A mund të jesh racional në një botë irracionale?

  • Asgjë nuk mundet aq shumë ta rrënojë kulturën apo karakterin njerëzor sikur agnosticizmi moral.
  • Vlerat morale janë lëvizëset e veprimtarisë njerëzore. Duke i shprehur vlerësimet morale, njeriu mbron qartësinë e mendimit të tij dhe rrugën racionale nëpër të cilën ka zgjedhur të ecë. 
  • Shoqëria irracionale është shoqëri e qyqarëve të amoralshëm, njerëz të cilët janë të paralizuar me humbjen e standardeve morale, parimeve dhe qëllimeve njerëzore.

Duke iu përgjigjur kësaj pyetjeje, unë do të kufizohem në atë që është më e rëndësishmja. Përkundër kuptimit dominues që po mbizotëron në jetë dhe po shkakton të këqija, unë përpiqem të nisem nga premisa që njeriu çdoherë duhet ta shpreh gjykimin e tij moral.

Asgjë nuk mundet aq shumë ta rrënojë kulturën apo karakterin njerëzor sikur agnosticizmi moral. Bindja e çuditshme se kurrë nuk duhet të shprehim gjykimin tonë moral ndaj të tjerëve, se duhet të jemi tolerant ndaj çdo gjëje, se bëjmë mirë nëse kurrë nuk ndajmë të mirën nga e keqja.

Është e qartë se kujt i konvenon ky qëndrim, e kujt i bën/shkakton dëm. Drejtësia ose trajtimi i barabartë i njerëzve nuk konsiston në shpërblimin e virtyteve njerëzore dhe në dënimin e mëkateve të tyre. Me qëndrimin neutral, njeriu në fakt tregon se nuk do të reagojë as në të mirë e as në të keqe. Në këtë rast, kë do ta tradhtonte e kë do ta inkurajonte?

Megjithatë, shqiptimi i një gjykimi moral bart një përgjegjësi të madhe. Sipas karakterit të tij, gjyqtari nuk duhet të jetë i dhënë aspak pas veseve e nuk duhet të ketë pengje. Meqenëse këtu nuk është fjala për gabime njohëse, gjyqtari nuk është patjetër të dijë gjithçka ose të jetë i pagabueshëm. Ai duhet të posedojë integritet të papërlyer, në të vërtetë, nuk duhet kurrë ta tolerojë me vetëdije e me vullnet një të keqe. Sikur një gjyqtar në gjykatë i cili mund të gabojë kur dëshmitë janë të pamjaftueshme, por nuk guxon t’i anashkalojë dëshmitë që i ka, nuk guxon të pranojë ryshfet ose të lejojë që ndjenjat e tij personale, dëshirat apo frika të ndikojnë në gjykimin e tij ndaj fakteve; çdo njeri racional duhet të ketë një integritet serioz në gjykatën e shpirtit të tij në të cilin përgjegjësia është më e madhe se gjykata publike, sepse vetëm ai si gjyqtar, mund ta dijë kur është ngritur proces kundër tij. 

Megjithatë, ekziston një gjykatë më e lartë ku ne mund të drejtojmë ankesat për vlerësimet tona. Kjo gjykatë e ka emrin realitet objektiv. Kurdo që shqipton gjykim, gjyqtari e nxjerr veten e tij para trupit gjykues. Vetëm cinizmi amoral, subjektivizmi dhe huliganizmi që mbretëron sot, u lejon njerëzve të imagjinojnë se mund të shqiptojnë çfarëdo gjykimi irracional ndaj të cilit nuk japin kurrfarë llogarie dhe nuk bartin pasoja. Megjithatë, ndaj njeriut duhet të gjykohet pikërisht sipas gjykimeve që i jep. Gjërat të cilat ai i gjykon ose i lartëson deri në qiell, ekzistojnë në realitetin objektiv ashtu që të tjerët mund ti vlerësojnë pavarësisht prej tij. Kur kritikon e lavdëron, ai e zbulon karakterin e tij moral. Nëse e gjykon Amerikën dhe e lartëson Rusinë, nëse i atakon njerëzit e zënë me punë e i mbron delikuentet e mitur, nëse i gjykon veprat e mëdha artistike e i lavdëron të këqijat, ai me këto e zbulon shpirtin e tij.

Është pikërisht frika nga këto përgjegjësi që i bën njerëzit të mbajnë qëndrim neutral ndaj moralit. Kjo frikë pasqyrohet më mirë në thënien “mos gjyko, që të mos gjykohesh”, që është një thirrje e dorëheqjes nga përgjegjësia morale. Duke iu përmbajtur kësaj, njeriu u jep të tjerëve duar të zgjidhura që të bëjnë çfarë të duan, duke pritur që edhe ai vetë të tolerohet nga të tjerët.

Njeriu nuk mund të ikë nga fakti se është patjetër të përzgjedh, e përderisa duhet patjetër të përzgjedh, nuk mund të ikë nga vlerat morale. Derisa vlerat morale janë në lojë, është e pamundur të jemi neutral ndaj moralit. Sepse nëse nuk e gjykojmë torturuesin, njeriu bëhet bashkëpunëtor ndaj torturës dhe vrasës ndaj viktimës.

Për këtë shkak duhet të miratojmë këtë parim moral “gjyko dhe bëhu i gatshëm që të gjykohesh”.

E kundërta e neutralitetit moral nuk është e verbër, e vetëkënaqur, apo mësimit përmendësh të parullave e gjykimeve që burojnë nga zemërimi, por arrati nga përgjegjësia e gjykimit moral.

Të gjykosh, domethënë të vlerësosh diçka konkretisht me ndihmën e parimeve dhe standardeve abstrakte. Kjo nuk është detyrë e lehtë që emocionet, “instinktet” tona i kryejnë me automatizëm. Kjo është detyrë që kërkon të menduarit racional e objektiv në mënyrë precize, kirurgjikale. Parimet morale abstrakte janë lehtë të kuptueshme, por nganjëherë vështirë për t’i aplikuar në situata konkrete, e veçanërisht në karakterin moral të tjetrit. Kur shqiptohet një gjykim moral, qoftë lavdërues apo qortues, njeriu patjetër duhet të jetë i gatshëm të përgjigjet ndaj pyetjes “pse?” dhe mendimin e tij t’ia paraqesë vetes dhe personit racional që ia kërkon këtë gjykim.

Parimi sipas të cilit duhet shqiptuar gjithmonë gjykimin tonë moral nuk kërkon të shndërrohemi në misionarë përgjegjës për “shpëtimin e shpirtrave” e as nuk kërkon që secilin që e ndeshim, pa kurrfarë arsye të fillojmë ti tregojmë për moralin e tij. Kjo kërkon: që çdo vlerësim moral ta shqyrtojmë në thellësi dhe ta artikulojmë deri në fund. Pastaj ta vlerësojmë çdo person sipas moralit, çdo çështje dhe situatë me të cilën përballemi dhe të veprojmë në pajtim me këto vlerësime. Të tjerët ti njohim sipas vlerësimeve morale kur të jetë nevoja. Kjo e fundit nuk do të thotë që njerëzit duhet t’i vlerësojmë sipas moralit pa ndonjë arsye të shëndoshë, por që duhet të deklarohemi për këtë në rrethana ku heshtja me të drejtë mund të gjykohet si miratim i së keqes.

Kur kemi punë me person irracional me të cilin është e kotë të diskutojmë, mjafton ti themi “nuk pajtohem me ty” dhe me këtë shprehim mospëlqimin nga ana morale. Kur kemi punë me njerëz më të mirë, ndoshta duhet deri në fund t’i shprehim këndvështrimet tona. Assesi nuk duhet të heshtim kur nënçmohen vlerat tona.

Vlerat morale janë lëvizëset e veprimtarisë njerëzore. Duke i shprehur vlerësimet morale, njeriu mbron qartësinë e mendimit të tij dhe rrugën racionale nëpër të cilën ka zgjedhur të ecë. Nuk është njësoj të mendojmë se kemi punë me paditurinë njerëzore dhe të mendojmë se kemi punë me të keqen njerëzore. 

Të shikojmë se sa njerëz e sjellin shpirtin e tyre në një mpirje të verbër sepse frikohen se do të zbulojnë që të dashurit e tyre, bashkëpunëtorët, liderët partiakë, jo vetëm që janë në lajthitje, por janë të këqij. Pikërisht kjo frikë i shtynë ta miratojnë, ndihmojnë dhe zgjerojnë atë të keqe, me ekzistencën e së cilës nuk guxojnë të ballafaqohen. 

Historia e dekadave e shekujve të kaluar do të ishte më ndryshe nëse njerëzit nuk do të ishin të prirë të miratojnë të keqen, me deklaratat e tipit: disa njerëz të mjerë e gënjeshtarë “mendojnë mirë”, se disa dembelë “nuk kanë rrugëdalje tjetër”, se i mituri delikuent “ka mungesë dashurie”, se i keqi “nuk di për të mirën”, se politikani i cili lufton për fuqi është i motivuar nga ndjenjat patriotike për “të mirën e përgjithshme”, se komunistët janë vetëm “reformatorë agrarë”.

Të pyetemi pse diktaturat totalitare investojnë aq shumë mund e para në propaganda, kur vartësit e tyre, robërit e heshtur nuk kanë mundësi të protestojnë dhe të mbrohen. Përgjigjja është se edhe bujku më i rëndomtë e njeriu më primitiv do të rebelohej po ta kuptonte se nuk janë të flijuar për ndonjë “qëllim fisnik” por thjeshtë, bëhet fjalë për mizorinë e diktatorit. 

Duhet të kemi me dije se neutraliteti moral patjetër zmadhon simpatinë ndaj mëkatit dhe armiqësinë ndaj virtytit. Njeriu i cili nuk përpiqet ta kuptojë të keqen si të keqe, me kalimin e kohës do të ndjehet se është rrezik të pranohet e mira si e mirë. Në njeriun me virtyte ai do të shikojë rrezik nga zbulimi i turpit të tij, e veçanërisht anashkalimi i drejtësisë që kërkon nga ai të përcaktohet për njërën anë. Pikërisht atëherë formula “askush nuk është në të drejtën e plotë dhe askush nuk gabon tërësisht” dhe “kush jam unë që të gjykoj?” tregojnë ndikimin e tyre të kobshëm. 

Njeriu i cili thotë “ka diçka të mirë edhe te njeriu më i keq” do të thotë edhe “ka diçka të keqe edhe te njeriu më i mirë”, që në fund të merr trajtën: “pikërisht njerëzit e mirë po na e shkatërrojnë jetën. Pse nuk heshtin? Kush janë ata të gjykojnë?”.

Shoqëria irracionale është shoqëri e qyqarëve të amoralshëm, njerëz të cilët janë të paralizuar me humbjen e standardeve morale, parimeve dhe qëllimeve. Por meqenëse njerëzit duhet të jetojnë derisa janë të gjallë, një shoqëri e tillë është e gatshme të vihet në duart e secilit që ka vullnet ta shpie kudo qoftë. Iniciativa mund të rrjedh nga dy lloje njerëzish: nga ata të cilët janë të gatshëm të marrin përgjegjësi për të vendosur vlerat e drejta dhe të dhunshmit që nuk i brengos problemi që bart përgjegjësia. 

Sado që të jetë e vështirë kjo luftë, njeriu racional nuk do të hamendet kur të përballet me këto dy alternativa.

Ndaje