Fenomenologjia e informacionit në epokën digjitale

Zhvillimi teknologjik ka ndikuar në digjitalizimin e komunikimit në përgjithësi dhe informacionit në veçanti. Kjo ka ndikuar në përshpejtimin e valës së informacionit dhe komunikimit. Ky ndryshim në informacion ka ndikuar në perceptimin dhe marrëdhënien tonë me zhvillimet dhe ngjarjet që ndodhin. Në fakt, çdo ndryshim teknologjik, në periudha të caktuara, ka ndikuar në formën e dhënies dhe marrjes së informacionit.

Përderisa me shpikjen e shtypshkronjës së Gutenbergut, libri merr rolin kryesor si formë e komunikimit masiv dhe bartjes së informacionit. Libri u konsiderua thelbësor në krijimin e diskursit racional të iluminizmit ku komunikimi apo informacioni publik u karakterizuar nga rregulli i fakteve dhe ideve.

Këtë racionalitet të informacionit që e krijoi libri filloi ta shkatërrojë masmedia elektronike e cila, për shkak të natyrës amfiteatrore, marrësin e informacionit e ktheu në pasiv, pra i heqin mundësinë për të thënë diçka apo për tu mos u pajtuar. Kjo ka ndikuar që kryesisht përmbajtja mediale të fokusohet në përmbajtje spektakolare, ku prioritet është ofrimi i argëtimit dhe zbavitjes, nëpërmjet së cilës publiku mbahet në papjekuri apo adoleshencë, pra, jo në gjendje të gjykojë për zhvillimet që ndodhin. Habermas dhe Postman, vënë theksin te fakti se edhe lajmet, raportet informative, editorialet vishen me ngjyrime argëtuese, pra çdo përmbajtje kthehet në argëtim. 

Si rezultatet informacionet janë reduktuar në pseudongjarje, ku performanca e palëve është me rëndësi dhe jo argumentet, ku imazhi dominon përmbajtjen. Televizioni ka luajtur rolin kryesor në këtë transformim, duke e fragmentuar (cunguar) edhe diskursin, ku komunikimi publik është kthyer kryesisht në slogane komerciale, pa kontekst dhe përmbajtje.

Përderisa tek rasti i televizionit publiku mbetet spektator pasiv që u dorëzohet argëtimit, në ekranet me prekje, smartphonet, publiku kthehet në aktiv ku vazhdimisht prodhon dhe konsumon informacion.

Zhdukja e hapësirës dhe kohës nga teknologjia për bartjen e informacionit e ka transformuar edhe vet informacionin. Informacioni është i rëndësishëm në kohë, duke e tërhequr realitetin në një furi të përhershme të aktualitetit. Ky detyrim drejt përshpejtimit, ka shmangur praktikat njohëse që kërkojnë më shumë kohë, si njohuritë dhe përvojat. Në shoqërinë e informacionit, ne nuk kemi kohë për të vepruar në mënyrë racionale. Detyrimi për të përshpejtuar komunikimin na privon nga racionaliteti.

Për shkak se informacioni jeton nga “tërheqja e befasisë” publiku mbetet pre e komunikimit afektiv, pra të ndikohet lehtësisht nga sekuenca të shpejta informative. Në shoqërinë e informacionit, ne nuk kemi kohë për të vepruar në mënyrë racionale. Detyrimi për të përshpejtuar komunikimin na privon nga racionaliteti. Një fragment informacioni pa kontekst, pra i dekontekstualizuar mund të jetë më efektiv se një argument i arsyetuar, duke i bërë kështu lajmet e rreme më interesante se faktet.

Kështu, komunikimi publik politik zhvillohet bazuar në psikogramet e të dhënave të rrjeteve sociale për secilin prej nesh, duke fragmentuar kështu shoqërinë me ofrimin e informacioneve manipuluese. Pra, grupe të ndryshme marrin informacione të ndryshme, shpesh edhe kontradiktore. Qytetarët nuk u kushtojnë më vëmendje temave që janë të rëndësishme për të gjithë shoqërinë. 

Sot, kushdo që ka qasje në internet mund të krijojë kanalet e veta informative. Teknologjia e informacionit digjital zvogëlon kostot e prodhimit për informacion praktikisht në zero. Kjo ka ndikuar që të mos ketë më autoritet të informacionit, që dikur ishin gazetarët, duke lënë hapësirë të ketë mundësinë të publikojë dhe shpërndajë përmbajtje informative secili. Si rezultat i kësaj, ekosistemi informativ ka pësuar forma të ndryshme të çrregullimit, si dezinformata, lajme të rreme, manipulim të fakteve, deepfake e cheapfake.

Sot përdoren mjetet teknike dhe psikologjike për të zhvilluar luftëra informative, ku troll të ndryshëm aktivizohen për të shpërndarë lajme të rreme dhe teori konspirative, sidomos në raste të fushatave elektorale. Nga ana tjetër, robotët, llogari të automatizuara në mediat sociale, postojnë, cicërojnë, pëlqejnë dhe shpërndajnë përmbajtje të ndryshme duke e shpërfytyruar komunikimin publik. Ata shpërndajnë edhe informacione të rreme dhe forma të tjera të dezinformimit për ta relativizuar informacionin në përgjithësi, nëpërmjet të cilit manipulohet publiku. Luftërat e informacionit të zhvilluara me lajme të rreme dhe teori konspirative janë simptoma të një gjendjeje demokracie në të cilën e vërteta dhe vërtetësia nuk kanë më ndonjë rëndësi.

Memet, si format të informimit, luajnë një rol qendror në luftërat informative. Memet janë vizatime komike me slogane të shkurtra provokuese, fotografi të montuara ose video të shkurtra që bëhen virale në mediat sociale. Memet janë viruse të mediave në internet që përhapen me shpejtësi të lartë, riprodhohen dhe ndryshojnë. Komunikimi viral i bazuar në meme e bën më të vështirë informimin e drejtë dhe racional, për shkak se memet janë formë e komunikimit afektiv. Fenomeni i luftërave të memeve tregon se komunikimi digjital është gjithnjë e më shumë vizual sesa tekstual. Për shkak se imazhet nuk paraqesin argumente apo justifikime, vizualizimi në rritje i komunikimit është një pengesë shtesë për mirëinformimin.

Për mediat virale është i huaj racionaliteti dhe diskursi, shtjellimi më i gjerë i ngjarjeve dhe fenomeneve. Lajmet e rreme janë para së gjithash informacione. Ai prodhon efektin e tij para se të ketë filluar procesi i verifikimit. Informacioni kalon mbi të vërtetën dhe e vërteta nuk mund ta arrijë kurrë. Prandaj, çdo përpjekje për të luftuar infodeminë me të vërtetën është e dënuar të dështojë. Infodemia është rezistente ndaj të vërtetës.

Ndryshimi i standardit dhe i audiencës së lajmit

Zhvillimi teknologjik ka ndikuar që hapësira dhe koha e përgatitjes dhe dhënies së informacionit është zhdukur, duke mundësuar në çdo kohë dhe nga çdo hapësirë të plasohet lajmi. Po ashtu, nëpërmjet disa zhvillimeve janë shtuar edhe platformat e publikimit (përderisa më parë ishin gazetat dhe televizioni) të informacioneve dhe lajmeve duke i dhënë hapësirë secilit prej nesh mundësinë e publikimit të informacioneve dhe lajmeve. Kjo po ashtu ka ndryshuar edhe marrjen e informacionit dhe lajmit nga ana e audiencës ku shumica prej tyre praktikojnë të informohen nëpërmjet mediave sociale.

Këto ndryshime në rastin e Kosovës, në formën më të detajuar i shtjellon profesori nga Departamenti i Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, Alban Zeneli, në librin e tij, “Media tradicionale përballë medias së re”. Prof. Zeneli, në hulumtimin e tij mundohet të krahasojë ndryshimet në vlerat e lajmit dhe standardet profesionale duke i krahasuar mediat tradicionale me mediat e reja në Kosovë. Sipas tij, nëse e krahasojmë zbatimin e standardeve profesionale në mediat tradicionale, gazetë, radio dhe televizion, krahasuar me zbatimin e tyre në rastin e mediave online-portaleve, del se tek mediat tradicionale në raste kur ka moszbatim të ndonjërit nga standardet e lajmit (dobia dhe rëndësia, raportimi i fakteve dhe rregulli i mos komentimit, pesë pyetjet (kush, kur, ku, çka, si dhe pse, balancimi dhe verifikimi) në rastin e portaleve kemi përjashtim të tërësishëm të standardeve. Bazuar në këtë, faktorët të cilët mund të kenë ndikuar në mungesën e respektimit të këtyre standardeve nga ana e portaleve janë: koha e botimit dhe gara për shpejtësi. Verifikimi i informacioneve në mënyrë të pavarur nga ana e gazetarëve ka munguar si në gazeta, radio, televizion po ashtu edhe në portale.

Zhvillimi teknologjik dhe dalja në skenë e mundësive të reja të publikimit dhe shpërndarjes së informacionit ka ndikuar edhe në ndryshimin e qasjes në informacione. Në bazë të hulumtimit të realizuar nga prof. Alban Zeneli, mediat sociale përdoren më së shumti për tu informuar, ndërsa kemi një përdorim të ulët të formave tradicionale të medias siç janë gazetat dhe radiot. Sipas Zenelit, njëra nga arsyet e përdorimit më shumë të rrjeteve sociale nga ana e respondetëve është përdorimi i shumëfishtë, për informim, argëtim, komunikim dhe kalim të kohës së lirë. Por, besueshmëria në llojet e ndryshme të mediave siç duket nuk ka ndryshuar me avancimin teknologjik. Sipas të dhënave të hulumtimit, televizioni mbetet si njëri nga burimet më të besueshme.

Sa i përket lajmeve të rreme, theksohet se ato janë shumëfish më të përhapura në mediat e reja, e sidomos në rrjetet sociale sesa në media tradicionale siç është gazeta, radio dhe televizioni. Bazuar në këtë, sa i përket mediave të reja, rrjetet sociale janë përhapëse më të mëdha të lajmeve të rreme duke u pasuar nga mediat online-portalet. Ndërkaq, në mediat tradicionale, radiot kanë përhapje më të madhe të këtij fenomeni, pasuar nga gazetat, e në fund nga televizioni.

Ndaje