Depresioni i verës; Pse nuk mundemi të thithim lumturinë nga dielli?

  • Depresioni i lidhur me stinën e verës është fenomen i përhapur. Në SHBA prek rreth 6% të popullsisë
  • Shkaqet e tij lidhen me daljen nga rutina, mosmenaxhimi i duhur i kohës, turpi rreth trupit dhe problemet financiare
  • Po ashtu, ai mund të shkaktojë probleme si trishtim, ndjenjë depresioni në të shumtën e kohës, ankth, dëshira për karbohidrate dhe shtim në peshë etj. 
  • Përveç trajtimit psiko-terapeutik, kalimi i kohës në natyrë dhe aktiviteti fizik ndihmon dukshëm në mënjanimin e tij. 

Një studiues i universit, i cili jetoi dhe veproi në shekullin XI, u dënua dhe nuk u kuptua kur tha që ferri nuk është vendi ku ndihemi keq por vendi për ku askush nuk është i vetëdijshëm që ne ndihemi keq, që ne jemi keq. Në mendimin tim, ky definim është kulminacioni i nocionizimit të depresionit. 

Gjë shumë e vështirë është kur duhet të shtiremi se po kalojmë ditët më të mira të vitit përderisa streset e atyre ditëve në brendësinë tonë na bëjnë të ndihemi si të mjerë. 

Kur secili nga miqtë e rrjeteve sociale duket i lumtur duke spërkatur në ujë deti ose liqeni ne pse nuk mundemi të ndihemi të lumtur? Çfarë mungon? 

Përgjigjet për këto pyetje mund t’i gjejmë në hulumtimet e shkencës së psikologjisë, saktësisht në togfjalëshin “çrregullimi afektiv sezonal”. Statistikisht, çrregullimi afektiv sezonal (SAD) prek rreth 4% deri në 6% të popullsisë së SHBA. Megjithëse ky çrregullim u hulumtua dhe u kategorizua si diagnozë nga depresioni i shkaktuar në ditët e zymta dimërore, 10% e njerëzve me depresion sezonal e përjetojnë fazën melankolike të tyre në ditët e gjata, të ngrohta dhe të ndritshme të verës. Për më shumë hulumtuesi Cook gjithashtu ka publikuar disa studime të cilat tregojnë se në vendet afër ekuatorit, si India, depresioni veror është më i shpeshtë se depresioni i dimrit. 

Pse ndryshimet sezonale shkaktojnë depresion? Ekspertët nuk kanë përgjigje të prerë, në aspekt biologjik ditët më të gjata dhe rritja e nxehtësisë dhe lagështisë mund të luajnë një rol. Simptomat specifike të depresionit veror shpesh përfshijnë humbjen e oreksit, probleme me gjumin, ankth, vullnet i dobët për të mbaruar aktivitetet dhe obligimet ditore e ngjashëm. Rutinat ditore janë shpesh aktivitetet të cilat ndihmojnë shëndetin tonë mendor duke ofruar baraspeshë dhe lëvizje, mirëpo gjatë verës, rutina del nga standardin e vet dhe kjo mund të jetë stresuese. 

Adoleshentët të cilët vijojnë shkollën e mesme, papritmas përballen me shumë kohë të lirë. Të njëjtit që përgjatë nëntë muajve vazhdimisht kanë qenë të zënë me mësime, studime dhe provime për një moment ballafaqohen me sasi të pa limituar të kohës së lirë. Mosdija se si të menaxhojnë me kohën dhe mbetja në zbrazëti mund të jetë arsye për fillimin e ndjesive të zymta dhe të pakëndshme të cilat do nxisin depresion. Gjithashtu, pushimet mund të prishin zakonet e punës, gjumit dhe të ushqyerit  në këtë mënyrë këto arsye mund të kontribuojnë në paraqitjen e depresionit të verës.

Vera mund të nxit probleme të imazhit të trupit. Derisa temperatura rritet dhe shtresat e veshjeve bien, shumë njerëz shfaqin pakënaqësi për trupin e tyre, standardet e krijuara nga ndikimi i rrjeteve sociale mund të ngjallin probleme të mëdha me pranimin e vetes dhe vetëbesimin. Meqenëse shumë evente dhe aktivitete gjatë verës rrotullohen rreth plazheve dhe pishinave, disa njerëz fillojnë të shmangin situatat sociale nga sikleti i imazhit të trupit, tërhiqja në vete dhe largimi nga shoqëria gjithashtu mund të ndikojë negativisht në shëndetin mendor. 

Shkaku tjetër mund të jetë fakti që vera shkakton edhe shqetësimet financiare. Vera mund të jetë shumë e shtrenjtë dhe e papërballueshme financiarisht. Prindërit që punojnë mund t’ju duhet të shpenzojnë shumë para për edukimet verore ose kujdestaret e fëmijëve për t’u kujdesur për to gjatë kohës që janë në punë. Shpenzimet padyshim mund të shtojnë një ndjenjë depresioni veror. Hulumtuesi Cook thotë që në verat e fundit njerëzit kanë shqetësime për krizën ekonomike të shtresuar mbi çdo dert tjetër pas shëndetit fizik.

Depresioni sezonal ka tendencë të fillojë në pjekurinë e hershme zakonisht mes moshës 18 dhe 30 vjeç, gjithashtu prek gratë më shumë se burrat. Megjithëse studiuesit nuk kanë deklarata në lidhje me arsyen, gratë përjetojnë më shumë shtypje në lidhje me imazhin e trupit dhe stres në vendin e punës.

Përmbledhur, nëse keni ose jo çrregullim emocional sezonal do mund ta kuptoni nga simptomat që shfaqen në trupin dhe disponimin tuaj, ato janë:  trishtim, ndjenjë depresioni në të shumtën e kohës, ankth, dëshira për karbohidrate dhe shtim në peshë, lodhje ekstreme dhe mungesë energjie, ndjenja e mungesës së shpresës ose e pavlefshmërisë, probleme me përqendrimin, ndjenja e irritimit ose shqetësimit, ndjesi e rëndë në gjymtyrë (krahët dhe këmbët), humbja e interesit për aktivitete zakonisht të këndshme duke përfshirë tërheqjen nga aktivitetet shoqërore, probleme me gjumin (zakonisht gjumi i tepërt), mendime të zymta vazhdimisht.

Si diagnostikohet depresioni veror? 

Nëse keni simptoma të depresionit sezonal mos u përpiqni të diagnostikoni veten. Shikoni shërbimet e shëndetit mendor për një vlerësim të plotë, ngaqë mund të ketë arsye shumë të ndryshme për depresionin. Shumë herë, çrregullimi emocional sezonal është pjesë e një çështjeje më komplekse të shëndetit mendor.

Si të menaxhojmë me depresionin sezonal të verës? Teoritë sugjerojnë: marrja e vitaminës D, përvetësimi i taktikës së stopimit të mendimeve negative, psikoterapi (ekoli CBT, humanist ose eklektik), tentimi i kalimit të kohës jashtë për të dëshmuar lëvizjen e natyrës si mundësi meditimi për realitetin e jetës dhe meditim të sloganit “gjithçka kalon”, aktivitete fizike. 

Nëse qasja jonë ndaj jetës është në mënyrë që mund të dalin vështirësi, probleme dhe dhimbje atëherë në momentin e ballafaqimit do të kemi forcë më të madhe për tejkalim të këtyre situatave. Depresioni është zgjidhje e një problemi! Në tru shfaqet një problem dhe të gjithë neuronet fokusohen nga ai drejtim për të zgjidhur problemin. Një problem mirë i zgjidhur kurrë më nuk do të shkakton problem! 

Të kemi guxim që t’i zgjidhim problemet! 

 

Referenca:

  • Ian A. Cook, MD, Director of the Depression Research Program; Professor of Psychiatry, University of California Los Angeles.
  • J.N. Butcher; S. Mineka; J. Hooley. Abnormal Psychology. 
  • DSM V. 
  • Wehr TA; Sack DA; Rosenthal NE. Seasonal affective disorder with summer depression and winter hypomania. The American Journal of Psychiatry, 01 Dec 1987, 144(12):1602-1603.
  • C. Walker. Seasonal Affective Disorder Isn’t Just for Winter. New York Times, 2022. (data e aksesit: 11.08.2023). 
Ndaje