuk vjen as nga emancipimi i pushtetit, as nga dobësimi i tij, por thjesht nga mungesa e interesit të pushtetit për t’i kontrolluar grupet si të tilla.
  2. Duket se ka një kontradiktë dhe do të bëhet vërtet një kontradiktë nëse i lëmë kohë të përmbushet: pra nëse pushteti mund ta neglizhojë ekzistencën e grupeve, sepse përmes masmediave i bën më të identifikuar individët me praktikat e lojërave ligjërimore, sesa me interesat e një pune të përbashkët dhe përvoje materiale, atëherë këto grupe më nuk ekzistojnë dhe korporatat janë kështu të pamundshme.
  3. Mirëpo përbërës thelbësor të përvojave njerëzore si territorialiteti, bijtë, dështimi i mistershëm, janë ende në këmbë dhe sa ato nuk kanë rënë, ka ende kohë që edhe përmes tyre të ndërmerret një revansh kundër lojërave ligjërimore, përmes ripërtëritjes së përvojave të përbashkëta si: solidariteti, mirënjohja, sadisfaksioni, identifikimi, që shërbejnë si bazë për çdo praktikë normale korporatiste.
  4. Mirëpo, ripërtëritja e këtyre përvojave ushqehet vetëm nga mbajtja gjallë apo ringjallja e një atributi thelbësor të kohezionit në korporatë: kënaqësia e punës, dhuntia përmbushëse e saj, e cila nga ana e saj bëhet e mundshme nga marrëdhënia manuale (lexo: intime) me produktin e punës, dhe nga marrëdhënia e drejtpërdrejtë me konsumuesin e këtij produkti.
  5. Dhe që të dyja këto marrëdhënie sot janë në një krizë që nuk i shihet fundi dhe, siç e thamë, në kompanitë tradicionale këto marrëdhënie janë thjesht të pamundura (prandaj edhe sindikatat nuk janë vijuese të korporatave, por zëvendësuese kuturu të funksionit të tyre). (Dhe në këtë kuptim për një pjesë të madhe grupesh të ashtuidentifikueshëm – si grupe pra, propozimi për korporatizëm është utopi).

    E megjithatë për ç’ mbetet, korporatizmi shfaqet si rruga e vetme, sidomos për sipërmarrjet me kapital familjar dhe për profesionet produkti i punës së të cilëve është i paverifikueshëm, i pakonvertueshëm në vlerë tregu, sepse bartës a pësues të drejtpërdrejtë të punës së tyre janë qeniet njerëzore (madje për këtë arsye bie fort në sy mungesa e të vetmes formë të natyrshme organizimi: korporatizmi).

  1. E kemi fjalën posaçërisht për tri grupime profesionistësh: juristët, mjekët, profesorët, të cilët si kontaktues të drejtpërdrejtë përmes punës së tyre me qeniet njerëzore, janë të vetmit që mund të interferojnë dhe ndikojnë në marrëdhënien jetike të pushtetit me publikun e për pasojë që do të duhet ta ndiejnë më fort tensionin e fuqisë së natyrshme implikuese – korruptuese të pushtetit.

    Por, siç thamë, përmes masmediave pushteti ia ka dalë që marrëdhënien me publikun ta pavarësojë nga çfarëdo përvoje natyrore përmes përvojave atomizuese të lojërave ligjërimore, dhe sa kohë juristët, mjekët, profesorët nuk rrezikojnë hiperfuqinë e lojërave ligjërimore brendapërbrenda tërësisë së përvojave njerëzore, pushteti është i çinteresuar për punën e tyre.

  1. Në të kundërtën, pra nëse pushteti do të ndiente kërcënim prej këtyre grupeve, atëherë presioni i tij dhe fuqia implikuese do të ishin të tilla, saqë pa lavdi sigurisht, por edhe pa turp (për të pasur realisht arsye për turp, se është në natyrën e gjërave që pushteti të përulë pothuajse gjithçka e gjithkënd, qendër e të cilave është vet ai) këto grupe do të korruptoheshin prej tij me mundësi shumë të vogla reagimi.
  2. Ajo çfarë ka ndodhur në këtë vend dhe praktikisht pothuajse në çdo vend, me marrëdhëniet mes pushtetit dhe drejtësisë, është prova e kësaj që thamë. Në të vërtetë, jo nga shqetësimi se mos drejtësia me ligjërimin dhe praktikën e saj fiton zemrat e njerëzve duke neutralizuar lojërat ligjërimore, por nga frika më e madhe se drejtësia i amputon nga marrëdhënia me publikun, ushtruesit e pushtetit fuqinë implikuese e orientuan me intensitet të lartë, pikërisht te trupat e punonjësve të drejtësisë.

    Siç thamë, këta të fundit e kanë pësuar këtë implikim, ata janë fajtorë, por faji i tyre është i justifikueshëm: aftësia implikuese e pushtetit është natyrale dhe po ashtu nevoja e shoqërisë për një pushtet hierarkik – organizativ është në mënyrë natyrale, më gjatë e papërballueshme se nevoja për drejtësi. (Dhe ky është një justifikim për mosndëshkimin prej tyre të pushtetit dhe jo për dëmtimin e të pafajshmëve).

  1. Dhe në momentin si tani kur paradoksalisht pushteti premton t’i çlirojë juristët nga presioni i vet implikues, zgjidhja për këtë grup është korporatizmi (drejtësia është e paverifikueshme, nuk është send, por ndërveprim i lartë shpirtëror dhe kulturor mes palëve), që mund të realizohet përmes rivendosjes së kontaktit të drejtpërdrejtë me pushtetin, përmes përfshirjes së jurisë civile në gjyq dhe njëherazi përmes kontrollit të punës së juristëve nga një trup kombëtar personash jo juristë, por me rekorde drejtësie në ushtrimin e veprimtarisë së tyre (cilado qoftë) publike.
  2. Me mjekësinë është akoma më e thjeshtë: ata realisht kanë qenë në punën e tyre jashtë presionit akut të pushtetit dhe mund të thuhet që pushteti i ka korruptuar mjekët jo duke ushtruar presion implikues, por përkundrazi, duke i lënë pa asnjë presion. Dhe edhe korruptimi i mjekëve është njëherazi i palavdishëm dhe joturpërues: disproporcioni mes natyrës së produktit të punës së tyre, dhe shpërblimit është thjesht poshtërues (të kërkosh që mjeku të shërbejë vetëm me shpërblimin e kohës së punës, por jo me shpërblimin e produktit konkret të punës te qeniet konkrete njerëzore, do të thotë të kërkosh që ai të pranojë se pacientët janë padronët e tij dhe ai skllavi i tyre).

    (Dhe ky është një justifikim për pranimin e pagesës prej tyre kur kryejnë punën, dhe jo për mosofrimin apriori të shërbimit nëse nuk paguhen imediatisht).

  1. Prandaj, mosimplikimin prej fuqisë së natyrshme korruptuese prej pushtetit, duhet ta përdorim për një organizim korporatist, përmes vendosjes së kontaktit të drejtpërdrejtë me pushtetin: të legalizohet detyrimi (nga i cili përjashtohen të mjerët) i pagesës ekstra të mjekëve për çdo rast dhe me tarifa të kontrolluara, prej pacientëve (sepse shëndeti dhe shërbimi vërtet nuk janë sende por çlirimi nga vuajtjet është një mundësi – edhe mund të mos ndodhë – dhe jo një e drejtë).
  2. Dhe grupi i fundit, profesorët universitarë, nëse ata janë të korruptuar siç organikisht një pjesë e mirë e tyre janë, ky korruptim nuk gjykohet njësoj si i juristëve apo mjekëve: korruptimi i profesorëve është njëherazi pa lavdi dhe turpërues. Sepse ndryshe nga juristët, këto 25 vjet, profesorët nuk e patën asnjëherë presionin e tmerrshëm implikues të pushtetit; dhe po ashtu ndryshe nga mjekët (në raport me të cilët kanë madje pothuajse dyfishin e pagës), nuk mund të paguhen ekstra për produktin e punës së tyre, sepse “shërimi” nga padituria është që në krye pothuajse një utopi – mund të mos ndodhë kurrë, e për pasojë profesori ontologjikisht ka zgjedhur të jetë profesor, duke pranuar si të natyrshme që mund të mbetet i pashpërblyer (për më tepër që ai që vuan nga sëmundja e injorancës mund të kalojë një jetë të gjatë e të qetë, pa iu rrezikuar asfare jeta nga kjo “sëmundje”).
  3. Ajo pra që e kemi thënë me kohë: zgjidhje e vetme për profesorët e universiteteve është organizimi korporatist (dhe si rrugë kontakti të drejtpërdrejt me publikun, do të ishte matja e vlerës së punës së tyre – sepse dituria nuk është send – me masën e edukimit të qenieve njerëzore që u japin mësim).
Ndaje