Hijet e një civilizimi

CIVILIZIMI ISLAM, HIJET E TIJ NË EVROPË DHE BALLKAN

Civilizimi Perëndimor me të drejtë mund të cilësohet si një fëmijë i paedukatë i atij Islamik. Të paktën ky që është manifestuar pas periudhës së mesjetës, e cila mbizotëroi kontinentin e vjetër për afro njëmbëdhjetë shekuj, pa mëdyshje, ka përthithur me etje gjithë mësimet mbi organizimin jetësor, mbi të kuptuarit e artit, mbi dobinë e filozofisë dhe veçmas përdorimit të shkencës. Dhe shih, përpara se periudha e mesjetës të shembej e mbi rrënojat e saj të mbinin “pemët” e humanizmit dhe renesancës, Civilizimi Islam qe ulur në zemër të Evropës, për t’ua mësuar pasardhësve të saj atë se çfarë do të thoshte pastërtia, çfarë nënkuptonte respektimi i të drejtave të grave, se pse racizmi është një sëmundje e cila duhet të luftohet dhe vlera të tjera të paçmuara…

Një tronditje, një mahnitje

Botëkuptimi islam u mësoi perëndimorëve një model të ri të organizimit shoqëror, ndërsa madhështia me të cilën u shfaq ky model, fillimisht i tronditi, pastaj i mahniti, e tek më vonë i nxiti të reflektonin e të vepronin. Shekulli i XVI-të që nxori në shesh përplasjet e brendshme që më vonë morën emrin e Lëvizjeve Protestante, kryekëput ishin të provokuara nga standardet e larta të cilat i kishte vënë Civilizimi Islam.

Kundrejt një sistemi monokolorit mesjetar, i cili imponohej dhe kontrollohej nga kisha si institucioni qendror, autoritet i vetëm mbikëqyrës dhe organizues i të gjithë sektorëve jetësor, duke filluar nga ai arsimor, shëndetësor, kulturor etj, Islami ofroi një pasqyrë krejt tjetër vlerash. Ai shfaqi një sistem brenda të cilit liritë dhe të drejtat e qytetarëve, jetësoheshin në kuptimin e njëmendët, ndërsa diversiteti dhe gjallëria e ideve, ishin shndërruar në identitet të sistemit.

«Epoka e artë e qytetnimit musliman nis me ngritjen e abasidëve në vitin 750. Pesë shekujt e kalifatit abasid qenë shekuj të lulëzimit të mirëfilltë të gjenialitetit islam» na e kujtojnë Ziauddin Sardar dhe Zafar Abbas Malik.1

Kjo frymë progresiste, e manifestuar në të gjitha dimensionet e jetës, kulmoi me kryevepra arkitektonike, planifikime të mençura e funksionale urbanistike, nëpër të cilat pastërtia dhe rendi merrnin fizionominë e qyteteve të tëra.

«Në fund të shekullit pesëmbëdhjetë, Miladi (9 hixhri), Andaluzia ra në duart e myslimanëve. Me këtë, të gjithë në atë qendër të vogël të pushtetit islamik, në vitet e fundit të funksionimit, llojet e artit kishin arritur kulminacionin. “Kaser Alhemra” (Pallati i kuq) është njëri nga ndërtimet më të bukura të asaj kohe. Muhamed ben Ahmer, emiri i parë i dinastisë bëni Naser, në vitin 634 k. (1234), ka ngritur një pallat në një mal të lartë, që ishte i rrethuar nga shkëmbinj të lartë dhe është konsideruar si një nga pallatet kryesore të dinastisë»2 – vë në dukje Ali Akbar Velajeti.

Autorët si Velajeti madje vënë në dukje se efekti i këtij standardi arkitektonik, kishte depërtuar brenda oborreve dhe pallateve të mbretërve katolikë: 

«Bukuria e pallateve të Spanjës, e arkitektëve të krishterë, kishte një efekt të madh. Mirëpo, mbretërit e krishterë të Spanjës, ju kishin mundësuar mjeshtërve myslimanë, që të shkojnë për të ndërtuar shtëpi, pallate e oborre…» – konfirmon Velajeti. 

Vetë Al – Hambra, apo Pallati i kuq, ka mbetur një gjurmë e pamohueshme e shtrirjes dhe ndikimit të Civilizimit Islamik në atë Perëndimor.

Por çfarë i priu këtij revolucioni kulturor? Ku ishte burimi?

Arti, shpirti islamik

Libri i shenjtë ‘Kurani’ merret si referencë nga gjithë bota islame, si shkak i hapjes së horizontit të jashtëzakonshëm dhe perspektivave të reja mbi studimin dhe organizimin e jetës. Urtia – sipas botëkuptimit filozofik islamik, është dhuratë prej Zotit. Këtë e vë në dukje edhe teksti i shenjtë i cili thërret besimtarin ta njoh të Vërtetën përfundimtare, nëpërmjet leximit dhe kërkimit të dijes. 

Zoti, sipas tekstit të shenjtë, nuk i do ndjekësit e verbër, andaj Ai e bënë dallimin ndërmjet atij që sheh, me atë që nuk sheh. Për këtë bëhet thirrje që besimi të ndërtohet, pas kërkimit të urtisë. Vetë thirrja për të lexuar në kërkim të së Vërtetës, e nxjerr Islamin si botëkuptim filozofik e fetar jashtë greminës së doktrinës fetare. Shoqëritë islame u shquan për kultivimin e disa vlerave, të cilat u paraprijnë për të paktën disa shekuj lirive dhe të drejtave fundamentale. Ato karakterizoheshin nga dinamizmi i ideve, debateve dhe etjen që e shfaqnin në kërkim të dijes. Veç kësaj, muslimanët e shekujve të ndritshëm, ishin kureshtar për t’i njohur vlerat e të tjerëve, çka bëri që ata t’i studionin të arriturat e të tjerëve, për t’i trashëguar ato që i cilësonin si vlera, por nën dritën e një qëllimi të ri.

«Perëndimorët, sidomos poetët e Spanjës, ndikoheshin shumë nga letërsia arabe. Literatura për kalorësinë, kavalerinë, metaforën dhe tregimet e mrekullueshme imagjinare hynë në letërsinë perëndimore nëpërmjet letërsisë arabe, veçanërisht në Andaluzi. Shkrimtari i famshëm spanjoll Abanizi ka thënë: “Evropa nuk ka ditur asgjë nga kalorësia dhe letërsia para se arabët të vinin në Andaluzi dhe kalorësit e heronjtë e tyre të shkonin në regjionet e jugut.”»3; na e kujton Mustafa as Sibai.

Përmasat e këtij ndikim, sipas tij, ishin të mëdha, dhe këtë e pranojnë vetë shkrimtarët perëndimorë. Ai i citon ata tek përmendin Algharo-n, një shkrimtar spanjoll i periudhës andaluziane, i cili ankohej që bashkëkohanikët e tij ishin mahnitur nga stili i poetëve dhe shkrimtarëve arab, aq sa e kishin filluar ta linin mënjanë latinishten dhe greqishten, për ta përvetësuar «gjuhën e atyre prej të cilëve ishin mposhtur.4

Civilizimi islam në Ballkan

Shumë nga vendet e Ballkanit Perëndimor i kanë të freskëta gjurmët e këtij  civilizimi. I ardhur nëpërmjet Perandorisë Osmane, ai u manifestua në shumë dimensione. Shumë qytete të themeluara në kohën e perandorisë, mbartin një identitet të fortë islamik, duke bërë që ato t’i ngjajnë njëra tjetrës, në shumë aspekte.

Ahmet Davutoglu në librin e tij Qytete dhe Qytetërime ndër të tjera shkruan:

«Në fakt është pasqyrim i natyrshëm i kontributit origjinal të Bursës, si qytet prototip në kulturën tonë urbane. Bursa është prototipi urë i cili bëri të mundur që vetëdija hapësinore dhe fryma urbane e ardhur nga Horasani të brumosej me trashëgiminë selxhuke në qytetet e Anadollit me në krye Konjën, dhe pasi të kalohej së pari në linjën Edrine-Plovdiv-Shkup me trashëgiminë osmane e të piqej atje, të arrinte përmbushjen në qendrën e fundit të madhe të qytetërimit të lashtë, në Stamboll, si dhe në ngjitjen në skenën e historisë së një qyteti të ri me Sarajevën. Prandaj, nëse do të ishte e mundur të kalonit në Bursën, Plovdivin, Shkupin apo Sarajevën e një shekulli, me gjasë, në çastin e parë do të ndjenit sikur ndodheni në të njëjtin vend.»5

Sheshet me kalldrëm, xhamitë, hamamet, mejhanet, pazaret, sokakët e deri te sistemet e ujitjes dhe kanalizimit, kanë ngelur sot e mijëra vjet, të paprekura dhe për më tepër edhe funksionale.

Një kontekst të tillë më së miri e përshkruan Keith Dreë një autor reportazhesh i BBC-së. Ai duke iu referuar një sistemi të vaditjes në Valencia të Spanjës, shkruan:

«I shpikur 1200 vjet më parë nga sundimtarët maure të rajonit, sistemi i vaditjes së Valencias është ende një model për bujqësi të qëndrueshme.»6

Sipas artikullit të Dreë, bahçet me ato produkte aq të freskëta, janë dëshmitare të një sistemi të menduar me mençuri shekuj më parë.

«Krahas fasuleve, këtu ka edhe koka brokoli si sfungjer, speca të kuq dylli, llamba hudhrash të yndyrshme dhe qepë në madhësinë e shkopinjve. Ata janë të gjithë pjesë e një prodhimtarie të pabesueshme që rritet në La Huerta çdo vit, pavarësisht nga fakti se fushat e saj mbyllin qytetin e tretë më të madh të Spanjës. Sekreti është një labirint i zgjuar me kanale dhe porta përmbytëse të shpikur nga sundimtarët maure të rajonit 1200 vjet më parë.

Tetë kanale (hendeqe) kryesore vaditëse derdhin ujin nga lumi Turia, i cili më pas bartet – me anë të gravitetit – përgjatë një sërë degësh më të vogla, të cilat e shpërndajnë ujin në mijëra parcela të vogla nëpër fusha. Sasia e ujit që merr çdo parcelë nuk matet në aspektin e vëllimit, por më tepër me atë se sa mirë rrjedh lumi. Njësia, e njohur si fila (që rrjedh nga fjala arabe që do të thotë “fije”), përfaqëson të drejtën e një individi për një pjesë të ujit për një periudhë kohore; cikli i ujitjes zgjat zakonisht një javë, por kur niveli i lumit është i ulët, cikli zgjatet»7 – shkruan ai.

Siç e thamë edhe më sipër, edhe në hapësirat e banuara me shqiptarë, gjurmët kanë mbetur të paprekura. Qyteti i Prizrenit, fjala vjen, mbetet një lagje në miniaturë (siç do të thoshte Davutoglu), e Stambollit, kryeqytetit perandorak.

Urat e Prizrenit të vjetër, sheshi i shatërvanit dhe godinat afër lumit, kanë mbetur po ato: në kuadër të një plani shekullor osman.

Pikërisht nga ky qytet ka prejardhjen një poet i periudhës osmane, që duket të ketë qenë shumë i shquar për kohën.

Bëhet fjalë për Suzi Prizrenasin, emri i vërtetë  i të cilit qe Muhammed Efendiu. Pak gjurmë kanë ngelur rreth jetës dhe veprimtarisë së tij, por dihet që u lind në Prizren dikur mes viteve 1455-1465, ku dhe u rrit dhe u edukua. Suzi është një pseudonim që domethënë “i zjarrtë, i flaktë”.8

Në enciklopedinë virtuale Ëikipedia, rreth jetës së tij, ndër të tjera shkruan: 

«I janë drejtuar gjithashtu Sûzî-i Rûmî, Sûzî-i Pürzerrînî, Mevlânâ Sûzî, Sozi Çelebi/Efendi/Baba; ndërsa emërtimi Naqshbandi Suzi tregon se ka qenë pjesë e tarikatit Nakshbandi.» 

Ç’është e vërteta, duke iu referuar Suziut dhe disa poetëve të kohës, orientalisti Hasan Kaleshi9 vë në dukje faktin se, po qe se komunizmi nuk do t’i kishte fshirë gjurmët e një pjese të kulturës, sot fillimet e letërsisë shqipe, do të zhvendoseshin për 100 vite më herët.

Për më shumë, Kaleshi prej të parëve mbron hipotezën e Faik Konicës, i cili besohet të ketë thënë se po të mos ishte Islami, shqiptarët do të ishin më të shumtë në numër, por nuk do të ishin më shqiptarë!

«Padyshim se pushtimi i Ballkanit nga turqit rezultoi me dëme të rënda për serbët, grekët, bullgarët dhe disa popuj tjerë të Ballkanit, të cilët kishin shtet, organizim të kishës, kulturë, letërsi dhe shkrim të vetin. Pushtimi turk i dha fund procesit zhvillues të këtyre popujve, si dhe ngadalësoi zgjimin e tyre kombëtar dhe kulturor, organizimin si kombe unike dhe pjesëmarrjen në lëvizjet kulturore dhe qytetëruese të Evropës. Por, nuk mund të flitet njëjtë edhe për popullin shqiptar, ngase ai nuk kishte asnjërën prej këtyre që përmendëm. Deri në periudhën kur erdhën turqit, shqiptarët ishin nën sundimin e të huajve dhe nën influencën e kulturës së tyre, dhe pandërprerë asimiloheshin etnikisht dhe kulturalisht. Në kohën që po finalizohej pushtimi turk i Ballkanit, populli shqiptar ndodhej para sprovës më të rëndë historike, pra rrezikonte të asimilohej i tëri.»10

Në një tjetër studim të tij mbi Prizrenin, Kaleshi gjurmon rrafshin kulturor, ndikimin e Civilizimit Islam në këtë kontekst, duke i identifikuar dhjetëra poetë të shquar të kohës, të cilit kishin qenë të njohur në tërë perandorinë.

Një epilog me poezinë alhamiado shqipe

«Shoqëria shqiptare nën sundimin osman, në shekullin e XVIII, kur u shfaq poezia shqipe alamiado, ishte profilizuar si shoqëri me shkallë relativisht të lartë të integrimit në Perandorinë Osmane. Pranimi i fesë islame që ishte intensifikuar në shekullin XVI ndër feudalët e vegjël, udhëheqësit e fiseve dhe elitën e re ushtarake, në shekullin XVII e XVIII ishte shtrirë edhe në nivelet e tjera të bashkësive sociale shqiptare, duke përfshirë edhe popullsinë fshatare dhe atë qytetase» – konstaton studiuesi Milazim Krasniqi.11

«Pas kalimit masiv të viseve të tëra në islam dhe pas disfatës së kryengritjes austriako-shqiptaro-serbe në vitin 1689, energjitë krijuese të priftërinjve katolikë shqiptarë, të çliruara brenda kundërreformës, po shteronin me shpejtësi. Praktikisht nuk kishte më ndonjë vazhdimësi botimi i librave fetarë katolikë në gjuhën shqipe. Në këtë kontekst social dhe kulturor të ndryshimeve të thella, në disa qytete shqiptare të jugut, veçmas në Berat dhe në Elbasan, po lindte një letërsi e re në gjuhën shqipe, me alfabet arab, si përgjigje e re e strukturimit social e kulturor shqiptar pas disa shekujve të integrimit në Perandorinë Osmane»12 – vijon ai konstatimin.

Historiografia jonë, përkatësisht historia e letërsisë, ka arritur t’i ruaj vetëm disa emra nga gjithë ajo periudhë disa shekullore, ndërsa trashëgimia letrare e mbetur, është tejet e paktë. Gjithsesi emrat më të shquar janë Nezim Frakulla (1685 – 1760); Hasan Zyko Kamberi (fundshekulli XVIII – XIX); Muhamet Çami – Kyçyku (1784 – 1844) etj.

Me aq sa është trashëguar nga këta poet, kuptojmë që për herë të parë letërsia u çlirua nga doktrina fetare, ndërsa poetët u ndien të lirë të bridhnin mbi rrafshin tematik, duke guxuar t’i trajtonin edhe temat e tjera, veç atyre fetare. Në një mënyrë me këta autorë, vëmendja u kthye te qenia njeri dhe preokupimet e tij nga më intimet te ato që e preokuponin bashkësinë ku jetonte dhe vepronte. Thënë shkurt, letërsia e njëmendët fillon me këta autorë. Shembulli më ilustrues i tërë kësaj që po e themi është poezia «Imzot mos na lër pa khave» e poetit Muçi Zade (1725).

Imzot, mos na lerë pa kahve13

Për sa rrëfejnë myxhizatë,

për shenjtërit që janë vatë,

mos më le bë iftar thatë,

Imzot, mos më lerë pa kahve!

Për hyrmet të Fatimesë,

për të mirët e Mejremesë,

mos më lerë me lëng t’armesë,

Imzot, mos më lerë pa kahve!

……………………….

Imzot, mos më le dë kujdes,

bë iftar me mjaltë pa pekmes,

O imzot, pej teje shpresë … !

Imzot, mos më lerë pa kahve!

Dë këtë muaj mubareq,

falna gjynahet se jemi pleq,

për gjithë sa janë meleq,

Imzot, mos më lerë pa kahve!

Për ismitë që je Gafur,

për Muhamednë q’është meshhur,

mos më lerë po me bullgur … !

Imzot, mos më lerë pa kahve.

Lutiu Zotit Muçi Zade,

se heq bari shumë derde,

se s’ka as pilaf as zerde,

Imzot, mos më lerë pa kahve!

Vargjet e poezisë të falin ndjesinë e një fryme të lirë, ndërsa rrjedhin natyrshëm nën ritmin e rimave që e krijojnë muzikën e këndshme gjatë leximit. Kapërcimi në kuptimin tematik, stilistik, e zhanror në raport me letërsinë pararendëse – asaj filobiblike, (sipas pretendimeve të historiografisë dhe historisë së deritanishme të letërsisë), është thjesht: galopan! 

Letërsia shqipe deri në këtë kohë, e ndoshta edhe për herë të parë, po fliste nëpërmjet zërit të saj të natyrshëm dhe të vërtetë. Këtë, kuptohet, ende nuk e kanë thënë të gjithë studiuesit, por, shenjat e fundit tregojnë se shumë shpejt mund të kemi një përmbysje të narracionit të prodhuar nga historiografia komuniste.

***

Civilizimi Perëndimor me të drejtë mund të cilësohet si një fëmijë i paedukatë i atij Islamik. Ky që është manifestuar pas periudhës së mesjetës, e cila mbizotëroi kontinentin e vjetër për afro njëmbëdhjetë shekuj, pa mëdyshje, ka përthithur me etje gjithë mësimet mbi organizimin jetësor, mbi të kuptuarit e artit, mbi dobinë e filozofisë dhe veçmas përdorimit të shkencës. Fryma e tij depërtoi deri në Ballkan, ndërsa gjeti një etni të përçarë dhe të shtypur, të cilën e rriti dhe e edukoi për ta bërë shtyllë të një perandorie. 

_________________________________

1 Z. Sardar, Z. A. Malik: ISLAMI (Shkurt e shqip); Rrokullia, Prishtinë 2010; fq – 76.
2
A. A, Velajeti: KULTURA DHE CIVILIZIMI ISLAM; Ibni Sina, Prishtinë 2015; fq – 141, 142
3 M.Sibai: CIVILIZIMI I BESIMIT; Fjala e Bukur, Prishtinë 2011; fq – 67, 68
4
 Po aty
5
A. Davutoglu: QYTETE DHE QYTETËRIME; Logos A, Shkup 2017, fq – 141
6
https://foldrejt.com/u-ndertua-nga-muslimanet-sistemi-i-ujitjes-1200-vjecar-ende-i-ujit-tokat-e-spanjes/
7
Po aty
8
https://sq.wikipedia.org/wiki/Suzi_%C3%87elebiu_i_Prizrenit
9
https://sq.wikipedia.org/wiki/Hasan_Kaleshi
10
Profesori nga Universiteti i Prishtinës, Abdullah Rexhepi shpjegon se këtë qëndrim Kaleshi e mbrojti në kumtesën e lexuar në Kongresin e I-rë Ndërkombëtar të Turkologjisë në Stamboll, 15-20 tetor 1973. Madje sipas Rexhepit kumtesa është botuar nga gazeta Terxhuman dhe Instituti i Turkologjisë, Stamboll, 1979. Po ashtu, kjo kumtesë është botuar edhe në Sudosteuropa unter dem Halbmond, prof. Georg Stadtmuler zum 65, Geburstag gewidmet, Dr. Rudolf Trofenik, Munih, 1975, faqe 125-139), ndërsa është përkthyer dhe botuar edhe në shqip.
11
M.Krasniqi: LETËRSIA DHE BESIMET FETARE; Logos A, Shkup 2010; fq 2012
12
Po aty
13
https://foldrejt.com/sot-dita-boterore-e-kafese-ju-sjellim-poezite-e-vjeter-shqiptare-imzot-mos-na-lere-pa-kahve/

Ndaje