A ka ardhur më në fund dita për ‘Komunitetin Politik Evropian’?

  • Komuniteti Politik Evropian (KPE) vjen si përpjekje për zëvendësim të integrimit në BE ndaj shteteve të Evropës së gjerë, duke përfshirë edhe Ballkanin Perëndimor.
  • Me këtë refuzim de facto të anëtarësimit në BE për vendet e Ballkanit, nisma franceze pritet të inkurajojë agresionin dhe ambiciet hegjemoniste të Serbisë në rajon, sidomos në Kosovë dhe Bosnje.
  • Pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës një konsensus është shfaqur midis Shteteve Anëtare për forcimin e dimensioneve ushtarake dhe të sigurisë së BE-së. Por, skenari i ardhshëm ka ngushtuar shtigjet për zgjerimin dhe opsionet e bashkëpunimit të BE-së.

Ndërkombëtarisht, balancat e fuqisë së institucioneve dhe organizatave po ndryshojnë me shpejtësi. Me tërheqjen e Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Evropian, ka nisur një garë e re për ndikim mbi balancën e fuqisë në Evropë. BE duket se ka pezulluar planet e saj të zgjerimit për të penguar çdo tërheqje të mëtejshme. Duke qenë se ka ende vende që presin anëtarësimin në BE në Ballkanin Perëndimor, nuk është ekzagjerim të thuhet se vështirësia e pranimit të një vendi të madh si Turqia, si anëtare e bllokut dhe Brexit janë faktorë për pezullimin e planeve të zgjerimit të BE-së.

Agresioni ushtarak i Rusisë kundër Ukrainës ka krijuar rrethana të reja që kërkojnë përditësimin e kësaj qasjeje. Disa zëra në Bruksel kanë bërë thirrje për integrimin e shpejtë të Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë në BE. Megjithatë, të tjerët kërkojnë kujdes për faktin se integriteti i tyre territorial është komprometuar nga Rusia. Dhënia e anëtarësimit në BE do ta vinte menjëherë bllokun kundër Rusisë. Për të anashkaluar këtë problem, disa nga mendimtarët më kreativë kanë dalë me idenë e një “Komuniteti Politik Evropian (KPE)”.

Krijimi i një grupimi të tillë u diskutua për herë të parë në fillim të viteve 1950. Pas Komunitetit Evropian të Qymyrit dhe Çelikut (KEQÇ), Komuniteti Politik Evropian dhe më pas Komuniteti Evropian i Mbrojtjes, nga gjashtë vendet themeluese u sugjeruan projekte për të lehtësuar veprimet kolektive në politikën e jashtme dhe çështjet e mbrojtjes. Këto dy organizata synonin ta çonin një hap më tej integrimin që filloi me KEQÇ. Megjithatë, për shkak se komuniteti politik nuk u miratua – ai u refuzua nga Asambleja Kombëtare Franceze, në vitin 1954 – këto nisma dështuan.

Shtatë dekada më vonë, në Ditën e Evropës, 9 maj 2022, Presidenti francez Emmanuel Macron prezantoi projektin KPE (megjithëse në një format të ndryshuar) në takimin e Samitit të Liderëve të BE-së. Liderët nuk e refuzuan propozimin. Kancelari gjerman Olaf Scholz dhe presidenti italian Sergio Mattarella shprehën interes për idenë.

Që atëherë, projekti duket se është në rrugën e duhur dhe takimi i parë i KPE është mbajtur përpara Samitit të Udhëheqësve të BE-së në Pragë më 6 tetor 2022. Përveç 27 vendeve anëtare të BE-së, ishin ftuar të marrin pjesë edhe liderët e shteteve joanëtare në të gjithë kontinentin: Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Kosova, Serbia, Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina, Norvegjia, Lihtenshtajni, Zvicra, M.B., Islanda, Ukraina, Gjeorgjia, Moldavia, Armenia, Azerbajxhani dhe Turqia.

Thuhet se ky propozim është bërë për të lehtësuar presionin ndaj BE-së për zgjerimin e anëtarësimit. Si i tillë, debati nëse ka një alternativë ndaj BE-së ngre pyetje të pashmangshme. Për shembull, është e paqartë se si do të ndryshojë procesi KPE nga negociatat e anëtarësimit në BE. Kjo krijon gjithashtu një perceptim artificial, sikur të ishte një ide e përbërë nga vendet evropiane që takohen si grup, edhe pse nuk janë anëtarë të BE-së.

Në fjalimin e tij në Parlamentin Evropian më 9 maj, Macron në fakt prezantoi KPE-në si një alternativë ndaj anëtarësimit në BE për ato shtete evropiane që aspirojnë të bëhen anëtarë të bllokut. Në deklaratat e tij për media pas fjalimit, Macron tha se kriteri për t’u anëtarësuar në KPE do të ishte respektimi i vlerave të përgjithshme të Evropës dhe një përkatësi gjeografike ndaj kontinentit.

Me këtë kriter politik liberal të “Pa dyer”, presidenti francez vendosi që të gjitha shtetet që aspirojnë të anëtarësohen në BE, nga Ukraina dhe Gjeorgjia e deri te Ballkani Perëndimor dhe Turqia, mund të jenë pjesë e kësaj organizate të re. Macron madje ftoi Britaninë e Madhe dhe, tërthorazi, Rusinë. Kjo e fundit u ftua si pjesë e idesë së vitit 1989 të presidentit të ndjerë francez Francois Mitterrand për të krijuar një konfederatë evropiane, në të cilën do të përfshihej edhe Rusia.

Pushtimi rus dhe pamundësia e anëtarësimit të Ukrainës në BE në kohën e tanishme duket se përdoren nga Macron si argumenti kryesor për të justifikuar nevojën për një organizatë të re pan-evropiane. Në të njëjtën mënyrë, Franca ka krijuar një premisë të favorshme për Rusinë duke njoftuar se BE-ja nuk do të pranonte për momentin si anëtare Ukrainën, Gjeorgjinë apo Moldavinë. Kjo i lë tre ish-republikat sovjetike, të cilat aspirojnë të lidhen organizativisht dhe strategjikisht me BE-në dhe Perëndimin, në një udhëkryq, gjë që Moska mund ta interpretojë si një pranim të tërthortë nga Franca të së drejtës së Rusisë për të pasur ndikim në hapësirën post-sovjetike.

Efekti i menjëhershëm negativ i nismës franceze është mbyllja e dyerve të BE-së për anëtarët e rinj. Ka katër shtete kandidate për në BE në Ballkanin Perëndimor – Serbia, Mali i Zi, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut – dhe të gjitha kanë hyrë në procesin zyrtar të integrimit dhe po presin me ankth vendimin e BE-së. Me këtë refuzim de facto të anëtarësimit të tyre, nisma franceze pritet të inkurajojë agresionin dhe ambiciet hegjemoniste të Serbisë në rajon.

Beogradi i ka hapur vet negociatat për të hyrë në BE dhe ka deklaruar se ka si BE-në ashtu edhe Rusinë si shtylla të politikës së jashtme dhe të sigurisë. Me manovrën franceze, Serbia do të braktiste aspiratat e saj në BE dhe do të anonte zyrtarisht drejt Rusisë. Lëvizja e Macronit vërteton gjithashtu qasjen anti-evropiane të Serbisë, e cila është shprehur përmes refuzimit të sanksioneve të BE-së kundër Rusisë nga Beogradi. Serbia tani mund ta mbajë hapur këtë pozicion dhe të miratojë politika më flagrante anti-BE, ndërkohë që vazhdon të refuzojë sanksionet anti-ruse të BE-së.

Rajonalisht, Serbia mund të tërhiqet nga kushti i njohjes së Kosovës për të fituar anëtarësimin në BE dhe të braktisë dialogun Serbi-Kosovë të ndërmjetësuar nga BE-ja. E gjithë perspektiva mund të ndryshojë brenda natës, duke ulur vlerën e BE-së si ndërmjetës.

Nisma franceze KPE pritet gjithashtu të dëmtojë dy shtetet e Ballkanit Perëndimor, Bosnje e Hercegovinën dhe Kosovën që nuk janë as anëtare të NATO-s, dhe kanë brenda tyre farën e destabilizimit. Serbia mund të manipulojë lehtësisht tensionet etnike dhe kufitare. Në vazhdën e planit francez, BE-ja nuk pritet më të respektojë angazhimin që ka pasur për stabilitetin e këtyre dy vendeve.

E vetmja shpresë për shtetet properëndimore në rajon është që kjo nismë e papritur të mos realizohet. Disa dëshirojnë që Gjermania t’i merr gjërat në duart e veta dhe të vazhdojë rolin e saj si promotori kryesor i integrimit në BE të shteteve aspirante.

Vendet e ftuara në takimin që është mbajtur në Pragë më 6 tetor janë vende në Evropë me karakteristika dhe marrëdhënie të ndryshme me BE-në. Për shembull, Islanda, Norvegjia, Lihtenshtajni dhe Zvicra janë anëtarë të Shoqatës Evropiane të Tregtisë së Lirë (EFTA). Zvicra ka marrëveshje të veçanta me BE-në, ndërsa tre anëtarët e tjerë të EFTA janë në Zonën Ekonomike Evropiane së bashku me anëtarët e BE-së. Në Ballkan, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë avancuar negociatat e anëtarësimit me BE-në. Bosnja dhe Hercegovina, si dhe Kosova, janë vendet për të cilat ende nuk është shpallur kandidatura për në BE. Dihet situata e Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë.

Përcaktimi i KPE si “anti-Putin” nga Moska është problemi i dytë i mundshëm. Të qenit pjesë e kësaj organizate mund të dëmtojë dialogun e Turqisë me Rusinë, si dhe përpjekjet ndërmjetësuese të Ankarasë midis Moskës dhe Kievit.

Sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës ka pasur një ndikim të madh në udhërrëfyesin për ristrukturimin e BE-së dhe integrimin e ardhshëm. Një konsensus është shfaqur midis shteteve anëtare për forcimin e dimensioneve ushtarake dhe të sigurisë së BE-së. Përveç kësaj, skenari i ardhshëm ka ngushtuar shtigjet për zgjerimin dhe opsionet e bashkëpunimit.

Në deklaratën përfundimtare të Samitit të Brukselit të BE-së në fund të presidencës franceze, koncepti i “Evropës së gjerë” doli në plan të parë. BE-ja duket se po shkon në këtë drejtim.

Ndaje