Barbie – kukull modele, apo model kukull?

  • Popullariteti i Barbie për dekada me radhë si kukull lodër ndër vajzat e vogla, s’ka dyshim që ka një ndikim të hatashëm tek kjo kategori e shoqërisë, jo vetëm në të kaluarën por edhe tani në kohën moderne;
  • Duke parë trendët dekadën e fundit nga lëvizjet feministe radikale dhe ato nga organizatat LGBT në shtyrjen e agjendave të tyre në çdo lëmi të mundshme, ishte vetëm çështje kohe që edhe kjo figurë të shfrytëzohej që të përçoheshin mesazhe me po këtë agjendë;
  • Barbie, ashtu si në të kaluarën, edhe tani përpiqet ta shpërfaqi një model-femër të pavarur, të seksualizuar, moderne dhe rrjedhimisht “të fortë.”

Që nga zanafilla e njerëzimit, kukullat lodra kanë qenë shoqërueset më të dashura për vajzat e vogla, dhe ato natyrshëm janë paraqitur si bebe apo fëmijë të vegjël me të cilat fëmijët i kanë ushqyer fantazitë e tyre. Realisht edhe filmi fillon po në këtë formë, duke shfaqur në ekran vajza të vogla duke luajtur me kukullat e tyre bebe, ndërsa në qendër shfaqet Margot Robbie në rolin e kukullës Barbie, me veshje të lehtë, ato pak tesha që i ka të veshura shfaqin shumë ngjyra, plot gaz e hare, duke shfaqur trupin e saj (paraqitja e seksualitetit të femrës). Kështu duke e marrë vëmendjen e të gjithë fëmijëve në këtë kuadër, ajo shtyn vajzat pastaj t’i thyejnë dhe t’i shqyejnë kukullat e tyre lodra pasi që ato ishin krejtësisht e kundërta e asaj çfarë paraqiste Barbie.

Me këtë skenë hyrëse, kuadro kjo e kopjuar në tërësi nga filmi kult i regjisorit Kubrik 2001: A Space Odyssey, Greta Gerwin e kapë interesin e të gjithë shikueseve dhe njëherit me pak minuta filmike e paraqet historikun e paraqitjes së parë të kukullës Barbie në shoqëri e që pati ndikim të hatashëm. Nga ky moment, vajzat tani kishin një modele-kukull, jo thjesht për t’u kujdesur për të, për ta ushqyer e veshur si një bebe, tani ato kishin një model-kukull që shfaqej me trendët e fundit të modës, plot feminitet dhe seksualitet, trend për t’u ndjekur, për t’u adoptuar dhe për të aspiruar nga vajzat e vogla. 

Filmi i Gerwin përgjithësisht, përveç ngjyrave të theksuara, një humori të lehtë shpesh me theks të humorit të zi, nuk sjell diçka të veçantë për t’u admiruar apo për t’u mbajtur mend. Realisht, do të spekuloja që për shkak të përfshirjes së një kasti të njohur si Margot Robbie, Ryan Gosling, Dua Lipa, e John Cena, si dhe duke pasur në qendër temën rreth kultit të kukullës Barbie, me këto dy elemente ka arritur të fitojë një popullaritet të madh dhe të ngjallë një entuziazëm në publik. Gjithashtu marketingu i filmit ishte i hatashëm, duke e shfrytëzuar entuziazmin e fansave të Nolan ku në një periudhë të afërt pritej të shfaqej filmi Oppenheimer, arriti të ngjalli një diskutim të panatyrshëm dhe të pakrahasueshëm se cili film do të mblidhte shikues më tepër në lansimin e vet.

Epiqendra e filmit padyshim që del të jetë trendi modern: feminizmi ekstrem, elementet LGBT, paraqitja e “maskulinitetit toksik”, etj., trendët këto që në Hollywood janë bërë recetë për të depërtuar në masë dhe për të qenë i pranueshëm sipas kulturës së ashtuquajtur “të zgjuar” (ang. Woke Culture). Realisht nëse e shikojmë filmin sipërfaqësisht, tema trajton gjithashtu edhe elementet si ëndrrat e rreme, ndjekja e këtyre ëndrrave duke bërë një jete fallco (plastikë), sfidat e shoqërisë perëndimore të shëndetit mental, portretizim ky që do të ishte për t’u admiruar. Mirëpo, kur i analizojmë më detajisht karakteret, dialogjet dhe ngjarjen në përgjithësi, prapë filmi rezulton në po të njëjtat agjenda të feminizmit ekstrem dhe asaj të Woke Culture, duke u përpjekur për ta shkrirë këtë element e duke e përçuar mesazhin e tyre në mënyrë të ndjeshme pa u vërejtur shumë.

Është e natyrshme që filma të tillë ngjallin debate e diskutime të ndryshme në botë, si nga përkrahësit ashtu edhe nga kritikët e kësaj lëvizjeje. Disa figura si Elon Musk madje, e quajnë filmin si filmi më anti-mashkull i dekadës, i cili haptas dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë sulmon gjininë mashkullore. Të tjerët si opinionistë nga gazeta The Times e Telegrafi e quajnë atë si arritje e bukur, duke sjellë në ekran shembullin e dallimeve gjinore, si dhe një përjetim aktual se me çfarë sfidash përballen femrat në suaza ditore në jetën reale.

Artistikisht, filmi Barbie mund të cilësohet si një film mesatar, me ngjyra të mira, aktrim të mirë nga kasta e përzgjedhur mirë. Ndërsa skenari është mediokër, regji mesatare dhe përfundimisht një film që do të mbetet në kujtim si filmi që ngjalli shumë diskutime, arriti mjaft shikueshmëri mirëpo që nuk i arriti pritshmëritë as nga fansat e kukullës Barbie.

Ndaje