- Filmi përveç si një formë e re e artit, është edhe një formë e fortë e propagandës politike e ideologjike.
- Ekzistojnë filma të cilat janë të krijuar me direktivë të pushtetit për të arritur qëllime të tyre, si rasti i filmave të kinostudios Shqipëria e Re, filmi Top Gun dhe Mrs. Miniver.
- Filmat si Milk, The Sandman janë pjesë e kategorisë së filmave me propagandë të kamufluar ku përhapen mesazhe të feminizmit radikal dhe LGBT-së.
- Kultura e anulimit është rezultat i rëndësishëm i filmit si propagandë, dhe aktorë të famshëm si Kevin Hart, Mel Gibson dhe Charlie Chaplin janë viktimë të saj.
Filmi si formë e artit është relativisht i ri, për dallim nga format tjera si teatri, letërsia, muzika, piktura, etj., të cilat konsiderohen të vjetra po aq sa edhe vet njerëzimi. Mirëpo, për dallim nga format tjera të artit, filmi qysh nga krijimi i tij në fund të shekullit 19 e tutje, gëzon një popullaritet të madh dhe si i tillë, ndikimi që ka ai në masat e gjera është i pamohueshëm. Realisht, industria e filmit apo produskionet multimediale janë ndër industritë që gjenerojnë të hyra në shuma marramendëse dhe jo më kot quhen ndryshe edhe Showbiz (ang. show – shfaqje, spektakël + biznes).
Natyrisht që artistët përmes artit vazhdimisht përpiqen të shprehin një botëkuptim të tyre për një çështje të caktuar, të japin një ide apo pikëpamje për realitetin, të shprehin një përjetim a emocion të caktuar, etj. Jo rrallëherë kjo dukuri është shfrytëzuar edhe në forma propagandistike, qoftë në rrafshin individual ku një artist e shpreh ideologjinë apo botëkuptimin e tij, apo edhe në forma të organizuara ku grupe të ndryshme (grupe të kultit, grupe politike, filozofike, etj.) apo edhe vet pushteti, ku aparati shtetëror shfrytëzon artin për të transmetuar ideologjinë e tij tek masat.
Kur flasim për filma të cilët qëllimin kryesor e kanë propagandën nga ana e pushtetit, na bien në mend filmat në sistemin komunist në Shqipërinë Socialiste, ku kinostudio Shqipëria e Re ka nxjerrë një numër të madh filmash të cilët në mënyrë të drejtpërdrejtë e transmetojnë apo edhe e imponojnë propagandën komuniste të kohës tek populli. Po ashtu edhe grupet tjera politike e shfrytëzojnë filmin si aparat propagandistik për qëllime të ndryshme. Ndër filmat më të njohur që kanë dëshmuar të jenë efektiv tek populli në vendet perëndimore na kujtohet filmi Top Gun i vitit 1986 i regjisorit Tony Scott, ku Tom Cruise luan rolin e një piloti ushtarak të SHBA-së. Filmi ka qenë ndër shtytësit më të fuqishëm për të rinjtë amerikan që të rreshtohen në ushtrinë e shtetit, ku numri i vullnetarëve që u paraqitën për të shërbyer në ushtri tejkaloi çdo pritje. Apo, nëse kthehemi edhe më mbrapa në kohë, fituesi i çmimit Oscars në kategorinë: Filmi më i mirë i vitit 1943, filmi Mrs. Miniver, paraqet jetën e një familje në Londër gjatë bombardimeve nga Gjermania Naziste në Luftën e Dytë Botërore. Ky film pati aq shumë ndikim të madh në mobilizim ushtarak saqë Winston Churchill pat deklaruar se ishte: ‘’Propagandë më e vlefshme se njëqind luftanije.’’
Shembuj të ngjashëm ka shumë në çdo periudhë kohore, ku filmi është përdorur edhe nga grupe tjera shoqërore për të shtyrë agjenda të ndryshme në çdo grup tjetër. Mirëpo, nëse bazohemi për nga përmbajtja apo mesazhi që filmi përcjellë, mund t’i kategorizojmë ata në dy grupe kryesore: filmat që mesazhin kryesor e shfaqin haptas, në fakt e bëjnë atë si bosht kryesor të rrëfimit, si dhe filmat që kanë mesazhe të fshehta ndërsa boshti i tyre është krejtësisht tjetër.
Për ta ilustruar këtë shembull, ta marrim filmin “Milk” i vitit 2008, ku Sean Penn luan jetën e Harvey Milk një aktivist për të drejtat e homoseksualëve i cili njëherit bëhet edhe politikani i parë homoseksual i zgjedhur në shtetin e Kalifornisë. Filmi përveç se përshkruan një periudhë të caktuar të figurës së Milk, boshti kryesor i filmit sillet rreth të drejtave të homoseksualëve në vitet e 70-ta. Ndërsa në anën tjetër kemi The Sandman, një serial fantazi i prodhuar nga Netflix, ku si tematikë kryesore shtjellohet një luftë e heshtur mes të vdekurve (njerëzve të rëndomtë) dhe zotave apo përgjegjësve të Vdekjes, Ëndrrës, pastaj më vonë hyn në skenë edhe vet Satani ndryshe i njohur me emrin Lucifer në botën krishtere, e që në serial portretizohet si femër, etj. Pra, tematika kryesore që shtjellohet në seri është një prodhim fantazi i ngërthyer me elemente fetare (figura e Luciferit), mirëpo që në mënyrë indirekte shtyhen idetë radikale feministe (përsëri referojuni figurës së Satanit femër), si dhe atë të LGBT-së.
Ndikimeve të tilla nuk i shpëtojnë as filmat e animuar për fëmijë. Realisht mund të spekulojmë që filmat për fëmijë kanë më tepër mesazhe të fshehura, apo edhe haptas, për faktin se kjo kategori e shoqërisë është tejet delikate dhe lehtë e manipulueshme. Këto mesazhe mund të jenë të përgjithshme, të dobishme (respekti dhe dashuria për familjen, rrethin, etj.), por edhe të kenë propaganda të grupeve të ndryshme siç u përmend edhe më lart.
Me zhvillimin e teknologjisë informative e krahas saj dominimi i përdorimit të rrjeteve sociale, ka nxjerrë lëvizje të shumta të njohura ndryshe si “cancel culture – kultura e anulimit” ku individë a grupe të ndryshme shoqërore janë sulmuar pamëshirshëm në rrjete sociale qoftë edhe për një gafë të paraqitur publikisht, për ndonjë qëndrim që kanë pasur në të kaluarën, apo edhe për qëndrime politike a shoqërore të cilat nuk janë në linjën e njëjtë me këtë kulturë të re. Bie fjala, grupet e ndryshme feministe, komuniteti LGBT, grupet afro-amerikane, etj., të cilët qartas kanë ndikuar në rrafshe të ndryshme të shoqërisë, e padyshim kjo vërehet edhe në filma.
Rasti konkret është kur Kevin Hart u përzgjodh nga akademia Oscars për ta udhëhequr ceremoninë e ndarjes së çmimeve në vitin 2019, mirëpo u detyra ta refuzojë këtë për shkak se në vitin 2009 ka bërë një Tweet i cili është cilësuar si homofobik, apo edhe në pika të ndryshme humoristike në Stand-Up komedi të tij, ka bërë humor ku komuniteti LGBT është ndjerë i ofenduar apo i sulmuar. Ngjashëm, edhe Mel Gibson është futur në “listën e zezë” të Hollywood nën akuzën si anti-semit për shkak të filmit të tij “Passion of Crist” në vitin 2004. Filmi është cilësuar edhe tejet i dhunshëm (që realisht edhe është), mirëpo arsyeja kryesore e bojkotit të tij ka qenë pikëpamja e tij ndaj rrëfimit të Jezu Krishtit (Isait) nga pikëpamja krishtere, një rrëfim që komuniteti hebraik e ka parë si sulm të drejtpërdrejtë ndaj tyre. Për shkak të këtij filmi, realisht edhe aktori Jim Caviezel që luan rolin e Jezu Krishtit është bojkotuar nga produksionet, mirëpo në heshtje duke mos e angazhuar në filma. Gjithashtu kemi edhe shembuj të bojkotit politik, ku edhe figura si e Charlie Chaplin nuk i kanë shpëtuar dot. Gjatë periudhës së luftës së ftohtë, qeveria amerikane filloi një gjueti shtrigash ndaj komunistëve dhe fashistëve në vendin e tyre, ku cak u bë edhe Chaplin. Duke e cilësuar si simpatizues i komunizmit, ai u dëbua nga SHBA-të në vitin 1952 për t’u kthyer në vitin 1972 si mysafir nderi në ceremoninë e çmimeve Oscars për ta pranuar çmimin e nderit.
Mediat në përgjithësi dhe arti kinematografik në veçanti, janë forca propagandistike të cilat janë këtu për të qëndruar. Megjithëse me zhvillimin e teknologjisë, shikuesit më tepër po e preferojnë konsumin e mediave on-demand (sipas kërkesës) siç janë: shërbimet e transmetimit (streaming services) Netflix, HBO, Amazon Prime, Disney+ etj., pastaj Youtube, apo edhe vet mediat sociale si Facebook, Instagram, Twitter etj., duke e bërë vijimin e programeve televizive klasike në televizione si të dala nga moda. Pavarësisht kësaj, programet mediatike dhe kinematografia vazhdojnë të jenë të pranishme në çdo hap të jetës së përditshme dhe ndikimi që ata kanë vazhdon të jetë i pamohueshëm.