Children of Men – Fëmijë të Burrave

  • Filmi “Children of Men” lavdërohet në komunitetin e kinedashësve si një kryevepër distopiane i cili parasheh një të ardhme të zymtë dhe intriguese për botën dhe të ardhmen e njerëzimit.
  • Regjia e hatashme e Alfonso Cauron, sidomos në xhirimet me kuadra të gjata e skenografi të detajuar, jep një kontribut të madh atmosferës së zymtë, të trishtuar dhe të ngjeshur me emocione të ndryshme, si keqardhje, mërzi, urrejtje, frikë, etj.
  • Në aspektin shoqëror, filmi tejkalon konceptin e fantashkencës, duke sjellur në ekran pasojat e problemeve të ndryshme shoqërore, si ato të migracionit, trazirat politike dhe vlera e shpresës përballë një dëshpërimi të madh kolektiv.

Si përmbledhje, filmi “Children of Men” (shq. Fëmijë të burrave) nën regjinë e Alfonso Cauron dhe i bazuar në romanin e autores angleze Phyllis Dorothy James me të njëjtin emër, është film fantashkencë distopian ku shoqëria përballet me një sterilitet global dhe rrjedhimisht kjo e sjell njerëzimin në një rrënim kolektiv. Filmi ndjek Theon luajtur nga Clive Owen, i cili përfshihet në një mision për të mbrojtur një refugjate shtatzënë të quajtur Kee në një botë ku fëmijët janë zhdukur. 

Filmi vlerësohet tejet lartë si një kryevepër fantashkencë që paraqet njerëzimin në një botë distopike, e që rrëfen një tematikë tejet të ndjeshme, që nxitë shikuesin të mendojë shumë dhe të reflektojë e të ngre paralele mes realitetit që jetojmë sot dhe atij që e shohim në ekran. Regjia brilante e Cauron, që sjell shpesh pamje trishtuese e të zymta, një realitet të hidhur dhe të ftohtë, mirëpo herë pas here kuadra të gjata përplot magji kinematografike, të jep ndjenja të përziera ashtu siç është realiteti i turbullt në film që e merr audiencën dhe e bënë pjesë të një kaosi të vërtetë, e një dëshpërimi të madh në një udhëtim ku shpresa është shumë e vogël përballë trazirave dhe sfidave gati të pamudura.

Në aspektin shoqëror dhe politik, filmi shkëlqen në rrëfimin e realitetit “të mundshëm” në rast se njerëzimi do të degradohej e të zhytej në trazira të tmerrshme. Filmi në mënyrë të shkëlqyer hulumton temat si, shpresa, flijimi, autoritarizmi, racizmi, besimi (apo mosbesimi), emigracioni e vlera të jetës njerëzore dhe se si këto vlera përnjëherë mund të zhduken nëse degradon shoqëria dhe e njerëzishmja. Në sekuenca të ndryshme të filmit, në nuanca e përmasa të caktuara, skenat që i shohim në film mund t’i asociojmë shumë lehtë edhe me realitetin të cilin po jetojmë, ku shoqëri të ndryshme në realitetin që jetojmë sot, përballen me padrejtësi të shumta, luftëra shkatërruese e që viktimë gjithmonë është shtresa e varfër shoqërore. 

Kasta po ashtu është e hatashme, ku Clive Owen dominon në film, pastaj kemi edhe shumë aktorë tjerë të famshëm si Julianne Moore, Chiwetel Ejiofor, Michael Caine, Charlie Hunnam, Danny Huston etj., që bëjnë lojë të mrekullueshme. Librin nuk e kam lexuar, mirëpo në bazë të artikujve që pata rastin t’i lexoja, filmi dallon pak nga romani duke gëzuar një liri artistike e duke i dhënë më shumë fokus protagonistes Kee – gruas shtatzëne, si dhe duke futur skena aksioni, beteja lufte në raste të caktuara, etj.

Në përgjithësi, filmat distopian me tematikë rreth trazirave politiko-shoqërore, provokojnë audiencën që të mendojnë më shumë rreth realitetit në të cilin jetojnë dhe atë se çka mund të ndodh në të ardhmen, e sjellin shikuesin në një botë fiktive krejtësisht të ndryshme duke e zhytur në aventura të çuditshme, mirëpo kryesisht të zymta e të ftohta dhe në fund shikuesi ngelet me një mesazh në formë pyetjeje “Çka nëse”! Të gjitha këto i shohim dhe i përjetojmë në filmin “Children of Men”, një rrugëtim me sfida të paparashikueshme dhe një aventurë që ua kisha preferuar secilit ta përjetoni.

Ndaje