Faktorët e dhunës në familje

 

  • Familja është prehja e anëtarëve të saj. Megjithatë, ka raste kur kthehet edhe në ambient dhune
  • Evidencat shkencore tregojnë se viktimë e dhunës kryesisht janë femrat dhe fëmijët
  • Shkaqet e dhunës janë të shumëllojshme, ndër to: çrregullimet hormonale, traumat dhe dhuna në fëmijëri, problemet psikologjike dhe statusi i ulët ekonomik.

Familja është bashkësi e dy ose më shumë njerëzve që jetojnë së bashku dhe janë të lidhur me martesë, lidhje të gjakut ose adaptim. Koncepcionet e familjes kanë ndryshuar shumë kohëve të fundit, mirëpo familja në të gjitha koncepcionet vazhdon të mbetet vendi ku kalitet vetëbesimi ynë dhe ku ndihemi të dashur. Familja supozohet të jetë vatra e dashurisë, aty ku aroma e dashurisë merr kuptimin e saj. Paçka se ndodh që në këtë vatër në emër të dashurisë të paraqitet dhuna. 

Dhuna është veprimi i shtypjes, keqtrajtimit fizik, psikologjik ose  ekonomik me qëllim të lëndimit, poshtërimit, imponimit të forcës palës më të dobët. Në këtë ambient koncepti i dashurisë dhe familjes merr kuptimin e dhunës. Për këtë arsye mbase edhe buron proverba ‘Ku rrihen, aty duhen’!

Evidencat tregojnë që abuzuesit në dhunën familjare zakonisht janë meshkujt dhe viktimat janë zakonisht femrat dhe fëmijët. Sipas hulumtimeve globale të pavarura nga gjeografia dhe kultura shihet që rreth 95% e viktimave janë femrat dhe, me theks të veçantë, rritet mundësia për dhunë nëse femra është e re, me ndonjë ngecje në zhvillim fizik ose mendor dhe nëse jeton në zona më periferike. Në këto raste, ndryshe nga modeli feminist i cili pyet: “Pse burrat i rrahin gratë e tyre?” shkolla e psikopatologjisë pyet: “Pse ky burrë e rrahu gruan e tij?”. Si në çdo fenomen psiko-social, edhe në këtë rast arsyeve që çojnë në dhunë duhet t’ju qasemi shumanshëm.

Një prej faktorëve të dhunës është biologjia. Në teoritë biologjike dëshmohet që sjelljet agresive të dhunës lidhen me çrregullimet që mund të ndodhin në sistemin nervor qendror dhe sistemin endokrin, pra impulsivitet i lartë, nivel i ulët i serotoninës (hormoni i lumturisë ose mërzisë), niveli i testosteronit dhe ngjashëm. Në vitin 1997 hulumtuesi Bernhardt nga hulumtimet e tij konkludon që meshkujt me nivel të lartë të testosteronit dhe nivel të ulët të serotoninës shtrojnë sjellje agresive më shumë se të tjerët. Gjithashtu në vitin 2003 në një hulumtim me 51 femra dhe 36 meshkuj është shikuar lidhja mes nivelit të testosteronit dhe agresivitetit. Në hulumtim është konkluduar që meshkujt me nivel më të lartë të testosteronit kanë shprehur agresivitet më të theksuar se meshkujt me nivel jo aq të lartë të testosteronit përderisa te femrat nuk ka pasur dallim. Po ashtu, një hulumtim i Odman-it në vitin 2017 tregon që niveli i lartë i dopaminës në tru mund të rezultojë me nivel më të lartë të xhelozisë dhe paranojës.

Faktori tjetër është psikologjik. Arsyet psikologjike të dhunës në korniza të përgjithshme janë mekanizmat mbrojtëse jo të shëndetshme, problemet me mllefin, psikopatologjinë dhe varësia e alkoolit ose substancave. Evidencat dëshmojnë se personat e diagnostikuar me skizofreni, bipolaritet, antisocialitet ose paranojë kanë tendencë më të lartë të shprehjes së dhunës ndaj vetes ose të tjerëve në raste të mosmarrjes së medikamenteve të duhura.

Faktorët shoqëror me ngjyrë të kuqe nënvizojnë rëndësinë e të mësuarit social ose të të marrit shembull. Fëmijët imitojnë ambientin familjar. Përgjithësisht, personat e rritur në ambiente kaotike shndërrojnë në kaos çdo ambient në të cilin kyçen. Bandura (1973) është i pari i cili e formoi tezën që fëmijët nuk mësojnë vetëm me instruksione direkte, por gjithashtu mësojnë në mënyra të tërthorta. Mbase fëmijët mësimet më të mëdha jetësore i marrin duke imituar sjelljet e prindërve dhe rrethit të afërt. Kështu,  fëmijët që shohin dhunë me gjasa të larta do të shprehin sjellje të dhunës. Në faktorët shoqëror bën pjesë (multi) media. Media është mjet i fuqishëm i bindjes, prezantimit dhe propagandës. Fuqia e medias jo rrallë herë shfrytëzohet për të promovuar role të gabueshme gjinore ose dhunë ndaj grave. Nën ombrellën e faktorëve shoqëror, rol të rëndësishëm në paraqitjen e dhunës në familje luan edhe pabarazia gjinore. Ndonjëherë brenda familjes mësohen role të gabuara gjinore, mësim ky i cili shkakton dhunë në familje ku viktimë zakonisht janë femrat.

Mes turpit dhe paturpësisë qëndron boshti mbi të cilin mbështetet dhuna, kushtet meteorologjike në të dyja këto pole janë të tipit më ekstrem, të egra. Paturpësia për të dhunuar dhe turpi i të qenit i dhunuar janë rrënjët e dhunës. Ndoshta nga shkaqet shoqëroro-kulturore turpi është një koncept shumë pak i kuptueshëm nga ana e njerëzve.

Megjithëse kultura jonë shkëlqen në gjetjen e mënyrave gjithnjë e më të sofistikuara që ne të ndiejmë turp, është e rëndësishme të kuptojmë se turpi në vetvete nuk është një emocion i mësuar por është një nga nëntë ‘ndikimet’ kryesore me të cilat kemi lindur, në të njëjtin nivel fiziologjikisht me zemërimin, trishtimin, frikën, gëzimin, pritjen, befasinë, prishjen (shmangien e aromave të këqija) dhe neverinë.

Mbështetësit e rreptë të modelit psikopatologjik këmbëngulin se dhuna familjare është e rrënjosur në sëmundjet mendore, varësinë e substancave ose  traumat e fëmijërisë dhe ka pak ose aspak të bëjë me rolet gjinore ose patriarkatin. Në fakt, shumë e hedhin poshtë gjininë si një shpërqendrim të parëndësishëm. Një perspektivë e rreptë psikopatologjike aludon që vetëm individët ‘e sëmurë’ do të dëmtonin njerëzit që ata pretendojnë se i duan.

Nëse femra nuk është në familje me forcë abuzimi, në familje ka nevojë për intimitet në mënyrë që të lulëzojë. Sapo të vendoset intimiteti, autori i dhunës ka gjithçka që i nevojitet për ta mbajtur partnerin e tij në robëri: njohuri unike mbi të metat dhe dobësitë e saj dhe besimin e saj se ai i vërtetë është ai me të cilin ajo ra në dashuri dhe dhuna është vetëm një fiktivitet në imagjinatën e saj të errët.

Për shumë viktima, dhuna fizike është në fakt më së paku e dëmshmja. Paradoksalisht, pothuajse në mënyrë uniforme viktimat që nuk janë sulmuar fizikisht thonë se dëshirojnë që abuzuesi t’i godet, që abuzimi të bëhet i dukshëm dhe i prekshëm. Magjia më e shndritshme e abuzuesit është ta bëjë abuzimin e tij të padukshëm. Para se një grua të fillojë të vendos nëse duhet të largohet apo të qëndrojë, ajo së pari duhet të kuptojë se është viktimë e abuzimit në familje. Si mundet dikush të mos e dijë se po abuzohet? Viktimave mund t’iu duhen muaj ose vite për të kuptuar se sjellja ‘e rëndë’ e partnerit të tyre është në fakt dhunë në familje. Shkak që përvojat më të rënda të viktimave të dhunës familjare nuk janë dhunimet fizike, por ato që nuk mund të dëshmohen para policisë ose të kuptohen nga ndonjë gjykatës.

Një prej faktorëve është edhe ai ekonomik. Në të gjitha observimet dhe hulumtimet probabiliteti i dhunës është shumë më i lartë në familjet me gjendje më të ulët socio-ekonomike. Në hulumtimin e Saigaran, Karupiah ve Gopal në vitin 2018 rezulton që në shtëpitë ku mashkulli është i papunë ose nuk mundet të sigurojë nevojat e familjes rritet probabiliteti për të ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes dhe fëmijëve të tij për të krijuar pushtet mbi ta. Dhe për shkak të gjendjes së rëndë socio-ekonomike femrat nuk kanë opsion të braktisin shtëpitë ku ato dhunohen dhe kështu spiralja e dhunës krijohet. 

Si përfundim, arsyet e dhunës dhe paradigmat që shpjegojnë atë janë të shumëllojshme, dhe ndoshta të gjitha kanë dozë të së vërtetës. Ndër faktorët kryesorë janë çrregullimet hormonale, traumat dhe dhuna në fëmijëri, problemet psikologjike dhe statusi i ulët ekonomik. Pavarësisht shkaqeve që çojnë në dhunë, ajo mbetet një fenomen i keq që dëmton rëndë themelin e shoqërisë, familjen. Besoj fuqishëm që kuptimi i shëndetshëm dhe investimi i madh i familjes dhe dashurisë, janë në fuqi të parandalojnë çdo lloj dhune në familje.

 

Referenca:

  1. N. Koçtürk, B. Ulukol; Aile İçi Şiddet. Nobel Akademik Yayıncılık. Ankara, 2020. (Dhuna në familje).
  2. Ph. Chesler; Women and Madness. St.Martin’s Griffin. USA, 2005. (Gruaja dhe çmenduria).
Ndaje