- Duhet të kuptohet që abuzimi i fëmijëve është rrallë një dukuri e rastësishme dhe rrallë herë vije si pasojë e një faktori të vetëm. Dhuna ndaj fëmijëve zakonisht buron nga një sërë faktorësh kompleks. Një prej tyre është gjithashtu edhe historia e abuzimit të mëhershëm.
- Në të shumtën e këtyre rasteve, kujdestarët përdorin sjellje abuzive si mekanizma për t’u përballur me dhimbjen e tyre emocionale të pazgjidhur. Në anën tjetër, ekziston mundësia që kujdestarët të abuzojnë sepse ata thjeshtë modelojnë një sjellje tipike të mësuar qysh në fëmijëri.
- Abuzimi i fëmijëve është një problem shumë faktorësh, i ndikuar nga stresi, historia dhe eksperienca personale, perceptimet kulturore, me efekte psikologjike, biologjike e sociale.
Në rrjetin e ndërlikuar të marrëdhënieve njerëzore, pak lidhje janë aq të shenjta sa ato midis kujdestarëve (përfshirë këtu prindërit, edukatorët apo çfarëdo kujdestarë të tjetër ligjor të fëmijëve). Është një marrëdhënie e bazuar në besim, e ushqyer nga dashuria dhe e mbushur me premtimin e mbrojtjes dhe kujdesit. Megjithatë, brenda këtij besimi të thellë shpesh shpaloset një paradoks. Kujdestarët – atyre të cilëve u është besuar siguria dhe mirëqenia e një fëmije, zëvendësojnë dashurinë dhe kujdesin me dhunën e abuzimin. Abuzimi ndaj fëmijëve është një akt qëllimisht dëmtues dhe përfshin çdo sjellje që shkakton dëme psikologjike, fizike dhe në disa raste edhe seksuale. Kur ky akt kryhet nga persona të afërt dhe të besueshëm siç janë kujdestarët e fëmijëve, pasojat mund të jenë më të thella dhe komplekse.
Kujdesi për fëmijët shpesh përshkruhet si një nga eksperiencat më të bukura të jetës, sidomos nga prindërit. Kjo përvojë e bën kujdestarin të sfidojë veten, durimin dhe forcën e tij. Mirëpo, në anën tjetër, disa prindër perceptojnë kujdesin e fëmijëve si një barrë të rëndë stresi dhe sfidash të vazhdueshme që mund të jenë të pamundura për t’u kapërcyer. Shpeshherë, këta individë janë të ekspozuar edhe ndaj situatave të tjera siç janë problemet personale, profesionale, ekonomike apo edhe shoqërore. Ndërsa janë të stresuar dhe të mbingarkuar, ata mund të gjejnë mënyra të papërshtatshme për të u përballur me këtë presion, përfshirë këtu edhe keqtrajtimin ndaj fëmijëve.
1.
Në fakt, literatura shkencore në mënyrë të përsëritur ka theksuar se kujdestarët që përballen me nivelet e larta stresi, ankthi, depresioni ose çështje të tjera të shëndetit mendor janë në një rrezik më të lartë për shfaqur sjellje abuzive (Gershoff et al., 2018; Lansford et al., 2002).
Mirëpo duhet të kuptohet që abuzimi i fëmijëve është rrallë një dukuri e rastësishme dhe rrallë herë vije si pasojë e një faktori të vetëm. Dhuna ndaj fëmijëve zakonisht buron nga një sërë faktorësh kompleks. Një prej tyre është gjithashtu edhe historia e abuzimit të mëhershëm. Pra, kujdestarët që kanë përjetuar abuzim gjatë fëmijërisë së tyre, apo kanë trauma personale të pazgjidhura nga fëmijëria e tyre ose përvoja të tjera jetësore kanë më shumë gjasa të kryejnë abuzim (Thornberry et al., 2010; Widom et al. 2007).
Në të shumtën e këtyre rasteve, kujdestarët përdorin sjellje abuzive si mekanizma për t’u përballur me dhimbjen e tyre emocionale të pazgjidhur. Në anën tjetër, ekziston mundësia që kujdestarët të abuzojnë sepse ata thjeshtë modelojnë një sjellje tipike të mësuar qysh në fëmijëri. Pra një fëmijë që përjeton abuzim nga kujdestari ka më shumë tendencë që të modelojë këtë sjellje përderisa është vetë fëmijë (mbase me fëmijët e tjerë) apo kur të rritet (mbase me fëmijët e tyre, rrethin e gjerë), dhe kjo si rrjedhojë krijon një cikël vicioz të dhunës. Thyerja e këtij cikli kërkon ndërhyrje të hershme, terapi dhe mbështetje për individët me një histori abuzimi.
Së fundmi, dhe shumë relevante për këtë temë, është efekti i kulturës në perceptimin e dhunës. Në disa kultura – përfshirë këtu edhe kulturën tonë deri vonë, disiplina e rreptë, duke filluar nga qortimi e deri tek ndëshkimi trupor, jo vetëm pranohet, por inkurajohet në mënyrë aktive si një mjet për të mësuar vlerat dhe për të vendosur rendin. Në mjedise të tilla, prindërit dhe kujdestarët kanë tendencë të shkelin kufijtë midis veprimit disiplinor dhe sjelljes abuzive, të nxitur nga besime kulturore të rrënjosura thellë që barazojnë abuzimin me disiplinën, dashurinë dhe përgjegjësinë. Në të tilla raste, dhuna ndonjëherë as nuk perceptohet si dhunë, dhe nuk përcillet me një ndjenjë pendimi apo gabimi, që shpesh i shtyn njerëzit të rishqyrtojnë dhe rivlerësojnë sjelljet e tyre. Pra, nën mungesën e kësaj ndjenje “keqardhjeje” apo “pendimi” të shoqëruar me veprimet e kryera, dhe “vetë-reflektimi” si këto sjellje abuzive mund të zëvendësohen me diçka të shëndetshme, nuk ka ndryshim – dhe dhuna përsëritet.
Gjersa flasim për rrënjët e abuzimit, duhet gjithashtu të flasim për efektet e tij tek fëmijët. Dhuna nga prindërit dhe kujdestarët në përgjithësi paraqet një shkelje të rëndë të besimit dhe një tradhti të vetë individëve të cilëve u është besuar kujdesi dhe mirëqenia e një fëmije. Studimet tregojnë se është pikërisht besimi i fëmijëve që thyhet nga këto praktika që vijnë nga kujdestarët, dhe si pasojë mund të dëmtojë aftësinë e një fëmije për të krijuar lidhje të shëndetshme dhe marrëdhënie besimi në moshë madhore (Cicchetti & Toth, 2015). Për më tepër, keqtrajtimi i fëmijëve gjithashtu përfshin një rrezik të shtuar (për fëmijë) ndaj çrregullimeve të shëndetit mendor, duke përfshirë depresionin, ankthin dhe çrregullimin e stresit pas-traumatik (Higgins & McCabe, 2014).
2.
Efektet e dhunës – sidomos asaj fizike në fëmijë kanë efekt edhe në trurin e fëmijës së abuzuar. Në studimin e De Bellis dhe Zisk (2014), u krahasua struktura e trurit të fëmijëve dhe adoleshentëve që kishin përjetuar forma të ndryshme të abuzimit, dhe fëmijëve dhe adoleshentëve që nuk kishin raportuar të jenë abuzuar ndonjëherë. Rezultatet treguan ndryshime në strukturën e trurit, veçanërisht, reduktime në vëllimin e Hipokampusit (përgjegjës kryesisht për kujtesën) dhe Corpus Callosum (lehtëson komunikimin midis dy hemisferave të trurit duke lejuar përpunimin e integruar të informacionit) tek fëmijët dhe adoleshentët e abuzuar. Gjithashtu, një nga gjetjet më të qëndrueshme në literaturë (Teicher & Samson, 2016; Dannlowski et al., 2012), është evidenca për rritjen e reaktivitetit në amigdalë, një strukturë që merret me përpunimin dhe rregullimin e emocioneve, veçanërisht ato që lidhen me frikën dhe formimin e kujtimeve emocionale. Ky ndryshim, në nivel sjelljeje, tek fëmijët e abuzuar përkthehet në impulsivitet dhe reagim të shtuar ndaj frikës dhe kërcënimit.
Ndryshimet e vërejtura në këto rajone të trurit besohet të jenë rezultat i proceseve neurobiologjike. Për shembull, stresi kronik i shkaktuar nga abuzimi mund të çojë në efekte neurotoksike në strukturat e trurit, duke përfshirë hipokampusin, që më pas afekton kujtesën dhe rregullimin e emocioneve. Inflamacioni, një reagim i zakonshëm ndaj traumës, mund të kontribuojë në dëmtimin nervor e kështu me radhë. Si pasojë e këtyre dëmtimeve brenda rajoneve të ndryshme të trurit, studimet kanë evidentuar edhe pasoja në zhvillimin kognitiv, kështu rrjedhimisht duke zvogëluar arritjet akademike dhe duke rrezikuar perspektivat e të ardhmes për fëmijën (Higgins & McCabe, 2014).
Si përfundim, abuzimi i fëmijëve është një problem shumë faktorësh, i ndikuar nga stresi, historia dhe eksperienca personale, perceptimet kulturore, me efekte psikologjike, biologjike e sociale. Ndërsa reflektojmë mbi këtë problem, bëhet e qartë se nevoja për një qasje gjithëpërfshirëse për të adresuar shkaqet dhe efektet e abuzimit të fëmijëve. Duhet të bëhen përpjekje për të ofruar mbështetje, edukim dhe ndërhyrje për kujdestarët që përballen me stresin dhe sfidat e shëndetit mendor. Thyerja e ciklit të abuzimit kërkon ndërhyrje të hershme dhe ndihmë terapeutike nga profesionistë. Ndërgjegjësimi dhe reflektimi mbi normat dhe qëndrimet shoqërore është thelbësor për të mbrojtur anëtarët më të cenueshëm të shoqërisë sonë – fëmijët.