- Çka është Nakba që po e shohim shumë si deklaratë nga ana e palestinezëve në kohën e fundit dhe çfarë kuptimi ka?
- A mund të cilësohen ngjarjet në Lindjen e Mesme si konflikt mes Hamasit dhe Izraelit apo kemi të bëjmë me një luftë të njëanshme dhe të pabarabartë?
- A filloi ky konflikt me 7 tetor 2023 apo kjo ngjarje vjen si pasojë e ngjarjeve që shkojnë dekada të tëra në të kaluarën?
Këto janë disa nga pikat që do të përpiqem t’u japi një përgjigje sa më shkurt që mundem, duke tentuar që të mos thellohem në temat e historisë apo politikës. Përgjigjet do të mundohem t’i bëj duke e analizuar filmin Farha nga regjisorja Darin J. Sallam edhe pse kur flasim për filma me tematikë, ngjarjet e caktuara historike dhe që kanë përmbajtje politike, nuk ke se si t’i ikësh këtyre temave gjatë diskutimit.
Sipas un.org në fillim të shekullit XX populli çifut po përndiqej nga vende të ndryshme Evropiane dhe ata filluan të strehoheshin në Lindjen e Mesme në numër tejet të madh. Përderisa numri i tyre gradualisht vinte e rritej, gjatë viteve 1930-ta filloi lëvizja sioniste përpjekjet e tyre për krijimin e shtetit të parë të Izraelit për popullin çifut në këto treva ku emigruan, përpjekje kjo që u kundërshtua fuqishëm nga shtetet arabe. Në vitin 1947, asambleja e përgjithshme e OKB-së i propozoi vendeve arabe zgjidhjen e problemit në krijimin e dy shteteve brenda territorit palestinez. Ky propozim u kundërshtua nga shtetet arabe, ndërsa lëvizja sioniste në vitin 1948 filloi një kampanjë ushtarake në fshatra të ndryshme të Palestinës duke vrarë e dëbuar banorët e kështu duke fituar territor ku pastaj do të shpallej shteti i parë i Izraelit. Pikërisht kjo kampanjë ushtarake u quajt “Nakba” nga popujt arab, e që në shqip ka kuptimin “Katastrofa.”
Siç shihet edhe nga informatat sipër, konflikti Palestinë – Izrael është shumë më i vjetër dhe më i komplikuar për t’u cilësuar thjeshtë si konflikt Hamas – Izrael. Që nga ngjarjet e fundit më 7 tetor 2023, qëndrimi zyrtar i shtetit sionist është se ata i kanë shpallur luftë grupit Hamas të cilët edhe janë shpallur si grup terrorist nga ata dhe shumë shtete tjera perëndimore që përkrahin shtetin e Izraelit dhe interesat e tyre.
Filmi Farha e regjisores nga Jordania Darin J. Sallam e trajton pikërisht një fragment nga kjo ngjarje që e cekëm më lart, në fakt paraqet në ekran nismën e asaj që sot njihet si Nakba – Katastrofa. Në film e shohim vajzën Farha, një vajzë 13 vjeçare, plot jetë dhe ëndrra, e që sfidën e vetme e kishte si ta bindi babanë e saj që të shkonte në qytet për të vazhduar shkollimin e saj. Mirëpo, kjo ëndërr do të shuhej së shpejti, pasi që trupa ushtarake izraelite filluan të avanconin në vende të ndryshme të Palestinës, e tani veç se kishin arritur edhe në fshatin ku jetonte Farha me familjen e saj.
Filmi ka një regji brilante, skenografi të hatashme dhe skenar bukur të ndërtuar, ku ngjarja zhvillohet kryesisht nga pikëpamja dhe eksperienca e vajzës 13 vjeçare Farha. Për nga volumi i ngjarjeve, filmin do ta cilësonim si minimalist, pasi që ngjarja siç thamë është tërësisht e zhvilluar vetëm nga incidentet të cilat vet Farha arrin t’i shohë si dëshmitare okulare.
Është e natyrshme që një film i tillë historiko-politik do të ngjalli debate dhe pakënaqësi të shumta, kryesisht nga qarqet izraelite, ku edhe vet politikanë izraelit kanë bërë deklarata zyrtare, e kanë bërë thirrje publike të bojkotohet dhe të ndalohet shfaqja e këtij filmi. Disa e quanin regjisoren Sallam “terroriste islamike” a “Naziste,” duke e akuzuar për antisemitizëm dhe shpifje me qëllim të devijimit të historisë dhe paraqitjes së ushtrisë izraelite si ekuivalente me atë të ushtrisë naziste gjatë Holokaustit.
Laura Ben-David, një autore dhe fotografe, reagon në Twitter duke thënë se e kishte anuluar abonimin e saj në Netflix, pasi që filmi po shfaqej në këtë platformë. Ministri i kulturës së qeverisë Izraelite Chili Tropper, po ashtu reagoi duke e cilësuar filmin si propagandistik dhe antisemit. Ndërsa ministry i financave Avigdor Lieberman e dënon platformënl Netflix pse kjo e fundit i jep hapësirë një filmi që ka për qëllim ta paraqes ushtrinë izraelite në mënyrë të rrejshme si ushtri barbare.
Në anën tjetër, regjisorja Sallam thotë se skenari i filmit bazohej nga gojëdhënat që i kishte dëgjuar gjatë gjithë jetës së saj nga dëshmitarë okular, si prindërit e saj, gjyshërit dhe të mbijetuar tjerë nga kjo ngjarje makabër. Ajo vazhdon duke thënë se ky skenar është ndërtuar duke bashkuar fragmente të ndryshme tregimesh nga dëshmitarë të ndryshëm, duke krijuar kështu botën ku jetonte protagonistja e saj Farha. Ajo vazhdon tutje duke deklaruar se incidentet që shihen në film janë tejet të vogla në krahasim me atë se çfarë ka ndodhur në të vërtetë gjatë ngjarjes së Nakbasë.
Pavarësisht krejt këtyre ngjarjeve, filmi Farha është vlerësuar lartë nga kritikë të shumtë duke fituar çmime në festivale të ndryshme si dhe është pritur tejet mirë edhe nga shikues të ndryshëm në mbarë botën si një arritje kinematografike që paraqet vuajtjet dhe përpjekjet për liri të popullit palestinez, ku Farha në këtë film bëhet sinonim i Nakbasë. Gjithashtu vlen të theksohet që filmi ishte i përzgjedhuri zyrtar nga shteti i Jordanisë për të marrë pjesë në garën si filmi më i mirë i huaj në Oscars.
Filmi Farha ende vazhdon të mbahet në platformën Netflix për të gjithë ata që dëshirojnë ta shohin atë.