Degët e bujshme të trungut të kalbur

  • Me paraqitjen e televizionit, Sartori thotë që ndaloi zhvillimi i racës njerëzore, jo vetëm kaq, por mori edhe zmbrapsjen.
  • Sartori po ashtu thotë se imazhi i programeve televizive, e vdes talentin për kuptimin e problematikave, sepse çdo kuptim e ndërlidh me imazhin në ekran.
  • Që të jemi edhe më të qartë, Sartori nuk e ka për qëllim të godasë televizionin si mjet komunikimi, apo kompjuterin si sistem efikas për punë dhe ruajtjen e të dhënave. Sartorin e brengos varësia jonë prej tyre, kur ne e anashkalojmë fare leximin e librave.
  • Njeriu, nuk duhet të ketë idhuj, idhujt të shtyjnë të gjunjëzohesh, kurse idealet të japin krahë të fluturosh. Idealet t’i hapin krahët, idhujt t’i mbyllin krahët. Ideali të lartëson, idhulli të hedh përtokë.

Shkencëtarët shkruan rregulla e bënë hulumtime krahasimtare për ta definuar qenien njerëzore dhe funksionin e tij. Në vitin 1758, Karl Line, një botanik suedez solli “sistemin e natyrës njerëzore” me të cilin themeloi klasifikimin e llojeve, apo modelin e supozuar evolutiv. Në këtë studim, lloji homo (njeri) u kategorizua si degë hominidi, krijesë dykëmbëshe. Pastaj kërkimet për paraardhësit tanë vazhduan dhe sollën zbulimin e homo habilisit (njeriu i aftë), duke vazhduar me homo erektus (njeriu i drejtë) dhe më fund homo sapiens (njeriu i pajisur me arsye).

Mos të harrojmë një gjë, te kjo e fundit, evolucionistët shprehin mendime se homo sapiens vazhdon të evoluojë kah llojet e ndryshme të njeriut bashkëkohor.

Më në fund, në skenën evolutive u paraqit homo vidensi (njeriu i prirë për të shikuar). Ky definicion është zbulim i sociologut e politikologut italian Xhovani Sartori (Giovanni Sartori). Në librin e tij të njohur “Homo videns: la sociedad teledirigida”, (Homo Videns: Shoqëri e teledirigjuar) që u bë libri më i shitur në Amerikën Latine, kurse në Itali, botimi i parë është shitur vetëm për disa muaj, meriton vëmendje të veçantë. 

Kjo tezë e Xh. Sartorit, ndonëse është e bazuar në pikëpamjen e tij ndaj botës, patjetër, mund të ketë edhe vërejtje të shumta, megjithatë ia vlen të shqyrtohet me përpikëri. Në studimet e tij dëshmon se nga viti 1950, evolucioni pëson zmbrapsje, sepse homo vidensi e rrëzoi nga froni homo sapiensin. Homo sapiensi veçohet me trurin e madh, aftësinë për të ecur mirë në dy këmbë dhe të punojë mrekullisht me dy duar, ta përdorë të folurën, kulturën e tij të zhvilluar, që pohojnë edhe antropologët. Sartori pajtohet me mendimin e filozofit Ernesto Kasirer (1874-1945) se njeriun e dallon dhuntia e tij për t’u shprehur me simbole. Aftësia e njeriut që të komunikojë me tinguj të artikuluar dhe shenja domethënëse.

Prej këtyre mendimeve, mund të nxjerrim përfundim që të menduarit e njeriut dhe dituritë e tij, si qenie e aftë për t’u shprehur me anë të simboleve, ndërtohen në bazë të gjuhës dhe përmes gjuhës. Së këtejmi, gjuha e folur dhe e shkruar, nuk paraqesin vetëm bazën e kulturës, por edhe vetë thelbin e natyrës me të cilin dallohet homo sapiensi.

E pata lexuar diku se: “televizioni është një mjet i tillë që të mundëson në dhomën e ditës të argëtojnë disa njerëz të cilët kurrë nuk do t’i kishe pranuar në shtëpi”.

Sartori thotë: Fëmijët janë impulsivë, ata veprojnë pa u hamendur. Televizioni, “e plogështon” trurin.

Me paraqitjen e televizionit në fillimin e viteve të tridhjeta të shekullit të kaluar, (fillimisht në SHBA, Angli, Francë, Gjermani) siç e quajnë ndryshe edhe “Kali i Trojës” si medium masiv, në shtëpitë tona u fut në vitet e pesëdhjeta si pjesë e inventarit. Me paraqitjen e televizionit, Sartori thotë që ndaloi zhvillimi i racës njerëzore, jo vetëm kaq, por mori edhe  zmbrapsjen.

Hidhen tezat se kjo ndodhi si pasojë kur njeriu e zëvendësoi mendimin e tij abstrakt me imazhin. Kjo u problematizua edhe më tepër me paraqitjen e kibernetikës në vitet 1980 dhe kompjuterëve e teknologjive multimediale. Kështu, të shikuarit filloi të ketë epërsi mbi të folurit, kurse imazhi mori epërsi mbi fjalën.

Kjo qenie e përsosur me dhunti që mundëson shprehjen me anë të simboleve, u bë qenie e cila shikon.

Që të jemi edhe më të qartë, Sartori nuk e ka për qëllim të godasë televizionin si mjet komunikimi, apo kompjuterin si sistem efikas për punë dhe ruajtjen e të dhënave. Sartorin e brengos varësia jonë prej tyre, kur ne e anashkalojmë fare leximin e librave. Këtu, Sartori sikur është në një frymë me artistin dhe shkrimtarin amerikan Grauço Marks i cili ka thënë: “Mendoj se televizioni është mjaft edukativ. Kurdo që e ndez, unë largohem në dhomën tjetër dhe filloj të lexoj ndonjë libër”.

Sartori po ashtu thotë se imazhi i programeve televizive, e vdes talentin për kuptimin e problematikave, sepse çdo kuptim e ndërlidh me imazhin në ekran.

***

Homo vidensi frekuenton në botën e spektaklit, në degët e bujshme, të ndritshme, me fruta të mëdha e vezullues, por në trungun e kalbur.

Sepse nuk krijohet arti, kjo dhunti qiellore, me pikënisje kryekëput komerciale. Degët e këtij industrializimi ofrojnë argëtime, yjet që ndriçojnë në qiellin e popullaritetit, ju ofrohen me të gjitha hiret e tyre, këngëtaret, këngëtarët e artistët e preferuar i shihni tek Big Brother tek i kanë flokët e shpupurishur, tek pastrohen, lahen e ushqehen si gjithë vdekatarët e tjerë, andaj, ku qëndron magjia, mos vallë në intimitetin e tjetrit, te “voajerizmi”?

Tanimë, vlera bazike nuk është morali, hyjnorja, inteligjenca apo arti, por fama. Historikisht, Hollivudi i pari zbuloi fuqinë ekonomike të famës, duke e bërë këtë industri tejet të fuqishme. Nuk ka më rëndësi cilësia e produktit, por blihet sepse atë e mban veshur një artist. Industria e televizionit me gazetarët e saj, fotografët e fotoreporterët, i përcjellin pamëshirshëm. Njerëzit shkruajnë edhe libra për ta, kurse industria rritet në bazat e famës së tyre.

A u bë televizioni fetish? Kështu pyet Dejvid Morli në një studim të tij me titull “Televizioni: Jo aq medium vizual sa objekt i dukshëm” (1997). Nuk mungojnë skenat kur gjatë intervistave të gazetarëve në rrugë, në ekran shfaqen fytyrat apo duart e njerëzve të paftuar, për të tërhequr vëmendjen duke u orvatur të marrin pjesë me çdo kusht.

A e keni ndjesinë se televizioni është gjithkund i ngjashëm? Pse vallë koncepti i suksesit në planetin tonë perceptohet thuajse në të njëjtën mënyrë? 

Përse nuk po ngopemi nga këto degë të bujshme, të gjitha lloje të mundshme, në çdo stinë e në çdo çast? Mendoj se këto diagnoza duhet të rishqyrtohen mirë. Ta gjejmë burimin e sëmundjeve të trungut. 

Filozofët janë të një mendimi se koncepti mbi idealin kuptohet gabimisht. Andaj, njerëzit nuk janë të lumtur, jo për shkak të një dëshpërimi të padurueshëm dramatik, por mospasja e lumturisë si mungesë e kuptimit të jetës.

Kjo gjithashtu ka të bëjë edhe me faktin se po jetohet më lehtë, ndërsa mënyra e lehtë e jetesës dhe përfitimi material promovohet si ideal.

Ideali është caku që ne e dimë se nuk mund të realizohet, i afrohemi vazhdimisht, por kurrë nuk e kapim. Vetëm kështu, energjia e idealit, duke mos qenë e realizueshme, bëhet jetike. Andaj, idealet e parealizueshme i zëvendësuam me ideale të realizueshme. Nga ana tjetër, idealet i zëvendësuam me idhujt, që është problem me përmasa katastrofike. Aktorët e filmave, sportistët e ndryshëm, këngëtarët, por edhe filozofët e caktuar, shkrimtarët, bëhen idhuj të dikujt.

Njeriu, nuk duhet të ketë idhuj, idhujt të shtyjnë të gjunjëzohesh, kurse idealet të japin krahë të fluturosh. Idealet t’i hapin krahët, idhujt t’i mbyllin krahët. Ideali të lartëson, idhulli të hedh përtokë.

Kur njeriu e ka si qëllim t’i bëjë njëqind mijë apo një milion euro dhe ia del në këtë, në fund konsideron që loja është kryer, jeta mori qëllimin. Jo, njeriu duhet të ketë ideale që në princip dhe sipas bindjes shpirtërore nuk janë të realizueshme. Një pjesë e madhe e njerëzve i realizuan idealet e tyre të definuara gabimisht, sikurse mirëqenia, rehatia etj.

Andaj, çfarë po na mësojnë programet televizive të formatit Big Brother e serialet tjera televizive që në dukje janë komike, por sipas përmbajtjes janë tërësisht infektive.

Porosia e asaj që në përmbajtje nuk është art (që qëllimi primar është popullariteti i emisionit me çdo kusht, pastaj loja e aktorëve brenda këtyre ambienteve), nëse kisha mundur ta përmbledh me një fjalë, do të them, këto programe ofrojnë porosinë e mënyrës së jetesës së lehtë, por nuk japin qëllimin pse të jetohet. Domethënë, do të jetojmë lehtë, por nuk do të dimë “pse”.

***

Nuk duhet harruar teorinë e filmit e cila na mëson për një gjë tejet të rëndësishme, atë të faktorit kohë. E cekëm më lart se shikuesi i formatit të Big Brother, kalon kohë duke shikuar edhe skena të parëndësishme për nga shprehja e ndonjë kuptimi. Për shembull duke i larë dhëmbët, duke i krehur flokët, duke qëndruar në pishinë etj.

Teoria e filmit e shtron pyetjen, a kishim mundur të shohim një film artistik me skena të tilla të mërzitshme. Cila do të ishte arsyeja e regjisorit të shfaq një artist në konceptin e tij narrativ, duke i larë dhëmbët tre apo pesë minuta, apo duke qëndruar në pishinë? Kuptohet, nëse nuk bëhet fjalë për film me karakter edukativ, se si duhet larë dhëmbët, apo qëndruar në pishinë, që natyrisht duhet të jetë në kohë reale.

Por të pyetemi, si e perceptojmë kohën në ekran. Të gjitha teoritë filmike na tregojnë njëzëri se një minutë e filmit (fjala është për film artistik) është sa një vit në jetën reale. Kuptohet që ka përjashtime, por fjala është se kuadri i filmit duhet të ketë shprehjen kuptimplote dhe jo tejzgjatjen e një ngjarje deri në humbje të kuptimit. Në teorinë filmike gjithashtu maten edhe informatat që jepen në një kuadër apo skenë filmike, ritmi i ngjarjeve etj. Domethënë, në film duhet të ketë kadencë e cila krahasohet me kadencën muzikore. Dimensioni kohë, kohëzgjatja e një gjëje të caktuar, paraqet një prej kushteve që vlerëson një film me notë të lartë apo të ulët. Gjegjësisht, kuadri filmik apo sekuenca filmike duhet t’i përgjigjet pyetjeve për kohëzgjatjen e tyre në përputhje me rëndësinë e asaj që shfaqet.

Kur shohim një aktor që ngjitet shkallëve të një shumëkatëshi, në ndërkohë, aktori nuk bën gjë tjetër përpos ngjitjes së shkallëve, atëherë është humbje kohe për shikuesin e tij. Kjo i bie, që në kohën reale shikuesi ka ndjekur një person gjithë jetën duke hipur shkallëve.

Duke i pasur në konsideratë të dhënat nga gramatika e filmit, atëherë çështja e të shikuarit Big Brother dhe të ngjashme me të, nuk e plotëson as minimumin e asaj që quhet rregull gramatikore.

Në kontekstin tonë, përkatësisht në nënqiellin tonë shqiptar, aty ku do të duhej të na dhemb më shumë, intelektualët, megjithëse mund të thuhet se nuk janë të “thirrur” për të folur për çdo dukuri, po a nuk është intelektual ai që duhet të ngrejë zërin, edhe pa qenë i thirrur nga ndokush?

Intelektualin dhe artistin e njëmendtë gjithmonë i mendoj si njerëzit e vetëm që e kanë të instaluar në brendinë e tyre antenën e veçantë e precize, për t’i kapur valët negative në shoqëri e për t’i transformuar ato në valë pozitive. Këta e kanë fuqinë për t’i përmbysur elementet devijuese e për ta ndryshuar rrjedhën e rrezatimeve helmuese.

Mendoj se janë edhe të vetmit të cilët i kanë në dorë gërshërët e prerjes së rrjetit narkotik që ka kapluar mendimin publik.

Shiheni filmin (The Truman Show), me regji të Peter Weir, film i cili më ka lënë mbresa të shumta, film të cilin çdoherë që i rikthehem m’i rrëzon bindjet e mëparshme e më pajis me bindje e njohuri të reja, film në të cilin shpaloset filozofia e jetës dhe vlera e lirisë së njeriut. Meqenëse e kam parë mbi 10 herë, ende mendohem për përmbylljen e filmit, gjegjësisht për dialogun ndërmjet personazhit Truman Burbank dhe Kristof, teksa Truman e kupton se është xhiruar gjatë gjithë jetës dhe është në prag të daljes në botën e vërtetë.

 

Ndaje