Fati i perandorive

 

  • Libri “Fati i Perandorive”, i gjeneralit britanik John Bagot Club, na shpërfaq përngjasimin në mes të jetës se njeriut dhe jetës se perandorive. 
  • Çdo superfuqi që del në skenën e historisë ka një ndikim unik dhe të madh në botë, duke ndihmuar kështu evolucionin e njerëzimit, kurse pas një jetëgjatësie mesatare prej dyqind e pesëdhjetë vjetësh, ajo zhduket nga skena botërore, duke hapur rrugë për një perandori tjetër.
  • Fazat e ngritjes dhe rënies së kombeve të mëdha janë:

    Epoka e Udhëçelësve (shpërthimi)
    Epoka e Pushtimeve
    Epoka e Tregtisë
    Epoka e Begatisë
    Epoka e Intelektit
    Epoka e Degradimit

Në vitin 1976, në moshën shtatëdhjetë e nëntë vjeçare, pas një jete të tërë shërbimi në Ushtrinë Britanike, ku mbajti poste të larta dhe pati kontakte me presidentë e mbretër, gjeneral-lejtnant John Bagot Glub, shkroi një ese të shkurtër afër pesëdhjetë faqe, por të detajuar rreth ciklit jetësor të superfuqive të quajtur “Fati i Perandorive” (The fate of empires).

Në këtë libër të vogël, Glub i referohet një ideje të konceptuar qysh në kulturat romake. Këta popuj të lashtë vunë re se gjithçka në natyrë është ciklike dhe meqenëse historia njerëzore është pjesë e natyrës, edhe ajo duhet të jetë ciklike, domethënë duhet të kalojë nëpër faza të vazhdueshme dhe të përsëritura.

Për shembull, viti kalon nëpër një cikël stinësh,  pranverë, verë, vjeshtë dhe dimër; çdo cikël jetësor i njeriut – i pandërprerë nga rrethana fatkeqe apo sëmundje – kalon nëpër fazat e lindjes, fëmijërisë, rinisë, moshës madhore, pleqërisë, vdekjes. Në të njëjtën mënyrë edhe historia njerëzore kalon nëpër faza të përsëritura. Në librin e tij, Glub hedh një vështrim të veçantë në ciklin jetësor të perandorive, ose atë që ne sot e quajmë  – superfuqi.

Sipas Glubit, çdo superfuqi që del në skenën e historisë ka një ndikim unik dhe të madh në botë, duke ndihmuar kështu evolucionin e njerëzimit, kurse pas një jetëgjatësie mesatare prej dyqind e pesëdhjetë vjetësh, ajo zhduket nga skena botërore, duke hapur rrugë për një perandori tjetër. Ashtu si një gjallesë, një perandori kalon nëpër faza ose “epoka” të ndryshme zhvillimi: Epoka e pionierëve, epoka e pushtimit, epoka e tregtisë, epoka e pasurisë, epoka e intelektit dhe së fundmi, epoka e dekadencës. 

Kjo mund të krahasohet me lindjen dhe perëndimin e Diellit; kur dielli (kupto perandoria) arrin kulmin e tij më të lartë midis epokës së tregtisë dhe epokës së pasurisë. Është interesante të theksohet se lojërat digjitale, siç është loja “civilizimi” e  Sid Meier, ku lojtarët zhvillojnë kulturën e tyre me kalimin e kohës, zhvillohen në mënyrë intuitive në një mënyrë të ngjashme.

Le ti hedhim një sy  secilës prej këtyre periudhave më në detaje:

Epoka e pionierëve – në këtë epokë, në skenën e historisë shfaqen njerëz relativisht të panjohur, me iniciativë, optimizëm dhe energji të madhe. Ata zakonisht luftojnë perandoritë dhe kombet më të vjetra përreth tyre dhe marrin përsipër qytetet dhe rrjetet e tyre. Ekziston një vetëbesim i fortë i cili manifestohet përmes udhëheqësve të fortë, mendjemprehtë dhe energjikë. Qofshin mongolët, arabët apo amerikanët, është e vështirë të shpjegohet në mënyrë racionale lindja e një perandorie të re dhe shndërrimi i një kombi nga një masë e prapambetur në një fenomen botëror. 

Kombi i ri nuk dallohet vetëm nga fitoret në beteja, por edhe nga përfshirja në çdo fushë. Burrat përbirohen nëpër xhungla, ngjiten në male të larta ose lundrojnë me guxim nëpër Oqeanin Atlantik e Paqësor. Të varfër, të guximshëm, shpeshherë të uritur dhe të veshur keq, ata kanë guxim, energji dhe iniciativë, kapërcejnë çdo pengesë dhe duket se gjithmonë e kanë nën kontroll situatën.

Epoka e pushtimit – një komb më parë i varfër dhe i panjohur që doli në skenën e historisë tani bëhet një komb pushtuesish. Ata tregojnë guxim dhe organizim të mirë, stërviten në mjeshtëritë e luftës duke mësuar nga njerëzit me përvojë. Zelli i tyre ua mundëson të mos lidhen me mënyrat e vjetra të veprimtarisë duke u hapur rrugë origjinalitetit dhe përshtatshmërisë. 

Epoka e tregtisë – zonat e gjera të tokës mundësojnë tregti më të lehtë sepse nuk ka nevojë të kalohen shumë kufij. Imagjinoni, për shembull, të transportoni portokajtë nga shteti jugor amerikan i Floridës në veri të Çikagos, 1900 km distancë. Nëse çdo shtet i SHBA-së do të kishte kufijtë e vet shtetërorë, shoferi i kamionit do të duhej t’i nënshtrohej rregulloreve, taksave dhe licencave të secilit shtet, në vend të një autoriteti të vetëm federal siç është rasti sot. Do të ishte shumë më e vështirë dhe me kosto të lartë. Për këtë arsye, perandoria lejon tregti më të lehtë. Në një moment të historisë, për shembull, një zyrtar romak ka mundur të udhëtojë për gjashtë muaj pa dalë fare nga toka e Perandorisë Romake.

Tregtia, nga vetë natyra e saj, gjithashtu nxit përhapjen e njohurive, artit dhe bollëkut, si dhe zhvillimin e teknologjisë. Në këtë epokë perandorie, garat tregtare festohen krah për krah me guximin, patriotizmin dhe përkushtimin ndaj detyrës. Arsimi formon njerëz të fortë, të cilët synojnë t’i shërbejnë kombit të tyre në mënyrën më të mirë.

Epoka e pasurisë – Tranzicioni ka ndodhur dhe kthesa është bërë. Me zgjerimin e tregtisë shfaqet një brez i ri tregtarësh, të cilët nuk u kushtojnë asnjë rëndësi vlerave të vjetra të nderit dhe lavdisë, por e vendosin vlerën vetëm në përfitimin monetar.

Duket se nuk ka dyshim që paraja është faktori që shkakton rënien e këtij kombi të fortë, të guximshëm dhe me vetëbesim të skajshëm.  

Njerëzit kërkojnë para për veten, e jo për vendin apo komunitetin e tyre dhe qëllimi i të rinjve nuk është më fama, nderi apo shërbimi, por paraja. Si pasojë, në perandori rritet një qëndrim tjetër ndaj mbrojtjes, e cila fillon t’i drejtohet mercenarëve të jashtëm për të mbrojtur kufijtë e perandorisë. Ata nuk synojnë më të zgjerohen, por të ruajnë status quo-në. Heroizmi i përket së shkuarës, madje deri diku konsiderohet i pamoralshëm.

Epoka e intelektit – të rinjtë e pasur tani synojnë të fitojnë njohuri dhe arritje akademike që çojnë në zbulime të reja dhe përparime teknologjike. Në një lloj përfytyrimi nostalgjik, intelektualët fillojnë të shikojnë prapa, të dokumentojnë dhe të shkruajnë historinë e perandorisë. Një nënprodukt i rrezikshëm i epokës së intelektit është besimi se vetëm intelekti mund të zgjidhë problemet e botës. 

Çdo aktivitet i vogël kërkon një masë të caktuar vetëflijimi dhe shërbimi nga ana e anëtarëve të tij për të mundësuar mbijetesën. Përshtypja se situata mund të shpëtohet vetëm me të menduarit, pa vetëmohim apo vetëpërkushtim njerëzor, mund të çojë vetëm në kolaps.

Epoka e dekadencës – perandoria plaket… Shfaqen moskuptime civile. Anija po fundoset dhe në vend që të bashkëpunojnë për ta riparuar ose për të ndërtuar një anije të re, fraksionet politike luftojnë me njëri-tjetrin për mbetjet e anijes. Emigrantët vërshojnë qytetet. Rishfaqen kujtimet e rivaliteteve të vjetra. Si përgjigje të fundosjes së perandorisë, qytetarët e pafuqishëm reagojnë në mënyrë agresive ose me mentalitetin “pas meje – përmbytje”, duke krijuar një atmosferë pesimizmi dhe mendjelehtësie. Njerëzit jetojnë për veten dhe për momentin, duke shpejtuar kështu shpërbërjen e perandorisë. 

Ndoshta diku po lind perandori e re… 

Asnjë model nuk mund ta përshkruajë realitetin në plotni, por është një përafrim i së vërtetës dhe mund t’ na jep një pasqyrë të realiteteve të caktuara. Duke lexuar historinë dhe duke parë përreth, a kalojnë vendet dhe popujt nëpër faza të jetës, ashtu si ne njerëzit? Dhe nëse po, në çfarë faze është qytetërimi ynë sot? Ndoshta më e rëndësishmja, çfarë mund të bëjmë për këtë në kohën aktuale? A mund ta shpëtojmë perandorinë nga rënia apo ta zbusim rënien e saj…apo ndoshta të mbjellim farat për një të re dhe më të mirë? Çfarëdo që të bëjmë, është e rëndësishme të mos biem në pesimizëm dhe vuajtje. Është më mirë të bëjmë një ndikim të vogël pozitiv sesa të shikojmë jetën duke kaluar nga komoditeti i kolltukut tonë. Fati ndoshta nuk mund të ndryshohet, por si reagojmë ne ndaj fatit është në duart tona.

Meqë u nxorën disa pika kyçe gjatë këtij shkrimi, po e mbyll me një përmbledhje të shkurtër nga fjalitë përmbyllëse të vetë librit në fjalë.

  1. Ne nuk mësojmë nga historia sepse studimet tona janë të shkurtra e të pllakosura nga paragjykimet.
  2. Çuditërisht, kohëzgjatja mesatare e lavdisë kombëtare është 250 vjet.
  3. Kjo mesatare nuk ka ndryshuar për 3000 vjet. A përfaqëson 10 breza?
  4. Fazat e ngritjes dhe rënies së kombeve të mëdha janë:

Epoka e Udhëçelësve (shpërthimi)

Epoka e Pushtimeve

Epoka e Tregtisë

Epoka e Begatisë

Epoka e Intelektit

Epoka e Degradimit

Tiparet e degjenerimit janë:

Mendësia e mbrojtjes

Pesimizmi

Materializmi

Kotësitë

Dyndja e të huajve

Shteti i Mirëqenies Sociale

Dobësimi i religjionit

Degjenerimi vjen si pasojë e:

Luksit

Egoizmit

Dashurisë për paranë

Humbjes së përgjegjësive

Ndaje